Shpend Ahmeti, kryetar i PSD-së. Foto: Atdhe Mulla

Shpend Ahmeti - Simboli i zbehur i shpresës politike të Kosovës

Bashkëkryesuesi i ri i Ekipit Negociator të Kosovës në dialogun me Serbinë ka ndryshuar ngjyrat e tij aq shpesh sa që shumë analistë kanë frikë se aktivisti dikur popullor ka humbur kredibilitetin e tij të mëparshëm.

 

Në një ditë të shkurtit, teksa ngjiste shkallët e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Shpend Ahmeti la pas vite të aktiviteteve politike që e kishin bërë atë një nga politikanët më të popullarizuar në Kosovë.

I frymëzuar nga një debat publik për një tender për furnizimin e shkollave në Prishtinë me qumësht, ai po e dërgonte partinë e tij të mëparshme, “Vetëvendosje”, në gjykatë për shpifje.

Pas paraqitjes së padisë, ai akuzoi ish-udhëheqësin e tij, Albin Kurti, se qëndronte pas akuzave të bëra kundër tij. “Ai e hedh gurin dhe e fsheh dorën … Do të ishte mirë të dilnim përballë në debat për të gjitha temat dhe të mos fshihej pas të tjerëve”, tha Ahmeti.

Enver Robelli, një gazetar nga Kosova që punon në Zvicër, i sheh akuzat e fundit të ish-mikut të tij të Vetëvendosjes si pasojë e vendimit të Ahmetit për të mbështetur Qeverinë e Ramush Haradinajt, duke i mbështetur shumë nga nismat e saj në Kuvend.

Robelli tha se Ahmeti ishte mbyllur në “një luftë të pistë me partinë e tij të mëparshme, me akuza dhe kundër-akuza, ndërsa partia e tij e re, e cila ende nuk është testuar në zgjedhje, i është afruar qeverisë, duke u bërë bashkëkryesues i një kauze – ekipit negociator në dialogun me Serbinë”.

Pas një akti të rëndësishëm politik të dyfishtë, Kurti dhe Ahmeti i ndanë rrugët në mars të vitit të kaluar, kur Ahmeti u largua pas disa muajsh mosmarrëveshjesh me Vetëvendosjen.

Dy muaj më vonë, Ahmeti mori drejtimin e Partisë Socialdemokrate (PSD), një parti e formuar në fillim të viteve 1990, e cila nuk ka pasur ndonjë sukses që nga ajo kohë.

Dymbëdhjetë nga 32 deputetë të Vetëvendosjes u bashkuan me të, duke krijuar një grup të tyre parlamentar.

Bekim Baliqi, pedagog i Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, thotë se ndryshimi i qëndrimeve dhe bindjeve politike nuk është i pazakontë në Kosovë, pavarësisht nëse ndryshimet janë në kundërshtim me sjelljet e mëparshme.

“Por çmimi që mund të paguhet në këto rrethana është një humbja e kredibilitetit dhe një paaftësi për të bindur elektoratin se cilat bindje janë të rëndësishme”, tha Baliqi për BIRN.

“Ky është problemi me të cilin përballen Ahmeti dhe PSD-ja, sepse kritikat e tij ndaj ish-partisë së tij duken të pasinqerta – dhe ato nuk përfaqësojnë një opozitë të duhur që ka dalë me ndonjë politikë apo një program tjetër qeveritar”, shtoi ai.

Baliqi thotë se PSD-ja e Ahmetit tani kritikon partitë e opozitës më shumë se partitë e koalicionit në qeveri.

Historia e dashurisë që përfundoi në ashpërsi

Dikur shokë. Albin Kurti e Shpend Ahmeti festojnë fitoren e këtij të dytit në mandatin e ri në krye të Prishtinës

Në vitin 2010, si një aktivist i hapur i shoqërisë civile, Ahmeti mblodhi shumë njerëz, të rinj të edukuar mirë rreth një partie politike të quajtur “Fryma e Re”.

Partia ‘u shua’ shpejt pasi nuk arriti të kalojë pragun prej 5 për qind në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të nevojshëm për të marrë ulëse në Kuvend.

Një vit më vonë, Ahmeti dhe përfaqësues të tjerë të “Frymës së Re” u bashkuan me Vetëvendosjen, në një orvatje për të hapur partinë me fytyra të reja dhe për të krijuar një profil të ri për lëvizjen “turbulluese”.

Në vitin 2013, pasi u ngrit si një prej bashkëpunëtorëve më të lartë të Kurtit, i diplomuari i Kenedy Harvard u befasoi shumë kur, si kandidat i Vetëvendosjes, mundi kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK, Isa Mustafa, në garën për t’u bërë kryetar i Komunës së Prishtinës.

