Bendi 'Proximity Mine' nga Mitrovica. Foto: Nathan Murrell

Shkolla e muzikës e mban gjallë rokun në qytetin e ndarë

Mitrovica mund të njihet për ndarjet e saj etnike por shkolla lokale e rokut po i bashkon të rinjtë nga të dy anët e qytetit rreth një pasioni të përbashkët.

 

Ilda Krama, 19 vjeç, është ajo që ajo e quan “një rast të veçantë” në qytetin e ndarë të Mitrovicës – i cili është ndarë që nga përfundimi i luftës së Kosovës midis një jugu shqiptar dhe veriut serb.

Sfondi i Kramës është po aq i përzier sa edhe vendlindja e saj. “Shumica e familjes sime jeton në veri, por ne kemi jetuar në jug”, shpjegon ajo.

“Mësova në shkollë në gjuhën boshnjake, shkollën e rokut në gjuhen shqipe – dhe flas të dy gjuhët”, shton ajo.

Tani në vitin e dytë të studimeve të Arkitekturës në pjesën veriore të Mitrovicës, ajo është zëri kryesor i ‘Proximity Mine’, një bend i themeluar nën strukturën e Shkollës së Rokut – një nga disa organizata që funksionojnë në pjesën jugore dhe veriore të qytet.

Si anëtare e komunitetit boshnjak të Kosovës, Ilda u kap në mes dy stoleve që nga lindja – dëmtimi kolateral i konfliktit të vjetër mbi Kosovën midis serbëve dhe shqiptarëve.

Ajo jetoi kryesisht në jugun e Mitrovicës deri në gusht të vitit 2018, por pastaj u zhvendos mbi urën përgjatë lumit që ndan qytetin.

“Bendi, dhe njohja jonë me njëri-tjetrin, kanë hapur perspektiva të reja për mua. Për arsye të bendit fillova të studioja në Veri dhe u zhvendosa atje”, thotë ajo.

Përpjekje të guximshme për të rindërtuar komunikimin

Ilda Krama. Foto: Sanja Sovrliq

Ilda është një nga 80 nxënësit e Shkollës së Rokut, e cila është themeluar në vitin 2008 si pjesë e projektit “Muzikantë pa Kufi”, i drejtuar nga ‘Community Building”, një OJQ nga Mitrovica.

Derisa ajo mund të jetë lehtësisht një histori e thjeshtë e një muzikante të re në një qytet të vogël në Evropën Juglindore, ajo që e bën të veçantë është se ajo jeton në një qytet që gjithashtu ‘iu jep brum’ në mënyrë rutinore mediave me tregime të konfliktit etnik dhe paqëndrueshmërisë politike.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, Shkolla e Rokut ishte një nga nismat e para për të rindërtuar ura midis të rinjve në pjesën veriore dhe jugore të qytetit.

Kjo nuk ishte e lehtë. Kjo do të thoshte, bashkimi i njerëzve të ndarë që nga rinia e hershme e tyre nga lumi Ibër.

Takimet fillestare u mbajtën në Shkup, në Maqedoninë Veriore, pasi u konsiderua si “tokë neutrale”.

Për shumicën e muzikantëve të rinj të përfshirë, ky takim ishte kontakti i tyre i parë me njerëzit “nga ana tjetër”.

Basisti Llazar Mladenoviq u regjistrua në Shkollën e Rokut tetë vjet më parë, duke studiuar njëkohësisht Fizikë në Fakultetin e Matematikës Natyrore.

Pas pjesëmarrjes së tij në kampin veror të Muzikës në Shkup, ai u bë i vetmi anëtar serb i bendit nga veriu. Të tjerët ishin të gjithë nga jugu, kryesisht shqiptarë.

Pasi ata nuk kishin ndonjë gjuhë të përbashkët, ata folën anglisht, kujton ai. “Por komunikimi ishte i mirë – ne ishim vetëm një grup të rinjsh të etur për të luajtur muzikë. Për të gjithë ne, ky ishte takimi i parë i përbashkët”,thotë ai.

