Shtatë Javë Vegane*

Nëse shqetësohemi për gazrat greenhouse (që thithin dhe lirojnë radiakotivitet, si dioksidi i karbonit, metani etj), atëherë përveçse të mendojmë për tërësinë e emetimit të dioksidit të karbonit nga një person (carbon footprint) duhet të mendojmë edhe për atë të metanit. Metani është gaz që njëzet herë më efektshëm e ngulfat ajrin e ngrohtë në atmosferë sesa dioksidi i karbonit dhe prandaj është njëzet herë më i rrezikshëm për klimën. Burimi më i madh i metanit të shkaktuar nga njeriu vjen nga dekompozimi i bërllokut nëpër deponi, por bujqësia është përgjegjëse për 14 për qind të gazrave greenhouse në botë – për shkak të gromësitjeve dhe fryrjeve të kafshëve (një lopë mesatare që shfrytëzohet për qumësht thuhet se prodhon mbi 100 litra metan në ditë). Na nxisin që t’i shmangemi konsumit të mishrave të kuqe, jo vetëm për hir të shëndetit vetjak, por edhe për hir të shëndetit të ekosistemit.

Në fakt, unë pothuajse gjithë jetën kam qenë vegjetariane, kështu që kjo është një pjesë e bisedës për emetimet e karbonit ku unë normalisht mund të ndihem e vlefshme. Për më shumë, unë madje as nuk mund të nxitem nga ndonjë biftek i pjekur pak a ndonjë suxhuk i skuqur, prandaj shmangia nuk më kushton gjë. Mendoja se mund të rrija duke përtypë një picë me domate e kaçkavall, tostin tim të lyer me gjalpë, ose edhe një copëz çokollate, e të nis t’ua qaj hallin mishngrënësve dhe gjithë rrënimit që po e shkaktojnë.

Lidhja ndërmjet asaj që hani dhe prejardhjes së saj bëhet lehtë veçmas këtu në Kosovë; nëse del në pazar sheh tek shitet qumështi drejt nga ferma, e derdhur nga gjiri i lopës në shishe të Coca-Colas që të mund të mbahen të freskëta në frigorifer. Madje edhe në minimarket, ato qeset e forta brenda të cilave paketohet qumështi (i pasterizuar po jo-UHT, pasterizim në temperaturë ultra të lartë) kanë diçka si të gjirit, me që të tunden në dorë. Përveç nëse zgjedh qumështin e importuar UHT me brend vargmalesh të kaltra imagjinare (ose markën me diellin në lindje të qumështit të importuar ‘pije qumështi’ që madje as qumësht nuk është), s’ka se si të mos kujtohet fakti se qumështi yt (dhe prandaj çokollata, djathi e gjalpi) janë prodhime të këtyre lopëve të mbufatura klimëprishëse. Ky fakt i jep një tis hipokrit sugjerimit tim për epërsinë e vegjetarianëve.

Por bylmetrat m’i ka ënda. Ma ka ënda djathin e shkrirë në pite, mazën me specat turshi tradicionale (dhe po, ditët kur kam shumë punë, zakonisht e shtyj kryesisht me çokollata). Si vegjetariane që jam, bylmetrat i kam ndër burimet kryesore të proteinës. Vështirë do ta kisha që të hiqja dorë nga gjithë këto, ndaj vendosa ta provoja përkohësisht; edhe kjo do të kursente pak metan dhe një pjesë të vogël të rrëmujës sonë klimatike. Shprehia tashmë e shuar nga fëmijëria ime kishëvajtëse janë Kreshmet – shtatë javë vetëpërmbajtjeje nga diçka përpara festave dhe gostive të Pashkëve, prandaj kur erdhi e Marta e të lidhurave para do javësh vendosa se ky ishte një rast për të provuar t’i them lamtumirë petëve dhe akulloreve, gorgonzolave dhe cafe latte-ve, jogurtëve e soseve të djathit. Po ta shihja se isha e fortë sa duhet, atëherë planin e kisha që ta vazhdoja vetëpërmbajtjen nga disa ditë të javës edhe pas Pashkëve.

E si po ia dal pra? Si mund të jesh vegan në Kosovë?

Një pjesë të mirë e përgjigjes sime për këtë pyetje është vaji i ullirit, që është kthyer në vesin tim të fundit  – dhe lëkura madje po më ndihet mirënjohëse. (Sa për njohuri, mësova diçka edhe për vajrat e lira ‘pomace’ ose ‘sansa di oliva’ që janë në shitje në dyqane këtu. Googlojeni vetë, dhe mos e blini). Po ha më shumë pemë (kultivime të këtushme), e kam lënë çokollatën, edhe pse nuk e them dot se një mollë në ditë ma jep gjithë mbushjen me sheqer me të cilën isha mësuar; nuk më hypin përnjëherë nevojat për glicerinë përgjatë ditës. E kam kuptuar se në sa mënyra mund t’i hash kokrrat e fasules, dhe kam mësuar si të bëj humus (po, ka qiqra të konservuara që gjenden në shumicën e supermarkeve të mëdha, dhe tahini në Albi – janë vendosë çuditërisht afër kavanozëve me mjaltë). Ndonëse një pako copëzash soje që pata ble ende e mbaj të pahapur në kuzhinë, po ziej më shumë e po ha më pak përngut. Kam humbë peshë. Dhe më pak lopë po pjerdhin.

Nuk e kam vendosmërinë e fetarit – kur të vijnë Pashkët do të festoj me disa nga shprehitë e mia jo të shëndetshme, edhe pse e di çka do të më bëjnë edhe mua edhe baraspeshës së planetit – por një gjë ia dëshmova vetes: gjithmonë e dija se do të ishte më mirë të bëhesha vegane. Tash e di se kjo është e mundshme, dhe është e mundshme në Kosovë.

*Anglisht: Veagan – ata që refuzojnë të hanë produkte me origjinë shtazore, qoftë të mishit ose qumshtit.  

Elizabeth Gowing është themeluese e OJQ-së kosovare që merret me projekte arsimore, mjedisore dhe kulturore, The Ideas Partnership. Është edhe autore e librit të botuar rishtazi Travels in Blood and Honey; becoming a beekeeper in Kosovo (Udhëtime në gjak e mjaltë; të bëhesh bletar në Kosovë). Mund ta kontaktoni në [email protected]