Ishte hera e parë që LDK kishte humbur kontrollin e bastionit të saj në Prishtinë në 13 vjet, pas katër zgjedhjeve lokale të njëpasnjëshme të pasluftës.

Ai përsëriti këtë sukses zgjedhor, edhe pse me një diferencë më të ngushtë prej vetëm 300 vota, në nëntor 2016, kur ai mundi një tjetër kandidat të LDK-së, Arban Abrashi, pas një numërimi maratonik të votave.

Por atmosfera festive brenda Vetëvendosjes u zbeh pasi disa javë pas zgjedhjeve dolën në sipërfaqe plasaritjet brenda partisë.

Zgjimi i tensioneve pastaj shpërtheu kur themeluesi i partisë Kurti shprehu synimin e tij për të kandiduar për kryesimin e partisë në zgjedhjet e ardhshme të brendshme.

Një grup figurash të larta në parti e kundërshtuan këtë ide dhe kërcënuan se do ta braktisnin Vetëvendosjen, gjë të cilën e bënë njëri pas tjetrit së bashku me Ahmetin.

Zyrtarët e PSD-së thonë se pas valës së polemikave të nxehta me Vetëvendosjen, atmosfera tashmë është qetësuar.

“Është normale që partitë të bëjnë kritika dhe vërejtje për njëri-tjetrin… por duhet të përqendrohen në programe dhe veprime politike dhe jo në shpifje për të provuar dhe njollosur kundërshtarët e tyre”, tha për BIRN, Shqipe Pantina, deputete e PSD-së.

“Ashtu siç po ndodh tani, armiku i djeshëm mund të bëhet mik i sotëm, ose anasjelltas”, shtoi deputetja.

“Duhet të kujtojmë fyerjet dhe shpifjet se anëtarët e Vetëvendosjes, për të cilat ishim pjesë në atë kohë, të bëra ndaj LDK-së dhe udhëheqësit të saj [Mustafa],” vuri në dukje Pantina, duke kujtuar ditët kur Vetëvendosje sfidoi nismat e ish-kryeministrit duke lënë jashtë gaz lotsjellës në parlament dhe organizimin e protestave nëpër rrugë.

“Ky lloj i fjalimit dhe kjo forme e opozitës politike, e cila është bërë shumë e degraduar, duhet të përfundojë,” shtoi Pantina.

Mandati i humbur si kryetar i kryeqytetit

Shpend Ahmeti – Foto: KALLXO.com

Robelli thotë se kur Ahmeti fitoi zgjedhjet e para për t’u bërë kryetar i Prishtinës në vitin 2013, ai personifikoi “shpresën për ndryshim”.

Por ai thotë se kjo ndjenjë shprese ishte zhdukur katër vjet më vonë, në kohën kur Ahmeti fitoi mandatin e tij të dytë.

Deri atëherë, “ai dukej më shumë si një kryetar aksidental, për shkak të mungesës së rezultateve në mandatin e tij të parë”, tha Robelli për BIRN.

Ky vizitor i shpeshtë në Prishtinë nuk sheh ndryshime të mëdha në infrastrukturën e kryeqytetit të Kosovës, siç ndodh nën qeverisjen e Ahmetit.

“Ashtu si në të kaluarën, Prishtina mban bukuri të neveritshme të arkitekturës komuniste të mërzitshme, të përzier me kaosin urban të pasluftës, ku fasadat e xhamit të ngurtë dominojnë ndërtesat dhe ku ecja nëpër qytet për një këmbësor është një sfidë e përhershme”, vuri re Robelli.

“Ndryshimet që filluan në Prishtinë kanë ngecur,” shtoi ai.

Ai gjithashtu pret që problemet e shumta të Prishtinës të lënë pas tani që Ahmeti është i preokupuar me dialogun e drejtuar nga BE me Serbinë.

“Ai tani po merret me çështje të mëdha … Ai po ëndërron një karrierë politike në nivel nacional”, tha Robelli.

Testi i madh do të vijë në zgjedhjet e ardhshme

Por çështja kryesore për partinë e re të Ahmetit, sipas Robellit, është se ende nuk është përballur me zgjedhje.

Kur instituti i Prishtinës, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), botoi një sondazh në shtator 2018, rezultatet thanë se PSD do të dilte keq në zgjedhje.

Një parti nuk mund të fitojë vende në Kuvendin e Kosovës nëse nuk kalon pragun prej 5 për qind.

Foto: Kallxo.com

Dardan Molliqaj, deputet i PSD-së, i tha BIRN-it në atë kohë se partia ishte në të vërtetë qëndron më mirë  sesa anketimi kishte treguar.

Ai pohoi se mbështetja për PSD-në në atë kohë ishte në të vërtetë “rreth 6.2 dhe 7.2 për qind” e votuesve.

