Shtyhet për seancë tjetër votimi i rekomandimeve për krimin e organizuar dhe korrupsionin

Në ditën e tretë të seancave maratonike të Kuvendit të Kosovës i erdhi radha edhe debatit për krimin e organizuar dhe korrupsionin në Kosovë, i cili ishte inicuar nga deputetja e Grupit të Deputetëve të Pavarur, Shqipe Pantina.

Shqipe Pantina, si iniciuese e debatit për krimin dhe korrupsionin, në fillim të fjalës së saj tha se nuk ka asnjë sferë të jetës në Kosovë ku nuk hasen veprime korruptive.

“Komisioni Europian ka evidentuar 39 raste që lidhen me liberalizimin e vizave e prej tyre 6 kanë marrë zgjidhje përfundimtare. Kuvendi kërkon që të rritet buxheti dhe kapacitetet për institucionet e drejtësisë, Këshillin Prokurorial dhe Këshillin Gjyqësor. Disa nga propozimet dhe rekomandimet tona janë: ne si Kuvend bëjmë thirrje që institucionet e drejtësisë të jenë më efikase në zgjidhjen e rasteve që kanë të bëjnë me krimin e organizuar dhe korrupsionin, Kuvendi të miratojë projektligjin për vetingun, për financimin e partive dhe ligjin antimafia dhe që memorandumi i mirëkuptimit me Mbretërinë e Bashkuar për bordet të zbatohet në tërësi”, theksoi deputetja e Grupit të Deputetëve të Pavarur.

Në debatin për krimin e organizuar dhe korrupsionin, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, deklaroi se beson që Qeveria aktuale e Kosovës është duke treguar vullnet për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar edhe për eliminimin e zbrazëtirave ligjore.

“Përmirësimi i kornizës legjislative do të ndikojë në rritjen e bashkëpunimin më të madh të institucioneve. Duke u bazuar në raporte vendore dhe ndërkombëtare shihet që ka nevojë për më shumë bashkëpunim në mes të institucioneve”, tha Krasniqi.

Kurse deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu theksoi se krimi i organizuar dhe korrupsioni mbeten problemet kryesore.

“Në vazhdimësi flitet se si të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni por në anën tjetër nuk kemi parë veprime konkrete për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsioni. Sot sistemi i drejtësisë është ngulfatur. Që nga Qeveria Thaçi e qeveritë e tjera nuk e kanë lënë sistemin e drejtësisë për të vepruar. Duhet të thuhet hapur se Devollët e Zhugollët janë pikërisht dëshmitë pse korrupsioni e krimi i organizuar nuk është luftuar. Nuk është sekret që në Kosovë qeveritarët janë pasuruar brenda natës e as nuk u është konfiskuar pasuria e tyre e pajustifikueshme e as nuk janë duke u hetuar për këtë”, theksoi deputetja Haxhiu.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti propozoi që kjo pikë të shtyhet pasi lidhet me kërkesën që është dërguar në Kryesi për debat parlamentar për Raportin e Progresit.

Por deputetja Shqipe Pantina tha se mund të ndërpritet debati vetëm nëse vazhdon në një seancë tjetër pasi interpelanca e ka kohën e kufizuar.

“Me vazhdu sot debati”, tha Pantina kështu që pas saj morën fjalën për të diskutuar për korrupsionin dhe krimin e organizuar edhe deputetë të tjerë.

Deputeti i Grupit të Deputetëve të Pavarur, Dardan Molliqaj duke folur për krimin e organizuar dhe korrupsionin potencoi se segment problematik në Kosovë në të cilin duhet më shumë punë për t’u bërë është Policia dhe Prokuroria.

“Policia jonë është shumë e kriminalizuar, si në raportin e progresit apo raportet e tjera thuhet se Kosova mbetet një nga vendet tranzit për trafikim me qenie njerëzore dhe narkotikë. E dimë që nuk mundet me u bo kjo pa pasë gisht edhe Policia. Ligjet janë të domosdoshme për luftim të korrupsioni por pa vullnet politik nuk bëhet kjo”, ka thënë Molliqaj.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri i cili ishte ministri i vetëm i pranishëm në në orët e vona të mbrëmjes kur po debatohej në Kuvendin e Kosovës theksoi se vetingu është shumë i rëndësishëm por që tani nuk është zgjidhje për Kosovën.

Sipas tij një herë do të duhej të rritej numri i gjyqtarëve.

“Vetingu nuk mendoj që është zgjidhje për Republikën e Kosovën, ne duhet të rrisim numrin e gjyqtarëve, kemi më së paku në rajon, zgjidhje kemi 125 gjyqtarë në 100 mijë banorë e Maqedonia ka 135 gjyqtarë për 100 mijë banorë”, ka theksuar Abelard Tahiri.

Në fund të këtij debati deputetja e cila e kishte iniciuar këtë debat, Shqipe Pantina për shkak të mungesës së kuorumit propozoi që rekomandimet të votohen në seancën tjetër.

Pas debatit për krimin e organizuar dhe korrupsionin në Kosovë të iniciuar nga deputetja Shqipe Pantina u vazhdua me pikën 25 të rendit të ditës.

U debatua në lidhje me sigurinë e fëmijëve për përdorimin e internetit në Kosovë i cili është iniciuar nga deputetja Teuta Haxhiu.