Sakiq me uniformë ustashe në vitin 1943 dhe gruaja e tij Nada para shtëpisë së tyre në Zagreb për Pashkën e vitit 1945. Foto: BIRN/Sven Milekiq.

Si u ekstradua komandanti i fundit i kampit të Jasenovacit?

“Unë jam një patriot kroat që luftoi për popullin e tij. Kështu fillova. Isha një njeri i besuar,” tha me krenari për gazetarin Jorge Camarasa, një emigrant i vjetër kroat, i ulur në shtëpinë e tij në qytetin e vogël bregdetar të Santa Teresitës, rreth 350 kilometra në jug të Buenos Airesit.

Raportimi i Jorge Camarasa, transmetuar në Canal 13 të Argjentinës në prill 1998, fillimisht ngjante si një pjesë për Kroacinë si kundërshtarja në futboll e Argjentinës në Kupën e Botës në Francë atë vit.

Megjithatë, Camarasa shpejt e ndryshoi drejtimin e intervistës.

“Keni qenë në Jasenovac?” pyeti gazetari dhe i moshuari fillimisht u soll sikur nuk e kishte dëgjuar saktë pyetjen dhe pranoi vetëm pasi iu përsërit.

“Ju ishit komandanti i kampit në fund?” vazhdoi Camarasa.

“Jo, unë isha drejtori, jo komandanti, vetëm për 100 ditë. Shikoni, gjatë kohës që isha unë përgjegjës, asnjë roje apo zyrtar administrativ nuk mund të prekte asnjë të burgosur, qofshin ata hebrenj apo diçka tjetër,” u përgjigj plaku.

Raporti i Camarasa për televizionin argjentinas zbuloi se emigranti 76-vjeçar Dinko Sakiq ishte, në fakt, ish-komandanti i kampit të përqendrimit të Luftës së Dytë Botërore në Jasenovac, i cili menaxhohej nga lëvizja fashiste ustashe kroate.

Në shtetin e tyre kukull nazist, Shteti i Pavarur i Kroacisë, NDH, ustashët miratuan ligje raciste dhe persekutuan serbët, hebrenjtë, romët dhe antifashistët. Vetëm në Jasenovac, ustashët vranë mbi 83,000 njerëz, pa pasur dhoma të përhershme gazi.

Sipas Qendrës Simon Wiesenthal, e cila i kushtohet gjurmimit të kriminelëve dhe bashkëpunëtorëve nazistë në të gjithë globin, Sakiq ishte komandanti i fundit i kampit të përqendrimit të Luftës së Dytë Botërore ende gjallë.

Deri në vitin 1998, Sakiq kishte 50 vjet që jetonte në Argjentinë, por kjo ishte hera e parë që ai dilte në qendër të vëmendjes së mediave ndërkombëtare.

Dinko Sakiq: Jeta e një të arratisuri

Sakiqi lindi në vitin 1921 në fshatin Studenci pranë qytetit jugor kroat të Imotskit, në atë që atëherë ishte Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve dhe dëbua nga shkolla e mesme në vitin 1934 nën dyshimet për propagandë ustashe. Për të shmangur burgun, ai iku në Gjermaninë naziste në vitin 1938, ku u bashkua zyrtarisht me lëvizjen ustashe.

Pasi Shteti i Pavarur i Kroacisë, i udhëhequr nga ustashët, u krijua në prill të vitit 1941, ai u kthye në Kroaci dhe mori një pozicion në administratën e kampit të përqendrimit në Jasenovac në shkurt 1942.

Në vitin 1943 u martua me Nada Luburiq, gjysmë motrën e Vjekoslav “Maks” Luburiç, komandant i përgjithshëm i të gjitha kampeve të përqendrimit ustashe.

Ai u emërua komandant i kampit në maj 1944 dhe qëndroi në atë post deri në fund të tetorit të të njëjtit vit.

Në vitin 1945, ai arriti të arratisej nga Jugosllavia, së bashku me liderin ustash Ante Paveliq, duke mbërritur në Argjentinë në dhjetor 1947, nëpërmjet Austrisë dhe Italisë.

Gjatë viteve 1960 dhe 1970, ai kaloi ca kohë në Spanjë dhe Paraguai, ku kishte lidhje me regjimet diktatoriale të të dy vendeve.

Pas gjyqit të tij, mediat raportuan gjithashtu se ai dyshohej se ishte i përfshirë në kontrabandë armësh nga Argjentina në Kroaci në vitet 1990.

Sakiq vdiq në një spital burgu në vitin 2008 dhe u varros në varrezat e Zagrebit me uniformën e tij të ustashëve, sipas dëshirave të tij.

