Ilustrimi: Trembelat për Kallxo.com

Si ta ndërtosh një shtet paralel?

Me heqjen e autonomisë së Kosovës, largimin masiv të punëtorëve shqiptarë nga puna në ndërmarrjet shoqërore dhe mbylljen e shkollave shqipe, shqiptarët e Kosovës hynë në dekadën e ’90-ave pa të drejta qytetare e politike, pa të drejta për tu shkolluar në gjuhën e tyre dhe në vështirësi ekonomiko-sociale si pasojë e largimit masiv nga puna.

Por, nuk vonoi shumë dhe shqiptarët e Kosovës dhe diasporës filluan mobilizimin për të ndërtuar një shtet paralel. Ky shtet paralel do të kishte president, kryeministër, qeveri, do të mblidhte të hyra e do të financonte ‘shërbimet publike’, duke përfshirë pagat e mësimdhënësve, ndarjen e asistencës sociale për familjet në nevojë, investime kapitale në shkollat shtëpi, blerjen e inventarit shkollor, financim të aktiviteteve sportive e shpenzime tjera.

Ajo çfarë më fascinon më së shumti nga ajo kohë është gatishmëria e qytetarëve të Kosovës dhe atyre në diasporë për të ndarë vullnetarisht pjesë nga paga e tyre për të financuar funksionet e ‘shtetit paralel’.

Në një libër të publikuar nga Mehmet Hajrizi, Ismajl Kastrati dhe Bajram Shatri, për funksionimin e Këshillit Qendror për Financim në Kosovë, jepen detaje interesante për procesin e mbledhjes dhe shpenzimit të financave gjatë viteve ‘90. Më 7 shkurt 1992 u themelua Këshilli Qendror për Financim në Kosovë (KQFK), detyrë e të cilit ishte grumbullimi i të hyrave nga qytetarët dhe bizneset dhe shpërndarja e tyre sipas nevojave. Krahas Këshillit Qendror për Financim, u themelua edhe “Fondi i 3%” i cili arkëtonte të hyra nga qytetarët e Kosovës në diasporë.

Këshilli Qendror për Financim hartoi rregullore të cilat parashihnin taksa për secilën kategori të qytetarëve, ekonomive familjare e bizneseve. Sipas kësaj rregulloreje, çdo qytetar i cili ishte i punësuar i kërkohej që të ndante 5% të të hyrave për KQFK. Çdo ekonomie familjare i kërkohej të paguaj minimumi 5 marka gjermane në muaj. Kësaj shume bazë i shtoheshin edhe 1 deri 3 marka, varësisht nga sasia e tokës që posedonte familja; kurse për pronat bujqësore si vreshtat, perimtaritë, kopshtet, shtoheshin edhe 3 marka për çdo hektarë. Eko`nomitë familjare që kishin të punësuar dikë jashtë vendit kërkohej të paguanin 15 marka në muaj, për çdo të punësuar jashtë vendit. Veprimtaritë e pavarura shërbyese me karakter sezonal, si instalues së rrymës, ujësjellësit, muratorët, bletarët, janë ngarkuar me 10-20 marka për sezonë. Qiramarrësve u kërkohej të paguanin 10% të qerasë, kurse bizneseve u caktoheshin shumat e kontributeve varësisht nga veprimtaria, qarkullimi, zona e veprimtarisë, hapësirat e lokaleve.

KQFK përbëhej nga 30 Këshilla Komunale të Financimit në të gjitha komunat e Kosovës. Përmes arkëtarëve, Këshillat Komunale të Financimit vinin në kontakt me qytetarët dhe bizneset dhe në baza vullnetare dakordoheshin për shumat e pagesës. Duke marr parasysh se nuk kishte asnjë instrument shtrëngese, përveç presionit shoqëror, familjet dhe bizneset pajtoheshin për pagesën e shumave, sipas rregulloreve të KQFK. Në një intervistë për gazetën ‘Bujku” më 21 tetor 1992, kryetari i KQFK Mehmet Hajrizi deklaronte se “është borxh moral i të gjithë atyre që krijojnë fitime në një mënyrë a në një tjetër që të ndajnë nga ky fitim, së pari për të mbajtur arsimtarët, e së dyti për t’i mbajtur ato familje që nuk kanë asnjë mjet jetese për të kaluar këtë dimër të vështirë”.

Në këtë formë, në vitin 1997 ishin 282,603 kontribues, ku 66% prej kontribuuesve ishin ekonomi familjare, 15% të punësuarit dhe pensionistët, 13% familjet me të punësuar jashtë vendit, 2% dyqanet.

