Foto: Gazeta JNK

Si t’i Lexojmë Parashikimet për Ndotjen e Ajrit në Prishtinë

Gjatë javëve të fundit është shkruar shumë për cilësinë e ajrit të Prishtinës. Njëherë është shpallur “i mirë”, më vonë “i dëmshëm” dhe në disa ditë edhe “pothuajse i rrezikshëm”. Së voni, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka propozuar masa për përmirësimin e gjendjes. Sidoqoftë, unë llogaris se përshtypja që po nxirret nga këta artikuj është e paplotë dhe çorientuese, duke i marrë leximet orë për orë dhe duke i quajtur tregues të prirjeve afatgjata. Kjo qasje e hëpërhëshme është e dobishme për t’i paralajmëruar njerëzit për cilësinë e ajrit në kohë reale, por asesi nuk e paraqet tërë realitetin.

Kjo është përpjekja ime për ta ndihmuar lexuesin ta kuptojë gjendjen duke i shkoqitur çështjet kryesore.

Kush po e mat cilësinë e ajrit?

Ka shumë pajisje për matjen e cilësisë së ajrit brenda dhe jashtë Prishtinës. Disa prej tyre i takojnë komunës, kurse disa tjera janë pronë e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës. Edhe OJQ-të, si Prosperity Initiative in Kosovo, PIKS, dhe partnerët e tyre nga projekti Science for Change Kosovo, po punojnë për përcaktimin e cilësisë së ajrit në Kosovë.

Por, njëri nga burimet më të besueshme për informata rreth cilësisë së ajrit është nga Agjencia Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit, apo EPA, e cila është e disponueshme për publikun dhe po përdoret shpesh nga mediat vendore këto ditë. EPA mat cilësinë e ajrit çdo orë përmes matësit të tyre që gjendet në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë dhe ofron analiza të cilësisë së ajrit në kohë reale në uebfaqen e tyre AirNow.gov.

Çfarë saktësist po na tregon Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit?

EPA-ja përcakton cilësinë e ajrit të Prishtinës bazuar në një parametër që quhet “PM2.5” për lëndët e dëmshme që janë më të vogla se 2.5 mikronë (1/1000 e milimetrit). Me fjalë tjera, është përqendrimi i një “pluhuri shumë të imët” të përbërë nga grimca që janë më se 20 herë më të vogla se diametri i një fije floku të njeriut.

EPA-ja mat përqendrimin e këtyre mikrogrimcave çdo orë para se t’i përkthejë në nivele të cilësisë së ajrit – i mirë, mesatar, i dëmshëm për grupe të ndjeshme, i dëmshëm, shumë i dëmshëm dhe i rrezikshëm – sipas një indeksi që përdoret në ShBA dhe në vende tjera të botës.

Grafik origjinal i realizuar nga autori sipas standardeve të OBSH për përqendrimin e mikrogrimcave në ajër
Grafik origjinal i realizuar nga autori sipas standardeve të OBSH për përqendrimin e mikrogrimcave në ajër

Si duhet t’t interpretojmë të dhënat e tyre?

Është e rëndësishme ta bëjmë dallimin mes të dhënave orë për orë dhe realitetit mesatar të përgjithsëm, sidomos kur konsiderojmë se disa media i quajnë leximet orë për orë tregues të prirjeve afatgjata. Edhe pse gjendja e ajrit në Prishtinë është larg nga të qenit e përsosur, periudhat e ndryshme ditore dhe vjetore si dhe gjendjet atmosferike ndikojnë në cilësinë e përgjithshme.

Nëse do të dish se a është koha e duhur për një shëtitje mëngjesore në rrugët e Prishtinës, mund të shikosh indeksin e EPA-së për cilësinë e ajrit dhe të vendosësh se a është ide e mirë bazuar në vlerat e publikuara orë për orë në uebfaqen e tyre.

Por, treguesi orë për orë nuk duhet të shihet si parashikim i cilësisë së ajrit për tërë ditën. Cilësia e ajrit mund të ndryshojë shpejt dhe ndikimi i këtyre mikrogrimcave në shëndetin tonë mund të përcaktohet vetëm nga shkencëtarët për ekspozim përgjatë 24 orëve dhe mesatareve vjetore.

Në këtë kontekst, analizat vjetore, mujore apo edhe ditore të ajrit ofrojnë një pasqyrë më të mirë për gjendjen në të cilën jetojmë dhe ndikimin e tyre afatgjatë në shëndet.

Grafiku origjinal i bërë nga autori me udhëzimet e WHO-së të përqendrimit mesatar vjetor të PM2.5

Çfarë ajri kemi thithur në muajt e kaluar?

Cilësia e ajrit në Prishtinë për këtë vit ishte e pranueshme nga maji në gusht para se të keqësohej në tetor dhe më vonë të arrinte nivele alarmuese në nëntor. Por, përqendrimi mesatar i mikrogrimcave i matur nga Ambasada e ShBA-së gjatë tëtë muajve të fundit kishte arritur dyfishin e kufirit të përcaktuar nga Organizata Botërore e Shëndetit, WHO, agjencia kryesore e shëndetit publik ndërkombëtar e Kombeve të Bashkuara. Dhe, e gjithë kjo pa marrë parasysh periudhën e dimrit kur ajri i Prishtinës është më i ndotur.