“Nuk mund të flas tani për shifrat, por PSD do të jetë një forcë politike me vlerë të madhe në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e ardhshme”, parashikoi Molliqaj.

“Kut të mbahen zgjedhjet do të shihni se [rezultatet] do të jenë krejtësisht të ndryshme [nga sondazhet e opinionit]”, shtoi ai.

Por Bekim Baliqi beson se do të jetë e vështirë për PSD-në ta konsolidojë praninë e saj në spektrin politik të fragmentuar të Kosovës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Do të jetë pothuajse e pamundur që ata të konsolidohen në këtë fushë dhe të marrin rezultate premtuese në zgjedhjet e ardhshme”, tha ai.

“Mundësia më e mirë e mundshme [për PSD] është që të bashkohet me një koalicion parazgjedhor, nëse do të mbijetojë politikisht,” tha Baliqi.

Që nga publikimi i sondazhit, PSD ka bërë disa lëvizje të diskutueshme.

Tri nga figurat e saj të larta, duke përfshirë udhëheqësin Shpend Ahmeti, janë bashkuar me ekipin negociues të Qeverisë në dialogun me Serbinë.

Partia gjithashtu mbështeti buxhetin e propozuar të qeverisë për vitin 2019, nën disa kushte, në një kohë kur Qeveria e Haradinajt qartë kishte mungesë të mbështetjes në parlament për të shtyrë përpara nismat e saj.

Në janar të vitit 2015, Ahmeti u arrestua në Prishtinë, ndërsa protestonte kundër dialogut me Beogradin.

Por deputetja e PSD-së Pantina nuk sheh asnjë kontradiktë të madhe midis veprimeve të Ahmetit atëherë dhe tani.

“Gjatë kohës së tij në Vetëvendosje, Ahmeti nuk ka kundërshtuar dialogun si mjet për zgjidhjen e konflikteve, por në mënyrën se si po zhvillohej dialogu me Serbinë”, tha Pantina.

“Kjo është arsyeja pse PSD ka vendosur ta përdorë sa më shumë që të jetë e mundur ndikimin e saj për të ndryshuar formën e dialogut”, tha Pantina për BIRN.

Shpend Ahmeti në dit9n kur u zgjodh kryetar i PSD-së. Foto: Atdhe Mulla

Nëse PSD do të paguajë një çmim për përfshirjen e saj në dialogun kontravers mbetet për t’u parë.

Bekim Baliqi thotë se është tepër herët për të gjykuar se sa mund të arrijë Ahmeti si kryenegociator. “Por hyrja e tij në ekipin negociator … nuk ishte menduar mirë dhe do t’i kushtojë atij në zgjedhjet e ardhshme”, parashikoi ai.

Baliqi nuk mendon se Ahmeti do të përfitojë shumë nga ky proces, edhe nëse Kosova do të fitojë njohjen e kërkuar nga Serbia në fund të procesit.

“Në këto procese, meritat shkojnë për ata që kanë promovuar veten në negociata, ndërkohë që faji dhe dëmi ndahen mes të gjithë pjesëmarrësve”, tha Baliqi, duke shtuar se mundësitë e Ahmetit për të ndryshuar ndonjë gjë gjatë dialogut mbeten të kufizuara.

Ndërsa bashkësia ndërkombëtare pret që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje këtë vit, në synimin e tyre për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, deputetja e PSD-së Pantina thotë se brenda partisë nuk ka shqetësime se si do të ndikojë përfshirja e PSD-së në dialog në votat e saj në zgjedhje.

“Ka raste në politikë kur çështjet shkojnë përtej mandateve qeveritare; ne nuk duhet të mendojmë për votat; ky është një moment kur partitë duhet të lënë mbrapa llogaritë e votave”, tha Pantina.

Ndërkohë, sipas Pantinës, bashkimi me ekipin negociues nuk do të thotë se PSD do të sigurojë që qeveria aktuale të mbijetojë.

“Grupi ynë parlamentar tashmë ka dërguar nënshkrime për një mocion mosbesimi kundër qeverisë dhe, sa herë që votohet në parlament, ne do ta mbështesim atë”, shtoi ajo.

Kurdo që të mbahen, zgjedhjet e reja do të tregojnë forcën reale të PSD në politikën e Kosovës.

Por pak analistë ndjehen të bindur nga veprimet e Ahmetit deri më tani.

Ata theksojnë se, vetëm dy vjet më parë, Ahmeti mezi i shtrëngonte duart me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Tani, si kreu i ekipit negociues nën ngjyrat e partisë së re, ai mban konferenca të përbashkëta me të.

“Në bursën politike të Ballkanit, malli që shiten më lirë janë parimet”, përfundoi Enver Robelli.