Dino Pecenkoviç

Si e Shkatërroi Ekstremizmi Fetar një Familje Boshnjake?

Gjatë fëmijërisë së tij në Bihac në Bosnjën veriperëndimore Dino Pecenkoviç nuk i kishte prindërit veçanërisht fetar.

“Deri kur ndodhi lufta, në familjen time feja nuk praktikohej,” kujton Pecenkoviç.

Por pas përfundimit të konfliktit në vitin 1995, babai i tij filloi ta praktikonte islamin më seriozisht – një vendim që në fund do ta çonte atë në Siri dhe do të sillte vdekjen e tij.

Pas takimit me ata që Pecenkoviç beson se ishin ndjekës të sektit fanatik vehabist në një xhami, babai i tij filloi të merrte mësimet e tyre dhe të mësonte arabisht dhe përfundoi në “një grup mjaft radikal”, thotë ai.

Ai fillimisht i kërkoi gruas të mbulohej dhe së shpejti e la punën si roje burgu sepse i duhej të shtrëngonte duart me gra dhe ngaqë nuk mund të lutej pesë herë në ditë.

Nuk kaloi shumë dhe anëtarët e tjerë të familjes filluan të bëheshin edhe më shumë fetarë, dhe në vitin 2008 babai vendosi të jetonin të gjithë në Gornja Maoca.

Gornja Maoca është qendra e komunitetit selefit në Bosnjë-Hercegovinë, ku praktikohet një interpretim strikt dhe konservator i islamit.

Pecenkoviç jetoi atje për tre vjet dhe e përshkruan si një “komunitet të mbyllur” në mes të një pylli, ku njerëzit e siguronin vetë jetesën.

“Aq sa ta lejon jeta fetare, është hermetike. Ndaj të huajve, që nuk u besojnë. Të gjithë ndjekin ligjin e Sheriatit… Gratë janë të mbuluara dhe fëmijët mësojnë arabisht”, kujton ai.

Rebelimi ndaj Sheriatit

Pecenkoviç kishte qenë përherë i vendosur të ndiqte rrugën e tij. Kur ishte 19 vjeç, u largua nga shtëpia në Bihac, për të jetuar në një tendë ndërsa gjatë verës punonte në lavazh. Ai kishte një të dashur kroate, dhe pa kaluar shumë u largua me të në Kroaci.

“Ishim prej 20 ditësh atje kur na gjeti babai i saj. Ai ishte polic dhe erdhi e na ktheu në Bihac,” kujton ai.

“Ajo u trondit nga e gjitha kjo dhe u përpoq të priste damarët. Përfundoi në psikiatri… U tmerrova… Qëndruam bashkë për ca kohë dhe pastaj u ndamë”.

“Isha plotësisht i shkatërruar… U ktheva në shtëpi dhe e lashë veten pas dore. Përfundova duke bërë çfarë më thoshte babai dhe të shkoja në takime fetare me të”.

Familja e tij u adoptua shpejt me rregullat strikte të Sheriatit. Por Pecenkoviç u rebelua.

“Nuk më morën seriozisht ngaqë gjithmonë bëj pyetje. Kështu jam, nuk mund të ndjek verbërisht… Nuk më jepnin arsyetime për disa qëndrime, thoshin vetëm ‘ky është rregulli’,” shpjegon ai.

Ndërsa jetonte në Maokë, lidhjet fetare të familjes e çuan në arrestim të dyshuar se ndihmonte një terrorist të quajtur Mevlid Jasareviç.

Ai thotë se u takua me serbin Jasareviç në Maokë dhe e njihte atë si një “kriminel të vogël”, që ishte konvertuar në islamik në një burg në Austri dhe më pas u kthye të jetonte në Bosnje.

“Mevlidi i kërkoi babait tim t’i jepte makinën ose ta çonte dikush në Brcko. Babi nuk mundej ndaj më pyeti mua nëse mundesha unë. Pranova. Në mëngjes, Mevlidi erdhi me një djalë tjetër dhe u nisëm”, kujton ai.

Rrugës për në Brcko, Jasareviç i kërkoi Pecenkoviç ta çonte në Sarajevë, duke thënë se do të kapte atje një autobus për të vizituar të ëmën në Serbi.

“Ai sillej normalisht gjithë kohës. Ishte i qetë; fjeti thuajse shumicën e rrugës,” thotë Pecenkoviç.

Pasi e la Jasareviçin aty, ai shkoi për në Kladanj për një kafe – “dhe atje e pamë në televizor duke qëlluar ndaj ambasadës amerikane. Ishim të shokuar”.