Shoku i tij i bendit, kitaristi Alem Rexhepagiq, 22 vjeç, thotë se kjo përvojë ishte më e njohur për të.

Ai kishte jetuar në një mjedis etnik, në bashkësi të ndryshme. I lindur në Mitrovicë, ai jetonte në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, deri në vitin 2014. Tani ai jeton pranë urës së Mitrovicës.

“Nuk kisha asnjë ndjenjë të çuditshme për bashkëpunimin. Shkolla nuk ka përmirësuar as dëmtuar pikëpamjet e mia mbi të gjitha këto”, tha ai.

Ilda ndan këtë pikëpamje, pasi ajo nuk është një nga të rinjtë e shumtë në Mitrovicë që nuk kanë kaluar kurrë urën e famshme të lumit Ibër.

“Mikja ime shqiptare nga jugu ishte kitaristja e dytë e grupit,” thotë Ilda.

“Ajo nuk e kishte kaluar urën asnjëherë, përveç kur ishte fëmijë, me prindërit e saj. Prindërit e saj ishin me të vërtetë të dyshimtë në lidhje me Shkollën e Rokut, nga frika se mund të gabonte. Por kur e filluam bendin, ata e pëlqejnë këtë ide, pasi ne po përdorim muzikë për të bashkuar të dyja palët. ”

Anëtarët e grupit kujtojnë përshtypjet e tyre në takimet e tyre të para. “Së pari, ne rrahëm njëri-tjetrin”, Lazari bën shaka, për të qeshur me zë të lartë. “Është një zakon pagan”, shton Alem.

Me këtë qeshje, është e qartë që këta të rinj nuk janë të ngarkuar nga tensionet politike dhe etnike që i rrethojnë.

“Në Shkollën Verore të Rok-ut të mbajtur në Shkup, kishim një obligim të vetëm – të bëjmë muzikë dhe në fund të asaj jave organizuam një shfaqje muzikore”, kujton Milosh Milloviq, 21 vjeç, i cili filloi si student, por tani është asistent i baterive në shkollën e rokut.

Udhëtimi i parë në “anën tjetër”

Llazar Mladenoviq. Foto: Sanja Sovrliq

Milizza Kosova, 31 vjec, është pjesë e shkollës që nga viti 2016. Ajo menaxhon një organizatë joqeveritare dhe punon me muzikantë të rinj. Ajo nuk është muzikante, por është aktive në punën e shkollës.

Puna e saj bëri që ajo të kalojë në Mitrovicën e Veriut, për të cilën ajo nuk kishte njohuri paraprake.

Megjithëse disa lajme shqetësuese mund ta kishin penguar atë që të vizitonte “anën tjetër”, ajo ishte kurioze.

Në fillim, ajo nuk eci përmes urës por kaloi në veri me veturë.

“Mu desh të vozis rreth Mitrovicës edhe pse është veç 3 minuta ecje. Por në një moment, u bë shumë e bezdisshme dhe fillova të ecja. Pas një kohe, u ndjeva plotësisht e lirë të eci e vetme në Veri”, thotë ajo.

Ajo kujton këtë moment nga zyra e saj, e cila shtrihet nga ura dhe ku ka pasur shumë konflikte mes serbëve dhe shqiptarëve.

Bashkimi Evropian ka investuar 1.2 milion euro në rindërtimin e urës për ta rihapur atë në trafikun e përgjithshëm.

Mbetet subjekt i një aktiviteti shumë simbolik nga zyrtarët vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët shpesh ndjejnë nevojën që të bëjnë fotografi atje. Edhe Përfaqësuesja e Lartë e BE, Federica Mogherini, e ka bërë këtë.

Por vendasit kalojnë nëpër urë pa e ndier nevojën ta paraqesin atë si një lloj ngjarje mediale. Dhe Milizza thotë se miqësia ekziston edhe përtej urës.

