Shqipëria Përballë Sfidës së Radikalizmit

Familja Goroveci jeton në një shtëpi të vjetër njëkatëshe, mbushur me vazo lulesh në fshatin Gurras në Pogradec. Shtëpia është e rrethuar me pjergull, me të cilën familja prodhon verë dhe raki.
Gorovecët e përshkruajnë veten e tyre si myslimanë, edhe pse vetëm njëri prej tyre agjëron gjatë Ramazanit. Një prej nuseve të shtëpisë, Polieda është e krishterë ortodokse dhe ata e kanë mirëpritur në familje.

“Ne festojmë pashkë e krishtlindje me krushqit dhe ata na kthejnë vizitat për Bajram,” thotë 52-vjeçarja Nevres Goroveci, nënë e dy djemve, ulur në kopshtin e saj në një ditë me diell. Për të provuar këtë, ajo nxjerr tre vezë të ngjyrosura pashkësh, dy jeshile dhe një të kuqe. Familja e Poliedës ua ka dhuruar vezët pashkët e kaluara dhe tradita e do që t’i mbajnë ato deri në të njëjtën kohë vitin tjetër.

Nuk është e pazakontë në Shqipëri që anëtarë të së njëjtës familje të kenë besime të ndryshme dhe të kremtojnë së bashku festat e tyre. Kjo mënyrë është reflektim i një tradite të gjatë të bashkëjetesës fetare në vendin që ka shumicë myslimane, por gjithashtu një popullsi jo të vogël të krishterë ortodokse dhe katolike.

Kjo traditë është një nga arsyet pse Papa Françesku zgjodhi Shqipërinë për udhëtimin e tij të parë Europian jashtë Italisë, në shtator të 2014. Ai e përshkroi tolerancën fetare në Shqipëri si “thesar” që duhej mbrojtur dhe mbajti meshën e së dielës para 300 mijë njerëzve, shumë prej të cilëve myslimanë.

Një tjetër shenjë e marrëdhënieve të mira mes besimeve u dha në Janar të këtij viti. Katër klerikë të rëndësishëm të feve kryesore në Shqipëri – Myslimanë Suni, Katolikë, Ortodoksë dhe Bektashi, një lëvizje mistike e Islamit – ecën krah për krah me njëri tjetrin gjatë marshimit përkujtimor të Parisit, pas sulmeve në revistën satirike Charlie Hebdo.

Por kjo traditë bashkëjetese gjendet përballë sfidës së rritjes së një rryme jo-tolerante të Islamit mes një pakice, e cila ka bërë që disa prej tyre të udhëtojnë në Siri dhe Irak për të luftuar për ISIS, grupi islamik ushtarak që kontrollon pjesë të  dy vendeve.

Deri tani, tensionet e ngritura prej radikalizmit në Shqipëri janë kufizuar në përplasjet e hidhura online, me disa shqiptarë që godasin çdo shfaqe të identitetit mysliman dhe të tjerë që i akuzojnë ata për moskuptim të besimit në Islam.

Analistët paralajmërojnë se nëse Shqipëria nuk i jep zgjidhje retorikës jo-tolerante të të gjitha krahëve, kjo mund të shtyjë në një ndarje më të madhe të shoqërisë.

“Fokusimi vetëm drejt segmenteve ekstremiste brenda bashkësisë myslimane shpërqendron vëmendjen e publikut ndaj fenomenit gjithnjë e në rritje të islamofobisë,” thotë Elton Hatibi,  një studiues i historisë së fesë dhe kulturës.

Besnik Sinani, një tjetër studiues dhe shkrues mbi fenë, thotë se toleranca fetare nuk është “diçka statike ” por ka nevojë për kujdes të përhershëm nëse duam ta ruajmë. Ai thotë se Shqipëria duhet të krijojë “një vizion të ri të respektit reciprok mes komuniteteve fetare “.

‘T’u thyejmë dhëmbët të pafeve’

Hetuesit dyshojnë se katër të rritur nga Gurrasi, fshati i familjes Goroveci kanë shkuar në zonat e kontrolluara nga ISIS, përfshi një burrë që mori me vete gruan dhe tre fëmijët, siç bëhet e ditur në një raport të policisë, të shënuar si “sekret”.