Kur Camarasa fillimisht lokalizoi Sakiqin, ai kontaktoi me Qendrën Wiesenthal dhe së bashku ata u përgatitën për ta bërë raportin. Disa muaj më parë, Camarasa lexoi dëshmitë e të mbijetuarve të kampit të Jasenovacit, duke u njohur me kontekstin.

Sakiq së shpejti u bë një histori e madhe në mediat argjentinase dhe ndërkombëtare dhe Qendra Wiesenthal i bëri presion Buenos Airesit që ta arrestonte atë.

Kroati i moshuar u zhduk për disa ditë dhe gazetarët spekuluan se ai mund të ishte fshehur në Paraguain fqinj. Disa gazetarë kroatë madje udhëtuan drejt Argjentinës në një përpjekje për ta gjetur dhe intervistuar atë.

Kroatët të ndarë për çështjen kundër Sakiqit

Edhe para arrestimit të Sakiqit, shtroheshin pyetjet nëse ai duhet të dilte në gjyq para një gjykate në Kroaci apo Jugosllavi, e cila deri në vitin 1998 përbëhej vetëm nga Serbia dhe Mali i Zi.

Shumë në Kroaci e konsideruan kërkesën e Beogradit për ekstradim si një provokim anti-kroat lidhur me luftën që kishte përfunduar tre vjet më parë.

Efraim Zuroff, kreu i Qendrës Wiesenthal në Vjenë, shpjegoi se në fund, ai mbështeti ekstradimin e Sakiqit në Zagreb, sepse në atë kohë “mësimi i Jasenovacit” ishte më i nevojshëm në Kroaci sesa në Serbi.

Faqja e parë e Magazin që lajmëronte intervistën “ekskluzive” me Sakiqin dhe faqja e parë e intervistës. Foto: BIRN/Sven Milekiq.

“Gjithashtu, në Kroaci, ne (Qendra Wiesenthal) kishim ende disa mekanizma, pasi Izraeli ende nuk kishte krijuar marrëdhënie të plota diplomatike me Kroacinë,” tha Zuroff për BIRN.

“Kroacia nuk kishte asnjë zgjedhje, përveçse ta nxirrte në gjyq. Kroacia donte të bashkohej me BE-në, NATO-n, kështu që ata nuk mund të lejonin që komandanti i një vendi si Jasenovaci të sillej rrotull i lirë, tha ai.

Edhe presidenti kroat Franjo Tuxhman e siguroi Izraelin se donte që Sakiq të gjykohej në Kroaci dhe Zagrebi zyrtarisht kërkoi ekstradimin e tij për akuzat për krime lufte.

Pas kërkesës zyrtare të Kroacisë për ekstradimin e tij, Sakiq doli nga vendi ku fshihej dhe policia e arrestoi atë në shtëpinë e tij. Ndërsa po hynte në një makinë policie me një nënqeshje në fytyrën e tij, banorët vendas e quajtën vrasës.

Sakiq: “Do t’i bëja përsëri të gjitha”

Në dhjetor 1994, Aleksa Crnjakoviq, një gazetare për të përditshmen shtetërore kroate Vjesnik, intervistoi Dinko Sakiq.

Intervista u publikua në shkurt të vitit 1995 në një revistë të vogël të njohur tabloide të përmuajshme të quajtur Magazin dhe nuk tërhoqi shumë vëmendje në atë kohë.

Në artikull, me titull “Unë po bëja detyrën time”, Sakiq tha se ishte “krenar për të kaluarën time, për gjithçka që kam bërë”, duke pretenduar se ai “po kryente detyrën e tij ndaj atdheut të tij”.

“Sot mund të vërtetohet matematikisht se po të mos kishte qenë NDH-ja për katër vite të Luftës së Dytë Botërore, 30 maji 1990 (kur u zhvilluan zgjedhjet e para demokratike në Kroaci) nuk do të kishte ardhur kurrë,” këmbënguli Sakiq duke nënkuptuar se NDH-ja ishte themeli i Kroacisë së ditëve të sotme.

Në intervistë, ai këmbënguli se administrata e brendshme e kampit drejtohej nga hebrenjtë – një pretendim që gjithashtu promovohet nga e djathta ekstreme e Kroacisë.

Ai gjithashtu pohoi se ustashët nuk ishin fashistë dhe se askush nuk u burgos në Jasenovac në bazë të përkatësisë etnike ose të fesë së tyre, por sepse ata ishin “armiq të shtetit kroat”.

Kur u pyet për përgjegjësinë e tij për krime në kamp, ai tha se do të bënte përsëri gjithçka nga e para.

