Shprehjen ‘qysh jemi rritë na’ e hedh poshtë shkenca

Mënyra e ushqyerjes së një fëmije që në ditët e para të jetës është determinuese për shëndetin e tij të mëtutjeshëm.

Një fëmijë i sapolindur preferohet të ushqehet me qumështin e nënës. Në ditët e para të jetës, fëmija merr antitrupat nga kulloshtra e cila është e dizajnuar që të transmetojë elementet adekuate për ngritjen e imunitetit të fëmijës.

Ashtu si çdo kund në botë, edhe në Kosovë vlen slogani “breast is best” (qumështi i gjirit është më i miri) por atëherë kur gjidhënia është e pamundur i vetmi opsion i pranuar është qumështi formulë.

Sipas UNICEF-it (organizata që merret me mirëqenien e fëmijëve në vendet në zhvillim), në Kosovë vetëm 40 përqind e fëmijëve ushqehen me qumësht gjiri. 60 përqind e bebeve ushqehen me qumësht formulë apo qumësht lope.

“E qysh jemi rrit na” është pyetja që shumë nëna ia bëjnë mamisë Razije Musa, kur ajo u thotë që në vitin e parë të jetës të mos u japin fëmijëve qumësht lope.

E indinjuar me këtë përgjigje, Musa e cila ka 45 vjet që ushtron profesionin e mamisë thotë se në të kaluarën, në rastet kur ushqyerja me gji ka qenë e pamundur, nënat kanë përdorur qumështin e lopës të tëholluar me ujë. E atëherë kur beba ka pasur konstipacion/kapsllëk, qumështin e kanë përzier edhe me sheqer. Sipas saj, kjo ka qenë vetëm gjindshmëri e kohës dhe e rrethanave.

Musa thotë se kjo metodë po përdoret edhe sot në vitin 2018 edhe pse nënat sot kanë qasje në informacionin se edhe sheqeri është totalisht i ndaluar deri në moshën 1 vjeçare.

Ekzistojnë shumë arsye pse një foshnje nuk duhet të pijë qumësht lope në vitin e parë të jetës.

Sipas Akademisë Amerikane të Pediatrisë, fëmijët që ushqehen me qumësht lope marrin më pak hekur, më pak vitaminë E dhe më pak acide yndyror. Nga ana tjetër, marrin më shumë proteina e kripëra, të gjitha këto materie të vështira për t’u tretur.

Sipas ekspertëve qumështi i lopës është i prirur të shkaktojë pagjakësi te fëmija. Ky qumësht ka më shumë kalcium i cili njihet si element që pengon përthithjen e hekurit në gjak.

Mendohet se qumështi i lopës në muajt e parë të jetës mbingarkon punën e veshkave për shkak të mineraleve të rënda dhe sasisë së kripës që e ka, ndërsa vitaminat e tretshme në ujë shkatërrohen gjatë zierjes së saj.

“Nga përvoja ime mund të them me përgjegjësi të plotë se një nënë që ushqen fëmijën me qumësht lope para vitit të parë të jetës i bën dëm shëndetit të fëmijës deri në atë masë sa mund t’ia dëmtojë edhe funksionin e veshkave”, thotë Razije Musa.

E ajo që thotë se ia ka parë sherrin faktit që nëna e saj e ka ushqyer me qumësht lope është Besime Imeri- Ajeti.

Ajo thotë se që kur ishte tre muajshe ishte ushqyer me qumësht lope, për çka edhe sot ajo vuan nga anemia.

“Me këtë moto ka jetu dhe vepru edhe nëna ime e cila më ka ushqyer me qumësht lope prej muajit të tretë të jetës sime, e prej asaj dite e deri sot që jam nënë e dy vajzave gjatë gjithë kohës, çdo stinë të vitit, çdo periudhe të jetës sime vuaj nga anemia e cila më sjell edhe probleme tjera shëndetësore. Por pse duhet ne të krahasohemi me nënat tona, ku ato në atë kohë kanë bërë aq kanë pasur dhe aq sa kanë ditur”, thotë Besimja.