Dokumenti thotë se një prej të rriturve ishte edhe djali i vogël i Nevres Gorovecit, Taulanti, një 28-vjeçar i papunë dhe i diplomuar në ekonomi. Ai e mohon të jetë pjesëtarë i ISIS, thotë se kurrë nuk ka qenë në Siri dhe ankohet që policia e ndjek vazhdimisht.

“Në sistemin kompjuterik të policisë kufitare poshtë emrit tim është shënuar ‘i rrezikshëm’ me të kuqe,” thotë ai, duke nënqeshur dhe përkëdhelur mjekrën me mollëzat e gishtave.

Taulanti thotë se ka kaluar dy javë në qytetin turk të Adanasë – rreth 120 km nga kufiri me Sirinë – për të bërë një punë, të cilën nuk e sqaron më tej. Por ai flet në mbështetje të kalifatit të shpallur nga ISIS në Siri e Irak.

“Kalifati është një vend i mirë për të jetuar nëse je besimtar mysliman,” thotë ai, i ulur në picerinë Dante në bregun e liqenit të Ohrit në Tushemisht, pak minuta me biçikletë nga shtëpia e familjes së tij.

I pyetur për ekzekutimin e tmerrshëm të pilotit të forcave ajrore Jordaneze, i cili u dogj i gjallë brenda një kafazi në fillim të 2015, Taulanti thotë se piloti “nuk ishte duke hedhur karamele”.

Hetimi që identifikoi Taulantin dhe të tjerë si simpatizantë të ISIS zbuloi se rreth 90 shqiptarë, përfshi më shumë se 20 të mitur, kishin udhëtuar për në Siri. Të paktën 13 prej tyre kanë vdekur gjatë luftës atje.

Në mars të 2014, si pjesë e këtij hetimi, Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë urdhëroi arrestimin e 13 personave, përfshi dy imamët e vetëshpallur, Bujar Hysa dhe Genci Balla, të akuzuar për rekrutimin e dhjetëra xhihadistëve për të luftuar në Siri.

Sipas procedimit të regjistruar ndaj tij, Hysa thotë gjatë një predikimi në 21 shkurt të 2014: “Do të vijë dita  në këtë botë shumë shpejt, me lejen e Allahut … t’ua thyejmë dhëmbët të pafeve, që na kanë shtypur kaq shumë.”

Një retorikë e tillë është relativisht fenomen i ri në Shqipëri, ku myslimanët tradicionalisht kanë ndjekur një formë të butë dhe tolerante të Islamit. Po ashtu, identiteti fetar në Shqipëri është konsideruar prej kohësh si dytësor në krahasim me identitetin kombëtar. Në kontrast edhe me shtetet e tjera të Ballkanit, ku feja dhe identiteti kombëtar janë më të ndërthurura.

“Diskursi dominues i nacionalizmit shqiptar ka minimizuar rolin e fesë në shoqëri,” thotë Nathalie Clayer, një eksperte e historisë së Shqipërisë dhe profesore pranë Shkollës për Studime të Avancuara në Shkencat Sociale në Paris.

Në mes të shekullit të nëntëmbëdhjetë, etërit themelues të nacionalizmit shqiptar deshën të krijojnë një shoqëri që kishte në qendër etninë dhe gjuhën, edhe pse mes tyre kishte klerikë.

Një prej figurave kryesore në këtë lëvizje ishte Pashko Vasa, i cili shkroi një ndër të parët romane me temë shqiptare, Bardha e Temalit, i cili flet për dashurinë tragjike mes një gruaje myslimane dhe një burri katolik nga Shkodra, gjatë periudhës Osmane.

Katolik nga Shkodra, që shërbeu si guvernator osman në Liban, Vasa shkroi gjithashtu një varg në një poemë, që u kthye në klishe: “Feja e shqiptarit është shqiptaria “. Fraza thekson nocionin se identiteti shqiptar për së pari ka të bëjë me kombin.

Të dyshuarit e arrestuar në 2014 nuk e fshehin urrejtjen e tyre për këtë ide. Në një prej predikimeve të regjistruara, Bujar Hysa i sulmon ashpër shqiptarët  “e pafe”. “U kanë futur shpirtin e nacionalizmit imamëve,” ankohet ai.

