Shkarkimi si mjet për kontrollin e Agjencisë së Akreditimit

Vendimi i shtatorit të vitit 2017 i ministrit të Arsimit, Shyqyri Bytyqi, për shkarkimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, bëri që mos të ketë shqyrtim të programeve të Institucioneve të Arsimit të Lartë për vitin e kaluar nga ana e Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

Këshilli Shtetëror të Cilësisë që është pjesë e Agjencisë së Akreditimit që është zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës pas propozimit të Qeverisë, në mbledhjen e parë vendosi që të zgjas akreditimin edhe për një vit për të gjitha Institucionet e Arsimit të Lartë, të cilat kishin akreditim valid.

Në fillim të vitit 2019, Agjencia e Kosovës për Akreditimit pritet t’i shqyrtojë programet e Institucioneve të Arsimit të Lartë, pas dy viteve të mos-shqyrtimit të tyre.

Agjencia për Akreditim, sa i përket vendimit të vitit të kaluar për vazhdim të akreditimit thotë se e mori për shkak të rrezikut nga kaosi që do të mund të shkaktohej.

“Duke pasur parasysh se dinamika e AKA-së për vlerësimin e institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë është ndërprerë për 7 muaj dhe se procesi i vlerësimit të jashtëm nuk është organizuar, vizita me ekspertë ndërkombëtar nuk është realizuar sipas afateve të parapara nga AKA, dhe rrjedhimisht rrezikohet vonimi i regjistrimit të studentëve të rinj në këto programe të studimit, KSHC vendosi në favor të këtij vendimi. Bazuar në nenin 15, pika 3 e Ligjit për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës dhe dispozitave të tjera ligjore të cekura më sipër, KSHC vendosi në favor të këtij vendimi”, thuhet në përgjigjen e AKA-së.

Kushtrim Bajrami nga Qendra e Kosovës për Arsim thotë se ky vendim mund të justifikohet për rrethanat në të cilat ishte gjendur AKA-ja pas bllokimit shtatë muajsh.

“Institucionet e arsimit të lartë duhet të jenë të gatshme për akreditim të programit pavarësisht rrethanave. Në këtë drejtim, vendimi për zgjatjen e afatit të akreditimit të programeve të institucioneve të arsimit të lartë është marrë me qëllimin që të iu sigurohet kohë institucioneve të arsimit të lartë, të cilat nuk ishin të gatshme të plotësonin kërkesat e akreditimit”, thotë Bajrami.

Bordi i kaluar kishte pezulluar 83 programe studimi te Institucioneve të Arsimit të Lartë Publik dhe Privat. Ky pezullim u vërtetua edhe njëherë nga bordi i ri i Agjencisë së Kosovës për Akreditim. AKA thotë se ky vendim u mor pas shqyrtimit të stafit akademik. Nga 83 programe të studimit, 19 ishin të Bartësve Publik dhe 64 programe të Bartësve Privat.

“Këtë vendim KSHC e ka marrë bazuar në kriteret e përcaktuara me Udhëzimin Administrativ për Akreditimin të institucioneve të arsimit të lartë, Nr.9/2017, datë 02.08.2017, Neni 26, Pika; 5.3.4, i cili përcakton: “për çdo 60 ECTS kredi të programit të studimit, institucioni duhet të ketë të paktën një (1) staf me marrëdhënie të rregullt të punës me titull PhD apo titull të barasvlershëm artistik nga fusha e programit të studimeve”, thuhet në përgjigjen e AKA-së.

Kushtrim Bajrami nga Qendra për Arsim në Kosovë thotë se bordi i ri në të dyja mbledhjet e para është marrë me shqyrtimin e vendimeve të bordit të kaluar.

“Pas trajtimit të gjendjes së stafit akademik dhe programeve respektive të paraqitura nga institucionet e arsimit të lartë, bordi i ri ka marr vendim për tërheqjen e akreditimit për rreth 80 programe studimore të institucioneve të arsimit të lartë, prej të cilave 62 institucione private. Në këtë mënyrë, duke tërhequr plotësisht akreditimin e programeve studimore, të cilat ishin pezulluar nga bordi i kaluar, bordi i ri ka konfirmuar që pezullimi i tyre ishte i bazuar”, tha Bajrami.

Ministria e Arsimit nuk ka dashur të komentojë punën e bordit të ri. Të pyetur rreth zgjatjes së akreditimeve edhe për një vit si dhe për tërheqjen e akreditimit të 83 programeve të studimit, MASHT ka thënë se nuk dëshiron të përzihet në punën e AKA-së.

“AKA është duke punuar në funksion të kontrollit të cilësisë në arsimin e lartë dhe ne e mbështesim si çdo institucion tjetër të pavarur”, thuhet në përgjigjen e MASHT.

Pavarësisht se AKA ka një bord të ri, përzgjedhja dhe pavarësia e këtij bordi vihet në pikëpyetje nga njohës të fushës së arsimit në Kosovë.

Kontrolli i Agjencisë

Ish-anëtarët e bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim nuk kanë dashur të flasin për zhvillimet në këtë institucion.