Burimi: Mehmet Hajrizi, Ismajl Kastrati, Bajram Shatri – “Këshilli Qendror për Financim në Kosovë”, Libri shkollor. (Ilustrimi: Trembelat për Kallxo.com)

Në këtë formë, për periudhën e funksionimit të KQFK nga viti 1992 deri në vitin 1998 janë grumbulluar brenda Kosovës 111.5 milionë marka gjermane.

Burimi: Mehmet Hajrizi, Ismajl Kastrati, Bajram Shatri – “Këshilli Qendror për Financim në Kosovë”, Libri shkollor. (Ilustrimi: Trembelat për Kallxo.com)

Por, KQFK nuk ka qenë e vetmja skemë financuese. Përderisa KQFK ishte përgjegjëse për grumbullimin e fondeve brenda territorit të Kosovës, “Fondi i 3%” ishte fond i krijuar nga Qeveria e Kosovës në ekzil e cila mblidhte fonde nga diaspora e Kosovës në vendet e Evropës Perëndimore dhe Amerikës Veriore. Çdo shqiptar i Kosovës i cili ishte me qëndrim në një vend të huaj, atij/asaj i kërkohej që të ndaj 3% të ardhurave mujore për “Fondin e 3%”. Pos “Fondit të 3%”, me fillim të luftës së Kosovës në vitet 1998-1999 u themelua edhe fondi “Vendlindja Thërret”, me qëllim të financimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Përderisa ka një transparencë më të madhe për fondet e grumbulluara nga KQFK, nuk ka asnjë raport se sa janë grumbulluar dhe si janë shpenzuar mjetet e derdhura në “Fondin 3%” dhe atë “Vendlindja Thërret”.

Të vetmet të dhëna që ekzistojnë për “Fondin e 3%” janë ato të prezantuara në një raport të themeluesve të KQFK, Mehmet Hajrizi, Ismajl Kastrati dhe Bajram Shatri, të cilët pasqyrojnë fondet e grumbulluara dhe mënyrën e shpenzimit të fondeve nga KQFK. Sipas këtij raporti, mjetet e grumbulluara nga KQFK brenda Kosovës nuk ishin të mjaftueshme për të mbuluar të gjitha shpenzimet për shkollat paralele, mësimdhënësit, asistencën sociale, aktivitetet tjera kulturore dhe sportive. Por, ajo çfarë nuk mund të mbulohej me fondet e KQFK, mbulohej me transfer të mjeteve financiare nga “Fondi i 3%”. Kësisoj, në periudhën 1992-1999 nga “Fondi i 3%” në KQFK janë transferuar edhe 83.2 milionë marka gjermane. Kur kësaj shume i shtohet edhe 4.8 milionë marka nga donatorët, del se KQFK për periudhën mars 1992 – mars 1999 kishte në menaxhim 200 milionë marka.

Në vitin 1997, në strukturën e shfrytëzuesve të mjeteve financiare arsimi ka marrë pjesë me 91%, asistenca sociale me 2%, shëndetësia me 1.5%, kultura 1.5%, institucionet shkencore hulumtuese 0.6%, sporti 0.5%, administrata lokale 1.4% dhe subjektet politike 1.5%.

Numri i atyre që merrnin paga gjatë kësaj kohe sillej nga 18,754 persona në vitin 1992 deri në 25,034 në vitin 1998. Pjesa më e madhe e atyre që merrnin paga ishin të punësuar në arsimin fillor dhe të mesëm.

 

Burimi: Mehmet Hajrizi, Ismajl Kastrati, Bajram Shatri – “Këshilli Qendror për Financim në Kosovë”, Libri shkollor. (Ilustrimi: Trembelat për Kallxo.com)

Paga mesatare sillej nga 35 marka gjermane në vitin 1992 deri në 170 marka gjermane në vitin 1998. Në vitin 1998, paga më e lartë ishte ajo e profesorit universitar prej 330 marka gjermane në muaj, kurse më e ulëta ajo e pastruesve prej 125 marka në muaj. Për shkak të pagesave në marka gjermane, kishte periudha kur punëtorët arsimit në shkollat paralele shqipe merrnin paga më të larta se sa punëtorët e arsimit në strukturat e shtetit serb, të cilët paguheshin në dinarë dhe inflacioni ishte tepër i lartë.

Përveç pagave të mësimdhënësve, përmes fondeve të grumbulluara në këtë mënyrë ndahej asistencë sociale edhe për 600 familje me gjendje të rëndë sociale. Gjatë kësaj periudhe, janë ndërtuar edhe 43 shkolla të reja, si dhe është investuar në përshtatjen e shtëpive private të cilat shërbenin si shkolla. Madje, nga “Fondet e 3%” dhe nga ato të KQFK janë ndarë mjete edhe për të ndihmuar Shqipërinë, pas trazirave të vitit 1997.

