Grafika: Trembelat për Kallxo.com

Sistemi i drejtësisë nën llupë: Kush u lirua e kush u dënua gjatë vitit 2018?

Viti 2018 ishte vit i mbushur me ngjarje të rëndësishme sa i përket sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Shumë figura të njohura të rëndësishme të vendit u vunë përballë organeve të drejtësisë, kjo për shkak se ndaj tyre u ngritën aktakuza nën pretendimet se kishin kryer vepra penale të keqpërdorimit të detyrave zyrtare e mos përmbushje të detyrave dhe përgjegjësive gjatë kryerjes së punëve të tyre në ushtrimin e funksioneve të larta në vend.

Në mesin e këtyre shumë personave  të akuzuar vetëm disa prej tyre u dënuan e shumë të tjerë u liruan.

BIRN në vazhdimësi i ka monitoruar të gjitha këto rastet gjyqësore me interes për publikun, me një sy çelësi të mbrehtë duke informuar në vazhdimësi qytetaret si dhe duke vënë në dukje shkeljet dhe lëshimet që po bëheshin gjatë gjykimit të këtyre rasteve.

Edhe kur prokuroret flinin, monitoruesit e BIRN-it ishin syhapur dhe me të vëmendshëm se kurrë për të monitoruar dhe përcjellë tek qytetaret atë se çka po zhvillohej brenda sallave të Gjykatave.

https://kallxo.com/video-prokurorja-fle-gjate-seances/

Nëse thuhet se dita e mirë shihet në mëngjes atëherë për vitin 2018 duhet thënë se filloi “s’ka se si më keq”.

Viti 2018 nisi me një lajm alarmues.

Kjo për shkak se KALLXO.com informoi publikun se strehimoret për gratë dhe fëmijët që kanë përjetuar dhunë ishin mbyllur si pasojë e mungesës së burimeve financiare.

Të kontaktuara nga KALLXO.com drejtoreshat e këtyre strehimoreve thanë se strehimoret janë jashtë funksionit për muajt janar dhe shkurt për shkak të mungesës së mbështetjes financiare por ajo se çfarë nuk dihej ishte vend ndodhja e viktimave të dhunës?

Këto viktima të dhunës në familje si pasojë e mos strehimit të gjetura në “rrugë pa zgjidhje”, mund të ishin kthyer tek ushtruesit e dhunës “dhunuesit”, apo edhe mund të ndodheshin nëpër rrugë.

https://kallxo.com/mbyllen-strehimoret-viktimat-e-dhunes-mbesin-ne-rruge/

Por më shqetësues ishte fakti se Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, dukej të mos ishte fare në dijeni për këtë fakt.

Ai për KALLXO.com kishte thënë se nuk është në dijeni për daljen e këtyre qendrave jashtë funksionit, ndonëse e kishte pranuar se ka pasur vështirësi në alokimin e buxhetit për to.

Pas raportimit nga KALLXO.com i menjëhershëm kishte qenë reagimi i qeverisë për të marrë vendim për ndarje mjeteve për ri-funksionalizimin e strehimoreve.

https://kallxo.com/pas-raportimit-te-kallxo-com-qeveria-ndan-buxhet-per-strehimoret-e-mbyllura/

Si pasojë e buxhetit të pa mjaftueshëm për strehimoret për të mbijetuarit e dhunës në baza gjinore këto qendra në vazhdimësi po hasin në vështirësi që të rrinë të hapura në mungesë fondesh.

E sa i përket gjyqësorit ky vit ka nisur me lajmin se Prokuroria Themelore e Gjilanit ka ngritur aktakuzë ndaj shefit të prokurimit në Gjilan, Salih Kqikut.

Aktakuza ndaj Kqikut është ngritur për dy vepra penale, për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe asgjësim te dosjeve në arkiva te zyrës se prokurimit nën pretendimet e prokurorisë së ai ka shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke i tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të punësimit të dy familjareve të tij.

https://kallxo.com/aktakuze-ndaj-shefit-te-prokurimit-per-punesimin-e-vajzes-dhe-mbeses/

E për Kryeshefin e Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale, Ilir Dushin viti i ri kishte ardhur me lajme të mira.

Kjo për shkak se atij Gjykata e Apelit i vërtetoi pafajësinë.

Ilir Dushi përfundimisht më nuk do të përballet me organet e drejtësisë për akuzat e Prokurorisë sa ishte në cilësinë e kryeshefit të Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale.

