Shkelje të mëdha në Komunën e vogël

Raporti i Auditorit ka gjetur dhjetëra shkelje në Komunën e Shtërpcës.

Sipas ZKA-së, kjo Komunë ka negociuar edhe çmime paushall. Më saktë, Komuna ka lidhur marrëveshjen publike kornizë për “Mirëmbajtjen dimërore të rrugëve lokale në territorin e komunës së Shtërpcës”, në vlerë prej 18,054€, pa treguar sasitë indikative dhe çmimet për njësi.

“Është negociuar çmimi paushall dhe pagesat janë bërë në bazë të faturave në të cilat nuk janë treguar sasitë aktuale të shërbimeve të kryera, shpenzimet e lëndëve të para (kripa) dhe shumat reale të tyre”, thotë raporti, ku në raportet e menaxherit të projektit nuk janë specifikuar llojet e shërbimeve e as sasia.

Problem tjetër Shtërpca ka edhe me dosjet e pakompletuara të stafit.

Nga shqyrtimi i 29 dosjeve të personelit, Auditori thotë se kanë identifikuar se asnjë dosje e shqyrtuar nuk është e plotë, pra nuk është në përputhje me kërkesat e Udhëzimit Administrativ 03/2011 (UA). “Mungesa e certifikatave të lindjes, shtetësia, konfirmimi se punonjësit nuk janë nën hetim, si dhe vlerësimi i performancës së punonjësve mungojnë në 51% të dosjeve të shqyrtuara”, thotë raporti.

Auditori thotë nuk ka të dhëna të disponueshme me të cilat do të justifikoheshin pagat/shtesat dhe do të mundësohej shqyrtimi i rezultateve të vlerësimit të performancës.

Parregullsitë janë gjetur edhe në punësim në Departamentin e Arsimit, ku në shpallje ne konkursit kanë munguar të dhënat që kërkohen me ligj, ndërsa në atë të Shëndetësisë, nga drejtori ekzekutiv i spitalit në Shtërpcë, u shpall konkursi më 28.09.2017 për pozitën shef i parkut të automjeteve.

“Kontrata është nënshkruar më 23.11.2017, megjithëse Spitali nuk është ende funksional”.

Përfituesit e subvencioneve nuk japin raporte

Auditori thotë se ka mungesë të raporteve kthyese nga përfituesit e subvencioneve.

“Gjatë shqyrtimit të pesë rasteve të dhënies së ndihmës financiare nga komuna, ne kemi konstatuar që kontrollet e brendshme nuk ishin funksionale. Në fakt, kemi vërejtur mungesë të informatave kthyese nga përfituesit e subvencioneve, gjë që është në kundërshtim me nenin 23 të Rregullores së Brendshme për subvencionet”, thuhet në raport.

Sipas ZKA mungesa e informatave kthyese (feedback) për shpenzimin e mjeteve të ndara e shkakton rrezikun që mjetet të mos jenë shpenzuar për qëllimet për të cilat edhe janë ndarë.

Mungesa e përditësimit të të dhënave nga tatimi në pronë

Raporti thotë se Komuna nuk arriti të verifikojë 1/3 e pronës së regjistruar për tatimin në pronë. Sipas regjistrit të tatimit në pronë, komuna ka 3,439 objekte të regjistruara të tatimit në pronë, ndërsa në vitin 2017 janë verifikuar vetëm 368 objekte (d.m.th. vetëm 11% e numrit të përgjithshëm të objekteve). Numri i të regjistruarve të rinj në sistem gjatë vitit 2017 është 134, ndërsa numri i tatimpagueseve ekzistues të verifikuar është 234.

Raporti konstaton se kjo Komunë ka bërë klasifikim të gabuar të shpenzimeve kapitale.

“Bazuar në Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet OJQ-së “FINCH” dhe Komunës së Shtërpcës, është paguar dhe kategorizuar si shpenzime kapitale, nga kodi mirëmbajtja e investimeve, shuma prej 600€ për shtypjen e materialit”.

Komuna në PFV nuk ka bërë shënime shpjeguese për këto shpenzime.

Vonesa në pagesën e faturave

Auditori thotë se të gjitha faturat e dorëzuara në Komunë duhet të paguhen brenda 30 ditëve.

“Megjithëse sipas të dhënave të Komunës nuk ka pasur vonesa në pagesa (pranime) gjatë vitit, në fund të vitit fiskal nga totali i detyrimeve, 17 faturat në vlerë prej 10,346€ janë më të vjetra se 30 ditë”.

E raporti konstaton se kjo është në kundërshtim me Rregullën Financiare nr. 01/2013/MF “Shpenzimi i parave publike”.

