Dhuna ndaj gruas - Foto: REL/Shutterstock

Spiralja e pafund e dhunës ndaj gruas

Kronika 24 orëshe e Policisë, këtë vit, ka qenë e mbushur me raste të dhunës në familje. Disa nga rastet e raportuara kanë qenë fatale për gratë. Në vitin 2018, në linjat e raportimit të dhunës në familje shifrat janë rritur krahasuar me vitin paraprak.

Policia ka pranuar këtë vit mbi 1,200 raste të dhunës në familje. Raportet ditore të Policisë janë përplot me raste të dhunës në familje.

Mediat kanë filluar të raportojnë më intensivisht për këto raste. Sado që numri i rasteve të raportuara nëpër media duket i madhe, sipas shifrave  të Agjencisë për Barazi Gjinore, mbi 80% e rasteve të dhunës nuk raportohen fare.

Përveç kësaj, viktimat që i raportojnë rastet, më vonë tërhiqen nga procedurat e mëtejshme të ndjekjes penale. Ato që raportohen si dhunë në familje shpesh me pasoja të mëdha për viktimat, sidomos fëmijët nuk përkthehen në ndëshkime.

Të dhënat e prokurorisë tregojnë se më shumë se gjysma e viktimave tërhiqen gjatë procedurave. Viktimat e dhunës në familje kanë shqetësime serioze të sigurisë që i mbajnë ato larg nga raportimi i rasteve dhe bërja publike e tyre.

E në këtë raste të raportuara nuk përfshihen dy elementet thelbësore e që dominojnë materien e dhunës janë abuzimi emocional (fyerjet, britmat, presioni apo nënçmimi) dhe abuzimi ekonomik (fshehja e financave, mosqasja e barabartë në burime financiare, shfrytëzimi apo mosndarja e barabartë e hises të kontributit të tyre në familje).

Paqëndrueshmëria ekonomike e grave që lidhet me nivelin e lartë të papunësisë dhe mungesës e qasjes në trashëgimi janë dy prej elementeve që e vështirësojnë zgjidhjen e problematikës së dhunës në familje.

Papunësia te gratë në Kosovë është shumë më e lartë se ajo e meshkujve. Vetëm rreth 13 për qind të grave në moshë të punës janë të punësuara në Kosovë. Pjesa më e madhe e grave që nuk janë të punësuara nuk llogariten fare aktive nga Agjencia e Statistikave, pasi nuk janë të interesuara për punë, kurse pjesa tjetër nuk mund të punësohen.

Gjendja socio-ekonomike e grave, fëmijëve dhe të moshuarve i bën ata tradicionalisht të varur nga anëtarët tjerë të familjes dhe rrjedhimisht më të cenuar.

Një kulturë e rrënjosur e mos ndarjes së trashëgimisë për femrat vazhdon t’i bëjë ato vulnerabël dhe në ekspozim të pashmangshëm ndaj dhunës.

Viktimat në të shumtën nuk kanë qasje në shërbime efektive të mbështetjes dhe urdhrat e gjykatës për mbrojtje lëshohen me vështirësi dhe janë afatshkurtra.

Debatet e një kampanje 16 ditëshe kundër dhunës e UN Women në Kosovë ka rinxjerrë në pah probleme serioze në zinxhirin e trajtimit të dhunës në familje. “Diskriminimi dhe dhuna në baza gjinore vazhdon të jetë në nivel të lartë. Të dhënat studimore tregojnë se 68 për qind e grave kosovare kanë përjetuar dhunën në familje gjatë jetës së tyre”, thotë Flora Macula, shefe e Zyrës së UN Women në Kosovë.

Por cikli i dhunës zor që ndërpritet me atë që ofrojnë aktualisht mekanizmat e shtetit.

Jeta në strehimore e grave me fëmijë është e përkohshme dhe e vështirë, ndërsa mundësitë e tjera janë tepër të limituara.

Në peshimin midis jetës në strehimore, e më pas të pasigurt dhe asaj të përfshirë në një cikël dhune, ato shpesh zgjedhin këtë të dytën.

Strategjia Kombëtare për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje dhe Plani i Veprimit plotësues 2016-2020 i ekzekutivit ka përfshirë në pjesën  më të madhe të saj është një përsëritje e ligjeve në fuqi dhe përshkrimesh për pasojat që ka dhuna.

Në zemër të këtij dokumenti qëndron një plan që deri në vitin 2020, viktimave t’u sigurohet qasje në shërbime cilësore, rehabilitim e reintegrim.

Shqipe Gjocaj, një aktiviste për të drejtat e grave në Kosovë, thotë se vështirë se mund të vërehen në praktikë parimet dhe veprimet e përcaktuara në strategjinë për luftimin e dhunës familje.

“Kjo mbetet në letër më shumë si parim sesa si plan konkret. Shembull tipik janë strehimoret për mbrojtjen e viktimave. Në janar të këtij viti, tetë nga nëntë strehimoret janë detyruar të mbyllen përkohësisht për shkak të mungesës së buxhetit”, thotë ajo.

Të dhënat e policisë, qendrave sociale dhe prokurorisë tregojnë se viktimat flasin në besim shumë më shumë se atë që ato duan ta publikojnë.

Protestat dhe fushatat në Kosovë kanë vazhduar përpjekjet për të transformuar kulturën e dhunës duke u zgjeruar përtej sulmit, për ndërtuar një mekanizëm në rritje për fuqizimin e grave.

Megjithatë për të inkurajuar raportimin e incidenteve dhe për të bindur viktimat që mund të sfidojnë dhunën dhe ta parandalojnë atë nevojitet një sistem efikas i mbrojtjes dhe drejtësisë.

“Dhuna në familje është një krim që i bën shoqëritë më të dobëta dhe më fragjile. Deri më tani, institucionet  në Kosovë nuk kanë qenë aq të afta që ligjet t’i zbatojnë në praktikë. Po ashtu, ka një angazhim të dobët të shoqërisë për të raportuar dhunën”, thotë Wolfgang Nikolaus nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.

Dhuna në familje ka qenë prej kohësh e njohur si një faktor i madh rreziku për vrasjet e grave. Prania e një arme, në të shumtën pa leje, në një situatë të dhunës në familje e bën shumë më shumë të ngjarë që një grua të vritet. E armët pa leje janë me bollëk në duart e popullatës.

Ligji për mbrojtjen e viktimave parasheh një ndërveprim të ngushtë mes policisë, prokurorisë, punonjësve socialë dhe viktimave.

“Përkushtimin e dëshmon më së miri rasti i viktimës Valbona Ndrecaj që bashkë me vajzën u vra nga burri i saj. Ajo e kishte raportuar por nuk u mor në mbrojtje dhe zyrtarët policorë nuk morën kurrfarë përgjegjësie profesionale”, thotë Shqipe Gjocaj.

Strategjitë e plasuara tregojnë se ligjet në Kosovë sado të mira nuk mund të të mbrojnë nga dhuna, ndërsa viktimave shpesh u mbetet të përpiqen ta mbrojnë veten.