Si të Mos Mendohet për Ndërtimin e Një Shteti

Ka pak autorë që kanë shkruar për politikën e jashtme të Kosovës duke përfshirë periudhën pas shpalljes së pavarësisë, një punë me të cilën u mor Enver Hoxhaj në librin e tij të fundit “Ngritja e një Shteti: Politika e Jashtme e Kosovës”, i botuar nga Botimet Dudaj (2016). Në tri pjesë dhe 15 krerë, libri përpiqet të kërkojë “mendim strategjik” përbrenda qarqeve të bërjes së politikave të jashtme.

Pjesa e parë e librit përfaqëson përgjithësisht pozitën e Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare; aty gjenden disa struktura konceptuale ekzistuese nga literatura e Marrëdhënieve Ndërkombëtare (MN) sikur “shtetet e vogla”, “fuqia e fortë”, “fuqia e butë” dhe “fuqia e mençur”, dhe përmban një diskutim të shkurtër të tri paradigmave të mëdha në teorinë e MN-së – pra realizmin, liberalizmin dhe konstruktivizmin. Më tutje, pjesa e parë e librit vazhdon të merret me këto koncepte dhe teori dhe se si ato lidhen me sjelljen e Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare pas arritjes së pavarësisë.

Pjesa e dytë e librit është kryesisht një shpjegim përshkrues i pozitës së Kosovës në sistemin ndërkombëtar. Qëllimi i kësaj pjese të librit është për ta treguar “karakterin e veçantë” të politikës së jashtme të Kosovës (fq. 103-110). Është “e veçantë”, sipas librit, për shkak të sfidave me të cilat Kosova përballet si pasojë e të mosqenit anëtare e Kombeve të Bashkuara (KB), përpjekjet për të fituar njohje, dhe marrëdhëniet problematike me “shtetin amë” të dikurshëm, Serbinë – çështje me të cilat shtetet e njëmendta (anëtare të KB-së) nuk kanë nevojë të merren. Kjo pjesë e librit po ashtu flet për “partnerët” dhe “kundërshtarët” e Kosovës. Për “kundërshtarët” flitet me shumë kritikë, dhe autori vajton për mënyrën se si disa shtete që nuk e kanë njohur Kosovën nuk e kanë kuptuar saktësisht rastin sui-generis të Kosovës.

Ndryshe nga natyra përshkruese e dy pjesëve të para të librit, të cilat shpjegojnë shumicën e përmbajtjes së tij (fq. 21-300), është pjesa e tretë që merr një kthesë më analitike. Kjo pjesë e librit, përveç se përsërit dhe përmbledh shumë nga dy pjesët e mëhershme, ngre disa çështje të rëndësishme lidhur me politikën e jashtme të Kosovës ndaj: (1) rajonit, (2) organizatat Euro-Atlantike, dhe (3) anëtarësisë në KB. Me interes të veçantë këtu është një analizë lidhur me skenarët për anëtarësimin e Kosovës në KB, e cila, sipas librit, është një ndër prioritetet dhe qëllimet përfundimtare të politikës së jashtme të Kosovës. Kjo për arsye se:

“Nëse një vend sikur Kosova nuk përmbush interesat jetike ndërkombëtare për t’u bërë anëtare e KB-së dhe integrimin në organizatat Euro-Atlantike brenda një periudhe të caktuar, ai rrezikon vetë ekzistencën si shtet” (fq. 309).