Thuhet se këto detyrime janë bartur për të paguar në vitin 2018 si një barrë shtesë buxhetore. Arsyeja kryesore për mosekzekutimin në kohën e detyrimeve, ishte vonesa në pranimin e faturës.

“Si pasojë e hyrjes në obligime financiare të pambuluara, mund të dobësohet aftësia për të planifikuar menaxhimin e nevojave për likuiditet dhe komuna mund të përballet me shpenzime shtesë, kamatat dhe gjobat për vonesat e bëra ndaj palëve”.

Në tjetër problem i kësaj Komune është edhe angazhimi me marrëveshje për shërbime të veçanta pa procedura të rekrutimit.

Ky raport thotë se Shtërpca vazhdon të angazhojë stafin përmes marrëveshjeve për shërbime të veçanta, të cilat angazhohen pa procedura të rekrutimit.

“Gjatë vitit 2017 janë angazhuar gjashtë punëtorë me marrëveshje përmes shërbimeve të veçanta dhe shuma e paguar për këto shërbime gjatë vitit 2017 është 10,202€, duke përfshirë edhe pagesat sipas kontratës se vitit 2016. Kohëzgjatja e tyre në tri raste i ka tejkaluar afatet e lejuara me ligj”.

Auditori thotë se të gjashtë punëtorët janë të angazhuar në pozita për të cilat nuk kërkohet ekspertiza e veçantë, tri pozita të rojeve të pyllit dhe tri pozita të inspektorit komunal.

“Gjithashtu, në një rast, kemi vërejtur se pagesa tejkalonte 460€ më shumë se shuma e kontraktuar”.

ZKA thotë se Shtërpca ka menaxhim të dobët të kontratave, duke listuar disa nga to:

  • Pagesa në vlerë prej 167.5€ për furnizim me material për zyre5 nuk është bërë në bazë reale, janë faturuar mallrat e pa kontraktuara si rezultat i menaxhimit jo adekuat të kontratës (59€);
  • Komuna edhe pse ka kontraktuar sasitë indikativë të mallrave për furnizim me material zyrtar, nuk ka raporte përmbledhëse nga Menaxheri i projektit, respektivisht në raporte nuk paraqitet gjendja e sasisë së artikujve të blerë krahasuar me artikujt e parashikuar sipas ofertës;
  • Te kontrata “Ndërtimi i një muri mbështetës në sheshin e lojërave në shkollën e fshatit Brod”, komuna ka bërë pagesën totale të vlerës së kontraktuar bazuar në raportin e menaxherit. Me ekzaminimin fizik konstatuam se pozicioni “Përforcim me rrjetin e armaturës Q335 dhe betonimin e pllakës se stadiumit me lidhje në trashësi t = 20cm” të vlerës së specifikuar prej 680€, nuk ishte realizuar. Ne kemi marrë dëshmi për realizimin e pozicionit të lartcekur, pas përfundimit të auditimit;
  • Me Kontratën Publike Kornizë “Rindërtimi i Shkollave Fillore dhe të Mesme në Territorin e Shtërpcës” me vlerë 165,490€, menaxheri i kontratës, i cili përveç që nuk kishte kualifikime përkatëse në fushën e ndërtimit, ishte i përfshirë në gjithë procesin, përfshirë pranimin e punëve/shërbimeve si dhe ekzekutimin e pagesave. Rreziku Dobësitë në menaxhimin e kontratave, gjegjësisht mungesa e raportimit cilësor në lidhje me zbatimin e kontratës, zvogëlojnë sigurinë që kontratat të zbatohen në përputhje me kushtet dhe specifikimet e parapara. Mos planifikimi i dinamikës së shpenzimeve mund të rezultojë në mos efikasitet në realizimin e kontratave në raport me fondet e shpenzuara.

Dobësi në kontrollet menaxheriale dhe menaxhimin e rrezikut

Raporti thotë se pyetësori i vetëvlerësimit i plotësuar nga Komuna ka konfirmuar se sistemet e kërkuara të menaxhimit të rrezikut ende nuk janë funksionale.

“Deri te kjo situatë ka ardhur për shkak se komuna nuk ka përgatitur një plan rreziku dhe nuk ka analizuar procedurat për identifikimin e këtyre rreziqeve për institucionin”.

E që sipas ZKA-së, mos identifikimi dhe analizimi i rreziqeve në mënyrë adekuate zvogëlon aftësinë e menaxhmentit për t’iu përgjigjur në kohë dhe në mënyrë korrekte sfidave, pavarësisht nëse ato janë financiare apo operacionale.

Auditori thotë se kjo komunë ka dobësi edhe në auditimin e brendshëm.

Në fund thuhet se komuna e Shtërpcës ka nivel të ulët të zbatimit të rekomandimeve nga viti paraprak dhe viti i mëhershëm.