Hoxha ndaloi fenë

Pas Luftës së Dytë Botërore, nën diktaturën komuniste-nacionaliste të Enver Hoxhës, Shqipëria kaloi prej bashkëjetesës fetare në shtypjen me dhunë të të gjitha besimeve.
Edhe pse mbiemri i tij nënkupton një lider dhe mësues fetar, Hoxha e ktheu zyrtarisht Shqipërinë në vendin e parë ateist të botës. Të gjitha praktikat fetare u ndaluan. Dhjetëra klerikë nga secila prej feve kryesore u ekzekutuan apo vdiqën në kampet e internimit.

Mijëra kisha dhe xhami u rrafshuan dhe pronat e grupeve fetare u sekuestruan nga shteti. Vetëm 77 ndërtesa fetare u ruajtën për shkak se u cilësuan trashëgimi kulturore, sipas një liste të shkruar më 1967 me makinë shkrimi, që ministri i atëhershëm i kulturës i dërgonte Komitetit Qendror të Partisë së Punës.

Ylli Gurra, myftiu i Tiranës, prej një familje imamësh në 7 breza kujton se  Sigurimi e vëzhgonte nga afër familjen e tij gjatë komunizmit. Informatorë të Sigurimit do të fshiheshin në haurin poshtë shtëpisë, për të parë nëse dikush prej tyre zgjohej për syfyr gjatë Ramazanit.

Clayer, autore e librit mbi origjinën e nacionalizmit shqiptar thotë se në fakt një prej trashëgimive të regjimit të Hoxhës ishte rritja e sekularizimit në shoqëri.

Por megjithë egërsinë, diktatura komuniste nuk mundi të ç’rrënjoste besimin mes shqiptarëve.

Një sondazh i zhvilluar për një projekt akademik në 2011 nga kompania e kërkimit Ipsos zbuloi gati 90 për qind e shqiptarëve besonin në Zot.

“Nëse përdorim ‘besimin në Zot’ si një kriter, Shqipëria është një prej vendeve më fetare në Europë,” thotë Cecilie Endresen, një kërkuese në Universitetin e Oslos dhe autore e një libri mbi fenë dhe identitetin kombëtar në Shqipëri.

Në anën tjetër, i njëjti sondazh tregon se vetëm 7 për qind e shqiptarëve ndjekin shërbimet fetare, të paktën një herë në javë.

Endresen shikon ndarjen e qartë mes politikës e shtetit në një krah dhe fesë në krahun tjetër si arsyen se pse vendi nuk është përfshirë në konflikte fetare.

Martesat e përziera

Rreth tetë kilometra nga qyteti i Elbasanit, Kuqani është një fshat me besimtarë të feve të ndryshme, ku martesat mes myslimanëve dhe ortodoksëve janë bërë të zakonshme.

E ulur në një tavolinë të lokalit në pronësi të saj, Irena Sota, një mesogrua ortodokse, thotë se ajo nuk ka asnjë shqetësim prej faktit që i biri do të martohet së shpejti me një myslimane.

“Ne nuk u rritëm me fenë,” thotë ajo, duke iu referuar periudhës së gjatë ateiste nën komunizëm. “Gjatë pashkëve ata do të kontrollonin në shkollë nëse kishe bojë të kuqe në duar për të zbuluar familjet që vazhdonin t’i festonin,” kujtoi ajo. Sota thotë se familja e saj i thynte lëvozhgat e vezëve në copa të vogla dhe pastaj i fshihte në hirin e oxhakut.

Ajo shton se beson kryesisht në Zot më shumë se sa në ndonjë praktikë të veçantë fetare.
Sidoqoftë, Bujar Sulomina, fotograf dasmash në fshat kujton se martesat mes besimtarëve të feve të ndryshme nuk ishin kaq të lehta. Në kohën e komunizmit, halla e tij u detyrua të largohej nga shtëpia për t’u martuar me një ortodoks, sepse babai i saj mysliman nuk e mbështeste lidhjen.

“U martuan me rrëmbim,” thotë ai.

Drama për këto arsye nuk ka më në familje.