Bashkë me Dushin, akuzoheshin edhe Remzie Thaqi, Rifat Muriqi, Lendita Fetahu dhe Lindita Avdyli, për të njëjtën vepër penale, atë të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, të cilëve po ashtu iu vërtetua pafajësia.

Në shkurt të këtij viti Apeli po ashtu vendosi që rasti ndaj Aktivisteve të VV-së të dënuar për terrorizëm nga Gjykata Themelore e Prishtinës të kthehet në rigjykim.

https://kallxo.com/ekskluzive-rigjykim-per-aktivistet-e-vv-se-te-denuar-per-terrorizem/

Në nëntor të vitit të kaluar Gjykata Themelore në Prishtinë dha verdiktet për katër të dyshuarit për këtë rast. Atdhe Arifi u dënua me 6 vjet burg, deputeti Frashër Krasniqi me 8 vjet burg, Egzon Haliti me 5 vjet e gjysmë si dhe Adea Batusha është dënuar me 2 vjet burgim.

Këta të katër akuzoheshin se më 4 gusht të vitit të kaluar në bashkëkryerje kishin sulmuar Kuvendin e Kosovës, andaj mbi ta vihej në barrë vepra penale e terrorizmit, vepër kjo e paraparë në nenin 136 të Kodit Penal të Kosovës, ndërsa në këtë rast e kualifikuar sipas paragrafit 1 të këtij neni, e dënueshme me jo më pak se 5 vjet burg.

Në anën tjetër Ferid Agani Ish ministri i shëndetësisë, i cili është pjesë e aktakuzës për rastin “Stenta” ku janë të akuzuar mbi 50 persona kishte deklaruar se nuk sheh asnjë pikë përgjegjësie të tij lidhur me këtë rasti.

Në gjykimin i cili ka nisur në muajin shkurt, Agani kishte deklaruar se ndihet i pafajshëm në të gjitha akuzat të cilat prokuroria ia vë në barrë. Ngjashëm me të është deklaruar edhe ish sekretari i MSh-së Gani Shabani.

Procedura ndaj Aganit dhe Shabanit është veçuar me qëllim që gjykata të optimalizojë procedurën.

https://kallxo.com/ferid-agani-jam-i-pafajshem/

Gjykata e Apelit gjatë këtij muajit shkurt e ka liruar nga akuza edhe ish-kryetarin e Komunës së Parteshit, Dragan Nikoliq.

Nikoliq më parë ishte dënuar me 6 muaj burg me kusht nga Gjykata Themelore në Gjilan, ai akuzohej për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Më pas Apeli duke vendosur sipas ankesës së Nikoliqit, e ka liruar atë nga akuza.

https://kallxo.com/gjykata-e-apelit-e-liron-nga-akuza-e-korrupsionit-dragan-nikoliqin/

Ndryshe nga të lartpërmendurit, dy zyrtarët e Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale Bersan Kolgeci e Ilir Dushi janë dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Gjykata Themelore Kolgecin e Dushin i ka dënuar me nga 6 muaj burgim, ndërsa ka liruar zyrtarin tjetër të kësaj agjencie Haki Ejupin.

E Edon Hajrullaga, pronari i Kompanisë “Prima Pfarm” është dënuar me gjobë prej 10 mijë eurove.

https://kallxo.com/denohen-zyrtaret-per-banderolat-e-ilaceve/

Në muajin mars, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese BIRN dhe Internews Kosova kanë publikuar një raport me gjetjet nga monitorimi i rasteve gjyqësore të shënjestruara për liberalizimin e vizave.

Hulumtimi i realizuar nga BIRN dhe Interneës Kosova nxori në pah probleme serioze në trajtimin e rasteve të shënjestruara. Raporti i titulluar “Liberalizimi i Korruptuar” dëshmon për vonesat deri në mijëra ditë nga ana e Gjykatave dhe Prokurorive tona në trajtimin e rasteve të shënjestruara.

Në fund të këtij muaji autoritetet në Kosovë arrestuan gjashtë shtetas turq, pesë nga ta punonjës të Institucionit Arsimor Gulistan, pronë e klerikut turk Fethullah Gulen të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e fajëson për një përpjekje grusht shteti në Turqi, dy vjet më parë, si dhe një mjek turk në Kosovë.