Cila do të ishte kjo “periudha e caktuar”? A është “një dekadë”, siç përmend Hoxhaj më vonë (fq 319, fq. 321), dhe në qoftë se status quo-ja e izolimit dhe mosanëtarësimi vazhdojnë, Hoxhaj sugjeron se “idea e bashkimit kombëtar [me Shqipërinë] mbetet një reagim i pashmangshëm (319). Hoxhaj gjithashtu pohon se vetë “kundërshtarët” (Rusia dhe Serbia) që po e bllokojnë anëtarësimin e Kosovës në KB munden, si pasojë, të prodhojnë një rezultat të bashkimit kombëtar shqiptar, i cili sipas tij, nuk është i dëshirueshëm as për Serbinë e as për Rusinë. Kjo pjesë po ashtu parakalon si ultimatum me gjysmë zemre për komunitetin ndërkombëtar që ta njohë Kosovën si shtet sovran me të drejta dhe detyra të barabarta sikur shtetet tjera. Hoxhaj po ashtu paraqet një propozim për një “Traktat Paqeje” me Serbinë (fq. 325) dhe përfundon më një ton optimist për “shtetet e vogla” në përgjithësi të cilat asnjëherë nuk duhet të dorëzohen në përmbushjen e interesave të tyre kombëtare.

Opinioni origjinal u botua në anglisht në Prishtina Insight

Libri ka disa probleme dhe dobësi të cilat mund të grupohen në tri kategori, pra (1) angazhimin me teorinë e MN-së, (2) përdorimi i disa koncepteve, dhe (3) disa pjesë të analizës.

Në mënyrë mjaft të çuditshme, libri përpiqet të merret me tri teori të MN-së: realizmin, liberalizmin dhe konstruktivizmin. Ai thotë se Kosova i ka përdorur ato si “një strukturë e integruar intelektuale e politikës së saj të jashtme” (fq. 91), dhe se realizmi është përdorur si “udhërrëfyes” për bërjen e politikave të jashtme (fq. 92). Si përfundim, Hoxhaj po ashtu thotë se, si Ministër i Jashtëm, varësisht nga koha, ai ka qenë realist, liberal, dhe konstruktivist, të gjitha brenda një dite!

Sugjerimi i Hoxhajt se Kosova ka vendosur të veprojë sipas cilësdo nga këto teori është një pikëpamje teorikisht problematike në teorinë e MN-së vetëvetiu.

enver-hoxhaj-un-2012

Problemi me librin qëndron te fakti se këto tri teori (të zakonta) të MN-së kanë pak perspektivë normative. Mund të analizohet dhe interpretohet një sjellje e një shteti të caktuar sipas njërës apo më shumë nga këto pjesë teorike për të nxjerrë një përfundim se cila nga ato do ta përshkruante më së mirë veprimin e një shteti (në këtë rast Kosova), kur dhe për cilën çështje. Por, është vështirë për një burrështetas të zgjohet në mëngjes dhe ta marrë një vendim bazuar në këto teori (ka teori tjera normative që mund të ndihmojnë për atë gjë, por libri nuk i përmend ato).

Teoritë e përgjithshme të MN-së ofrojnë veglat për t’i shqyrtuar gjërat në mënyrë retrospektive, dhe nuk japin thuajse fare këshilla për atë se si duhet vepruar. Thënë me terma më brutalë: dikush mund ta shpjegojë gravitetin përmes teorisë së Njutonit apo teorisë së relativitetit të Ajnshtajnit, por nuk mund të vendosë se a do të veprojë sipas njërës apo tjetrës teori të gravitetit kur zgjohet të nesërmen në mëngjes. Pra, sugjerimi i Hoxhajt se Kosova ka vendosur të veprojë sipas njërës nga këto teori është teorikisht një pikëpamje problematike mbi teorinë e MN-së.

Tri teoritë sigurisht që mund të ofrojnë mjaftueshëm brumë për ta shpjeguar sjelljen e Kosovës, por jo ashtu se si sugjeron libri. Kur libri pohon se realizmi ka qenë udhërrëfyesi i tij teorik (duke lënë anash tonin e tij normativ), kjo nuk përputhet me realitetin.

Duke i cituar disa realistë relevantë, libri përmbledh realizmin në mënyrë mjaft të saktë, pra pre-supozon se shtetet veprojnë sipas interesit të vet, mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial, maksimizojnë sigurinë, e kështu me radhë.

