Ilustrim

Shkelje Ligjore në Tenderin për Zgjerimin e Rrugës për Podujevë

Ministria e Infrastrukturës ka bërë shkelje ligjore në tenderin për zgjerimin e rrugës nga Besia në Podujevë. Kjo ministri në mënyrë të kundërligjshme i kishte eliminuar nga gara disa kompani të cilat kishin çmime më të lira sesa kompania e rekomanduar për kontratë. Për kontratë e kishte rekomanduar kompaninë “Sallahu” me një çmim prej 4 milionë e 567 mijë eurove.

Kundër njoftimit për dhënie të kontratës janë ankuar disa operatorë: Alko Impex GC & EXFIS & ‘2T’ që kishin ofertuar me 4 milionë e 174 mijë euro, “Al-Trade & RSM Company’ që ofertuan me 4 milionë e 341 mijë euro, ‘Rukolli & Bageri’ që kanë ofertuar 4 milionë e 470 mijë euro, si dhe konzorciumi Rexha & Benita & Benita & Bes Group të cilët kanë ofertuar me 4 milionë e 440 mijë euro.

Eksperti shqyrtues ka rekomanduar që të aprovohet si e bazuar ankesa e operatorëve “Al-Trade” & “RSM Company”

Operatori “Rukolli” & “Bageri” ishte eliminuar nga gara. Në ankesën e tyre përveç pretendimeve që ishin eliminuar padrejtësisht nga gara, konzorciumi “Rukolli” & “Bageri” kanë pretenduar që edhe kompania e rekomanduar për kontratë nuk i plotësonte kërkesat që dalin nga dosja e tenderit. Eksperti shqyrtues ka konstatuar se pretendimet për eliminim të padrejtë janë të bazuara, ndërsa si pjesërisht të bazuara ka rekomanduar që të aprovohen pretendimet për kompaninë e rekomanduar për kontratë.

Pjesërisht të bazuara janë vlerësuar pretendimet ankimore të kompanive në konzorciumin Rexha & Benita & Benita & Bes Group.

Për këtë aktivitet të prokurimit, eksperti vlerëson të bazuar ankesën e operatorëve ekonomikë në konzorcium “Alko Impex GC” & “EXFIS” & “2T”. Njëherësh rekomandon që ky aktivitet i prokurimit i Ministrisë së Infrastrukturës të kthehet në rivlerësim.

Konstatimet e panelit shqyrtues

Gjykata e Tenderëve ka marrë vendim që tenderi të kthehet në rivlerësim, sepse ka konstatuar se ka shkelje ligjore.

“Paneli shqyrtues konstaton se ekzaminimi, vlerësimi dhe krahasimi i ofertave nuk është konform nenit 59 të LPP-së dhe njëkohësisht nuk është respektuar edhe neni 1, 6 i LPP-së, prandaj obligohet autoriteti kontraktues që gjatë rivlerësimit të ofertave t’u përmbahet në tërësi dispozitave të LPP-së”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Në raportin e ekspertizës thuhet se pretendimi ankimor i konzorciumit “Al-Trade” Sh.P.K & “RSM Company” ka të bëjë me eliminimin nga ana e autoritetit kontraktues në lidhje me kërkesat e dosjes së tenderit për raportin e auditimit dhe i pasqyrave financiare të audituara nga një kompani e licencuar e auditimit me reputacion për vitet 2013, 2014, 2015.

“Eksperti shqyrtues… vlerëson se qëndron pretendimi ankimor i parashtruar nga ana e operatorit ankues, për fatin se operatori në konzorcium ka ofruar raportin e auditimit konform kërkesës së ‘Fletës së të Dhënave të Tenderit’ (FDT) dhe njoftimit për kontratë nga një kompani e licencuar për vitet paraprake 2013, 2014 dhe 2015 të cilat raporte janë të ndara në vite sipas kërkesës së FDT-së dhe janë të përshkruara qartë si në vijim: pasqyrat financiare dhe raporti i auditorit të pavarur për periudhën 01.01.2013-31.12.2013, emri i kompanisë ‘Al-Trade’ Sh.P.K….Eksperti shqyrtues duke u bazuar në konstatimin e lartcekur në lidhje me këtë pikë vlerëson se ankesa e OE ankues ‘Al-Trade’ & ‘RSM Company’, është e bazuar”, thuhet në raport.

Edhe paneli shqyrtues ka konstatuar se ankesa e kompanisë “Al Trade” është e bazuar.