“Bazuar në përvojën time nga Shkolla e Rokut, unë shoh të rinjtë që janë të gatshëm të jenë miq me njëri-tjetrin”, thotë ajo.

“Unë e di këtë duke u bazuar në të kaluarën, pasi që kisha miq dhe fqinjë Serb dhe nga etni të tjera. Kemi jetuar gjithmonë së bashku dhe shoh shumë njerëz, veçanërisht në Jug, të cilët flasin gjuhën serbe.

“Unë mendoj se njerëzit në përgjithësi dëshirojnë ta mposhtin këtë çështje, por duket se çështjet politike do të vazhdojë të ndikojnë për një kohë të gjatë”, shton ajo.

Vazhdimi i traditës së vjetër muzikore të qytetit

Milizza Kosova. Foto: Sanja Sovrliq

Ulur afër saj në zyrë është Emir Hasani, 26 vjeç, një kitarist i cili gjithashtu mëson piano dhe këndon në shkollë dhe vepron si drejtor i programit.

Emir dëshiron të jetë pjesë e traditës së pasur muzikore për të cilën dikur ishte njohur Mitrovica.

“Mitrovica dikur ishte qyteti më i madh në Kosovë dhe ende gëzon atë reputacion [muzikor]. Muzikantët më të mirë në Kosovë, madje edhe ata në Prishtinë, vijnë nga Mitrovica”, këmbëngul ai.

Ai përdori muzikë për të krijuar kontakte me bashkëmoshatarët nga Jugu. “Unë nuk e njihja askënd [atje] edhe pse jetojmë në të njëjtin qytet dhe ne të gjithë luajmë muzikë. Unë kam lindur në një vend rreth urës, por asnjëherë nuk i njihja ata [muzikantë nga Jugu]”, thotë ai.

“Tani është ndryshe, të paktën për mua … mund të jetë e çuditshme për disa të rinj. Por pas përpjekjeve të para së bashku, ne thyem disa barriera, “kujton Emiri. “Në fillim, kur sapo të takoni dikë, nuk mund t’i quani miq”, shton ai.

Ai shpjegon se që nga viti 2011 ka pasur një rregull të ri që bendet duhet të shkruajnë vetë këngët e tyre, gjë që nuk ishte deri atëherë.

Emiri thotë se është e rëndësishme për studentët dhe mësuesit e shkollës që të punojnë në projekte afatgjata, gjë që do të sigurojë punimin në një këngë të re.

“Ata punojnë seriozisht për të krijuar diçka të re – dhe ata e krijojnë”, thotë ai.

“Ata nuk janë gjithmonë miq, por kur punoni me dikë, ju lidheni me ta,” shton ai.

“Edhe nëse ndërton një njëri dëbore me dikë, do të jesh krenar për të, e lëre më të krijoni një këngë”.

Emiri gjithashtu thotë se është më e lehtë të punosh bashkë, pasi shumica e nxënësve të rinj tashmë e njohin dikë në shkollë.

“Ata tashmë kanë një pamje se si duket – të bëhen miq dhe të krijojnë muzikë me njerëz nga ana tjetër”, thotë ai.

Brezat e rinj nga të dy anët e urës kryesisht nuk e njohin gjuhën e “të tjerëve”.

Ndërkohë që muzika mund të jetë gjuhë universale, anglishtja është gjuhë komunikimi gjatë krijimtarisë muzikore. Të gjitha këngët janë të shkruara në anglisht.

“Ne kemi mësuar të flasim me duart dhe këmbët tona – në të gjitha mënyrat e mundshme”, bën shaka Alem me një buzëqeshje.

Ilda që flet të dy gjuhët shpesh bën rolin e  përkthyeses në shkollë. Me shaka, ajo thotë se nëse karriera e saj si arkitekt bie, ajo do të ketë një karrierë të re si përkthyese.