Por, fondet e grumbulluara në këtë mënyrë nuk ishin të vetmet forma të solidarizimit në mes të qytetarëve. Gjatë viteve ’90 ishte iniciuar fushata “Shkolla ndihmon shkollën”, ky nxënësit dhe prindërit me gjendje më të mirë materiale, ndihmonin nxënësit dhe mësimdhënësit në shkollat më të thella malore. Në një iniciativë tjetër të quajtur “Familja ndihmon familjen”, familjet me gjendje më të mirë sociale përzgjidhnin që të ndihmonin një familje me gjendje më të rëndë sociale.

Në raportin e tyre për funksionimin e KQFK, Mehmet Hajrizi, Ismajl Kastrati dhe Bajram Shatri tregojnë se një numër i konsiderushëm i mësimdhënësve të viteve ’90 të cilët gëzonin një gjendje më të mirë materiale, nuk pranonin të kompensoheshin për punën e tyre në shkolla me qëllim që të paguheshin kolegët e tyre. Njësoj, familjet me gjendjen më të rëndë sociale nuk pranonin ndihma sociale dhe ishte e vështirë t’i bindësh për t’u futur në këtë skemë.

Shumë donatorë në Kosovë dhe në diasporë kishin kërkuar që të mbeteshin anonim. Por kishte raste kur familjet shitnin pjesë të pasurisë së tyre për të financuar arsimin në vitet e ’90. I tillë ishte edhe rasti i Isa Veliut nga fshati Sllubicë në Komunën e Gjilanit. Isa Veliu kishte shitur njërën nga tri lopët që posedonte dhe kishte ndarë 500 franga zvicerane të cilat i kishte dorëzuar në Këshillin Komunal të Financimit në Gjilan. Mustafë Lubeniqi, pensioner nga fshati Tomoc i Komunës së Istogut, kishte ndarë 1,000 franga dhe kishte insistuar që të mbetej anonim, por emri i tij ishte shënuar nga arkatarët e Këshillit Komunal për Financim në Istog. Latif Kryeziu, i cili punonte në Gjermani, kishte dhuruar 10,100 marka për arsimin në Kosovë. E raste si këto janë të panumërta.

Përkundër asaj se mjetet grumbulloheshin jashtë institucioneve bankare, ekzistonte rrezikshmëri e lartë e konfiskimit dhe burgosjes në rast se policia serbe kapnin arkëtarët e KQFK dhe transferimi i mjeteve bëhej në dorë, prapë se prapë shkalla e keqpërdorimit apo humbjes së mjeteve ishte tejet e vogël. Në shumë raste, persona fizik caktoheshin që të nxjerrin deri një milion marka nga “Dardania Bank” në Tiranë, e cila shërbente si bankë për ruajtjen e fondeve të grumbulluara në diasporë, dhe me çanta, duke kaluar ilegalisht kufirin me Kosovën, t’i sillnin ato mjete në Kosovë për të paguar pagat e mësimdhënësve, asistencën sociale dhe shpenzimet tjera. Sipas drejtuesve të KQFK, për shtatë vite të operimit, humbja e fondeve ishte vetëm 0.59%.

Me mbarimin e luftës, ky solidaritet i lartë i qytetarëve të Kosovës dhe diasporës u shua. Një ndër faktorët që ka ndikuar në këtë është edhe korrupsioni i lartë në institucionet vendore, çfarë ka dërguar një sinjal se të jetosh ndershëm është diçka që nuk ia vlen.

Përderisa në kushte të okupimit, pa sistem bankar dhe pa institucione të sigurisë e gjyqësisë, shkalla e humbjes së fondeve ishte 0.59% për shtatë vite; pas luftës, më themelimin e institucioneve qeverisëse dhe me sistem bankar, shpenzimet e buxhetit në mënyrë të jashtë ligjshme, sipas të gjeturave të Zyrës Kombëtare të Auditimit, sillen rreth 10% në vit.

Rregullorja e KQFK e cila klasifikonte për asistencë sociale familjet më në nevojë ishte dukshëm më e drejtë dhe gjithëpërfshirëse se sa Ligji aktual për ndihma sociale. Me Ligjin aktual përjashtohen nga ndihmat sociale të gjitha ato familje të cilat kanë një person të aftë për punë dhe të cilat nuk kanë fëmijë nën moshën pesë vjeçare. Në vitet e ’90 klasifikoheshin për ndihma sociale edhe ato familje që kishin numër të madh të nxënësve, persona të moshuar apo të sëmurë.

