Pjesa e brendshme e ish-Shkollës Politike Josip Broz Tito. Foto: BIRN

Shkolla politike e Titos, një relik socialist jugosllav në shitje

Një ndërtesë e madhe moderniste në Kumrovec, fshati ku dikur trajnoheshin politikanët jugosllavë, ka ngelur në gjendje të keqe, por vendasit shpresojnë se ajo do të blihet dhe do të rikthehet në lavdinë e saj të mëparshme.

 

Afër kufirit të Kroacisë me Slloveninë, pranë fshatit Kumrovec, ku lindi lideri jugosllav Josip Broz Tito, ndodhet një ndërtesë gjigante moderne ku politikanët jugosllavë dikur studionin teorinë socialiste, por tani është lënë pas dore dhe është rrënuar.

Të shtunën, Ministria e Pronave Shtetërore e Kroacisë njoftoi një tender për shitjen e ish-shkollës politike Josip Broz Tito, me një çmim fillestar prej 11,960,000 kuna (1,618,210 euro).

Banorët e Kumrovecit janë shumë krenarë për atraksionin e tyre etnografik turistik, Fshati i Vjetër, muzeu më i madh në ambient të hapur në Kroaci me 30 objekte tradicionale banimi dhe ferma nga fundi i shekullit të 19-të dhe fillim të shekullit të 20-të, plus shtëpia ku ka lindur Tito.

Por ata janë më pak të lumtur për gjendjen e shkatërruar të shkollës politike Josip Broz Tito, e cila shpresojnë se mund të tërheqë më shumë turistë në fshat, nëse i shitet investitorëve dhe rinovohet.

Ndërtesa moderniste vlerësohet nga shumë arkitektë dhe dashamirës të brutalizmit, por tani është e rrethuar nga shumë bar, me dritare të thyera dhe një çati të dëmtuar, ndërkohë që pjesa e saj e brendshme dikur tepër mbresëlënëse është e mbushur me pluhur, dhe dhe mbeturina. Bari po rritet edhe brenda ndërtesës.

Shumë vendas fajësojnë shtetin, pronarin e ndërtesës, për gjendjen e saj të rëndë. Disa sugjerojnë që zyrtarëve të shtetit nuk u pëlqen ky simbol i socializmit jugosllav.

“Shkolla është në një gjendje të tillë, kryesisht për shkak se ajo ishte një shkollë politike socialiste dhe shteti po e distancon veten nga kjo. Ata ndoshta nuk duan të kenë të bëjnë me të, ky është mendimi im,” tha Domagoj Pecnik, një student 24-vjeçar nga Kumroveci.

Ish-qendra e mendimit Marksist

Shkolla Politike Josip Broz Tito u themelua në vitin 1975 si institucioni qendror arsimor për stafin e Bashkimit Komunist të Jugosllavisë. Fillimisht shkolla ndodhej në një ndërtesë tjetër në Kumrovec, e cila tani njihet si Shtëpia Përkujtimore e Luftëtarëve dhe Rinisë së Jugosllavisë.

Tito tha se shkolla ishte e nevojshme për t’u dhënë anëtarëve të partisë një edukim më të fortë teorik.

“Ne kemi një numër të madh njerëzish që janë komunistë të mirë, por në aspektin e teorisë, ata janë të dobët. Kjo duhet të ndreqet. Duhet të njihen bazat e marksizmit,” u tha Tito zyrtarëve të shkollave në korrik 1976.

Branko Pratengrazer, një mësues në Shkollën Fillore Kumrovec, tha për BIRN se ai ishte një student në shkollën politike në vitet 1976-1977, kur shkolla ishte në vendin e saj të mëparshëm.

“Nuk mësova asgjë të gabuar atje. Vëllazëria dhe uniteti i të gjithë popujve dhe kombësive. Është gjë e keqe kjo?” pyeti ai.

Josip Mihaljeviq nga Instituti Kroat i Historisë tha për BIRN se gjatë 15 viteve në të cilat shkolla qe në funksion, më shumë se 600 persona dhanë mësim aty dhe më shumë se 1,500 vetë ndoqën mësimin.

Mihaljeviq tha se shumë emra interesantë nga fusha e filozofisë marksiste erdhën në Kumrovec për të marrë pjesë në panelet ndërkombëtare. “Lideri aktual serb i Kroacisë  Milorad Pupovac ishte një nga mentorët me kohë të plotë në shkollë, si dhe historiani malazez Serbo Rastoder dhe shumë të tjerë,” shtoi ai.

Drejtori i fundit i Shkollës Politike ishte Ivica Racan, i cili më pas shërbeu si kryeministër i Kroacisë nga viti 2000 deri në vitin 2003.

Pas mbylljes së saj në vitin 1990, shkolla u mor për herë të parë nga Ministria e Brendshme dhe pastaj u përdor nga Ministria e Mbrojtjes për trajnimin e trupave kroate.

Prona përfshin ndërtesën me katër kate me një hapësirë prej 5,901 metra katrorë, me salla leksionesh, një sallë sportive dhe 145 dhoma gjumi.

Në fund të vitit 1991, banorët e zhvendosur nga qyteti i rrethuar i Vukovarit u akomoduan në ndërtesë.