Besimja me disa shoqe tani udhëheqin grupin “Këshilla dhe receta për beba dhe fëmijë” në Facebook, aty ku nënat marrin këshilla e ndajnë përvoja mes njëra tjetrës.

Sfidat e heshtura të nënave gjidhënëse

Grupi funksionon në bazë të rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Akademisë se Pediatërve Amerikanë.

Besimja thotë se në grupin të cilin e menaxhon ka shumë nëna që deklarohen se kanë filluar ushqimin e fëmijëve me qumësht lope para vitit të parë. Madje, sipas saj, ato edhe arsyetojnë veprimet e tyre .

“Krejt jemi ushqyer me qumësht lope por asgjë nuk na ka gjetë” është frazë të cilën fatkeqësisht e dëgjojmë shumë shpesh nga nënat e reja në grupin tonë. Pikërisht kjo frazë paksa e vrazhdë për mendimin tim, i detyron nënat që t’i ushqejnë foshnjet e tyre me qumësht lope para vitit të parë të jetës. Duke dëshiruar një foshnje duq e të shëndoshë si “topi”, zgjedhin qumështin e lopës pa i ditur dëmet”, thotë ajo.

Nga ana tjetër, mamia Razjie Musa thotë se sipas studimeve, çdo specie duhet të ushqehet me qumështin e nënës së vet por te njerëzit bëhet përjashtim.

Atëherë kur nuk ka qumësht gjiri, vetëm formula është e pranueshme. Ajo është e dizajnuar që t’i përmbushë nevojat për rritje dhe zhvillim të fëmijës e asesi qumështi i lopës i cili është i varfër me minerale e vitamina”, thotë Musa.

Faton Krasniqi, neonatolog-pediatër në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë se përdorimi i qumështit të lopës po vazhdon edhe sot.

Sipas tij, në Kosovë më të prirur janë prindërit e zonave rurale t’i ushqejnë fëmijët me qumësht lope se sa ata në zona urbane.

Ai thotë se nëse foshnja ushqehet me qumësht të papërpunuar të lopës, rreziku është edhe më i madh.

Sipas doktor Krasniqit, në këto raste paraqiten ndërlikime si deficit i kalciumit, rakiti, anemia sideropenike, intoleranca në proteina të qumështit e probleme të tjera.

“Në rastet kur nuk mund të sigurohet ushqyerja natyrale deri në muajin e 6 të jetës, duhet rekomanduar qumësht fillestar industrial për foshnjën, qumësht- formulë. Pas muajit të 6 të jetës krahas ushqimit plotësues mund të vazhdojë të ushqehet me të njëjtin qumësht industrial deri në fund të vitit të parë te jetës. Akoma kemi raste të fëmijëve që ushqehen me qumësht të lopës dhe paralelisht kemi komplikime që sjellë ushqyerje me këtë qumësht”, thotë Krasniqi.

Përgjegjësinë për një fillim të mbarë të një jete të shëndetshme për fëmijën e mbajnë prindërit. Sot në treg ekziston një numër i madh i llojeve të qumështit formulë dhe çmimet janë të ndryshme.

Nëse krahasohen shpenzimet që bëhen për shërimin e një fëmije të sëmurë nga mënyra e të ushqyerit qysh në fillimin e jetës së tij atëherë qumështi formulë është investim i duhur pasi të jenë shtjerrë të gjitha mundësitë për ta ushqyer fëmijën me qumësht gjiri.

Gjatë këtij muaji, në Kosovë u shënua java e gjidhënies e shoqëruar me aktivitete të ndryshme në përkrahje të nënave gjidhënëse dhe me synim për të ngritur numrin e nënave që ushqejnë me gji.

KALLXO.com ka sjellë disa storje rreth rëndësisë së gjidhënies te fëmijët.

Përparësitë e gjidhënies në 6 muajt e parë pas lindjes së bebes

https://kallxo.com/unicef-shkalla-e-ushqyerjes-me-gji-ne-kosove-eshte-40/