Në vitet e ’90, shoqata humanitare “Nëna Terezë” kishte arritur të identifikonte dhe të mblidhte të dhëna për rreth 100 mijë familje me gjendje të rëndë socio-ekonomie. Pas luftës, edhe më tej nuk ka të dhëna për familjet me gjendje të rënduar sociale dhe të cilat kanë nevojë për strehim.

Përderisa në vitet e ’90ta, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut mblidhte fakte për dhunën dhe krimet e policisë serbe, fakte të cilat shërbyen pastaj edhe në Gjykatën e Hagës për të ngritur akuza ndaj krerëve më të lartë të Jugosllavisë dhe Serbisë, tani edhe 19 vite pas luftës, përkundër shpenzimit të miliona eurove, Kosova nuk ka një regjistër zyrtar të krimeve të luftës.

Përderisa në vitet e ’90ta ndahej 0.6% e buxhetit për institutet kërkimore, buxheti i Kosovës së pasluftës asnjëherë nuk ka ndarë 0.6% të buxhetit vjetor për hulumtime.

Por, pas çlirimit, me themelimin e institucioneve vetëqeverisëse, për të siguruar votat e kategorive të caktuara të popullsisë, qeveritë e pasluftës filluan t’i vënë një vlerë monetare çdo aktiviteti patriotik të viteve ’90.

U fillua me të burgosurit politik, ku shteti i varfër i Kosovës mori përsipër të paguante ish të burgosur politik bazuar në netët e kaura në burg. Pastaj u vazhdua me kompensimin e ish-luftëtarëve të luftës së UÇK-së dhe familjeve të tyre. Në Buxhetin e vitit 2018 vetëm se është ndarë një shumë për pensionet e deputetëve të viteve ’90. Tani e një kohë të gjatë kompensim kërkojnë edhe ish-zyrtarët e Qeverisë së Kosovës në mërgim. Në muajin prill 2018, Qeveria aprovoi Projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip në Republikën e Kosovës nga viti 1990 deri 1999. Ky ligj parasheh pension shtesë për të gjithë punëtorët e arsimit gjatë viteve ’90, pension i cili duhet të paguhet nga buxheti i shtetit.

Sipas ministrit të financave Bedri Hamza, i cili e kundërshtoi këtë ligj, drafti aktual lë hapur mundësinë që përveç punëtorëve të arsimit, pensione të përfitojnë edhe punëtorët në sektorët tjerë. Kësisoj, pensione mund të përfitojnë minimum 23 mijë persona të angazhuar gjatë viteve ‘90. Të gjithë këta persona do të kenë të drejtë në pension prej 263 euro deri 303 euro. Nëse hyn në fuqi ky ligj, atëherë buxheti i Kosovës pritet të shpenzoj deri në 70 milionë euro në vit për pensionet e këtyre kategorive. Shto këtu edhe 64 milionë euro në vit për pensionet e veteranëve të luftës, 10.5 milionë euro në vit për pensionet e ish të burgosurve politik, 300 mijë euro në vit për deputetët e viteve ’90, 38 milionë euro për pensionet e invalidëve të luftës, atëherë vetëm për këto kategori do të shpenzohen mesatarisht rreth 180 milionë euro në vit, apo 9% e buxhetit të Kosovës.

Nëse të gjithë këta kanë të drejtë të marrin pension për aktivizmin vullnetar të tyre gjatë viteve ’90, atëherë përse nuk ka të drejtë në pension edhe baca Isë i cili shiti lopën për të paguar rrogën e mësimdhënësve, apo baca Mustafë i cili dha 1,000 franga pa dashur as t’i përmendej emri, apo baca Latif i cili dha mbi 10 mijë marka për shkollat e Kosovës, e të gjithë ata 282 mijë veta të cilët kontribuuan për financimin e shtetit paralel.

Sakrifica, vullnetarizmi dhe organizimi i shoqërisë kosovare gjatë viteve ’90 është një ndër organizimet më të suksesshme që mund të arrijë një shoqëri, e që vazhdon të më fascinoj edhe sot. Fatkeqësisht, keqqeverisja dhe korrupsioni në shtetin e Kosovës të njohur nga 114 shtete të botës, po e mbytë këtë sakrificë dhe vullnetarizëm duke i vënë një vlerë monetare. Kësisoj, përveç që zbehim kujtimin për të gjithë sakrificën për shtetin paralel të viteve ’90, me veprime si këto po e rrënojmë edhe ardhmërinë e shtetit tashmë të pavarur të Kosovës.