“Refugjatët ishin atje dhe ne ishim të lumtur që erdhën njerëz, që ata mund të gjenin një lloj akomodimi, pak siguri në kohë të vështira, kohë lufte,” tha për BIRN Ivica Hrastoviq, themeluesi i Nismës për Zhvillimin e Komunës Kumrovec.

Refugjatët e Vukovarit lanë pas disa nga sendet e tyre personale. Në ish-dhomat e tyre nëpër mure ka vizatime fëmijësh dhe postera. Është edhe një ambulancë për refugjatët, me gjërat mjekësore ende të shpërndara në dyshemenë e saj.

Ka ende gjurmë të epokës socialiste; në ish-bibliotekën e mbuluar nga pluhuri ka grumbuj librash dhe veprash teorike marksiste.

Në vitin 2012, kur u mësua se këto libra mund të përfundonin në plehra, një grup studentësh dhe profesorësh të Universitetit të Zagrebit shkuan në Kumrovec dhe i sollën disa prej tyre në kryeqytet, duke ua dhënë ato bibliotekës së fakultetit dhe të dashamirësve të librave.

Megjithatë, shumë libra mbeten ende të braktisur në ish-shkollën e lënë pasdore.

Përpjekje të dështuara për ta shitur

Pjesa e brendshme e ish-Shkollës Politike Josip Broz Tito. Foto: BIRN

Shkolla doli në shitje për herë të parë në vitin 2003 me një çmim prej 26 milionë kuna (rreth 3.5 milionë euro) – e para nga katër përpjekje të pasuksesshme për ta shitur atë.

Hrastoviq fajëson zyrtarë të lartë për dështimin për ta shitur dhe rinovuar atë, duke pretenduar se “ka ende armiqësi ndaj Kumrovecit” midis politikanëve të lartë.

Ndryshe nga ndërtesa e shkollës, Shtëpia Përkujtimore e Luftëtarëve dhe e Rinisë së Jugosllavisë është në gjendje të mirë. Ajo është gjithashtu një ndërtesë gjigante me një kinema dhe pishinë brenda saj, por është e pastër dhe relativisht e ruajtur mirë.

Hrastoviq tha se kjo është për shkak se atje janë punësuar njerëz për ta ruajtur dhe pastruar vendin. Nisma për Zhvillimin e Komunës Kumrovec sugjeroi që shteti të bëjë të njëjtën gjë edhe me shkollën, por deri më tani kjo nuk ka ndodhur. “Ne besojmë se ndoshta kjo është e qëllimshme,” tha ai.

Nisma madje sugjeroi që shteti t’ia dhurojë ndërtesën komunës që kjo e fundit të sigurohet që ajo të mos shkatërrohet më tej. “Ne do të gjenim dikë që ta blejë atë,” këmbënguli Hrastoviq.

Arkitektura “futuriste” mund të tërheqë turistë

Libra të braktisur në ndërtesën e shkolës politike ‘Josip Broz Tito’ në Kumrovec. Foto: BIRN

Robert Splajt, kryetari i komunës së Kumrovecit, tha për BIRN se edhe pse ish-ndërtesa e shkollës është në gjendje shumë të keqe, nga aspekti i strukturës ajo është në gjendje të mirë.

“Por sigurisht që nevojitet restaurimi i të gjithë çatisë dhe pjesëve të drurit, si edhe pjesa e brendshme duhet të modernizohen. Në thelb, nevojitet një investim i madh,” tha Splajt.

Ndërtesa është listuar në bazën e të dhënave #SOSBrutalism, e cila është një platformë që përpiqet të shpëtojë “përbindëshat e saj të dashur prej betoni” në mbarë botën.

“Pavarësisht nga funksioni i lart politik, dizajni nuk është aspak tradicional, reaksionar apo nostalgjik. Ai është futurist dhe modern,” tha për BIRN Felix Torkar, një historian arkitektonik nga SOS Brutalism.

Torkar tha se do të jetë e vështirë të ruhet arkitektura nga Jugosllavia socialiste “thjesht sepse në mendjen e popullit ajo përfaqëson regjimin e mëparshëm”, por shembujt kryesorë nga kjo periudhë duhet të ruhen për shkak të dizajnit të tyre unik dhe vendit që kanë në histori.

Për “Ditën e Rinisë” që në kohën e Jugosllavisë festohej më 25 maj, disa mijëra njerëz vizitojnë Kumrovecin për të shënuar ditëlindjen e Tito, i cili ka lindur atje në vitin 1892.

Splajt tha se mendon se rinovimi i ndërtesës së shkollës do të sillte më shumë turistë në fshat, si edhe vende të reja pune.

“Kumroveci – fshati më i famshëm në botë, siç e kemi quajtur ne – vizitohet çdo vit nga 100,000 njerëz,” tha ai.

“Ai ka një potencial akoma më të madh për deri në një milion vizitorë në vit,” shtoi ai.

Hrastoviq tha se shoqata e tij ka propozuar që ndërtesa e vjetër e shkollës të shndërrohet në një lloj qendre kongresesh për konferenca biznesi.

Ai u shpreh se investitorët nuk duhet të tërhiqen pas nga lidhjet e Kumrovecit me të kaluarën socialiste të Jugosllavisë.

“Në fund, nëse ka njerëz që nuk e pëlqejnë imazhin e Kumrovecit, ata nuk do të vijnë këtu. Të tillë njerëz nuk duhet të vijnë këtu,” tha ai.