ILUSTRIM

Shkeljet e Skenderajt në tenderë dhe menaxhim të kontratave

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se në Komunën e Skenderajt kishte shkelje në tri fazat e prokurimit: Planifikim, vlerësim të ofertave dhe menaxhim të kontratave.

Auditori gjeti se komuna e udhëhequr nga Bekim Jashari kishte bërë shkele në disa procedura të prokurimit.

Në kontratën e lidhur për Servisimi dhe mirëmbajtja e automjeteve Auditori ka gjetur se biznesit fitues i mungonte certifikata e TVSH-së, kopjet e kontratave të marrëdhënies së punës për dy mekanikë dhe deklarata me shkrim e OE për vendndodhjen e objektit të servisimit. Të gjitha këto ishin kërkesa nga dosja e tenderit.

“Përkundër tyre komisioni i vlerësimit i ka anashkaluar këto kritere dhe e ka rekomanduar menaxherin e prokurimit që OE t’i jepet kontrata”, thuhet në raport. “Kryetari duhet të forcojë kontrollin në departamentin e prokurimit, duke siguruar që zyrtari përgjegjës i prokurimit vetëm pas plotësimit të kritereve, të shpërblej me kontratë OE. Poashtu, përzgjedhja e komisioneve të vlerësimit duhet të jetë sa më profesionale me qëllim që vlerësimi i tenderëve të bëhet në harmoni të plotë me kriteret dhe dëshmitë e kërkuara”, rekomandon Auditori i Përgjithshëm për kryetarin e Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari.

Në dosjen e tenderit për kontratën kornizë “Furnizimi dhe servisimi i aparateve kundër zjarrit në shërbimin e zjarrfikëseve dhe institucioneve komunale në Skenderaj”, ZKA ka gjetur se nuk ishin përcaktuar sasitë indikative dhe ishte përdorur kontrata me çmime për njësi pa u bërë peshimi i rëndësisë së shërbimeve, në këtë rast sipas raportit kishte qenë vetëm një ofertë.

Auditori i Përgjithshëm ka rekomanduar për kryetarin e komunës, Bekim Jashari që të sigurojë kontrolle shtesë gjatë procedurave të prokurimit për të siguruar se ato zhvillohen komfor kërkesave ligjore dhe ofrojnë vlerë të shtuar për paranë e shpenzuar.

Në Komuna e Skenderajt e ka tejkaluar limitin e shpenzimeve për një kontratë të lejuar me ligj.

Në kontratën publike kornizë “Mirëmbajta dhe vendosja e kamerave në shkolla dhe në Komunë të Skenderajt”, ka tejkalim mbi vlerën e lejuar për 19,492.00€. Vlera e parashikuar e kontratës për tri vite ishte 20,000.00€, përderisa vlera e pagesave/urdhër blerjeve në këto tri vite është 45,492.00€.

Tejkalime kishte edhe në kontratën publike një vjeçare për “Furnizim me thëngjill të terun për të gjitha shkollat, shërbimin e zjarrfikësve dhe shtëpinë e kulturës për Komunën e Skenderajt”. Për këtë kontratë tejkalimi ishte mbi vlerën e lejuar për 15,853.00€.

“Kryetari duhet të forcojë kontrollet për të siguruar se para përgatitjes së projekteve bëhen analiza të mjaftueshme lidhur me nevojat për furnizimet/punët e kontraktuara. Në këtë mënyrë do të përmirësohet menaxhimi i kontratave dhe do të shmangen rastet e tejkalimit mbi normën e lejuar +/-30%”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.

Komuna e Bekim Jasharit pati mangësi edhe në menaxhimin e kontratave sipas Zyrës Kombëtare të Auditorit.

“Në tri raste janë vërejtur se mungojnë raportet e menaxherëve të kontratës apo të komisioneve për pranimin e mallrave si te pagesa për “Furnizim me mallra dhe shërbime për nevojën e DKRS në vlerë prej 4,198€, te pagesa për “Furnizim me material zyrtar” në vlerë prej 544€; dhe te pagesa për “Furnizim me gjëra ushqimore, pije dhe material higjenik-sanitar” në vlerë prej 1,938€”, thuhet tutje në raport.

Auditori ka rekomanduar që kryetari duhet të siguroj që me rastin e furnizimeve, pranimi i tyre të bëhet nga menaxherët/komisionet përkatëse dhe të sigurohet që ndarja e detyrave dhe përgjegjësive në aktivitetet e prokurimit të bëhet në përputhje me kërkesat ligjore, në mënyrë që të shmanget mundësia e konfliktit të interesit.

Komuna e Skenderajt bëri keq klasifikim të shpenzimeve

Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin vjetor për Komunën e Skenderajt ka gjetur se janë planifikuar keq shpenzimet buxhetore.

Sipas raportit, kjo komunë gaboi në tri pika kur klasifikoi shpenzimet, Në shpenzimet kapitale, shpenzimet për Subvencione dhe Transfere dhe ato për mallra e shërbime.

Institucioni i Auditorit ka paraparë edhe rreziqet nga këto keq klasifimeve buxhetore të Komunës së Skenderajt.

“Planifikimi jo i duhur i ndarjeve të mjeteve buxhetore, ka ndikuar në keq klasifikimin e shpenzimeve. Raportimi apo klasifikimi jo i saktë i të dhënave në pasqyrat financiare shpie në keqkuptim të aktiviteteve financiare të komunës, si dhe në mos realizimin e të gjitha projekteve kapitale të synuara për arritjen e objektivave të komunës”, parashikon raporti.

Raporti po ashtu i ka rekomanduar kryetarit Bekim Jashari që të sigurohet që planifikimet për shpenzime të bëhen konform kodeve ekonomike të ndara për kategori përkatëse varësisht përfitimeve.