Ndërsa procesi i ekstradimit vazhdonte, politikanët kroatë ishin disi të ndarë në lidhje me këtë çështje.

Vice Vukojeviq, një zyrtar i lartë i Bashkimit Demokratik Kroat, HDZ, dhe kreu i komisionit parlamentar për hulumtimin e viktimave të Luftës së Dytë Botërore dhe pas Luftës së Dytë Botërore, pretendoi se rasti ishte një rezultat “i presionit ndërkombëtar mbi Kroacinë”, që “kishte shkuar shumë larg”.

“Nëpërmjet një rasti kundër një njeriu të vetëm, faji i të cilit mbetet ende për t’u përcaktuar, po fillon një barrë e tërë akuzash kundër vendit. Unë jam për gjykimin e të gjithë kriminelëve të mundshëm të luftës. Megjithatë, a njihni qoftë edhe një pjesëmarrës të vetëm në Luftën e Dytë Botërore, i cili ishte në anën e aleatëve që më pas u ndoq penalisht për krime lufte?” pyeti Vukojeviq.

Në një sondazh të kryer në 300 vetë të realizuar nga gazeta e përditshme Vecernji list, 43 për qind mbështesnin ekstradimin e Sakiqit, ndërsa 23 për qind ishin kundër – pjesa tjetër nuk kishte një mendim. Pothuajse 60 për qind mendonin se rasti Sakiq ishte rezultat i presionit ndërkombëtar mbi Kroacinë, ndërkohë që vetëm 8.3 për qind mendonin se nuk ishte.

Shumë njerëz në Kroaci pohonin në atë kohë se çështja kishte për qëllim ta përshkruante vendin si “pro-fashist”, pavarësisht lëvizjes së tij të fortë antifashiste të Luftës së Dytë Botërore – edhe pse gjatë viteve 1990 shumë monumente antifashiste në vend u dëmtuan, u shkatërruan ose  u hoqën.

Rritet pritshmëria me afrimin e datës së ekstradimit

Për ditë me radhë, mediat e Kroacisë spekuluan rreth ditës së saktë të ekstradimit të Sakiçit. Argjentina kishte specifikuar se Kroacia kishte kohë deri më 27 qershor ta merrte atë në Buenos Aires.

Boris Vlasiq ishte gazetar i gazetës kroate Jutarnji list në atë kohë dhe u dërgua në Buenos Aires për të mbuluar historinë e ekstradimit të Sakiqit.

Pasi arriti me vonesë për fluturimin e tij fillestar për në Argjentinë, atij iu desh të blinte një biletë të re. Kur e bëri këtë, ai pa rastësisht datën për të cilën Ministria e Brendshme Kroate kishte blerë tre bileta nga Buenos Aires në Zagreb – për Sakiqin dhe dy policët që e shoqëronin atë. Vlasiq e bleu biletën për të njëjtin fluturim.

“Për ditë me radhë, djemtë e redaksisë në Zagreb më bombarduan me informacione nga burime se ai do të ekstradohej në këtë apo në atë datë dhe se unë duhet të isha gati që të reagoja. Megjithatë, unë e dija ditën e saktë që ai do të vinte, kështu që isha i qetë,” tha Vlasiq për BIRN.

Më 17 qershor, media njoftoi se policia kroate do të shoqëronte Sakiqin në një avion, nëpërmjet Gjermanisë, për në Zagreb.

Gjatë fluturimit, Vlasiq shkoi te Sakiq dhe e pyeti atë se si ndihej që po kthehej në Kroaci.

“Sakiq, një i moshuar, tha diçka të tillë: “Jam i lumtur sepse po kthehem në atdhe,” kujton Vlasiq.

“Një burrë i moshuar, me flokë të keq, që shkon në një vend tjetër me zinxhirë, për t’u gjykuar për krime lufte, thotë diçka të tillë. Mendoj se ai kishte një perceptim të ndryshëm se ku po shkonte, “shtoi ai.

Më 18 qershor 1998, saktësisht 20 vjet më parë, Sakiq ateroi në aeroportin e Zagrebit, për të dalë në gjyq për krime që ai i kreu më shumë se 40 vjet para asaj date.

Përveç policëve të shumtë, zyrtarëve të gjykatës, vëllait të tij Tomislavit dhe avokatit Ivan Kern, nuk kishte pothuajse asnjë që ta priste në aeroport – vetëm dy nga mbështetësit e tij, njëri prej të cilëve mbante në dorë në pankartë ku shkruhej: “Dinko Sakiq, mirëserdhe në atdhe.”

Në reportazhin e radhës në këtë cilëk me dy pjesë, Sven Milekiç tregon historinë se si shkoi gjyqi i Dinko Sakiq në Kroaci.