Skandalet e karrigeve

Nisur me kanosje në rrjete sociale, mospajtimet në degën e tretë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), të dielën përfunduan me përleshje fizike dhe sulme me karrige gjatë kuvendit zgjedhor të kësaj partie në Prishtinë.

Në mediat vendore ditëve të fundit është raportuar për dy grupe simpatizantësh brenda degës së LDK-së në Prishtinë, ku apostrofoheshin emrat e Hazir Borovcit, Arban Abrashit e Sherif Vrajollit.

Fillimisht u raportua se të premten e kësaj jave një anëtar i LDK-së, pjesë e degës në fjalë ishte arrestuar pasi në një rrjet social kishte kanosur simpatizues të partisë politike.

Lajmi ishte konfirmuar edhe nga ana e Policisë së Kosovës, e cila në raportin 24 orësh kishte dhënë disa detaje të ngjarjes.

Por gjërat nuk mbaruan me kaq.

Të dielën pasdite në media sociale u transmetua një përleshje e ashpër gjatë kuvendit zgjedhor të LDK-së në Prishtinë, ku përdoreshin edhe karriget e bankave të shkollës ku po mbaheshin zgjedhjet e brendshme.

Pamjet u bën virale shpejt, përderisa Policia e Kosovës bëri të ditur për KALLXO.com se lidhur me incidentin ishin arrestuar 3 persona, ku deri më tash numri i të përfshirëve në rrahje që janë arrestuar ka shkuar në 6.

Si pasojë e kësaj rrahje, ndihmë mjekësore kanë kërkuar të dyshuarit, të cilët kanë pësuar lëndime të lehta trupore.

Policia ka bërë të ditur se me vendim të prokurorit kujdestar, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Përderisa reagimet për përleshjen e së dielës ishin të shumta, LDK-ja qëndronte e heshtur.

KALLXO.com mbrëmjen e së dielës kishte kontaktuar zyrtarë të lartë të partisë, si nënkryetarët Haki Rugova e Agim Veliu, shefin e Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti, zëdhënësin e partisë Besian Mustafa, deputetin Arban Abrashi, deputeten Besa Gaxherri, por të njëjtit e kanë mbyllur telefonin.

Ndërkaq, deputeti nga radhët e LDK-së, Driton Selmanaj kishte thënë për KALLXO.com se nuk ka shumë informacione për përleshjen në fjalë.

“Për atë thirrni anëtarët e Kryesisë, sepse ata merren me organizimet dhe masat disiplinore që merren ndaj tyre. Unë s’kam çka më dhënë mendim, unë si Driton. Edhe ashtu jam i përfshirë në një proces zgjedhor në Prizren dhe nuk kam shumë informata se çfarë ka ndodhur”, ka thënë deputeti.

Pak minuta më vonë zgjodhi të flasë publikisht kryetari i zgjedhur i nëndegës së Matit, Sherif Vrajolli, i cili e fajësoi ish-kandidatin e LDK-së për kryetar të Prishtinës, tashmë deputet i LDK-së Arban Abrashin.

Sipas tij, Vrajollit, Abrashi nuk punon për partinë, por për interesa personale.

“Ju ishit vetë dëshmitarë, se prezenca ishte e madhe mbi 320, në atë të parën kur është dashur komisioni kandidues këta ishin më pak, por nuk u pajtuan me votën, u numëruan dolën mbi 230 diku delegatë ‘për’, kundër ishin ata që kanë mbetur 60- 70. Kështu që mospajtimet e tyre dolën prej kontrollit, dhe nënkryetarin e goditën me grushte, u bë një përleshje. Mua më vjen keq. Këtu fajtor kryesor i këtyre edhe i Kodrës së Trimave, edhe i Lagjes së Spitalit, edhe krejt, është Arban Abrashi me një grup, i cili nuk po ka mëshirë, sikur të mos ishte në LDK, duhet të vijë turp”, citohet të ketë thënë ai, raportoi RTV 21.

Vrajolli shtoi se këto veprime nuk janë bërë për interesa të LDK-së.

“Unë jam aktivist që 30 vjet edhe të kem pasoja, ndoshta edhe e kam thyer dorën kjo është turpi i LDK-së. Kisha apeluar që askush të mos jetë i lënduar, se këta për interesa të vet është duke i bërë, nuk janë për interesa të qytetarëve, nuk janë për interesa të LDK-së”, tha ai.

Kryetari i sapo zgjedhur i nëndegës së LDK-së në Mat tregoi arsyet e shpërthimit të incidentit në mes të dy grupeve.

“E gjitha filloi kur unë në komisionin e punës e propozova  dr. Sali Krasniqin dhe Musli Mehën, të cilët janë aktivistë më të vjetër, mund të them në LDK edhe 260-270 ishin për dhe 60 kundër, u pa…nuk u pajtuan edhe rrethi i tij i madh e bëri këtë”, tha ai.