Halla që u rebelua ndaj babait u bë një besimtare e devotshme myslimane, e cila kreu pelegrinazhin e Haxhit në Mekë. Një prej motrave të Sulominës është myslimane që fal të pesë vaktet. Nëna e tij dhe e shoqja janë konvertuar nga Islami në Dëshmitarë të Jehovait. Vetë Sulomina ka njëfarë simpatie për Dëshmitarët e Jehovait, por nuk e ndjen veten si pjesë të ndonjë grupi të organizuar fetar.

Seran Braho, një 84-vjeçar mysliman, thotë se është krenar për martesat e përziera të tre djemve të tij me gra të krishtera nga i njëjti fshat. Ai tregon se njëri prej djemve i pagëzoi fëmijët në besimin e të ëmës në Greqi- dhe ftoi një imam gjatë drekës pas ceremonisë duke e lënë priftin grek “thellësisht të habitur”.

Miku i Brahos, Trifon Ranxha, një ortodoks 54 vjeçar që e shoqëron pasditeve për kafe e raki, thotë se një prej vajzave të tij është martuar me një mysliman dhe ai është i lumtur për të. “Ne jemi të gjithë një dhe kemi vetëm një Zot,” thotë ai.

“Kripto-kristianët” dhe Kosova

Nën Perandorinë Osmane në Shqipëri dhe Kosovën fqinje u dëshmua një fenomen që tregon se sa i ndërlikuar mund të jetë identiteti fetar në rajon.  Disa njerëz, që u njohën si “kripto-kristianë”, u vetë shpallën myslimanë – gjë që u sillte përfitime si taksa të ulëta – por vazhduan të ndjekin ritualet katolike në fshehtësi.

Alma Lama, deputete e Parlamentit të Kosovës, beson se ka më shumë tolerancë në vendin e saj të lindjes se sa në Kosovë, ku jeton që prej 1999.

Lama ishte shënjestër e një fushate abuzimi online në Kosovë, pasi kritikoi një imam në vitin 2013 pse i quajti gratë që kishin kryer seks paramartesor “lugë të përdorura “, dhe me terma të tjerë fyes, ndërsa u thoshte ndjekësve të tij të mos martoheshin me to.

Ajo beson se Islami radikal është duke gjetur tokë pjellore në Kosovë dhe thotë se autoritetet po bëjnë pak për ta ndaluar atë. Më shumë se 200 luftëtarë nga Kosova raportohet se i janë bashkuar radhëve të luftëtarëve të ISIS në Siri dhe Irak.

Por Lama gjithashtu është akuzuar për mungesë tolerance fetare. Ajo u përfshi në një debat të ashpër publik  me grupin e të rinjve Islamikë, Forum i Myslimanëve të Rinj, mbi disa prej komenteve të saj rreth Islamit, gjë që rezultoi në padi gjyqësore reciproke për nxitje të urrejtjes fetare.

Bashkësia Islame e Kosovës, BIK, që mbikëqyr  xhamitë e vendit, thotë se është duke bërë çfarë ka në dorë për të ndaluar të rinjtë që të radikalizohen, edhe pse ka burime të kufizuara.

Zyrtari i BIK, Ahmet Sadriu thekson se radikalizmi nuk është një problem vetëm i Kosovës, por një problem botëror.

Edhe pse i përkasin feve të ndryshme, Sadriu dhe Jakaj pohojnë se shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë ndajnë traditën e bashkëjetesës fetare prej shekujsh.

“Jemi të gjithë vëllezër,” thotë Jakaj. Sadriu deklaron se “komunitetet fetare në Kosovë, por edhe në Shqipëri, nuk kanë probleme me njëri tjetrin – dhe nuk kanë pasur asnjëherë”.

Kjo deklaratë, sidoqoftë, nuk aplikohet për marrëdhëniet e shqiptarëve myslimanë të Kosovës dhe ortodoksëve serbë. Këto janë të shënuara prej një konflikti të gjatë.

Këtë vit, Kisha Ortodokse Serbe luajti një rol; jo pak të rëndësishëm në fushatën diplomatike që e pengoi Kosovën të anëtarësohej në UNESCO, organizatën e Kombeve të Bashkuara për kulturën.