Në 28 tetor, 2011 Jasareviç hapi zjarr ndaj ambasadës amerikane në kryeqytetin boshnjak me një armë kallashnikov.

Gjatë sulmit, plagosi një polic që ruante ambasadën, por u qëllua nga një snajper i policisë. Ai mbijetoi dhe tani po vuan një dënim me 15 vjet burg.

Një ditë më pas, policia arrestoi Pecenkoviç dhe ai i kaloi tre muajt e ardhshëm në paraburgim. Ai bashkëpunoi me autoritetet dhe nuk u akuzua për ndonjë krim, por pasi u lirua ai nuk pranoi të kthehej në Maokë.

“Familja ime erdhi sapo dola dhe donte të më çonte në Maokë. Ata ishin të zhgënjyer nga unë. U thashë se po qëndroja në Bihac,” kujton ai.

“Atë natë, mamaja rregulloi shtratin për vëllezërit dhe mua, por babi tha: ‘Djemtë nuk do të flenë me atë të pafe’. Nuk folëm kurrë pas kësaj”.

Fushëbetejat vdekjeprurëse të Sirisë

Pas luftës, ai nuk mori për një kohë të gjatë lajme nga familja. Por në vitin 2013, nëna e telefonoi dhe i kërkoi që të mblidhte dokumentet e vëllezërve që të merrte pasaporta për të shkuar në Austri, ku i ati po punonte.

Pecenkoviç bëri siç i tha ajo, por kjo rezultoi të ishte një gënjeshtër. Ata po shkonin për t’u bashkuar me ISIS.

“Nuk më telefonoi për kohë të gjatë dhe pastaj papritur më mori. Në ekran u shfaq një numër i gjatë. Ajo tha se gjithçka ishte në rregull,” thotë ai.

“Shkrova numrin në kompjuter dhe doli se ishte nga Turqia. Filloi të më pulsojë koka; ata kishin shkuar në Siri… U ndjeva shumë keq, ajo kishte gënjyer! Nëse do të më thoshte se për çfarë ishin dokumentet, nuk do ta kisha dërguar, do t’i kisha ndaluar të shkonin në luftë”.

Çdo muaj ai merrte lajme nga familja që gjendej në territorin sirian të kontrolluar nga ISIS, por bisedat e tij me nënën e shqetësuan.

“Thoshte se çdo gjë është mirë, por e dija që nuk ishte. Babai dhe vëllai Haruni, i cili ishte 15 vjeç në atë kohë, luftonin. U grindëm shumë gjatë asaj kohe,” thotë ai.

Vitin e kaluar, vëllai i tij Haruni u vra nga forcat kurde dhe pak më vonë i njëjti fat e përndoqi dhe të atin.

“Harun vdiq në verë, gjatë Ramazanit… Pati një bastisje dhe teksa po arratiseshin me motoçikleta, dikush qëlloi me granatë dhe vrau tre a katër”, thotë Pecenkoviç.

“Më e keqja qe se nuk e morën trupin. E lanë aty. Ai u martua në moshën 16-vjeçare, pati një fëmijë në moshën 17-vjeçare dhe u vra në moshën 18 vjeçare…”

Ai fajëson prindërit për vuajtjen që kaloi familja e tij, por gjithashtu flet ashpër për shtetin që nuk ofron ndonjë ndihmë për të luftuar ekstremizmin ose për të riintegruar ata që janë indoktrinuar nga radikalët fetarë.

“Kurrë s’kam pasur ku të shkoj, një shpatull për të qarë; nga një komunitet radikal, duhet të integrohesh në një komunitet normal, por etiketohesh si terrorist. Je si një alien… Duhet të integrohesh vetë,” shpjegon ai.

Pecenkoviç është tani rreth 30 vjeç dhe jeton në Bihac me gruan e tij serbe. Ai i është lutur të ëmës dhe vëllai të kthehen në Bosnje, por ata nuk pranojnë.

“Kam dy muaj që nuk flas me nënën dhe vëllain e vogël. Nuk e di nëse janë ende gjallë”, thotë ai.

Ai beson se ia doli të arratisej nga ekstremizmi që shkatërroi familjen e tij vetëm prej vendosmërisë.

“Mesazhi im për të rinjtë që e gjejnë veten në situata të tilla është që gjithnjë të bëjnë pyetje dhe të mos heqin dorë,” nxit ai. “Po të mos isha kokëfortë, nuk do të isha gjallë”.