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, kanë theksuar se nuk kanë pasur informacione për aksionin e institucioneve të sigurisë për arrestimin dhe dëbimin e qytetarëve turq.

Si rezultat i deportimit të shtetasve turq Haradinaj i liroi nga detyra ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, dhe drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Driton Gashi.

Deportimin e shtetasve turq nga Kosova, Avokati i Popullit Hilmi Jashari e kishte cilësuar si shkelje të të drejtave të njeriut të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me instrumentet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të cilat janë pjesë e sistemit juridik të Republikës së Kosovës

https://kallxo.com/avokati-i-popullit-te-deportuarve-ne-turqi-iu-shkelen-te-drejtat/

Në lidhje me ketë ngjarje  komisioni hetimor parlamentar për deportimin e gjashtë shtetasve turq, për disa ditë radhazi intervistoi zyrtarë të departamenteve dhe institucioneve të ndryshme.

https://kallxo.com/cka-raportuan-zyrtaret-per-deportimin-e-gylenisteve/

Pas përfundimit të intervistave, komisioni pritet që të dorëzoj në kuvend një raporti final lidhur me hetimin e këtij rasti.

Në prill të 2018-ës emisioni “Drejtësia në Kosovë” solli fakte dhe dëshmi për mënyrën se si prokuroria e shtetit i trajton rastet kur të dyshuar janë familjarë të prokurorëve. Hulumtimin ekskluziv tregoi se si iu mbyll rasti djalit të prokurorit special Haki Gecaj, i cilit ishte kapur me drogë

Gjetjet e ekipit të “Drejtësia në Kosovë” treguan se si mbrëmjen e 10 nëntorit të vitit 2014-të një patrullë policore kishte ndaluar një makinë në dalje të Prishtinës, saktësisht në vendin e njohur si “Rrethi i Flamurit”. Gjatë bastisjes Policia kishte zbuluar një sasi droge prej 1.85 gramë marihuanë te Valdrin Gecaj, djali i prokurorit special Haki Gecaj dhe tek shoku i djalit të tij.

Detajet e hulumtimit treguan se si e ka arsyetuar prokurorja Arbëresha Shala – Raqa mbylljen e rastit të djalit të kolegut të saj prokuror, duke u thirrur në disa nene të Kodit Penal dhe atij të Procedurës Penale, edhe pasi Valdrin Gecaj e kishte pranuar se ishte zënë me drogë.

Si u mbyll pa shkuar në gjykatë lënda e djalit të një prokurori të kapur me drogë?

Ndërsa maji ishte muaji në të cilin Gjykata Themelore e Prishtinës shpalli verdiktin ndaj mjekëve të klinikës “Medicus”, Lutfi Dervishit, i cili akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar si dhe Sokol Hajdinit, i akuzuar për lëndim të rëndë trupor,

Lutfi Dervishi u dënua me 7 vjet e gjysmë burg dhe një gjobë prej 8 mijë euro, ndërsa me një vit u dënua Sokol Hajdini.

Dënimet erdhën pasi që rasti ndaj tyre ishte kthyer në rigjykim.

Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.

Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet.

Gjykata e Apelit më pas ia kishte vërtetuar dënimin Dervishit, ndërsa Hajdinit ia kishte shtuar vitet e dënimit me burg nga 3 vjet në 5.

Së fundmi rasti është kthyer përsëri në rigjykim pasi që Gjykata e Apelit për të dytën herë radhazi pas shkeljeve që ka gjetur e ka kthyer në rigjykim këtë rast.

https://kallxo.com/rasti-medicus-kthehet-perseri-ne-rigjykim/

Më pas Lutfi Dervishi me vendim të Gjykatës është lirar nga paraburgimi, Dervishit, Gjykata e Prishtinës ja ka zëvendësuar masën e paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak.

https://kallxo.com/rasti-medicus-lutfi-dervishi-lirohet-nga-paraburgimi/

Gjatë vitit 2018 i lirë është lënë edhe  ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj.

Mekaj akuzohej për keqpërdorim të detyrës në lidhje me një rast ku sipas prokurorisë Mekaj do të angazhohej në caktimin e shqyrtimit gjyqësor në dy raste dhe ricilësimin juridik të veprave penale.

Në këtë rast të pafajshëm janë shpallur edhe tre të akuzuarit Vlora Gorani si dhe Mentor e Ali Seferaj.

