Si po jetojnë gratë dhe fëmijët e rikthyer nga Siria

Tetori i vitit të kaluar ishte vendimtar, Kosova donte të rikthente kosovarët të cilët gjendeshin në zonat e konfliktit në Siri e Irak.

Nga tetori i viti të kaluar e deri në prill të këtij viti ishin mbledhur të gjitha informacionet e kosovarëve që gjenden në luftërat e huaja.

110 kosovarë, nga ta katër burra, 32 gra dhe 74 fëmijë u ri-atdhesuan më 19 prill të këtij viti.

Koha mbante e ftohtë, ndërsa Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ishte rrethuar nga të gjitha anët me njësi speciale të cilët përkujdeseshin që ky rikthim të mos kishte asnjë incident.

Asnjë deklaratë nuk u dha deri në momentin që aeroplani amerikan ateroi në tokën kosovare. Por edhe pas kësaj, informatat që u dhanë ishin të pakta.

Ministri vetëm paralajmëroi se po rikthenin disa persona nga Siria dhe se plani i tyre ishte finalizuar, duke mos shtuar më shumë detaje po atë natë.

E nesërmja zbardhi e pikëpyetjet e shumta ishin në mendjen e gazetarëve të cilët përcollën konferencën e përbashkët mes Policisë së Kosovës, Ministrisë së Drejtësisë e Qeverisë.

Për 72 orë gratë e fëmijët qëndruan në Qendrën e Azilit në Vranidoll nga ku morën trajtimet e para pas rikthimit.

Kishim të bënim me persona të cilët gjendeshin në konflikt të armatosur e të cilët për vite jetuan brenda rrethojave të këtij konflikti.

Katër burrat e rikthyer, ishin dërguar në ndalim ku më pas i është caktuar masa e paraburgimit ndërsa gratë pas seancave për masën e sigurisë, janë në arrest shtëpiak.

Avokatja e njërës nga të rikthyerat nga Siria, Blerta Shyqeriu, tregoi për KALLXO.com se cilat janë ndihmat që ka marrë e mbrojtura e saj pas rikthimit në Kosovë.

“Janë ndërmarrë disa veprime disa hapa të cilat i kanë ndërmarrë shteti, janë ndarë disa banesa, në të cilat qiranë e paguan shtetit me sa kam informacion, po iu ofrohen edhe ndihmat me ushqime me veshmbathje. Kanë filluar me u risocializim me fillu nëpër shkolla, fëmijët e klientes sime janë në një moshë pak më të madhe. Janë ambientuar. Njëra nga gratë e rikthyera që ka marrë ndihmë për jetesë në një banesë ku qiraja hiqet nga shteti është edhe klientja ime. Klientja ime ka pesë fëmijë por një fëmijë e ka 14 vjeçare janë do mosha të cilat ju ka ikur një tempo më i madh dhe tani deri sa të vendoset në çfarë klase me shku ende nuk është vendosur”, tha ajo.

Avokatja Shyqeriu shtoi se ndihma më e mirë për gratë e rikthyera është që ato të kenë diçka të përhershme.

“Besoj që ndihma që i është ofruar është kënaqësi  për ne pasi që shteti po u ndihmon por këto gra kanë nevojë për diçka të përhershme sepse kjo është jetës e përkohshme si qiraja e ndihma, këto kanë nevojë për një pagë apo ndihmë sociale e cila do të jetë ndihmesë. Klientja ime nuk e ka burrin gjallë është e vetme”, shtoi ajo.

Një tjetër avokate e cila mbron një tjetër të rikthyer është edhe Fortesa Mehmeti.

Mehmeti tregoi se ajo që duan gratë e rikthyera është heqja e masës së arrestit shtëpiak.

“Gratë që janë rikthyer duan që ta fitojnë lirinë jo të qëndrojnë në arrest shtëpiak. Shteti veçse u ka siguruar vendstrehimin nuk e dimë se qysh e tek”, tha Mehmeti.

Avokatja shtoi se është duke u punuar nga ana e institucioneve që gratë e fëmijët e rikthyer të ri-socializohen.