Sidoqoftë, është shumë vështirë të shpjegohet politika e jashtme e Kosovës përmes realizmit, siç sugjeron Hoxhaj, sepse sovraniteti i saj kontestohet nga shumë prej atyre që mbrojnë integritetin e saj territorial (KFOR-i/NATO-ja) në rend të parë. Realizmi do të sugjeronte se, kur shtetet janë të vogla dhe të dobëta, i shohin kundërshtarët më të fuqishëm si pikë reference kundrejt vetes. Realisht, Kosova nuk e ka vënë veten në baraspeshë me ndonjë prej kundërshtarëve më të fuqishëm (në këtë rast Rusisë dhe Serbisë), sepse kryesisht mbështetet në mbrojtje të shumanshme (mekanizma që nuk pajtohen për vetë sovranitetin dhe shtetësinë e Kosovës). Për më shumë, Kosova nuk ka një marrëveshje detyruese të mbrojtjes, as me këta trupa të shumanshëm që e “mbrojnë” nga Serbia e as me ndonjë shtet tjetër. Në fakt, mu ata trupa të shumanshëm (KFOR-i/NATO-ja) që “mbrojnë” Kosovën kanë një marrëveshje me Serbinë (e jo me Kosovën) për ta mbrojtur Kosovën (Marrëveshja Ushtarako-Teknike mes NATO-s dhe Federatës së atëhershme të Jugosllavisë/Serbisë). Pra, mbrojta dhe siguria e saj (KFOR-i/NATO-ja përmes Rezolutës 1244) po ashtu varet nga dy “kundërshtarët” e saj, Rusisë dhe Serbisë, dhe jo vetëm nga “partnerët” e saj. Realizmi thjesht bie në pus këtu. (Unë këtu përdor kategorizimin e librit të “partnerëve” dhe “kundërshtarëve”.

Elita qeverisëse është shumëfish më e pasur, e fuqishme dhe më e sigurt krahasuar me periudhën para pavarësisë apo çlirimit. Është vështirë të konstatohet njëjtë për Kosovën si shtet e shkëputur nga shoqëria e saj, por shumë e ngatërruar përreth elitës qeverisëse.

A mund Realizmi ta shpjegojë sjelljen e Kosovës, apo vetëm një pjesë të saj, pas pavarësisë? Po, por duhet të shkohet përtej teorisë së MN-së dhe të konsultohet nën-disiplina e Analizës së Politikës së Jashtme, të cilën libri e shpërfill. Në fakt realizmi do ta shpjegonte më së miri politikën e jashtme të Kosovës duke i rrokur rezultatet e sjelljes së elitës qeverisëse.

Liberalizmi dhe Konstruktivizmi pjesërisht mund të shpjegojnë se si Kosova është marrë me sistemin ndërkombëtar prej që është shpallur e pavarur. Ajo ka ndjekur politika që përqafojnë individualizmin, duke e lënë tregun e lirë të sundojë më shumë sesa shteti dhe disa komunitete të caktuara, shumë më shumë sesa ka pasur përvojë Perëndimi, dhe ka kërkuar anëtarësim në organizata që përqafojnë dhe promovojnë këto politika.

Sa i përket rezultatit, do të ishte vështirë, së paku për momentin, të thuhen përfitimet për Kosovën (sigurisht që mund të jenë disa), por çfarë mund të konstatohet me më shumë besim është se përfitimet pa dyshim janë drejtuar më fort kah elita qeverisëse. Elita qeverisëse është shumëfish më e pasur, e fuqishme dhe më e sigurt krahasuar me periudhën para pavarësisë (2008) apo çlirimit (1999). Është vështirë të konstatohet njëjtë për Kosovës si shtet, e shkëputur nga shoqëria e saj, por shumë e ngatërruar përreth elitës qeverisëse.

Në anën tjetër, Konstruktivizmi më së mirë do ta shpjegonte sjelljen e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë kur e krahasojmë me realizmin dhe liberalizmin. Thënë në terminologjinë e Alexander Wendt, sovraniteti ka qenë vetëm ashtu se si dikush (elita qeverisëse dhe një pjesë e shoqërisë) e ka bërë.

