Si Po Rrënohet NBI Suhareka?

Ish-ndërmarrja NBI Suhareka, e cila dikur ka prodhuar me tonelata verë dhe produkte të tjera të rrushit, tani pas privatizimit, ka hyrë në një rrugë të pafund të telasheve.

Prej kur është privatizuar ndërmarrja, tash me emrin e ri “Agro Kosova Holding”, aksionarët janë futur në disa marrëveshje, mes të cilave edhe për shkatërrimin e kësaj ndërmarrjeje.

Tash e tre muaj, ish-punëtorët kanë ngritur një tendë përballë ndërmarrjes dhe kërkojnë kthimin e pronësisë. Ata e akuzojnë AKM-në, tash AKP-në, si dhe kryetarin e Komunës, Blerim Kuçi, i cili qëndron prapa blerjes së kësaj ndërmarrje bashkë me disa investitorë italianë.

Hazir Morina, ish-punëtori i NBI Suharekës, tha se në privatizimin e kësaj ndërmarrje është përzier politika. “Këtu janë kryetari i Komunës, me shokët e tij… Kanë ba dallavere, na kanë lanë në rrugë mbi 400 punëtorë, e kanë shkatërrua ndërmarrjen”, tha Morina.

Malush Sopa, kryetar i sindikatës, tha se fillimisht kanë qenë të pajtimit që ndërmarrja të dalë në privatizim, pasi që kanë shpresuar që punët do të shkojnë më mirë. “Me privatizim kemi mendu se do te rritet ndërmarrja dhe prodhimi, por ka ndodhur e kundërta”.

Sopa tha se procedura e privatizimit ka qenë problem dhe se politikanët nuk kanë dashur që të përmirësohen puna e ndërmarrjes. Thotë se nuk i kishin përkrahur as kryetari e atëhershëm i Suharekës, Sali Asllani, dhe as ministri në atë kohë i Tregtisë dhe Industrisë, Bujar Dugolli. “Madje, Dugolli na udhëzoi që të bëhemi partnerë me QMI-n e ta blejmë bashkë kompaninë”.

Kishin ofertuar për ta blerë ndërmarrjen, por Sopa dyshon se oferta e tyre ishte hapur paraprakisht. “Ndërmarrja i është dhënë ofertuesit të dytë, se na e kemi pasë ofertën 4 milionë e 115 mijë, ata për 17 mijë euro na e kanë kaluar…Këtu lind dyshimi se zarfi është hapur”.

Sopa shprehet se AKM-ja ka ardhur në kohën kur janë kryer punët përgatitore dhe ata kanë pasur vetëm ta marrin rrushin dhe ta dërgojnë në bodrum. “I kemi lënë mbi rreth 1 milion litra verë, duke menduar që firma do të ecë, edhe të mos rrënohet. Në podrumet tona, i kanë pasë rezervë 260 vagonë rrush të terur. Ata kur erdhën nuk e morën rrushin me e dërgu në bodrumin tonë, por bënë kontrabandë, dhe e shitën në Rahovec”.

Kurse në nëntor pas kryerjes së vjeljes së rrushit, dikush ka nisur t’i presë me sëpatë hardhitë e rrushit. Sopa thotë se ishte takuar edhe me nënkryetarin e atëhershëm të AKM-së, Shkumbin Bica, të cilit ia kishte paraqitur këtë shqetësim. Një ankesë të tillë e kanë bërë edhe pas ndërrimit të stafit në AKP, por sërish askush nuk ka ndërhyrë.

Naim Avdiu, nënkryetar i AKP-së, fillimisht i kishte dëgjuar, por Sopa beson se “dikur u shit edhe ai”. “Avdiu na u kërcënua: Kush jeni ju që të bëni incizime?”

Megjithëse ishte privatizuar me spin-off special, me të cilën ndërmarrja nuk ka të drejtë t’ia ndërrojë destinimin ndërmarrjes, Avdiu i kishte thënë se pronari bën çka të dojë. “ I thashë, e ke gabim zotni, se pronari nuk ka të drejte me e ndrru destinacionin, me pre vneshta”.

Ndërmarrja është privatizuar me 700 hektarë rrush, ndërsa pronë e përgjithshme janë rreth 1170 hektarë.

Në kontratën e nënshkruar ndërmjet AKM-së dhe blerësve të ndërmarrjes – QMI dhe Vinicolo Fantinel Group, në faqen 6 të këtij dokumenti, pika 5.1.3 thuhet: “Blerësi i blen aksionet për nevojat e veta personale dhe jo si agjent për palën e tretë, dhe gjatë procesit të tenderimit për këtë kompani, nuk ka bërë ndonjë marrëveshje joformale ose marrëveshje formale të pashpallur, ose konsorcium, ndërmjet dy ose më shumë ofertuesve, ose me ndonjë palë të tretë të pashpallur”.