Përveç që i ndihmon miqve të saj në Shkollën e Rokut, ajo ka ndërmjetësuar edhe për kontakte të tjera për herë të parë midis serbëve dhe shqiptarëve.

“Pasi që flas dy gjuhë, më ka ndodhur që ishim të ulur në një hotel dhe ishim etnikisht të ndarë nga tavolina. Shqiptarët do të uleshin në një tavolinë dhe serbët në një tjetër. Të dyja palët do të më ftonin të ulem me ta, kështu që unë do të merrja një karrige dhe do të ulesha mes të dyve “, kujton Ilda.

Formimi i lidhjeve me botën më të gjerë

Emir Hasani. Foto: Sanja Sovrliq

Përmes Shkollës së Rokut në Mitrovicë, të rinjtë gjithashtu bashkëpunojnë me shkollat ​​e tjera muzikore nga Maqedonia Veriore dhe me një akademi në Holandë. Shkolla ua ka mundësuar atyre të luajnë muzikë me njerëz nga e gjithë Evropa.

“Është shumë e rëndësishme … sepse gjithmonë kemi pasur këtë problem të mbetur prapa Europës, por tani ky problem nuk qëndron më. Nxënësit tanë dëgjojnë muzikë të ngjashme dhe luajnë në të njëjtin nivel [si të Europës]”, shpjegon Emir.

Që nga takimet e tyre të para në Shkup, në terren neutral, ata kanë bërë përparim të rëndësishëm, “ndërsa aktivitetet mbahen tani në Mitrovicë, e cila ishte pothuajse e paimagjinueshme në fillim”, shton ai.

“Është e mrekullueshme të shohësh të rinjtë të cilët, pavarësisht nga politika dhe nga të gjitha problemet e tjera, janë të gatshëm të punojnë së bashku dhe të jenë pjesë e të njëjtit grup”, vazhdon ai. “Ju mund të shihni se studentët nuk kanë frikë të jenë së bashku, të shkojnë në Veri apo Jug”.

“Shumë prej tyre janë të lumtur ta bëjnë këtë, sepse ky është një qytet i vogël, kështu që të takosh dikë nga Veriu apo Jugu është shumë më interesant; ata mund të bëjnë miq të rinj dhe të fitojnë perspektiva të reja “, thotë Milizza.

Anëtarët e ‘Proximity Mine’ thonë se ata kanë pasur një shans të luajnë në Prishtinë, duke përfshirë një performancë në bazën paqeruajtëse të NATO-s në KFOR.

Kishin pak pritshmëri, prandaj reagimet e ngrohta të publikut i kënaqnin. “Ata ishin të mahnitshëm, disa prej tyre i dinin edhe këngët tona. Nuk e di se si, por i dinin”, thotë Alem.

“Është ndjenja më e mirë në botë, që audienca të këndojë së bashku me ne”, thotë Ilda.

Ideja e shkollës është të inkurajojë individualitetin në muzikantët e rinj. Zhanret e ndryshme muzikore janë kultivuar, megjithëse rock, pop dhe punk janë kultivuar më së shumti.

“Kemi kombinuar muzikën për të gjitha shijet muzikore. Kemi arritur t’i bëjmë bashkë të gjitha. Ajo [Ilda] përshtatet me muzikën indie-pop, ndërkohë që ai përshtatet me muzikën punk, dhe unë përshtatem më shumë me muzikën e rëndë metal dhe rok”, thotë Alem.

“Milosh ka ide të mira rreth ritmit, kështu që ai arrin të gërshetojë diçka të mirë. Ne kemi arritur të kombinojmë gjithçka që duam”, shton Alem.

Çka duhet të bëjnë ata më shumë, është që të performojnë më shpesh. Kur u pyetën se ku do të donin të performonin, pothuajse njëzëri, ata u përgjigjen: “Kudo që mundemi”.

 

Ky artikull është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e Sanja Sovrliq dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian ose BIRN-it dhe AGK- së.