Burgu i Spaçit. Foto: BIRN

Shqiptarët shpresojnë ta kthejnë burgun komunist në muze

Dyzetë e pesë vjetori i një rebelimi të famshëm që tronditi regjimin diktatorial të Shqipërisë u përkujtua javën e kaluar në Spaç, një ish-burg komunist në veri të vendit.

Më 21 maj 1973, një grup të burgosurish politikë, të cilët ishin lodhur duke qenë të detyruar të bënin punë të rëndë në minierat e bakrit dhe minierat e pirit të burgut, organizuan një kryengritje kundër rojeve të tyre dhe filluan të bënin thirrje për liri dhe për fundin e komunizmit.

Rezistenca përfshiu burgun, duke kulmuar me ngritjen e flamurit kombëtar shqiptar pa yllin komunist në krye, por u shtyp më 23 maj. Katër të burgosur u ekzekutuan dhe 66 të tjerëve iu dhanë dënime më të gjata.

http://kallxo.com/spaci-ferri-i-harruar-por-jo-i-falur-i-te-drejtave-te-njeriut-ne-shqiperi/

Në përkujtimoren e 45 vjetorit që u mbajt javën e kaluar, mori pjesë për herë të parë një zyrtar i lartë shtetëror. Në fjalën e tij, presidenti Ilir Meta e përshkroi disidencën katër dekada më parë si një akt heroik guximi dhe premtoi mbështetje për krijimin e Muzeut të Spaçit, një ide që ka qarkulluar për dekada me radhë dhe është mbështetur nga ish të burgosurit.

Në vitin 2007, burgu i Spaçit u shpall zyrtarisht një monument kulturor – i vetmi vend i shtypjes komuniste në vend të cilit i jepet ky status. Pas kësaj, pati premtime për ta transformuar vendin në një muze dhe një vend përkujtimi.

Por 11 vjet pas atij vendimi dhe 23 vjet pasi burgu famëkeq mbylli dyert, ideja për hapjen e një muzeu atje nuk është realizuar, ndërsa një sfidë edhe më urgjente është moslejimi i shkatërrimit të mureve të ndërtesës.

Asnjë buxhet nga qeveria

Premtimet për ta kthyer Spaçin në një muze nuk janë mbështetur kurrë me një buxhet.

Në qershor të vitit 2017, gjatë një vizite në kamp, ministrja shqiptare e kulturës Mirela Kumbaro foli për një konkurs ndërkombëtar që do të mbahej së shpejti për të identifikuar projektin më të mirë për të krijuar një vend përkujtimor në Spaç.

Por Ministria e Kulturës i konfirmoi BIRN-it se as në vitin 2018 nuk është rezervuar asnjë shumë për ruajtjen e ndërtesës apo nisjen e ndonjë projekti të ri atje.

“Ministria e Kulturës është pjesë e diskutimeve dhe konsultimeve në tryeza të rrumbullakëta për projekte që kanë lidhje me Spaçin,” tha ministria për BIRN, duke sugjeruar se po luan një rol mjaft të kufizuar në të ardhmen e vendit.

Në pamundësi për të siguruar para nga Ministria e Kulturës, Instituti Shqiptar i Monumenteve dhe autoritetet lokale i janë drejtuar organizatave jofitimprurëse për ndihmë, për të mbajtur gjallë idenë e një muzeu në Spaç.

Trashëgimia Kulturore pa Kufij, CHWB Albania, një OJQ, po drejton përpjekjet. Jonathan Eaton, një antropolog dhe oficer programesh në CHWB Albania, tha për BIRN se organizata filloi të punojë në Spaç në vitin 2014.

Fillimisht, ajo nisi një dialog të gjerë për të ardhmen e vendit duke përfshirë institucione dhe organizata shtetërore, organizata që përfaqësojnë ata që u burgosën gjatë sistemit komunist dhe njerëz të burgosur në kamp.

“Në fund të këtij procesi, ne hartuam një plan veprimi me idenë kryesore që vendi duhet të përdoret si një vend reflektimi dhe kujtimi që është interesant për t’u vizituar jo vetëm nga të huajt, por edhe nga shqiptarët,” tha Eaton.