Por sipas disa kontratave të fshehta që janë lidhur para se të bëhet privatizimi i ndërmarrjes, për blerjen e NBI Suharekës, në emër të Qendrës së Mobileve Italiane – QMI ka paguar Blerim Kuçi. 450 mijë eurot, në AKM janë deklaruar si pasuri e QMI-së.

Ndonëse Agjencia Kosovare e Privatizimit është në dijeni për këtë fakt, ata nuk kanë ndërmarrë asnjë hap ligjor.

Blerim Kuçi ka bërë marrëveshje me italianët që pas privatizimit të ndërmarrjes, ta shkatërrojë bodrumin e verës në Suharekë dhe ta marrë në pronësi tokën që është mu në qendër të Suharekës, përballë Komunës dhe Gjykatës Komunale.

Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk ka pranuar të flasë për gjithë këto dyshime për shkelje procedurash, ndërsa Kuçi mohon se është aksionar.

Blerim Kuçi

Por ai e pranon se ka pasur marrëveshje që pas privatizimit, bodrumi të prishej, dhe ai ta marrë tokën. Ai konsideron se kjo marrëveshje nuk është ilegale dhe nuk është e fshehtë. “Ajo marrëveshje ekziston. Organet e gjyqësisë dhe organet e tjera e dinë”.

Kompania që e ka privatizuar NBI “Suhareka”, aktualisht i ka vetëm 5 apo 6 punëtorë që punojnë me gjysmë orari. Kuçi thotë se kjo çështje i takon AKP-së. “Por çka kam parë personalisht, edhe si kryetar komune, diku rreth 200 hektarë vreshtë i kanë mbjellë rishtazi; kanë krijuar një bodrum të ri edhe mbushtoren e re, gjithçka në Shirokë”, tha Kuçi.

Në anën tjetër, pronari i QMI-së, Roberto Migotto, tha se paratë që i ka marrë për të ofertuar në blerjen e NBI-së i ka marrë borxh. Ky fakt, sipas tij, nuk e bën Kuçin aksionar të ndërmarrjes.
Migotto tha se me Kuçin ka ndërruar vetëm dy fjalë, kur janë takuar në rrugë, dhe e ka përshëndetur për përparimin dhe investimet që ka bërë “Agro Kosova”.

“Për më tepër marrëveshja e lidhur për shitjen e kësaj kantine është bërë nga Fantinel-i, sepse ai, atëherë ishte menaxher i saj, me kushtin që në përfundim të privatizimit atij t’ia dorëzojë këtë pronë”.

Migotto thotë se pas tij nuk qëndron askush. “Unë kam marrë financa nga bankat, nga familjarët, e mi. Kryetari i Suharekës e ka financuar me 450.000 euro këtë aktivitet me një detyrim moral, të cilat megjithatë janë, një hua, sepse në kontabilitet janë të shënuara si hua, pra me një detyrim moral që t’i shitet kantina e vjetër në qendër të Suharekës, me një shumë më të lartë, atëherë kur të ketë përfunduar procesi i privatizimit, asgjë më shumë”, tha Migotto.

Ndërsa Fazli Morina, ish-drejtori i prodhimit në NBI “Suhareka”, tha se interesi i vetëm i kryetarit të komunës është që bodrumi në qendër të Suharekës të shkatërrohet dhe në atë tokë të bëhen ndërtime të larta.

Morina tha se ka punuar 7 muaj deri kur kanë ardhur pronarët e rinj, të cilët së bashku me AKP-në, i ka qitur jashtë, madje nuk i kanë lejuar as rrobat që t’i marrin.

“Na kanë qitë të gjithëve prej ndërmarrjes me dhunë. As serbët nuk e kanë ba këtë punë, asnjë punëtor nuk e kanë ndalë…Më vonë kanë filluar i kanë pranuar 40 punëtorë. Ne gjithmonë kemi reagu në AKP, edhe ne AKM; iu kemi thënë se ndërmarrja po shkatërrohet, po plaçkitet, kemi dorëzu fakte”.
 
Së bashku me Morinën, Gazeta JnK ka dalë në terren dhe ka parë se si është shkatërruar bodrumi i verës në Suharekë. “Janë pre rezervuarët e verës, janë shitë në Mal të Zi, një pjesë është shitë në Fushë-Kosovë. 96 rezervuare, të gjithë janë shitë. Ka mbetur vetëm skeleti. Edhe një repart tjetër është shkatërruar”, tregon Morina.