Realizimi më së miri do ta shpjegonte sjelljen e elitës qeverisëse ballë për ballë me shtetin dhe rezultatin themelor të politikës së saj të jashtme. Edhe pse mund të intepretohet dhe diskutohet se çfarë do të thonë “sovraniteti”, “interesi kombëtar” dhe “siguria”, duke gjykuar nga rezultatet, mund të flitet më shumë për fuqinë, sovranitetin, interesin dhe vetë sigurinë klanore të elitës qeverisëse.

Një problem tjetër me librin është konceptual. Edhe pse Hoxhaj mjaft shpesh përdor konceptet e Joseph Nye-it për “fuqinë e butë”, “të fortë” dhe “të mençur”, libri aludon se Kosova ka përdorur “fuqinë e mençur” për t’i përmbushur interesat e saj. Meqenëse “fuqia e mençur” është një kombinim i fuqive të buta dhe të forta, do të ishte vështirë të argumentohet se Kosova, e cila nuk ka ushtri për ta mbrojtur vetveten apo inteligjencë për të punuar jashtë vendit, mund të përdorë gjëra tjera pos fuqisë së butë. Në vend të një sinteze mes dy fuqive, Hoxhaj duket se sugjeron që “fuqia e mençur” është kur bëhesh apo sillesh sikur je i mençur – një keqintepretim i hapur i konceptit të Nye-t.

Një element tjetër i habitshëm i librit është kur flet për vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) të vitit 2010, e cila e miratoi pavarësinë e Kosovës si legjitime – gjë që pa dyshim është kulmi i politikës së jashtme të Kosovës. Në libër, vendimi i ICJ-së interpretohet si “fakti i sigurt i shtetësisë së Kosovës”, gjë që poashtu i hapi udhë kundërshtimit të ri-negocimit të statusit të saj (fq. 80). Por, kjo analizë ka një mangësi të madhe, sepse nuk shpjegon përse i filloi Kosova bisedimet me Serbinë pak më shumë se gjashtë muaj pas vendimit të ICJ-së, nëse ajo vërtetoi se statusi i saj ishte i panegociushëm?

hoxhaj.tirana.2017-768x512

Libri po ashtu sugjeron se opinioni pozitiv i ICJ-së për Kosovën është përdorur mirë nga bërësit e politikës së jashtme në Kosovë, sepse ka sjellë më shumë njohje dhe anëtarësime në organizata ndërkombëtare. Po, nuk ka dëshmi apo diskutim të qëndrueshëm që libri sjell për ta mbështetur një pretendim të tillë.

Në fakt, mund të argumentohet e kundërta – Kosova e ka përdorur opinionin e ICJ-së shumë dobët. Gjashtë vite pas vendimit, Kosova ka pranuar rreth 40 njohje krahasuar me 70 njohjet që kanë ardhur brenda dy viteve të para pas shpalljes së pavarësisë. Numri i lartë i njohjeve të hershme është i kuptueshëm dhe nuk ka të bëjë me vendimin e ICJ-së, por të pretendosh se vendimi i ICJ-së është përdorur në mënyrë efikase është e vështirë.

Libri nuk arrin ta vërtetojë një lidhje të besueshme mes opinionit të ICJ-së dhe njohjet pasardhëse të shtetit të Kosovës. Në fakt, mund të thuhet e kundërta. Kosova ka pranuar ta heqë përcaktimin “Republikë”, – vetë-përcaktimin që përfaqëson pretendimin e vendit për shtetësi – në përfaqësime ndërkombëtare. Në vend të asaj, vendi mori një fusnotë, një shënim mohues ngjitur me emrit që i referohet Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të KB-së (e cila është ligjërisht e detyrueshme ndërkombëtarisht, që deklaron sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën) dhe vendimit të ICJ të favorshëm për Kosovën (i cili nuk është i detyrueshëm ligjërisht), dhe pjesa më e habitshme e fusnotës e cila thotë se të gjitha palët (përfshirë Kosovën) nuk janë paragjykuese ndaj statusit të saj.

