Shqiptarët Lodhen Nga Berisha

Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha pranoi humbjen zgjedhore nga opozita socialiste të mërkurën. Opozita shqiptare siguroi një fitore të fuqishme në zgjedhjet e përgjithshme të së dielës që shkoi.

Pas tri ditësh të numërimit të votave, Aleanca për Shqipërinë Europiane, e drejtuar nga socialistët fitoi 84 ulëse nga 140 sa ka parlamenti shqiptar, duke marrë 57.7 për qind të votave kombëtare.

Partia Demokratike e Sali Berishës mori vetëm 30.6 për qind të këtyre votave, 9.4 për qind më pak se sa mori në zgjedhjet e vitit 2009.

Rezultati përfaqëson një nga paraqitjet më të dobëta të demokratëve që nga themelimi i kësaj partie si një organizatë antikomuniste në vitin 1991, pas protestave studentore kundër regjimit stalinist.

Shqipëria ka një histori zgjedhjesh të njollosura nga mashtrimet dhe dhuna dhe Komisioni Europian tërhoqi vëmendjen se zgjedhjet e së dielës që shkoi duhet t’i mbërrijnë standardet evropiane, nëse Shqipëria dëshiron të përparojë në rrugën drejt BE-së.

Fushata u njollos nga të shtënat para një vendvotimi në qytetin e Laçit që lanë të vrarë një mbështetës të opozitës dhe plagosën rëndë dy persona të tjerë, njërin prej tyre kandidat të Partisë Demokratike. Gjithashtu gjatë ditës së zgjedhjeve kishte dyshime për blerje të votave.

Pavarësisht këtyre veprimeve, OSBE-ja tha se zgjedhjet ofruan mundësi reale dhe në përgjithësi ishin konkurruese.

 “Zgjedhjet ishin të pavarura, ndërsa u dhanë votuesve mundësi reale, në kohën vendimtare për Shqipërinë dhe tash është koha që liderët politikë të vendit ta respektojnë vullnetin e popullit”, tha Roberto Battelli, koordinatori i vëzhgueve të OSBE-së.

BE-ja dhe ShBA-të gjithashtu mirëpritën votimet, sidomos daljen në zgjedhje të një numri të madh votuesish që solën një rezultat të cilin asnjë parti politike nuk mund ta kontestojë.

 “Duam të përgëzojmë qytetarët e Shqipërisë për zgjedhjet e 23 qershorit që u zhvilluan në përgjithësi në mënyrë të rregullt”, thanë Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Catherine Ashton dhe komisionari i Zgjerimit Stefan Fule në një deklaratë të përbashkët.

Ambasada Amerikane në Shqipëri nënvizoi faktin se dalja e një numri të madh njerëzish në zgjedhje është shenjë e angazhimit të qytetarëve për demokraci dhe integrim evropian.

Gledis Gjipali, kreu i Lëvizjes Europiane të Shqipërisë, një organizatë që promovon politikat integruese evropiane, tha se rezultatet e pakontestueshme të votimit ka të ngjarë të çojnë te marrja e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, në vjeshtë.

 “Komisioni dhe Parlamenti Europian e bënë të qartë se nëse Shqipëria zhvillon zgjedhje të mira, do ta marrë dritën e gjelbër për statusin kandidat”, tha Gjipali.

Disa komentues para zgjedhjeve paralajmëruan fitoren e opozitës.

Duke shkruar në të përditshmen “Tema”, Andi Bushati, një drejtues i njohur i një shou televiziv, vuri në dukje që shumica  vëzhguesve të zgjedhjeve presin garë të ngushtë zgjedhore.

Sipas Bushatit, pavarësisht shumë skandaleve që goditën qeverinë, kryeministri nëpërmjet makinës së tij propaganduese ka krijuar një perde tymi që e bën thuajse të pamundshëm mposhtjen  etij nga vota popullore.

 “Një realitet i rremë është krijuar. Ai nuk ka lidhje me kushtet e uetës që njerëzit i përjetojnë çdo ditë”, shkroi Bushati.

Bushati tha që makina propaganduese e qeverisë ishte pjesërisht e efektshme, sepse atyre që kritikonin iu përgjigj në mënyrë hakmarrëse.

 “Gazetarët që publikuan të vërtetën u quajtën çakallë dhe spiunë dhe çdo prokuror që vërtetoi skandalet qeveritare u lidh me krimet e dyshuara komuniste”, tha ai.

 “Edhe inxhinierët që shprehën keqardhje për vërshimet në veri të Shqipërisë u etiketuan si sabotatorë dhe të paaftë”, theksoi Bushati.

Shumë komentues rezultatin  zgjedhjeve e interpretuan më tepër si protestë kundër Partisë Demokratike dhe liderit të saj, sesa si një votë pro opozitës.

Njerëzit janë lodhur nga skandalet e pafundme korruptive dhe nga përpjekjet e Berishës për të futur nën kontroll gjithçka, thanë analistët.

 “Berisha u ndëshkua[me votë] për autoritarizëm dhe arrogancë që u shfaq jo vetëm gjatë kontrollimit prej tij të shumë institucioneve të pavarura, por edhe për shkak të retorikës dhe paaftësisë së tij për të dëgjuar kritika”, shkroi Fatos Lubonja në të përditshmen Panorama.

Lubonja tha se ngecja ekonomike dhe modeli i ndjekur nga Berisha i investimeve në projekte të kushtueshme infrastrukturore, siç janë rrugët e reja, kur ai nuk mund t’i kryente, ose paguante për to, gjithashtu edhe vendimi kontrovers për hapjen e “derës” së Shqipërisë për import mbeturinash, të gjitha luajtën rol në formimin e mendimit të votuesve.

 “Ekonomia u kthye në shërbim të disa klientëve nga familja e tij, derisa kushtet ekonomike për qytetarët e thjeshtë u përkeqësuan vazhdimisht”, shtoi Lubonja.

Arion Sulo, botues i gazetës së përditshme Mapo, pajtohet duke argumentuar se vota e fuqishme kundër qeverisë reflektoi pakënaqësinë e dukshme me koncentrimin e pushtetit në duart e kryeministrit.

 “Nëse i shikoni numrat, Partia Demokratike ka humbur gati 100 mijë vota”, shpjegon Sulo. Ai thotë që liderët e rinj të vendit duhet të ecin me shumë kujdes, nëse nuk duan t’i përsërisin gabimet e Berishës.

 “Opozita[në qeveri] shumë lehtë mund t’i humbë këta votues, nëse shfaq të njëjtin autoritarizëm”, paralajmëroi ai.