Kurse Blerim Kuçi thotë se Morina i ka interesat e veta dhe është munduar çdoherë të përfitojë nga privatizimi i kompanive në komunë. “Kam përshtypjen se gjatë procesit të privatizimit të hotel ‘Ballkan’, ai ka përfituar pasi ka ba probleme të mëdha gjatë privatizimit…Një kohë e ka pasë nën menaxhim, në formën ai e din qysh e ka menaxhuar, edhe qysh e ka marrë nën menaxhim”, shprehet Kuçi.

Gazeta ka vizituar edhe vreshtat në fshatin Gjinovc, ku vërehen hardhitë që janë prerë në moshën më të mirë, në moshën 29-vjeçare, ndërsa ato mund të prodhojnë deri në moshën 60-vjeçare dhe konsiderohen si asete. “Është pasuri, e këta i kanë prerë për me maru ndërtime të larta”, thotë Morina.

Punëtorët e ndërmarrjes pretendojnë se AKP-ja është dashur që t’u marrë ndërmarrjen pronarëve të tanishëm, për arsye se ata i kanë humbur të drejtat. QMI-ja dhe Grupi Vinicolo Fantinel, në fakt janë dënuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, sepse kanë dështuar që t’i përmbushin zotimet që i kanë marrë për punësimin e më shumë se 300 punëtorëve, si dhe në investime.

E drejtori i QMI-së, Migotto tha se ka investuar miliona euro në ndërmarrje, dhe se punët po shkojnë mirë. Ai e akuzon partnerin e tij italian Giancarlo Fantinel-i se nuk i ka përmbushur detyrimet e tij në investime, dhe arsyeja pse Migotto po kërkon më shumë aksione janë ngecjet e Fantinel-it në investime.

Ai është i sigurt se e ka shpëtuar ndërmarrjen me investime dhe me punësim, megjithëse kjo nuk shihet gjatë vizitës në ndërmarrje. “Unë kam marrë hua nga banka në Itali për ta zhvilluar këtë veprimtari në një vlerë prej rreth 6 milionë euro. Kam marrë borxh edhe nga familjarët e mi”, tha Migotto.

Ndonëse do të duhej të investonte vetëm 45 për qind, thotë se është detyruar që të investojë 100 për qind, pasi nuk ka investuar askush.

“Ia kam thënë Fantinel-it, nëse ai vendos t’i paguajë kontributet e tij, ndërmarrja është akoma aty, askush nuk do t’ia marrë atë. Sepse nëse unë nuk do të kisha investuar ‘Agro Kosova’ sot do të ishte e zbrazët, punëtorët do të ishin në shtëpi, nuk do të kishim bërë investime në Kosovë dhe prapë e them se besoj se jam investuesi italian, deri tani më i madh në Kosovë”, tha Migotto.

Gazeta JnK ka provuar të bisedojë edhe me investitorin tjetër nga Italia, Giancarlo Fantinel, por ai ka refuzuar.

Grupi Vinicolo Fantinel ka 70 për qind të aksioneve, kurse QMI-ja 30 për qind të aksioneve.
QMI-në në atë kohë e përfaqësonte familja Doimo nga Italia. Ndërsa në “Agro Kosovë”, përfaqësues ka qenë Aziz Tafaj.

Çmimi blerës ka qene 4 milionë e 175 mijë e 999 euro, ndërsa obligimet për investim, kanë qenë 8 milionë e 600 mijë.

Habib Usaj, ish-drejtor menaxhues në ndërmarrje, thotë se të gjitha procedurat për privatizim kanë shkuar në mënyrën e duhur dhe më 13 dhjetor 2006 ka përfunduar raundi i dytë i ofertës dhe njëkohësisht privatizimi i ndërmarrjes. Por, ai nuk tregon se si ndodhi që u prish marrëveshja mes aksionarëve.

Sipas Usajt, Blerim Kuçi nuk ka pasur asnjë ndikim apo rol në privatizimin e kësaj ndërmarrjeje. Ndërsa për marrëveshjen që Kuçi ka pasur me QMI-në thotë se ka dëgjuar për herë të parë në shkurt 2008. “Atë dokument të cilin ju aludoni, për herë të parë e kam parë këtë verë, në Prokurorinë Speciale të Kosovës”.

Bartja e aksioneve nga QMI tek Grupi Fantinel prej 15 për qind është bërë me 4 nëntor 2011. Zyrtarizimi është bërë nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës. Usaj tha se ndërmjet Fantinel-it dhe Aziz Tafës ka pasur një mosmarrëveshje në shkurt 2008 rreth organizimit të punëve në “Agro Kosova”. “Nga ajo ditë e kam pa që nuk do të ketë bashkëjetese mes tyre”, tha Usaj.