“Janë departamentet speciale që po merren me risocializimin e tyre në shoqëri. Ato duhet të trajtohen mirë pasi që të njëjta kanë qenë në një vend ku ka pasur gjendje lufte. Mundem me të thanë që të njëjtat janë duke marrë trajtim të veçantë”, tha tutje avokatja Mehmeti për KALLXO.com.

KALLXO.com ka pyetur edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme për programet të cilat po  përdorin për rehabilitimin e të ri-atdhesuarve  në prill të këtij viti.

“Të gjithë të kthyerit janë pjesë e programit të rehabilitimit dhe ri-integrimit. Gjatë kësaj kohe përparësi i është dhënë rehabilitimit duke marre parasysh vendin nga janë kthyer dhe gjendjen e të kthyerve në radhë të parë kushtet në të cilat kanë jetuar”, thuhet në përgjigjet e MPB-së drejtuar KALLXO.com.

Sipas tyre fokus kryesor ka qenë kujdesi mjekësor dhe vendosja e tyre ne shtëpitë e tyre apo të prindërve ose sigurimi i banimit nga Divizioni i krijuar.

“Gjate kësaj periudhe është duke u punuar në regjistrimin e tyre në regjistrin e gjendjes civile si dhe përgatitjen për futjen e tyre në procesin e shkollimit me fillimin e vitit të ri shkollorë. Ky proces udhëhiqet nga MASHT-i me fokus të veçantë fëmijët”, thuhet tutje në përgjigjet e MPB-së drejtuar KALLXO.com.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme roli i divizionit të krijuar për të rikthyerit, është për të udhëhequr këtë proces ne baze te mandatit dhe për të koordinuar institucionet qe kane obligime në këtë proces.

Një javë pasi  Kosova ri- atëdhesoi 110 kosovar nga luftërat e huaja, në emisionin “Drejtësia në Kosovë”, Koordinatori Nacional kundër Terrorizmit dhe Ekstremizmit, Fatos Makolli tregoi planin për rikthimin e kosovarëve si dhe u dha përgjigje shumë pyetjeve të ngritura pas rikthimit.

“Bazuar në informacionet që kemi nuk ka ndonjë indikacion për keqpërdorim e seksuale. Dihet fakti se gratë që kanë qenë në zona të konfliktit, nëse i janë vrarë burrat kanë qenë me ose pa dëshirën e tyre të obliguara të martohen me persona të tjerë pasi që kjo ka qenë edhe një ndër rregullat e organizimit të strukturave qoftë qeverisëse, lokale e qendrore që ka pasur ISIS”, tha Makolli.

https://kallxo.com/video-a-ishin-grate-e-rikthyera-nga-siria-te-keqperdorura-seksualisht/

Ai tutje kishte treguar edhe për gjendjen e të rikthyerve.

“Duhet të them se ditën e parë, gjendja e tyre ka qenë mjaft e rëndë kryesisht për shkak të kushteve të vështira higjienike, të jo ushqyer dhe kanë qenë në gjendje mjaft të rëndë por me trajtimin e tyre në Qendrën e Azilit në Vranidoll, brenda disa ditëve gjendja e tyre është përmirësuar dukshëm”, tha Makolli.

Ai shtoi se janë organizuar plane të veçanta për trajtimin e fëmijëve.

“Vlen të theksohet se psikologët e ekipet profesionale i kanë trajtuar fëmijët dhe kanë organizuar programe të veçanta për ta deri sa kanë qenë në Qendrën e Azilit”, pati thënë Makolli.

https://kallxo.com/video-si-eshte-gjendja-e-femijeve-te-rikthyer-nga-siria/

Ai shtoi se do të mësohet se kush i kishte dërguar.

“Kjo është një çështje që është debatuar mjaft gjerë viteve të fundit Kemi raste të ndryshme ku gratë/vajzat në Kosovë kanë marrë vetiniciativë dhe kanë shkuar në zonat e konfliktit dhe atje më pas janë martuar, kemi familje që kanë shkuar së bashku por nuk mund të japim konkludime se kush i ka shtyrë të shkojë në luftërat e huaja”, tha ai.

“Unë besoj se procesi hetimor nga prokuroria, policia gjykata do të jap verdiktin e fundit për këtë çështje”, tha Makolli.

https://kallxo.com/kush-i-dergoi-kosovaret-ne-siri/

Madje Makolli kishte treguar se plani i rikthimit kishte qenë i detajuar.