Sipas të dhënave të EPA-së, ajri i Prishtinës ka qenë “i dëmshëm” deri në “shumë i dëmshëm”, 65 për qind të kohës gjatë dy javëve të mëparshme për shkak të mikrogrimcave që rrinë pezull në ajër. Kjo do të thotë se përqendrimi mesatar i mikrogrimcave brenda një periudhe relevante njëzetekatërorëshe do t’i bënte njerëzit të nisin të “përjetojnë efekte shëndetësore” teksa “pjesëtarët e grupeve të ndjeshme mund të përjetojnë efekte më serioze shëndetësore”.

Më 6 dhjetor në orën 22:00, cilësia e ajrit në Prishtinë arriti nivelin “i rrezikshëm” për herë të parë që nga marsi. Përqendrimi mesatar njëzetekatërorësh i mikrogrimcave me të vërtetë arriti nivelin e 330 mikrogramëve/m3, vlerë që është 1000 për qind më e lartë se limiti i përcaktuar nga WHO për ekspozim njëzetekatërorës të njeriut (25 mikrogramë/m3).

Prej nga po vjen kjo ndotje?

Këto mikrogrimca që rrinë pezull në ajër kryesisht prodhohen nga automjetet motorike, termocentralet ku digjet qymyri, djegia e drurit dhe linjitit nga banorët, zjarret në pyje, djegiet bujqësore dhe komplekset industriale. Në vitin 2013, një raport nga Banka Botërore vetëm kishte filluar t’i identifikonte këto burime si origjina kryesore e ndotjes së ajrit në Kosovë.

Në Prishtinë gjatë muajit të nëntorit, në shumicën e ditëve ndotja është më e rëndë në mbrëmbje dhe natë. Kjo është koha kur ndodhin shumcica e bllokimeve të trafikut dhe kur qytetarët kthehen në shtëpi nga puna dhe fillojnë të djegin dru dhe kryesisht qymyr për t’u ngrohur.

Por, do të ishte shumë e thjeshtë t’ua linim gjithë fajin vetëm veturave dhe stufave private. Fajtorët e tjerë që po e ndotin ajrin janë dy termocentralet që ndodhen jo më larg se 10 km nga qendra e Prishtinës. Termocentralet e qymyrit në Kosovë veprojnë me standarde të ulëta mjedisore dhe për shkak të udhëtimit në largësi të mëdha të ndotësve në ajër, ato i shkaktojnë gjithë rajonit miliona euro shpenzime shëndetësore.

Kushtet meteorologjike (temperature, shtypja atmosferike, lagështia e ajrit, era dhe shirat) po ashtu kanë ndikim të rëndësishëm në cilësinë e ajrit, dhe kanë fuqinë ta ndërrojnë përbërjen e ajrit brenda vitit apo edhe brenda ditës. Për shembull, një rritje e erërave mund ta ndryshojë dramatikisht cilësinë e ajrit duke i shpërhapur ndotësit jashtë zonave urbane. Ngjashëm, ato mund edhe të sjellin në qytet ndotës nga termocentralet apo aktivitetet e tjera industriale që ndodhin jashtë Prishtinës.

Cili është ndikimi i kësaj në shëndetin tim?

Kur thithen, lëndët e dëmshme që janë më të vogla së 2.5 mikronë mund të nguliten thellë në sistemin tonë të frymëmarrjes dhe të shkaktojnë sëmundje të ndryshme të frymëmarrjes dhe efekte kardiovaskulare.

Sipas WHO-së, sa i përket ndotjes së ajrit nga lëndët e dëmshme, “efekti që i atribuohet ekspozimit afatgjatë ndaj [lëndëve të dëmshme] përfshin vdekje për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare dhe të frymëmarrjes; sëmundje kronike të frymëmarrjes (astma, sëmundja e bllokimit kronik pulmonar dhe ndryshime kronike patologjike); kancer të mushkërive; sëmundje kronike kardiovaskulare; dhe kufizim të rritjes së fëmijëve brenda mitrës”.

Në vitin 2013, Banka Botërore ka vlerësuar se ndotja e ajrit të jashtëm në Kosovë shkakton “852 vdekje të parakohshme, 318 raste të bronkitit kornik, 605 pranime spitalore dhe 11,900 vizita emergjente çdo vit” dhe ka llogaritur se dëmi i shkaktuar shkon nga 38 milionë deri në 163 milionë euro në vit.

Sidoqoftë, PM2.5 nuk janë faktorët e vetëm që ndikojnë në ndotjen e ajrit, ka dhe elemente tjera në ajër – gazet sikur dioksidi i karbonit, dioksidi i azotit, dioksidi i squfurit, e të tjera – që mund ta ndikojnë negativisht cilësinë e ajrit, dhe rrjedhimisht shëndetin e njeriut. Por, kjo është një temë tjetër që kërkon më shumë të dhëna dhe analizë të thellë nga palë të ndryshme që merren me cilësinë e ajrit, dhe mund të trajtohet në një artikull tjetër.

Si mund ta mbroj veten time?

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës tashmë ka publikuar një listë të këshillave për institucionet dhe individët, e cila përfshin zvogëlimin e ekspozimit ndaj ajrit të ndotur përmes veprimeve të ndryshme. Derisa institucionet të përpiqen më fort për t’i implementuar këshillat e tyre – apo derisa erërat ta largojnë ndotjen – nuk kemi zgjidhje tjetër vetëm se t’i ndjekim këshillat e institutit.