“Të gjitha punët janë kryer në Itali, të gjitha marrëveshjet janë kryer në Itali edhe unë kam marrë informata nga ta se çfarë të veprojë e çka të bëj”, vazhdon ai.
 
Usaj thotë se është larguar nga menaxhimi i kompanisë nga Aziz Tafa, pasi nuk e ka përkrahur “eliminimin e Fantinel-it”. “Azizi ka kërkuar që unë, në mënyrë të njëanshme, ta lëshojë vendin e punës edhe ta ndërpresë kontratën e punës. Ndonëse nuk ka të drejtë ta emërojë apo ta largojë dikë, Tafa e ka bërë një gjë të tillë pa pëlqimin e Fantinel-it, duke dhënë vendim për suspendim dhe ma ka ndaluar edhe hyrjen në ndërmarrje”.

Organe udhëheqës janë vetëm Bordi i Drejtorëve dhe Bordi i Aksionarëve. Usaj tregon se në një mbledhje të aksionarëve, në qershor të 2010, ka qenë i pranishëm edhe ambasadori italian në Kosovë, Michael Giffoni.

Por Bordi i Drejtorëve nuk ka mbajtur asnjë mbledhje deri më 17 prill 2008. “Nëse ka mund të mbahet mbledhja e Bordit në Itali, vetëm me dy persona, atëherë është mbajt. Mirëpo në Kosovë, me ndërgjegje te pastër them se asnjë mbledhje e Bordit të Drejtoreve nuk është mbajtur deri më 17 prill 2008”, tha Usaj.

Në këtë kohë, Tafa e suspendon edhe udhëheqësin teknik nga Italia, duke thelluar ndasitë me Fantinel-in.

Derisa proceset gjyqësore po vazhdojnë me padi dhe kundërpadi ndërmjet pronarëve, për këto aksione, në proces është involvuar edhe ambasadori Giffoni.

Ai ka zhvilluar takime me Blerim Kuçin dhe ka vizituar Bordin e AKP-së. Giffoni thotë se vetëm i ka njoftuar që biznesmenët e vendit të tij, janë akoma të interesuar që të investojnë në Kosovë, dhe se nuk ka ndikuar asgjë në këtë proces. Duke mos dashur ta akuzojë askënd për mostransparencë, ai megjithatë ka kritikuar AKP-në se i ka vonuar disa dokumente, pa ndonjë arsye.

Giffoni thotë se nuk është në dijeni për kontratat e fshehta që janë lidhur, as për aksionet e Kuçit në ndërmarrje. Ambasadori italian tha se ka shkuar në AKP, pa dashur të ndikojë në punën e tyre, por e pranon që pas vizitës së tij, Fantinel-it edhe zyrtarisht i janë njohur aksionet.

E pronari i QMI-së, Migotto, thotë se ambasadori italian ia ka mbajtur anën Fantinel-it, pasi ka pasur presion nga ministri i jashtëm italian. “Ata të cilët kanë bërë presione që Fantinel-it, t’i kalohet 15%-shi i kontributeve, duhej të kishin bërë presion që Fantinel-i të investonte në Kosovë, që të investonte në ‘Agro Kosova’ për ta zhvilluar atë”, tha Migotto.

“Unë nuk kam pasur presione politike, unë kam ardhur këtu, për të investuar dhe kam investuar. Ambasadori italian më ka thënë se ka pasur presione politike nga ministri i tij për t’i zgjidhur disa probleme për Fantinel-in, me qëllim që atë ta bëjnë pronar të një kompanie, në të cilën nuk ka investuar”, tha Migotto.

Gazeta JnK ka provuar të bisedojë me AKP-në, dhe ka bërë kërkesë për qasje në dokumente publike, por edhe pas tri javësh, nuk është përmbushur ky obligim ligjor.

Punëtorët e NBI Suhareka pretendojnë se mund ta kthejnë ndërmarrjen në pronësi dhe janë duke pritur nga AKP-ja që t’i njoftojë se kush është pronari i vërtetë i ndërmarrjes. Ata i kanë kërkuar AKP-së që t’u hiqet pronësia pronarëve të tanishëm, për shkak se kanë dështuar në përmbushjen e zotimeve në investime dhe në punësim. Punëtorët nuk kanë lënë rrugë ligjore pa ndjekur dhe paditë për AKP-në dhe pronarët e tanishëm të ndërmarrjes i kanë dërguar në gjykatat e të gjitha niveleve, përfshirë në atë Kushtetuese.