Po thuajse i gjithë ky gjykim është zhvilluar prapa dyerve të mbyllura për shkak se mbrojtja kishte kërkuar mbylljen e seancës për publikun pasi që sipas tyre mund të cenohej privatësia e palëve në procedurë.

Rasti ka qenë në mesin e rasteve të shënjestruara për liberalizim të vizave.

https://kallxo.com/gjykata-vendosi-per-salih-mekajn/

Aktgjykim lirues është marrë edhe ndaj Ish- drejtorit të Prokurimit në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Xhemajl Buzukut si dhe drejtorit të “Alb Architect” Afrim Demirit.

Buzuku e Demiri akuzoheshin lidhur me akuzat për një kontratë 24 muajshe me mundësi vazhdimi edhe për 12 muaj me kompaninë “Alb-Architect”.

Me rastin e shpalljes së aktgjykimit kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, kishte thënë se lirimi ndodhi në mungesë të provave, ngase, sipas tij, nuk është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale që u vihej në barrë.

https://kallxo.com/gjykata-shpall-aktgjykimin-per-ish-drejtorin-ne-masht/

Gjatë muajit qershor Gjykata e Prishtinës u ka dhënë pafajësinë edhe ish-sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë Ilir Tolaj, zyrtarëve të kësaj Ministrie, si dhe zyrtares së Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të gjithë të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare në lidhje me projektin e asgjësimit të barërave me afat të skaduar.

Të pafajshëm janë shpallur Ilir Tolaj, Zenel Kuqi, Bekim Fusha, Valentina Haxhijaj, Florije Tahiri e Remzije Thaçi.

Sipas gjykatëses së rastit Valbona Selimaj me asnjë provë nuk është arritur të vërtetohen pretendimet e Prokurorisë Speciale se të akuzuarit kanë kryer veprat penale të cilat u viheshin në barrë.

https://kallxo.com/video-seanca-ku-ilir-tolaj-fitoi-pafajesine/

Edhe Ish-kreu i Organit Shqyrtues të Prokurimit, Hysni Hoxha është liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Hoxha përfundimisht është liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga Gjykata e Apelit.

Sipas këtij aktgjykimi, Hysni Hoxha dhe  Hysni Muhadri ishin liruar nga akuza për veprën penale – keqpërdorim i pozitës apo i autoritetit zyrtar në bashkëkryerje nga neni 422, lidhur me nenin 31, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa  Arsim Robelli për veprën – falsifikimi i dokumenteve në bashkëkryerje.

Gjykata e Apelit e Kosovës e ka liruar nga akuza e mashtrimit në detyrë edhe ish-rektorin e Universitetit të Prishtinës, Enver Hasanin.

https://kallxo.com/gjykata-e-apelit-e-liron-enver-hasanin/

Hasani ishte gjetur fajtor nga Gjykata Themelore e Prishtinës, dhe ishte dënuar me 1 vit burg me kusht.

Në tetor të vitit të kaluar, Enver Hasani ishte gjetur fajtor dhe dënuar me 1 vit burg me kusht për periudhën e verifikimit dy vjet, ndërsa mbrojtja e të akuzuarve kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Po ashtu fajtorë ishin shpallur edhe dy të akuzuarit tjerë, Albert Rakipi dhe Hakif Veliu.

Prokuroria pretendonte se të akuzuarit këtë vepër e kishin kryer lidhur me realizimin e kontratës për përkthimin e librave nga gjuha angleze në gjuhën shqipe për nevojat e UP-së.

Kurse gjatë ditëve të nxehta të korrik sistemi i drejtësisë u përballë me greva nga ana e punëtorëve të administratës të Gjykatave dhe Prokurorive në rajon të vendit.

Kërkesa e grevistëve ishte rritja e pagave për 100% dhe rregullimi i statusit të tyre.

Vendimi kishte ardhur pak javë pasi qeveria kishte marrë një vendim për rritjen e pagave deri në 100 % për anëtarët e kabinetit qeveritar dhe zyrtarë tjerë të lartë qeveritarë.

Për shkak të grevës së punëtoreve të administratës Gjykatat kanë mbajtur vetëm seancat të cilat kanë qenë me prioritet si rastet e dhunës në familje, rastet me paraburgim si dhe ato raste të cilat janë të shenjëstruara për liberalizim të vizave.