Në fund, Kosova pranoi të mos e gjykojë statusin e vet, as si një shtet i pavarur, pavarësisht opinionit të favorshëm të ICJ-së për pavarësinë e saj. Libri nuk diskuton se si rifillimi i bisedimeve me Serbinë dhe fusnota – përmes së cilës Kosova nuk e paragjykon statusin e saj si shtet i pavarur – duhet ta kenë ndikuar rezultatet e dobëta në politikën e jashtme në lidhje me njohjet dhe subjektivitetin e saj ndërkombëtar.

Me t’u kthyer nga një udhëtim në Nju Jork në shtator të vitit 2016, Hoxhaj pretendoi se tri shtete do ta njohin Kosovën në fund të atij viti (2016). Vetëm Singapori e bëri një gjë të tillë.

Sidoqoftë, Hoxhaj arriti ta pranojë se ka pasur dobësi në të kaluarën në politikën e jashtme të Kosovës. Por asnjëherë në 400 faqet e librit, performanca e dobët nuk i vishet qarqeve të cilat e kanë bërë politikën e jashtme të Kosovës. Përse performoi Kosova aq keq kur bëri një gjë të tillë? Sipas librit, problemet ishin: (1) Presidenti i atëhershëm Fatmir Sejdiu (një veteran i LDK-së); (2) Dick Marty; (3) partitë tjera veç PDK-së që krijuan një koalicion kundër PDK-së në vitin 2014; dhe (4) prapë opozita në vitin 2015, kur refuzuan ta pranojnë marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe Marrëveshjen për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi.

Sipas Hoxhajt, rezultatet e dobëta të politikës së jashtme nuk ka pasur lidhje me PDK-në. Fiaskoja e madhe e politikës së jashtme e mospranimit të Kosovës në UNESCO nuk i takon askujt, dhe për të flitet vetëm në 2 rreshta e gjysmë në libër (fq. 157).

Një ndër pikat e rëndësishme, dhe tema kryesore analitike e librit, është diskutimi për disa skenar që Kosova duhet apo nuk duhet t’i ndjekë në udhën e saj drejt anëtarësimit në KB – një interes kombëtar jetik i Kosovës, sipas librit. Janë dy skenarë që libri i diskuton.

I pari është integrimi gradual në “sistemin e KB-së” përmes anëtarësimit në agjencitë dhe programet e KB-së (fq. 319). I dyti është anëtarësimi në KB përmes Asamblesë së Përgjithshme të KB-së dhe Këshillit të Sigurimit (fq. 319). I pari, siç tregon më tutje libri, do të ishte një mundësi përmes së cilës Kosova do të fitonte statusin e vëzhguesit në KB pa të drejtën e votës, një status të cilin për momentin e mban Palestina, Vatikani, dhe disa organizata ndërkombëtare. Libri e konsideron këtë mundësi si potencialisht të dëmshme, dhe jep disa vërejtje të arsyeshme për këtë, por edhe ato janë të diskutueshme. Mundësia e dytë, anëtarësimi i plotë në KB, është ajo të cilën Kosova duhet ta bëjë prioritet mbi të parën.

Në mënyrë që të mishërohet mundësia e dytë, Hoxhaj propozon një pragmatizëm të ri që Kosova duhet ta zhvillojë në lidhje me Rusinë dhe Kinën, me ç’rast do të ndërtoheshin disa lloj marrëdhëniesh të dyanshme. Por, ai nuk jep një arsye përse Rusia, e cila deri në atë pikë etiketohet si një shtet “kundërshtar” – do të donte që ndonjëherë të ndërtonte marrëdhënie bilaterale me Kosovën.

Libri dështon të ofrojë analizë të për të ardhmen e Kosovës në rast të mos-anëtarësimit në KB, sidomos për faktin që paraqet shembuj që kanë shumë pak të përbashkët me Kosovën.