“Njeriu i vitit’ i Zvicrës

Mustafa Memeti, imam shqiptar, po punon fort për të promovuar tolerancën disa mijëra kilometra në Veriperëndim të Ballkanit, në Zvicër.

Vendi përballet me problemin e myslimanëve të radikalizuar, shumë prej tyre emigrantë.

Më shumë se 70 persona kanë lënë Zvicrën për t’iu bashkuar një kauze xhihadi që prej vitit 2001, sipas një raporti të tetorit 2015 të Shërbimit Federal të Inteligjencës në Zvicër. “Pesëdhjetë e pesë shkuan në Irak dhe Siri, ndërsa 14 kanë udhëtuar në Somali, Afganistan apo Pakistan”, thotë agjencia. Trembëdhjetë prej këtyre xhihadistëve besohet se janë vrarë.

Memeti-me origjinë nga Lugina e Preshevës në Jug të Serbisë u shpall “Zvicerani i vitit” nga gazeta

“Sonntagszeitung”, për ngritjen e zërit kundër radikalizmit dhe për pjesëmarrjen në  projektin “Shtëpia e Feve” në Bern, ku predikon se myslimanët mund të bashkëjetojnë me njerëz të besimeve të ndryshme nën të njëjtën çati.

Xhamia e tij është njëra prej 8 dhomave për besime të ndryshme brenda ndërtesës moderne me fasadë xhami. Memeti, i cili u bë qytetar zviceran në 2005 thotë se njerëzit e besimeve të ndryshme duhet të kenë vullnet për të bërë kompromise e jetuar së bashku.

“Ne duhet të lëmë mënjanë diçka nga feja jonë për fqinjin tonë,” thotë ai.
Ai vë alarmin për sjelljen e komuniteteve zyrtare myslimane në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, për të cilat beson se kanë qenë mjaft të buta kundrejt rrymave konservatore të Islamit.

“Konservatorët kanë gjetur një parajsë të sigurt nën ombrellën e këtyre institucioneve,” thotë ai.
Teologët kanë sipas tij për detyrë: “të mos lejojnë kurrë të ndodhin masakra në emër të fesë, Zotit apo një ideologjie, sepse nuk kanë asnjë lidhje me Zotin”.

Feja në statistika?

Një census që daton më 1923 është baza e lëkundshme e të dhënave për besimin fetar të shqiptarëve,  edhe kur kishim hyrë në shekullin e 21-t. Ndërkohë, edhe sondazhet e kryera në vitet e fundit kanë dështuar të qetësojnë debatin për madhësinë e feve të ndryshme.

Censusi i 1923 gjeti se 68.6 për qind e popullsisë ishin myslimanë, 21 për qind ishin ortodoksë dhe 10.4 për qind ishin katolikë. (Bektashinjtë, një lëvizje mistike e Islamit, u përfshi në numrin e përgjithshëm të myslimanëve, pasi nuk shiheshin si grup i veçantë në atë kohë.)

Ky regjistrim i 1923 kishte shumë kufizime, siç organizata jo-qeveritare Open.data.al vëren në një analizë. Ai pranonte vetëm disa prej kategorive fetare ne vend, që do të thotë se fe që dihej se ekzistonin në atë kohë në Shqipëri nuk u regjistruan.  Shqiptarët e shihnin fenë ndryshe në atë kohë. Nën perandorinë Osmane, sundimi i të cilës mbi Shqipërinë ishte mbyllur vetëm një dekadë më parë, përkatësia fetare kishte implikime ligjore. Për shembull, të krishterët kishin detyrime të ndryshme nga myslimanët sa u përket taksave dhe shërbimit ushtarak.

Sidoqoftë, këto statistika u përdorën për mjaft dekada- kryesisht sepse diktatura komuniste që sundoi vendin pas Luftës së Dytë Botërore nuk kishte ndonjë interes të maste madhësinë e grupeve fetare. Ajo ndaloi praktikimin e fesë dhe e shpalli Shqipërinë shtetin e parë ateist në botë. Fetë u lejuan sërish prej nëntorit 1990, kur regjimi ishte në prag të rënies, por vetëm në 2011 një pyetje për fenë u përfshi në censusin kombëtar, duke dhënë rezultate të habitshme.