Për shkak të kësaj greve një numër shumë i madh i seancave gjyqësore janë shtyrë.

https://kallxo.com/kryesuesi-i-keshillit-grevist-nga-greva-ne-gjykata-me-se-shumti-po-demtohen-qytetaret/

Pas një jave grevë punëtorët e administratës së gjykatave dhe prokurorive të Kosovës, pas një takimi që Këshilli Grevist e kishte mbajtur me drejtues të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës kanë marrë vendim për pezullimin e grevës.

E ndryshe nga korriku, muaji gusht ishte muaj shumë i zhurmshëm, e arsyeja e kësaj zhurme ishte dorëheqja e Prokurorit Special Elez Blakaj.

Blakaj ishte duke hetuar dyshimet për keqpërdorime në listat e veteranëve të UÇK-së, rast ky i cili qoj shumë pluhur në mbarë vendin.

https://kallxo.com/prokurori-qe-po-i-hetonte-listat-e-veteraneve-te-uck-se-jep-doreheqje/

Prokurori i dorëhequr përmes një postimi në rrjetet sociale i kishte dhënë arsyet e dorëheqjes së tij, ai kishte thënë se dorëheqja e tij ka dy porosi: protestë dhe mesazh

“Si protestë, në kuptim të shprehjes së pakënaqësisë dhe mospajtimit për një menaxhment skajshmerishtë të politizuar, ku rastet e profilit të lartë shumë vështirë lejohen të kalojnë, e madje edhe kur arrin të kalojnë, i tërë procesi shantazhohet me qëllim që në fazat e me vonshme ato raste të dështojnë, sepse janë aty argat i politikës ditore”, shkruante Blakaj.

“Ndersa si mesazh, kjo vlen për kolegët, se me asnjë çmim nuk guxojmë t’i shesim parimet dhe dinjitetin tonë, para ngritjes në karrierë, apo për hater të shefave tonë, pagave që nuk i meritojmë, kërcënimeve të ndryshme, favoreve tjera me motive të ulta, etj. sepse me qasjen tonë prej servili jemi duke kontribuar në shkatërrimin e shtetit tonë dhe shpresës për të ndërtuar një shtet ligjor, përpjekje dhe sakrificë e shumë gjeneratave, me përkrahje edhe të miqve tonë (mos na lasht Zoti pa ta!), të cilët jemi duke i humbur çdo ditë e më shumë!”, thuhet në postimin e bërë nga ish prokurori Elez Blakaj.

https://kallxo.com/elez-blakaj-aleksander-lumezi-kerkoi-llogari-per-intervistimin-e-kadri-veselit/

Ky muaj nuk kaloj me kaq, pasi ngritën edhe dy aktakuza për dy raste të mëdha siç janë ai ndaj Ish-krerëve të Telekomit të Kosovës, Agron Mustafës, Ejup Qerimit dhe Rexhë Gjonbalajt, nën pretendimin se dëmtuan Telekomin dhe keqpërdoren detyrën zyrtare në lidhje me një marrëveshje në mes të Vala dhe Z-Mobile.

https://kallxo.com/aktakuze-ndaj-agron-mustafes-ejup-qerimit-dhe-rexhe-gjonbalajt-per-rastin-z-mobile/

Së fundmi Gjykata e Prishtinës duke marrë për bazë kërkesat e mbrojtësve për kundërshtim të provave dhe hedhje të aktakuzës ka hedhur poshtë aktakuzën ndaj ish- krerëve të Telekomit të Kosovës, Agron Mustafës, Ejup Qerimit si dhe Rexhë Gjonbalajt.

https://kallxo.com/gjykata-rrezoi-aktakuzen-ndaj-ish-krereve-te-telekomit-te-kosoves-per-z-mobile/

Gjatë këtij muaji Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë edhe ndaj Milaim Zekës, Ilir Krasniqit e Edmond Kërliut lidhur me pretendimin se të njëjtit kanë kryer vepra penale që kanë të bëjnë me mashtrim e pastrim të parave.

https://kallxo.com/aktakuze-ndaj-deputetit-milaim-zeka-per-mashtrim-e-pastrim-te-parave/

E muaji shtator është muaji gjatë të cilit Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë kundër 12 personave, për lëndën e njohur në opinion si “VETERANËT”, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

https://kallxo.com/aktakuze-per-listat-e-veteraneve/

Prokuroria pretendon se nga provat e siguruara është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  68.153.533.14 euro.

Një muaj më pas, më saktësisht me 9 tetor, Gjykata e ka kthyer aktakuzën mbrapa duke kërkuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës përmirësimin e saj brenda 30 ditëve.