KALLXO.com të dielën provoi të kontaktojë deputetin Arban Abrashi, por i njëjti ka qenë i paqasshëm.

Heshtja thyhet të nesërmen

Ndonëse ditën e incidentit zyrtarë të lartë të LDK-së nuk reaguan, pasditen e sotme (e hënë) u mblodh Kryesia në zyrat qendrore të partisë.

Pak momente pasi që gazetarët shkuan përpara selisë së këtij subjekti politik, LDK-ja publikoi një komunikatë për media.

Kryesia e kësaj partie bëri të ditur se ka përjashtuar nga gara për të parin e kësaj dege Arban Abrashin dhe Hazir Borovcin.

“Duke analizuar situatën e krijuar, Kryesia e LDK-së mori vendim që z. Hazir Borovci dhe z. Arban Abrashi, të përmendur në teren për kryetar të Degës III në Prishtinë, të tërhiqen nga gara për kryetar të Degës, me qëllim që t’i kthehet normaliteti procesit të zgjedhjeve brenda LDK-së. Me pjesën e mbetur të procesit zgjedhor në Degën III do të udhëheqë Kryesia Qendrore e LDK-së”, thuhej në njoftim.

Tutje LDK-ja thotë se sjelljet e dhunshme janë metoda të papranueshme për këtë parti.

“Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së LDK-së, të udhëhequr nga kryetari Mustafa, mes tjerash, u analizua edhe situata e krijuar në disa degë të LDK-së gjatë procesit zgjedhor. Theks i veçantë i është  kushtuar zhvillimeve të fundit në Degën III në Prishtinë, me ç’rast Kryesia rithekson se sjelljet e dhunshme dhe pamjet e tilla janë mënyra dhe metoda të papranueshme për LDK-në”, theksohej në komunikatë.

Në anën tjetër, deputeti i LDK-së, Arban Abrashi sapo lëshoi mbledhjen iu drejtua gazetarëve, por në deklaratën e tij nuk e përmendi se është përjashtuar nga gara.

Si i përmendur për kryetar të kësaj dege, Abrashi ka fajësuar individë të partive të tjera politike për përleshjen e djeshme me karrige gjatë kuvendit zgjedhor.

“Aty kanë qenë të infiltruar disa të partive të tjera, i kemi parë edhe vet lajmin e një personi me karrige që si duket është i një partie tjetër dhe kaq muj me thanë. Për Ferizaj nuk jam në ngjarje, tash po folim për qeta të djeshit. Qata e pash sot në media, ish i identifikun edhe me foto edhe me emër dhe s’kam çka komentoj më shumë”, ka thënë ai para gazetarëve.

Ai shtoi se në mbledhjen e kryesisë kanë diskutuar në përgjithësi për zhvillime dhe për procese, përfshirë edhe për incidentin e djeshëm.

“Duhet me i trajtu me më shumë maturi, duhet më shumë ndërhyrje të kryesisë dhe me ec tutje. Duhet me i trajtu, me i shiku parregullsitë, ka problem edhe me anëtarët e partive të tjera të cilat po ndërhyjnë shkaku i mungesës së listës së anëtarësisë por janë sene që rregullohen”, u shpreh ai.

Megjithëkëtë Abrashi e vlerësoi si tragjike gjithë atë çfarë ndodhi të dielën.

Rasti i degës së tretë së LDK-së qershorin e këtij viti, nuk ishte i vetmi kur procesi i brendshëm zgjedhor i partisë nuk kaloi pa incidente.

Me 19 maj 2019 një tjetër përleshje fizike kishte ndodhur në kuvendin zgjedhor të nëndegës kryesore të LDK-së në Mitrovicë.

Aty madje të pranishëm kishte edhe zyrtarë të lartë të partisë.

Ishte anëtari i Kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti i cili ka mohuar se ka qenë i pranishëm ku ndodhi përleshja fizike mes disa pjesëmarrësve në Mitrovicë.

Por, më pas Hoti u sigurua që të editojë postimin e tij edhe dy herë të tjera duke vazhduar të mohojë se nuk kishte qenë prezent në këtë incident.

Ai ka shtuar së fundmi se kishte qenë ‘vetëm në hapje të kuvendit’ dhe mandej është larguar.

Mirëpo, sipas një videoje të publikuar në media, Hoti shihet duke u larguar pasi që përleshja fizike fillon mes disa pjesëmarrësve.

Gjithashtu, kryetari i degës së LDK-së, Safet Kamberi, e kishte konfirmuar për KALLXO.com së të pranishëm në këto kuvende zgjedhore kanë qenë, Avdullah Hoti dhe nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova.

Ndërkaq, edhe në nëntorin e vitit 2006 në Lidhjen Demokratike të Kosovës pati rrahje dhe përplasje me karrige, kur atë botë po mbahej kuvendi zgjedhor për kryetar të partisë.

Pas gjithë ngjarjes që mbuloi ballinat e gazetave vendore, kryetar i LDK-së ishte zgjedhur Fatmir Sejdiu.