Gjakova: Foto: Atdhe Mulla

Shkeljet nëpër tenderë nga Komuna e Gjakovës

Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit për pasqyrat financiare të Komunës së Gjakovës për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2017 ka vënë theksin e veçantë te dobësitë në kontrollin për ta konfirmuar vlerësimin, regjistrimin dhe shpalosjen e saktë të pasurisë.

Në komunën e Gjakovës një pjesë e pronës komunale, si dhe pagesat për projektet kapitale në vlerë 85 mijë euro nuk janë regjistruar në modulin e pasurisë në SIMFK.

“Ne tërheqim vëmendjen tuaj për faktin se një pjesë e pronës komunale siç janë 33 lokale afariste dhe 131 njësi banesore, si dhe pagesat e realizuara përmes procedurave gjyqësore dhe të përmbarimit për projekte kapitale, në vlerë 85,003 euro nuk janë regjistruar në regjistrin kontabël të SIMFK-së”, theksohet në raportin e auditimit.

Komuna e Gjakovës nuk ka arritur të realizojë buxhetin për investime kapitale sipas planit dhe projekteve të synuara. Vetëm 73 për qind e buxhetit për investime kapitale është realizuar, duke rezultuar me një suficit rreth 2 milionë euro.

“Ekzekutimi i ulët lidhur me projektet kapitale është sfida kryesore me të cilën po përballet komuna. Çështja nuk është adresuar nga menaxhmenti në vitet e fundit edhe pse ajo është trajtuar në raportet e mëparshme të auditimit”, thuhet në raportin e auditimit.

Sipas raportit shkaktarë të ekzekutimit të ulët janë vonesat në realizim të kontratave, planifikimet e dobëta, vonesat ne fillimin e procedurave të prokurimit dhe menaxhimi jo i mirë i kontratave.

Dobësi evidente sipas raportit janë vërejtur në disa sisteme të rëndësishme financiare, duke përfshirë të hyrat, menaxhimin e personelit, prokurimin, menaxhimin e kontratave dhe obligimeve ndaj furnitorëve, si dhe në menaxhimin e pasurisë.

Auditori ka gjetur që Komuna e Gjakovës deri në fund të vitit ka arritur të verifikojë vetëm 24 për qind të pronave të regjistruara.

“Me UA nr.03/2011 për mbledhjen edhe regjistrimin e informatave mbi pronën dhe tatimpaguesin, kërkohet që brenda vitit të verifikohet 1/3 e pronave të regjistruara”, theksohet në raportin e auditimit.

Sa i përket parregullsive në menaxhimin e personelit Auditori ka gjetur që në 33 raste pozitat janë mbuluar me ushtrues detyre (UD) përtej afatit kohor të lejuar.

Në QKMF, 29 pozita ishin mbajtur nga data 30.09.2016 deri ne në fund të vitit. Në tri shkolla, pozita e drejtorit ishte mbajtur me UD përtej afatit ligjor prej tre muajve. Ndërsa, pozita Shef i zyrës ligjore, mbahej me UD nga data 01.08.2016.

Në një rast tjetër, përvoja e punës së të punësuarës ishte kalkuluar për dy vite më shumë se sa ishin dëshmitë e ofruara. Nuk kishte as vendim nga zyra e personelit që përcakton numrin e viteve të përvojës së punës për punonjësen.

Mangësitë e hasura në menaxhimin e personelit, përfshirë procesin e rekrutimit, pagesën e pagave dhe përpilimit të kontratave sipas raportit të auditimit mund të rezultojnë në mos përmbushjen e duhur të detyrave por edhe me gabime potenciale në shpenzimet për pagat e punonjësve.

“Gjithashtu, mbajtja e pozitës udhëheqëse me ushtrues detyre më gjatë se tre muaj nuk siguron që punët realizohen me përgjegjësi të plotë dhe që arrihen rezultatet e pritura”, thuhet në raport.

Auditori ka gjetur parregullsi edhe në aktivitetet e prokurimit në Komunën e Gjakovës.

Te kontrata për Sigurimin fizik të objekteve të Komunës së Gjakovës në vlerë 109 mijë e 900 euro, ishte kërkuar që objekti i Bibliotekës të sigurohet nga dy punonjës, 24 orë në shtatë ditë të javës.