Prokuroria Speciale pasi nuk kishte arritur ta dorëzojë brenda afatit kohor të përcaktuar në aktvendim, kishte kërkuar nga gjykatësja Nushe Kuka- Mekaj edhe 30 ditë kohë shtesë.

Aktakuza ishte kthyer me qëllim që të qartësohet se si e kanë kryer veprën penale të akuzuarit: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Gjykata po ashtu ka kërkuar që të qartësohet edhe numri i  personave të cilët po pretendohet se po përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme, andaj është kërkuar nga Prokuroria Speciale që ta sqarojë numrin e përfituesve se a janë 20.238 apo 15.115 persona që marrin pensione nga buxheti i Kosovës.

Ndryshim Gjykata ka kërkuar edhe në kërkesën e Prokurorisë për pezullimin e pagesës së pensioneve për 20 mijë e 238 veteranë luftëtarë deri në përfundim të procedurës penale, gjykatësja e rastit Nushe Kuka-Mekaj kishte thënë se do të ishte më mirë që çështja e tillë të trajtohet në ndonjë procedurë tjetër pasi që sipas saj ekziston rreziku i zvarritjes deri në pakufi të këtij procesi gjyqësor.

https://kallxo.com/aktakuza-per-veteranet-prokurorise-i-jepet-edhe-1-muaj-kohe/

Ndërsa nëntori ishte muaji i “Prontos”.

Adem Grabovci së bashku me njëmbëdhjetë të akuzuarit e tjerë të aferës së përgjimeve ‘Pronto’, dolën para Gjykatës për tu përballur me akuzat se kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive në mënyrë të kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme.

Gjatë shqyrtimit fillestar i akuzuari Adem Grabovci, Besim Beqaj dhe të tjerët janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat që u vihen ne barrë.

Duhet të theksojmë se gjatë shqyrtimit fillestar, aktakuza nuk është lexuar fare, kjo për shkak se të akuzuarit dhe avokatët kanë kërkuar që të mos lexohet aktakuza por edhe përkundër faktit se prokurorja speciale Drita Hajdari kërkoi që ta lexoj aktakuzën, Gjykatësi Shashivar Hoti kishte vendosur që me pajtimin e të akuzuarve, aktakuza të konsiderohej si e lexuar.

https://kallxo.com/grabovci-per-pronton-aspak-se-ndjej-veten-fajtor-video/

Mos leximi i aktakuzës është bërë shkak që Prokurorja Speciale Drita Hajdari të kërkoj nga kryetarja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Aferdita Bytyci që të përjashtojë nga gjykimi i rastit ‘Pronto’, gjykatësin Shashivar Hoti, por një kërkesë e tillë është refuzuar nga e para e Gjykatës së Prishtinës.

https://kallxo.com/shtyhet-seanca-ndaj-adem-grabovcit-dhe-te-tjereve-ne-rastin-pronto/

E meqë një kërkesë e tillë i ishte refuzuar nga Gjykata, Prokurorja me datë 21 dhjetor kërkoi shtyrje të seancës kjo për faktin se ajo deklaroi se tashmë ka bërë kërkesë edhe për inicimin e hetimit disiplinor për shkak të shkeljes së etikës për gjyqtar dhe se derisa të vendoset lidhur me kërkesën e saj nuk ka kuptim të vazhdohet më tutje. E kundrejt kësaj kërkese gjykatësi Shashivar Hoti si kryetar i trupit gjykues kundër të cilit është parashtruar kërkesa për përjashtim nga gjykimi, vendosi që seancën ta shtyjë për kohë të pa caktuar deri sa të vendoset lidhur me kërkesën e prokurores.

E rasti gjyqësor i fundit për këtë vit i cili mund të themi se e përmbylli vitin 2018 është rasti ndaj ish-kryetarit të Prizrenit Ramadan Mujës, dhe ish-zyrtarëve tjerë të kësaj komune të akuzuar bashkë me të për vepra penale të keqpërdorimit të detyrës dhe autoritetit zyrtar.

Me 12 dhjetor Gjykata e Gjilanit e ka shpallur verdiktin ndaj këtyre të akuzuarve me c’rast Ramadan Muja është shpallur fajtor për dy pika të aktakuzës nga gjithsej katër për të cilat akuzohej. Atij Gjykata i ka shqiptuar dënim me burgim me kusht prej 1 viti, me kusht që brenda dy viteve të ardhshme të mos kryej ndonjë vepër të re penale.