Censusi gjeti se myslimanët përbënin 56.7 për qind të popullsisë, bektashinjtë numëronin 2.1 për qind. Në total myslimanët ishin 58.9 për qind, afërsisht 10 pikë përqindje më ulët se sa në censusin e 1923. Ortodoksët u gjetën të ishin 6.7 për qind e popullsisë- më shumë se 14 pikë më pak se në 1923. Katolikët ishin të vetmit prej grupeve të mëdha, fuqia e të cilëve dukej se kishte mbetur e njëjtë rreth 10 për qind. Gati 5.5 për qind e njerëzve thanë se ishin besimtarë pa një fe të caktuar dhe 13.7 për qind nuk iu përgjigjën pyetjes.

Vetëm 2.5 për qind u deklaruan ateistë – një numër që shumë e prisnin mjaft më të lartë pas dekadave nën komunizëm.

Grupe të ndryshme fetare u ankuan për mënyrën se si u bë censusi. Kisha ortodokse deklaroi  se rezultatet ishin “totalisht jo korrekte dhe të papranueshme”. Në një sondazh me ndjekësit e saj në dhjetor të 2012, Kisha raportoi se më shumë se 65  për qind e tyre nuk ishin vizituar prej intervistuesve të censusit ose nuk ishin pyetur për fenë. Kisha pretendon se ndjekësit e saj përbëjnë 24 për qind të popullsisë.

Si për të shtuar më shumë paqartësi dhe kontradikta, një sondazh i zhvilluar për një projekt akademik nga kompania e kërkimeve Ipsos [pdf link] në të njëjtin vit me regjistrimin dha rezultate të ndryshme. Ajo gjeti se 59.2 për qind  e shqiptarëve e përshkruajnë veten si myslimanë, 7.7 për qind thonë se ishin bektashi dhe 0.7 për qind identifikoheshin si shiitë. Pak më shumë se 17 për qind e njerëzve e deklaronin veten si ortodoksë dhe 5.7 për qind thoshin se ishin katolikë.

As censusi dhe as sondazhi i Ipsos nuk japin informacione sa i përket numrit të martesave të përziera mes njerëzve të feve të ndryshme.

Burimet: Open.data.al, Instituti i Statistikave (INSTAT), Ipsos.

Feja në Kosovë

Censusi i 2011 në Kosovë zbuloi se 95 për qind e banorëve ishin myslimanë, vetëm pak më shumë se 2 për qind ishin katolikë dhe 1.5 për qind ishin ortodoksë. Sidoqoftë, numri i vërtetë i ortodoksëve është më i madh, për shkak se minoriteti serb i Kosovës, i cili  është në shumicë ortodoks e bojkotoi censusin.

Në vitet e fundit disa anëtarë të komunitetit të vogël të kripto-katolikëve patën vetëbesim të mjaftueshëm për të shpallur publikisht se i përkisnin besimit të krishterë. Profili i Kishës Katolike është rritur së fundmi, dhe kjo duket jo pak në ndërtimin e një katedraleje me kambanore gjigante në Prishtinë.

Por Albert Jakaj, një prift i saj, thotë se disa katolikë në Kosovë, ende vijojnë ta mbajnë besimin e tyre të fshehtë. “Ndoshta as kushërinjtë e tyre nuk e dinë që ata ndezin qirinj apo ngjyrosin vezë,” thotë Jakaj, i ulur në një restorant në periferi të qytetit të Ferizajt.

Ai beson së një nga arsyet kryesore se përse këta njerëz e mbajnë të fshehtë besimin e tyre ka të bëjë me martesën – ata tremben se familjet myslimane nuk do i lejonin vajzat e tyre të martoheshin me një katolik. Jakaj shpjegon se Kisha Katolike i ka pranuar ata si ndjekës dhe respekton vendimin e tyre për fshehtësi.

Vladimir Karaj është redaktor i të përditshmes shqiptare Mapo. Ky artikull u prodhua si pjesë e  Balkan Fellowship for Journalistic Excellence, mbështetur nga ERSTE Foundation dhe Open Society Foundations, në bashkëpunim me Balkan Investigative Reporting Network