Ilustrim

Shqipëria në Sytë e Mi

Udhëtimi më i thellë është udhëtimi në vendet ku rikthehesh. Rikthimi në vendet e njohura, të përshkuara prej vitesh, është një sfidë uliksiane, thonë. Megjithatë, varësisht gjuhës që gjen me vendet, mund ose nuk mund të shkruash për to.

Udhëtimi im në Shqipëri, çdoherë është një udhëtim-aventurë, dhe, si në çdo nisje, si në çdo udhë, disa shqisa mprehen, disa shqisa mpihen. Takimi i parë me botën shqiptare menjëherë pas kalimit të kufirit Kosovë-Shqipëri, është ai me malet e bunkerët. Malet e mëdha dhe varrët e saj, që sa të mahnitin aq të tronditin, tek ta kujtojnë tmerrin e madh.

Cilido shqiptar që jeton jashtë Shqipërisë, dhe e ka parë e njohur atë, e di se ajo është aq e bukur dhe aq e mjerë. Është aq e bukur në disa vende sa vështirë të përshkruhet, dhe është aq e mjerë në shpirt e në frymë sa të dhemb ta besosh.

Nganjëherë duket se përjetësia në këtë vend është kristalizuar, ndërkohë që mjerimi i njerëzve po ashtu është kristalizuar në ta. Një vend i ndarë në dysh dhe i perceptuar dyfish, të cilin vështirë ta përbish. Derisa natyra nuk ka asnjë lidhje me shqiptarinë, detajet janë të gjitha shqiptare, dhe gati gjithmonë, ato janë pasqyrim i banorëve të saj.

Qejflinjtë e ndërtimeve

Me shqisat që na mprehen sa herë nisemi për udhë është e pamundur pa i përjetuar thellë ngjyrat, erërat, sipërfaqet dhe hollësitë, edhe atëherë kur ato janë krejt të parëndësishme.

Nga rruga kalimtare nëpër Durrësin, të cilin njeriu shqiptar e ka shëmtuar, deri te qyteti tjetër i shkatërruar, Vlora, Shqipëria të jep përshtypjen se rron në zakonin e ndërtimit, krejtësisht indiferente e jo besnike ndaj bukurisë e qetësisë. Qyteti i Vlorës, qyteti i heronjve të dikurshëm që sot insiston të jetë një qytet turistik, rron mes zhurmës së punimeve e rindërtimeve, duke lënë anash e pranë rrugëve bërllogun prej betoni.

Një vend urban që shtrihet në bregdet, i dorëzuar tërësisht epokës së ndërtimit, plot baltë e tollovi, me gjasë i etur të thithë miliona banorë, sepse mijëra kate të godinave janë ngritur viteve të shkuara, duke e bërë këtë qytet që do të mund të ishte i bukur, aq pikëllues. Në Vlorë të merret fryma, ndërkohë që ligjet e hapësirës janë dhunuar tmerrshëm. Po ëndrra e qejflinjve të ndërtime akoma vazhdon.

Udha ime është kalimtare në Vlorë, ajo ngjitet nëpër parkun e bukur të Llogorasë, për të zbritur në fshatin turistik të Dhërmiut, sepse ka vite që e kam njohur dhe e kam dashuruar, ndaj dhe komunikimin me të e kam plot dashuri.

Kur udhëtoj më interesojnë njerëzit, sendet, ngjyrat dhe mendimet. Prandaj rikthimi në fshatin e plakave me të zeza, në fshatin e emrave dhe të mbiemrave grekë, jeta në atë që quhet ‘perlë e bregdetit shqiptar’, më ofron dalldinë e një infantilizmi të përkatësive të huaja, dalldinë e fshehjes së identitetit shqiptar.

Jemi në Vorioepir, në mesin e banorëve me një identitet “të paqartë e të ndërlikuar”, në mesin e parullave pro greke dhe kundër-parullave shqiptare, mbijetesa e të cilëve banorë ngjan e dhimbshme, siç i kanë edhe rrëfimet dhe ironinë. Është e qartë se totalitarizmi i gjatë dhe dinamizmi i kohëve të reja kanë shkatërruar shumëçka, dhe më shumë se gjithçka, kujtesën e besimin.

Në mesin e italianëve e grekëve

Skaj detit Jon bindesh sa shumë, më shumë se çdo herë tjetër më ndodhi këtë vit, se je ose diku në ndonjërin nga plazhet e Greqisë ose në ndonjë nga plazhet e Italisë. Në mesin e një panorame që e dija të njohur, harroja se ku isha. Në njërën anë një familje e italianizuar, në tjetrën një familje e greqizuar.

Çudi, në jug Shqipërie, mes Greqie e Italie. Fëmijë e prindër shqiptarë që vetëm në shqipe nuk flasin.Nga thellësia e detit të Dhërmiut te ashpërsia e malit, realiteti ngjan ireal. Shqiptarë janë, grekë apo italianë? Tek e fundit janë vetëm pushues, pse gjuhët e huaja mund të tingëllojnë të çuditshme aty, ka pak rëndësi.

As shqiptarët që kanë vilat apo hotelet poshtë plazhit, nuk janë shqiptarët që e banojnë atë tokë, por të ikur dikur e të ardhur nga Tirana më vonë apo nga qytetet tjera, qoftë brenda Shqipërisë, e qoftë nga shtetet fqinj. Ata që bëjnë biznes dhe ata që kanë ardhur të pushojnë, me gjasë i përkasin një grupi të vogël, por një grupi që ka këmbëngulur të mos e ruajë identitetin shqiptar.

Një grup i vogël i prirur aq lehtë ndaj asimilimit, në këmbët e një grupi shqiptarësh jugorë, që në tërësi vështirë e gjen t’i njohësh si shqiptarë.

Moskokëçarës rrinë punëtorët e firmave që gjithnjë si me pa dashje zënë të punojnë gjatë sezonit turistik. Ndërtimet vazhdojnë, mbeturinat skaj hoteleve e plazheve mbesin, derisa pronarë e turistë ia kanë mësyrë televizioneve për të mësuar se ç‘po ndodh me “puçin ushtarak” në Turqi a me “reformën e drejtësisë” në Shqipëri.

Pushuesit çlodhen pranë ujit e mërmërimës së tij, derisa mërmërima e jetës ikën larg. Shqipëria të duket si një grua lakuriq dhe e thellë, që herë-herë dikush i vë një ferexhe sipër, si për ta mbuluar vetë turpin e tij.

Ajo dhe shqiptarët e asimiluar ngjajnë në dy botë të largëta e të tëhuajësuara me njëra-tjetrën, po megjithatë, qoftë edhe vetëm në verë, ato bëhen bashkë, dhe aty ku parakalon edhe gomari edhe Lamburgini, e bukura e jugut, mbetet e bukura e mahnitshme dhe e padashuruara e njerëzve.