Eksperti shqyrtues ka thënë se edhe arsyeja e eliminimit të kozorciumit “R&Rukolli” & “Bageri” nuk ishte e qëndrueshme. Sipas tij konzorciumi në fjalë ka ofertuar me dokumentet e kërkuara në dosjen e tenderit.

“Paneli shqyrtues konstaton se qëndron pretendimi ankimor në lidhje me këtë pikë dhe vjen në përfundim se arsyeja e eliminimit të dhënë nga AK-ja është e pabazuar për këtë konzorcium, për faktin se konzorciumi “R&Rukolli” ka ofruar listën e ATK-së sipas kërkesës të FDT-së dhe njoftimit për kontrate në përputhshmëri me kërkesën e Ministrisë së Infrastrukturës”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Kriteri që eliminoi kompanitë nga gara

Tutje paneli shqyrtues ka konstatuar se edhe arsyeja e dytë e eliminimit të kësaj kompanie nuk qëndron.

“Paneli shqyrtues konstaton se edhe arsyeja tjetër e eliminimit të konzorciumit në fjalë në lidhje me certifikatën për siguri në trafikun rrugor ‘ISO 39001:2012’, është e pabazuar, pasi që ky konzorcium si grup e ka plotësuar kërkesën dhe për të njëjtën kërkesë nuk mund të kërkohet që të plotësohet veç e veç nga grupi i operatorëve ekonomikë”, thuhet në konstatimin e OSHP-së.

Ndërsa, Gjykata e Tenderëve ka konstatuar se pretendimin e kompanisë “Rrukolli” për kompaninë e rekomanduar për kontratë “Sallahu” është i paqendrueshëm.

“Në lidhje me pretendimet e OE ankues sa i përket raporteve të auditimit për OE të rekomanduar për kontratë, paneli shqyrtues konstaton se nuk qëndron pretendimi ankimor pasi që askund në dosjen të tenderit nuk është kërkuar ndonjë kriter në lidhje me përmbajtjen e raportit të auditimit, për t’i kontestuar zërat financiar të raportit të auditimit janë të thirrur vetëm personat kompetent si auditor të specializuar”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Eksperti shqyrtues vlerëson se qëndron pretendimi ankimor i parashtruar nga ana e OE “Alko-Impex GC” & “Exfis” & “2T’,  sepse i njëjti si konzorcium ka plotësuar këtë kriter. Të njëjtin konstatim e ka bërë edhe paneli shqyrtues i OSHP-së.

“Paneli shqyrtues konstaton se qëndron pretendimi ankimor i parashtruar nga ana e OE ankues, sepse i njëjti si konzorcium ka plotësuar këtë kriter për faktin se njëri anëtar i konzorciumit “Exfis shpk”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Sa i përket ankesës së konzorciumit ankues Rexha &Benita&Bes Group, eksperti ka konstatuar se operatorët ekonomikë në fjalë kanë ofertuar me dokument origjinal dhe të njëjtit nuk munden të eliminohen për këtë pikë sa i përket noterizimit të dokumentit.

Në lidhje me pretendimin ankimor sa i përket arsyetimit të eliminimit nga ana e komisionit vlerësues pranë AK-së në lidhje me kriterin në FDT dhe njoftimit për kontratë, ku është kërkuar : Operatori ekonomik duhet të ketë minimum dy (2) projekte të realizuar në lëmin e ndërtimit të rrugëve nacionale ose regjionale në vlerë jo më pak se 2,000,000 euro.

Eksperti shqyrtues ka konstatuar se OE ankues në bazë të listës së projekteve të specifikuara vlerëson se kërkesa e lartcekur nuk është plotësuar nga OE ankues njehërësh qëndron arsyetimi i dhënë nga ana e komisionit që vlerëson për pikë.

Edhe OSHP-ja në këtë pikë i ka dhënë të drejtë Ministrisë së Infrastrukturës.

“Paneli shqyrtues konstaton se është e bazuar kjo arsye e eliminimit pasi që konsorciumi Rexha & Benita & Bes Group, nuk ka arritur të dëshmojë në dokumentacionin e ofruar në dosjen origjinale se i njëjti ka të përfunduar minimumi dy projekte në lëmin e ndërtimit të rrugëve nacionale apo regjionale në vlerë jo më pak se 2 milionë euro”, thuhet në vendimin e OSHP-së.