Ramadan Muja, akuzohej për katër pika të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.

https://kallxo.com/denohet-ramadan-muja/

Ndërsa i akuzuari Minir Krasniqi u dënua me 6 muaj burgim me kusht që brenda një viti mos të kryej vepër tjetër penale.

Avni Ademaj u dënua me 5 muaj burgim me kusht që brenda 1 viti mos të kryej vepër të re penale.

E Sadik Paçarizi u dënua me burgim prej 6 muajve me kusht që për një vit mos të kryej vepër të re penale.

Për pikën e katërt, është refuzuar akuza sepse është parashkruar vepra penale për këtë akuzë.

Në akuzën e përfaqësuar nga prokurorja speciale Fikrije Fejzullahu thuhet se Ramadan Muja, akuzohej për katër pika të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Me të njëjtën akuzë, bashkë me kreun komunal të Prizrenit, ngarkohen edhe katër zyrtarë të kësaj komune.

Sadik Paçarizi, drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Avni Ademaj, Abdullah Tejeci, dhe Minir Krasniqi, drejtor i Drejtorisë së Administratës

Rasti ndaj Mujës dhe të tjerëve ishte vendosur më parë nga Gjykata e Prizrenit

Muja për katër pikat e aktakuzës në gjykimin e parë ishte dënuar me burgim prej dy vjetësh, me kusht që ai të mos kryejë vepra tjera penale gjatë 3 vjetëve. Ai po ashtu mori edhe dënimin plotësues, ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike në kohëzgjatje prej 30 muajsh.

Në rastin e njëjtë të gjykuar nga Gjykata e Prizrenit, Minir Krasniqi, ish-drejtor i Administratës Publike, ishte dënuar me 1 vjet e 6 muaj burgim me kusht që për dy vjet të mos bëjë vepër tjetër penale. Si dhe të mos ushtrojë funksione publike për 18 muaj.

Kadri Ukimeri, ish-drejtor i Gjeodezisë, dhe Sadik Paçarizi, ish-drejtor i Urbanizmit, ishin dënuar me 8 muaj burgim me kusht që për 2 vjet të mos bëjnë vepër tjetër penale. Ndaj Kadri Ukimerit tani është pushuar procedura penale pasi që i njëjti tashmë është i ndjerë.

Avni Ademaj, ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Kadastrës, u dënua me 5 muaj burgim me kusht që për 1 vit të mos shkaktojë vepra tjera penale.

Rasti i Ramadan Mujës kishte shkuar deri në Gjykatën Supreme, e cila më pas e kishte kthyer atë në Gjykatën e Apelit. Dhe më pas Gjykata e Apelit kishte vendosur që rastin ta kthej në rigjykim.

Pastaj Gjykata e Apelit vlerësoi se Gjykata Themelore në Prizren, është jo-kompetente për ta gjykuar këtë çështje, andaj vendosi që Departamenti i Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan ka kompetencë territoriale për gjykimin e Mujës dhe të tjerëve.

Nëse thamë në fillim se “dita e mirë shihet në mëngjes”, kjo dëshmohet edhe me lajmin shqetësues të këtij fund viti.

Me brengën e njëjtë me të cilën e filluam vitin edhe po e përfundojmë.

Kjo për shkak se në ditën e fundi të këtij viti, qendrat që ofrojnë strehim për gratë dhe fëmijët të cilët kanë qenë viktima të dhunës në familje do të mbyllen.

https://kallxo.com/viktimat-e-dhunes-mbesin-pa-strehe-naten-e-vitit-te-ri/

Këto qendra do të jenë jashtë funksionit nga data 31 dhjetor për shkak të mungesës së mbështetjes financiare nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

KALLXO.com ka kontaktuar me drejtoreshat e këtyre strehimoreve të cilat kanë konfirmuar se nga 31 dhjetori strehimoret në disa qendra komunale të Kosovës do të jenë jashtë funksionit në mungesë të buxhetit.

Viti 2018 po mbyllet me shpresën që vitin vijues të mos ketë nevojë të shtrohet përsëri e njëjta pyetje, se çka do të ndodh me fatin e viktimave të dhunës në familje, a do të mbesin rrugëve apo do të kthehen përsëri tek ushtruesit e dhunës “dhunuesit”?!