“Ka qenë një proces i detajuar i identifikimit, siç e dini institucionet e sigurisë kanë qenë në dijeni në detaje për kosovarët që kanë udhëtuar në zonat e konfliktit duke konsideruar edhe lëvizjet e tyre në zonat e ndryshme dhe ka qenë një pasqyrë e qartë për të gjithë kosovarët që ku gjendet. Edhe procesi i verifikimit ka qenë i verifikuar i gjithë ky proces ka kaluar në katër faza”, shtoi ai.

https://kallxo.com/video-a-jane-nga-baballare-shqiptare-te-gjithe-femijet-e-rikthyer-nga-siria/

“Vazhdojnë ende kosovarë të mbesin në zonat e konfliktit. Sipas të dhënave të fundit janë 40 kosovarë në zonat e konfliktit, ka të dhëna që një numër i madh i tyre mund të jenë vrarë në zonën e fundit që ka kontrolluar ISIS. Por kemi edhe të dhëna të tjera, për një numër të vogël të kosovarëve që janë arrestuar dhe janë duke u mbajtur në Siri, por janë edhe rreth 48 fëmijë dhe 8 gra në zonën e konfliktit por shumica e tyre janë në mes të kufirit Turqi Siri, është pjesa e kosovarëve dhe familjarëve që thuajse tërë kohën kanë qëndruar në zonat e kontrolluar nga Al- Nusra”, tha ai.

Ai shtoi se të kthyerit janë kthyer me vullnet të tyre.

“Të gjithë personat e kthyer, janë kthyer me vullnetin e tyre kanë shprehur kërkesën për t`u kthyer kanë nënshkruar për të hipur në aeroplan dhe të kthehen në Kosovë, dhe të gjithë këta persona kanë qenë të paralajmëruar që të gjithë ata persona madhor që kanë kryer vepër penale do të ndiqen nga organet e drejtësisë”, tha Makolli.

https://kallxo.com/cili-eshte-plani-per-kosovaret-e-mbetur-ne-siri/

Ai shtoi edhe se plani ishte përgatitur në vitin 2017.

“Institucionet e Kosovës kanë qenë të përgatitura, qysh me kohë. Në vitin 2017 kemi parashikuar që një ditë luftërat e huaj dhe familjarët kosovar mund të kthehen në Kosovë dhe ka mesi i vitit 2017 kemi përgatit një plan të detajuar sidomos planin e pjesës së parë i cili ka qenë i detajuar. Megjithëse që nuk kemi pasur njohuri që ka me kanë një kthim i koordinuar por ka ekzistuar gjithmonë dyshim i se ata mund të kthehen në forma të ndryshme, coftë ilegalisht por edhe në mënyrë të organizuar”, shtoi ai.

“Në tetor të vitit të kaluar me vendim të Kryeministrit është caktu një ekip ndërqeveritar i udhëhequr nga Abelard Tahiri dhe që nga kjo kohë ka fillu koha intensive për kthimin e qytetarëve kosovar. Kësaj i kanë prirë analiza të shumta dhe të detajuara dhe në fund grupi ka rekomanduar që të bëj pranimin e katër luftëtarëve të huaj kosovarë dhe familjeve të tyre”, ka thënë ai.

https://kallxo.com/video-plani-i-rikthimit-te-110-kosovareve-nga-siria/

Në shumë raportime KALLXO.com ka treguar për gjendjen dhe trajtimin që u japin të rikthyerve nga luftëra e huaja në Komunat e Kosovës.

Në katër emisione të transmetuara në “Drejtësia në Kosovë” janë trajtuar rastet e të rikthyerve nga luftërat e huaja, dështimin për deradikalizim nga ana e institucioneve përkatëse, e ku gjithashtu tregohet se Komunat e Kosovës nuk kanë buxhet e platforma për t’i trajtuar këto raste e Qendrat për Punë Sociale nuk kanë punëtorë.

Në luftërat e huaja si Siria e Iraku, janë ende afër 100 persona të cilët nuk janë kthyer në Kosovë, por pritet që të kthehen, mbi 100 të tjerë janë vrarë ndërsa 400 e më shumë persona të tjerë po përballen me sistemin e drejtësisë kosovare.