Fontana di Trevi në Romë dhe kryetari i Zagrebit, Milan Bandiq.

Shqetësimi që vjen nga romanca romake e Kryetarit të Zagrebit

Ju kujtohet komedia fantastike romantike “To Rome with Love” nga Woody Allen? Një film tipik Allen – i cili mori komente mjaft të dobëta – ku natyrisht paraqiste, seksin, tradhtinë bashkëshortore, humorin dhe marrëdhëniet komplekse brenda çiftit.

Duke ndjekur katër histori të ndryshme personale në Romë, më së shumti më pëlqeu pjesa për John-in, një arkitekt i famshëm amerikan.

Pasi që kishte vizituar Romën për herë të parë para 30 vitesh – në kohën kur ai ishte student i arkitekturës – John-i përpiqet të kujtojë kohën që kaloi atje duke shkuar në apartamentin e tij të vjetër. Atje, ai takon një student amerikan të arkitekturës, i cili quhej Jack.

Jack takohet me një aktore të re amerikane, Monica, e cila është mikja e të dashurës së tij, Sally. Siç është e zakonshme në filmat e Woody-t, ai fillon të fiksohet me flirtimin tinëzak por stereotipik të Monica-s mendjemadhe.

Tërë kjo i çon në tradhti bashkëshortore, por përfundon kur Monica ia hedh Jack-ut për një festë të filmit ku ajo ishte ftuar; Ai kishte planifikuar të shkonte me të në Sicili, dhe ta braktiste të dashurën e tij për të mirë.

Gjatë gjithë aferës, John përcjellë Jack-un në formë shpirtërore, si një engjëll në shpatullën e tij, duke i thënë atij se Monica po e manipulon dhe se tërë kjo nuk do të përfundojë mirë për të.

Në fund, publiku që shikon filmin nuk është i sigurt nëse Jack dhe John janë në fakt i njëjti person – dhe nëse John vetëm vizitoi vendet e kujtesës së tij gjatë ditëve të tij studentore në Romë.

Pse po e përshkruaj këtë? Sepse ky film më erdhi në mendje ndërsa po shikoja zyrën e kryetarit të Zagrebit, Milan Bandiq, duke u përpjekur të shpjegonte vizitat e tij të shpeshta në Romë. Po, kjo përrallë ka edhe romancë, prisni pak.

Të premten, mediat raportuan se Komisioni për Përcaktimin e Konfliktit të Interesit të shtetit kroat do të shqyrtonte 62 fluturimet dhe vizitat e Bandiqit në Romë, për pesë vjet me radhë! Me fjalë të tjera, më shumë vizita se të gjitha klubet e futbollit të vendeve të tjera që luajnë në Ligën italiane Serie A, të bëra në të njëjtën periudhë; gjithashtu, ndoshta më shumë vizita se të gjitha vizitat që bënë zyrtarët e lartë kroatë në po të njëjtën periudhë.

Të hënën e kaluar, Zyra e Bandiqit kundërshtoi këto shifra, duke pretenduar se ai vizitoi zyrtarisht Romën 25 herë në mes 2011 dhe 2016, si dhe disa herë të tjera në vitin 2017. Zyra tregoi emrat e të gjithë zyrtarëve me të cilët Bandiq u takua në ekskursionet e tij në Romë dhe në temat e diskutuara. Kush jemi ne që mos t’u besojmë atyre?

Sidoqoftë, ndërsa presim vendimin e Komisionit, mund t’i spekulojmë disa nga arsyet pse ai mund ta ketë vizituar aq shpesh Qytetin e Përjetshëm.

Cezari i vogël i Zagrebit, që ka qeverisur qytetin për 18 vjet pa frikë nga ndonjë Brut potencialisht tradhtar, Bandiq, ka folur për Romën me një ndjenjë të veçantë.

Edhe kur ishte në Zagreb, ai ishte atje në fakt, në Romë. Ashtu si të gjithë ata që fillojnë një lidhje të gjatë në distancë, ai ishte edhe këtu edhe atje, me zemrën e tij të ndarë në dysh, ku gjysma i rrihte për Romën, e gjysma tjetër për Zagrebin.

Ndërsa Bandiq ka shumë më tepër pushtet dhe një buxhet më të madh në dispozicion të tij sesa një njeri i zakonshëm në dashuri me dikë larg, vendosi të rikrijojë copëza të Romës në Zagreb.

Ajo çfarë me të vërtetë e fiksonte atë gjatë viteve të tij të dashurisë ishin fontanat e Romës.

Ai kishte ndërtuar fontana në disa lagje të Zagrebit, të mëdha e të vogla, aq shumë saqë njerëzit filluan ta quanin “Miki Fontana” (“Mickey Fountain”) dhe filluan të vënin fontanat me photoshop në vende qesharake, si për shembull në gropa.

Bandiqit nuk i plaste fare. Ashtu si çdo person në dashuri, ai vazhdoi, pavarësisht nga kostoja financiare, politike dhe personale. Edhe kur një student i artit urinoi në një nga fontanat e tij në mars të vitit 2017, atij nuk i plasi fare. Po ju them pra, një njeri në dashuri.

Gjatë ndërtimit të katër fontanave muzikore pranë bibliotekës kombëtare në shkurt të vitit 2016, si një i ri në dashuri, ai qante me dënesë për motivin e tij të vërtetë, dashurinë e tij për Romën.

“Kjo është hyrja në qytet. Kjo është përsosmëria urbane e një qyteti që ka çdo metropol europian. Nëse Roma ka 224 fontana, atëherë ne mund të kemi katër, siç urdhëron Zoti”, tha atëherë Bandiq.

Në korrik të atij viti, ai shpjegoi se sa me padurim donte të shihte transformimin e qytetit në një Romë të re.

“Roma ka 224 fontana; kur do ta mbërrijmë ne Romën? Ne jemi katër herë më të vogël se Roma, kështu që duhet të kemi 50 fontana. Tani, kur i mbledhim ato, kemi dhjetë, kështu që duhet të ndërtojmë edhe 40 të tjera”, tha ai, i vendosur të vazhdojë me të njëjtin ritëm dhe të bëjë një “Romë të vogël” në Kroaci sa më shpejt që është e mundur.

Tash, me të vërtetë kam mirëkuptim për njerëzit në dashuri, sidomos për ato marrëdhëniet e gjata në distancë e zemërthyese.

Unë kam mirëkuptim edhe për tërë këtë ndërtimin e fontanave, me të vërtetë kam, sidomos nëse kjo e mban kryetarin tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, të lumtur.

Unë vetëm pyes veten, çfarë pas kësaj? A do ta kthejë stadiumin Dinamo Zagreb në Colosseum, dhe Kaptolin – qendrën e Kishës Katolike në Zagreb, në Vatikan?

A do të shndërrohet tani ‘Cvjetni Trg’ i Zagrebit (Sheshi i Luleve) në Piazza di Spagna, apo në Sheshin Spanjoll? Unë në fakt jam duke anuar për këtë të fundit.

Frika ime është se çfarë mund të ndodhë nëse Bandiqit i thyhet zemra nga Roma. Si do të përfundojë tërë kjo për Zagrebin dhe banorët e tij? Nëse kjo ndodh, unë shpresoj që Bandiq të mos e marrë Neronin si një shembull për vete.