30_09_2016_7214911_1-768x494

Edhe pse në kërkimin akademik mund të jetë interesante dhe mbase e vlefshme të krahasohet përse Zvicra, Austria, Koreja e Jugut dhe Veriut, Gjermania Perëndimore dhe Lindore mbetën jashtë KB-së, gjë të cilën libri e konsideron, nuk është fare e qartë çfarë do të përfitonte bërja e politikës së jashtme të Kosovës nga ky devijim (mos-anëtarësim në KB).

Zvicra vendosi mos të bëhej pjesë e KB-së, përderisa Gjermania e atëhershme e ndarë dhe dy Koretë ishin krejtësisht jashtë sistemit të KB-së në rend të parë, dhe u bënë pjesë e saj vetëm pasi arritën një marrëveshje në mes vete si vende joanëtare të KB-së.

Kosova ende vepron në një kontekst tjetër, sepse nuk po e negocion anëtarësinë në KB me një shtet tjetër joanëtar, por me Serbinë, e cila tanimë është pjesë e KB-së dhe ka një partner mjaft të mirë për ta bllokuar kërkesën e Kosovës për anëtarësim (Rusinë). Është interesante se si libri i shmanget dhënies së shembujve dhe të politikave potenciale që duhet ndjekur për të treguar se si të mbijetohet në rast të mos- anëtarësim në KB prej atyre shteteve që e kanë bërë një gjë të tillë, megjithatë me natyra dhe karakteristika të ndryshme në lidhje me perspektivat dhe funksionalitetet (p.sh. Tajvani, Palestina, Qiproja Veriore, Somalilandi, etj.). Përmendja e këtyre rasteve nuk do të thotë se duhet të ndiqen politikat e tyre, por ato sigurisht përfaqësojnë një kuptim më të mirë për kontekstin e Kosovës sesa rastet që libri në mënyrë të pakuptueshme.

Sidoqoftë, Hoxhaj ngul këmbë në anëtarësimin shumë joreal në KB gjatë dekadës së ardhshme që Kosova të mbijetojë si shtet, dhe i shmanget propozimit të ndonjë marrëveshjeje të vërtetë të mbrojtjes (përveç KFOR-it dhe Rezolutës 1244) më një apo dy partnerë kryesorë.

Tajvani, për shembull, ia ka dalë të mbijetojë, edhe pse ka pak më shumë se 20 njohje dhe një kundërshtar në rritje – Kinën – që kërcënon se do ta marrë. Kjo është pjesërisht për arsye se Tajvani ka zhvilluar një mekanizëm efikas të mbrojtjes dhe pjesërisht, por më me rëndësi, sepse ka një marrëveshje të hapur të mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara. Një udhëzim i ngjashëm për politika nuk ka zënë vend në analizën e librit, edhe pse jep një përshkrim të botës së trazuar e cila po shpaloset para syve tanë.

Nëse libri do të tentonte të diskutonte diçka të ngjashme me këtë, ndoshta do të kishte vështirësi të jepte përgjigje për arsye se autori, personi që ka shërbyer më së gjati si Ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, dështon të shpjegojë përse bërësit e politikës së jashtme të Kosovës kanë vendosur të ketë më pak se një duzinë pjesëtarë të stafit të jashtëm dhe të mbrojtjes të stacionuar në ShBA (përfshirë shoferët dhe stafin administrativ). Tash, me ardhjen e Trump-it, qasja e brishtë e politikës së jashtme të Kosovës ndaj Shteteve të Bashkuara sigurisht që do ta rriste perspektivën e vendit për mbijetesë (të vërtetë). Vetëm një grusht diplomatë janë të caktuar në Gjermani, Francë, dhe në Mbretërinë e Bashkuar, të cilët autori i librit i sheh si parterët kyçë të vendit.

Një angazhim shumë më serioz (sidomos në sektorin e mbrojtjes) duhet të ndërmerret me “partnerët” e listuar në libër sesa Hoxhaj sugjeron në librin e tij – në qoftë se Kosova do të mbijetojë siç duhet pa anëtarësim në KB, në një rajon vazhdimisht të paparashikueshëm, Euro-atlanticizmin, dhe vetë botën.