Ruajtja e shtatë ndërtesave të kampit nga dëmtimi dhe kolapsi i mëtejshëm dhe krijimi i një autoriteti të pavarur shtetëror që të marrë përsipër përgjegjësinë për vendin janë gjithashtu pjesë e planit të veprimit të CHWB Albania.

Megjithatë, ndërkohë diskutimet zhvilloheshin, disa nga muret e ndërtesave ishin gati të shkatërroheshin.

Grafiti nga të burgosurit mund të shihen ende nëpër mure. Foto: Loreta Cuka/Reporter.al

Me një grant nga qeveria suedeze, CHWB Albania vendosi shtylla të reja mbështetëse në disa nga ndërtesat dhe rinovoi çatitë e vjetra që kishin futur brenda shiun për shumë vite me radhë.

“Në vitin 2017 ne qemë të detyruar të ndërhynim fizikisht për të ruajtur atë që kemi. Kjo ishte mirëmbajtja e parë fizike në vend që pas rënies së komunizmit,” tha Eaton.

Shkatërrimi i ndërtesave për shkak të neglizhencës nuk ishte problemi i vetëm me të cilin është përballur kampi i Spaçit. Mbledhësit e skrapit gjithashtu kanë hequr shufra hekuri që më pas t‘i shesin ato.

http://kallxo.com/te-burgosurit-politike-shqiptare-te-perdorur-si-minatore-fitojne-te-drejten-per-pension/

Kjo është një nga arsyet pse Luigj Mila, drejtori i shoqatës së Muzeut të Burgut të Spaçi, i cili lobon që vendi të kthehet në një muze, ka paguar një roje që nga viti 2014.

“Askush nga qeveria lokale apo qendrore nuk ka bërë ndonjë përpjekje për të shpëtuar ndërtesat. Ne nuk mund ta linim atë më si një hapësirë të hapur për vjedhësit e hekurit,” tha Mila, babai i të cilit ishte një i burgosur politik në Shqipëri.

Turizëm në mes të rrënojave

Burgu i Spaçit nuk promovohet në asnjë prej guidave turistikë të Shqipërisë, edhe pse shoqata e Muzeut të Burgut të Spaçi vlerëson se ka pasur të paktën 3,000 vizitorë në vitin 2017.

Turistë të huaj dhe vendas kanë gjetur disi rrugën e tyre drejt këtij simboli të vuajtjes së Shqipërisë nën regjimin komunist.

Ata mund të hyjnë lirshëm dhe të enden nëpër ndërtesa, por nuk do të gjejnë asnjë dritare ose derë. Disa nga muret janë dëmtuar rëndë, por në disa vende mund të shihen ende grafitit e bëra nga të burgosurit.

Ka disa tabela në shqip dhe anglisht të vendosura nga shoqata Muzeu i Burgut të Spaçit në vitin 2016, por nuk ka asnjë informacion tjetër për vizitorët në vend.

Mila tha se shoqata po përpiqet të sjellë ndërkombëtarë dhe t’i informojë ata për rëndësinë historike të vendit.

Në gusht në burgun e Spaçit do të ketë një kamp veror që do të mbledhë bashkë 24 studentë të historisë nga Shqipëria, Gjermania, Polonia dhe Ukraina, së bashku me profesorët e tyre.

“Unë besoj se qeveria shqiptare mund të ndërhyjë në këtë vend vetëm nëse atyre u bëhet presion nga ndërkombëtarët,” tha Mila.

Hapja e arkivave të ish-sigurimit të shtetit po shihet gjithashtu nga CHWB Albania si një mundësi për të marrë materiale të reja nga Spaçi që mund të jenë të çmuara për trashëgiminë e tij.

“Kemi kërkuar informacione të detajuara për të gjithë të burgosurit atje, si edhe fotografi të vjetra të tyre dhe të vendit. Kjo do të na ndihmojë shumë,” tha Eaton.

Ai beson se ka një rrugë të gjatë përpara para se Spaçi të shndërrohet në një vend të mirë kujtimi, edhe pse atij nuk i mungon optimizmi.

“Të paktën një gjë tani është e sigurt. Nuk do të lejojmë më që pjesë të tij të humbasin,” tha ai.