“Angazhimi i vetëm dy punëtorëve për orarin e përcaktuar bie ndesh me ligjin e punës, përkitazi me orarin e punës dhe pushimin e nevojshëm për të punësuarit”, thuhet në raport.

Komuna e Gjakovës kishte angazhuar punonjës me Marrëveshje për Shërbime të Veçanta, dhe në 7 raste kontratat e tyre kishin zgjatur përtej afatit ligjor prej gjashtë muajve.

“Në mungesë të monitorimit të mjaftueshëm ekziston rreziku që shërbimet mos të përfundohen në përputhje me kushtet e kontraktuara. Vazhdimi i kontratave përtej afatit ligjor bie ndesh me rregullat ligjore”, potencohet te rreziku për kontratat për shërbime të veçanta përtej afatit ligjor.

Po ashtu auditori ka evidentuar edhe kontratat në vlerë përtej vlerës së parashikuar.

Komuna ka lidhur tri kontrata përtej vlerës së parashikuar me planin e prokurimit. Bëhet fjalë për kontratat, Mirëmbajtja verore e rrugëve, Mirëmbajtja e objekteve-pastrimi i QKMF, QMF, AMF, QPS dhe Furnizim me material dhe reagensa për laboratorin biokimik-hematologjik.

Mirëmbajtja verore e rrugëve, në vlerë 159 mijë e 561 euro, ndërsa me planin e prokurimit kontrata ishte vlerësuar të jetë vetëm 100 mijë euro.

Në kontratën ‘Mirëmbajtja e objekteve-pastrimi i QKMF, QMF, AMF, QPS’ me vlerë 71 mijë e 111 euro ndërsa me planin e prokurimit kontrata ishte vlerësuar 61 mijë e 800 euro.

Kontrata e tretë është ‘Furnizim me material dhe reagensa për laboratorin biokimik-hematologjik’ në vlerë 22 mijë e 228 euro, me planin e prokurimit ishte vlerësuar 15 mijë, ndërsa me Deklaratën e Nevojave dhe Disponueshmërisë së Mjeteve ishin planifikuar vetëm 17 mijë e 458 euro.

Dobësi janë gjetur edhe në menaxhimin e projekteve kapitale. Gjashtë kontrata për projekte kapitale në vlerë totale 1,324,912 euro, të nënshkruara në vitin 2012 dhe 2013, nuk janë përfunduar as në vitin 2017.

Planet dinamike të realizimit të këtyre projekteve ishin nga 28 deri në 120 ditë kalendarike. Këto kontrata ishin nënshkruar në mungesë të buxhetit të nevojshëm.

Një dobësi tjetër e evidentuar në raportin e auditimit është edhe menaxhimi i keq i obligimeve nga furnitorëve. Obligimet e papaguara në komunën e Gjakovës datojnë që nga viti 2011. Si pasojë e këtyre vonesave përmes buxhetit të komunës nga proceset gjyqësore janë paguar rreth 725 mijë euro.

“Obligimet nuk janë paguar për shkak të hyrjes në to, pa u siguruar mjetet buxhetore. Si rezultat i mos pagesës me kohë të obligimeve ndaj furnitorëve, përmes procedurave gjyqësore dhe nga Thesari, nga buxheti i Komunës janë kryer pagesa në vlerë 724,669€”, theksohet te gjetjet e auditorit.

Hyrja në obligime pa u siguruar paraprakisht mjetet financiare si dhe mos pagesa me kohë e obligimeve është parë si rrezik në raportin e auditorit se mund të shkaktojë kosto shtesë dhe dëmtim të buxhetit nga ngritja e padive gjyqësore prej furnitorëve.

Raporti i auditimit për PFV-të e vitit 2016 të Komunës së Gjakovës ka rezultuar në 22 rekomandime kryesore.

Deri në fund të auditimit për vitin 2017, shtatë rekomandime janë zbatuar, 11 kanë qenë në proces të zbatimit dhe katër nuk janë adresuar ende.

Po ashtu, nga viti 2015 janë bartur edhe 13 rekomandime, dhe në vitin 2017, pesë nga to janë zbatuar, shtatë rekomandime të tjera janë në zbatim e sipër dhe një nuk është adresuar ende.