Skulp’Ice Shkrin Kufijtë

Mosnjohja e Kosovës nga pesë shtete në pesëvjetorin e pavarësisë ishte inspirimi i sivjetmë për organizatorët e “Skulp Fest”. 

Ata kanë ftuar pesë artistë nga Rusia, Spanja, Turqia e Maqedonia dhe dy artistë nga Kosova për të punuar në edicionin dimëror të festivalit. 

Organizatorët thonë se përzgjedhja ishte e vështirë, por duke konsideruar rrethanat aktuale, frymën dhe ndërlidhjen e “Defreezing Edition” me pesëvjetorin e pavarësisë̈ së Kosovës vendosën t’i japin prioritet artistëve që vijnë nga shtetet që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës. 

“Pavarësisht mospranimit politik, artistët vijnë̈ duke përfaqësuar shtetet e tyre e duke treguar që arti arrin të shkrijë çdo kufi”, thonë ata.

Artistët pjesëmarrës janë: Darya Lisitsina (Rusi), Kirill Bair (Rusi), Bulent Cinar (Turqi), Francisco J. Celis (Spanjë), Sašo Sazdovski (Maqedoni), Valon Mehmeti (Kosovë), Butrint Morina (Kosovë).

Edicioni 2013 i Sculp’ice do të realizohet rreth konceptit të shkrirjes (defreezing) që është emërues i përbashkët dhe moto e edicionit të sivjetmë. 

Festivali do të strukturohet rreth këtyre shtyllave tematike: Shkrirja e Njohjeve, Shkrirja e Integrimit Evropian, Shkrirja e Potencialit, Shkrirja e Tabuve dhe Shkrirja e Gjelbër. 

“Sculp Fest” është festival ndërkombëtar që mbahet në Prizren, dhe ka tri departamente: Sculp’ice, Sculp’edu dhe Sculp’biennale. 

Përderisa dy të parat (“Sculp’Ice” dhe “Sculp’Edu”) zhvillohen çdo vit, “Sculp’Biennale” mbahet çdo dy vjet.

Ideja kryesore e këtij festivali është që të krijojë hapësirë për artistët e rinjë vendas dhe një mundësi të shprehjes nëpërmjet gjuhës, të cilën ata më së miri e njohin.