Ish-kryetari i bordit Blerim Rexha dhe ish-anëtari tjetër i AKA-së Lul Raka, kanë thënë se krejt çfarë kanë pasur për të thënë janë thënë në letrat e dërguara për opinionin publik, pas vendimit të Ministrit të Arsimit Shyqyri Bytyqi për shkarkimin e tyre nga pozita, shkarkim ky që kishte ndodhur pas kërkesës së kryeministrit Ramush Haradinaj.

Kërkesën për shkarkim të bordit kryeministri e kishte arsyetuar me faktin se procesi i akreditimit në Arsimin e Lartë  në Kosovë është përcjellë me parregullsi serioze. Haradinaj kishte kërkuar nga ministri Bytyqi që procesi i ri të rezultonte me përzgjedhjen e njerëzve me ekspertizë të duhur në sektorin e arsimit, me kredenciale të larta etike dhe profesionale.

Kërkesa e kryeministrit ishte cilësuar si politike dhe kishte pasur reagime të shumta, ndërkohë që ish-anëtarët e bordit e kishin konsideruar fyerje kërkesën e Haradinajt.

Por anëtarja e komisionit për arsim në Kuvendin e Kosovës, Arbërie Nagavci thotë se kryeministri Haradinaj dhe ministri Bytyqi asnjëherë nuk e arsyetuan vendimin e tyre për shkarkim të bordit.

Krejt çfarë bënë kryeministri dhe ministri, sipas deputetes Nagavci është zëvendësimi i grupeve të interesit.

“Kryeministri Haradinaj dhe ministri i Arsimit asnjëherë nuk e kanë dëshmuar se vendimi për shkarkim ka qenë legjitim për shkak se nuk kemi ndonjë veprim konkret me të cilin do ta kishim të mundur që të shohim se ata i kanë adresuar shkeljet e supozuara. Me këtë nuk dua të them se nuk ka pasur shkelje, por ajo që tashmë është e qartë është se duket se nga një grup i interesit por përfitojnë grupet e tjera dhe kjo nuk po ndikon asgjë në përmirësimin e cilësisë në arsim”, thotë Nagavci.

Drejtori i Institutit EdGuard, Rinor Qehaja thotë se vendimi i MASHT-it, ka shkaktuar dëm në arsimin e lartë me largimin e AKA-së nga EQAR dhe pezullimin e anëtarësimin në ENQA.

Veprime të tilla sipas Qehajës do të mund të përsëritën në të ardhmen, me ndikim të grupeve të interesit.

“Përderisa emërimet e anëtareve të KSHC-së janë e drejtë ekskluzive e Ministrit, nuk është për çudi që kjo situatë me shkarkime dhe emërime të mund të përsëritet në të ardhmen, në qeveri të ndryshme, të ndikuara nga grupe të ndryshme të interesit. Instituti EdGuard avokon që institucionet e arsimit të lartë të akreditohen nga agjencitë ndërkombëtare të akreditimit, të mirëlistuar, që do të siguronin mbi të gjitha kredibilitet dhe besueshmëri të vendimeve, kurse MASHT të ketë rol në validim të tyre”, thotë Qehaja.

Vet Ministria e Arsimit akuzon bordin e kaluar për deformim të arsimit të lartë në Kosovë.

“Pas një goditjeje që kishte marrë arsimi i lartë nëpër vite nga shumë faktorë, ai ishte deformuar edhe përmes punës jo të mirë të ish- bordit të AKA-së, ne, ia kemi dalë, që rekomandimet e dala nga parlamenti rreth KSHC-së, t’i materializojmë”, thuhet në përgjigjen e MASHT-it.

Shkarkimi i bordit që kryesohej nga profesori Blerim Rexha, kishte nxitur debat të gjerë, mirëpo pasojat më të dëmshme ishin përjashtimi i AKA-së, nga Komiteti i Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR). AKA ende nuk ka mundur që të rianëtarësohet në këtë mekanizëm.

Muajin e kaluar bordi i AKA-së ka publikuar raportin e Vetëvlerësimit për vitin 2018 në të cilin dokument kërkohet angazhim shtetëror për të arritur anëtarësimin në EQAR.

Në raport thuhet se është bërë progres i konsiderueshëm në lidhje me përshtatjet ligjore, si miratimi i Udhëzimit Administrativ për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC) dhe fillimi i procedurave të MASHT-it për hartimin e Ligjit për Agjencinë e Akreditimit.

Megjithatë në raport thuhet se Kosova duhet t’i tregojë prova të forta EQAR-it për të arritur anëtarësimin në këtë mekanizëm.

Vakumi ligjor për konfliktin e interesit

Procesi i përzgjedhjes së Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim udhëhiqet nga Ministria e Arsimit. Në fillim të vitit 2018, profesori i Fakultetit të Mjekësisë, Mentor Sopjani kishte kompletuar dokumentacionin duke i hyrë garës për tu bërë anëtar i bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

Sopjani kishte arritur që të futej në listën e ngushtë pasi komisioni i përzgjedhur nga Ministria e Arsimit e kishte konsideruar si kandidat që i plotëson kriteret për të kaluar fazën e parë të përzgjedhjes.

Siç shihet edhe në raportin e punës së komisionit, Sopjani ishte renditur i nënti në listën që përbëhej nga 16 persona që kishin hyrë në listën e ngushtë.

Në fund, Sopjani nuk u përzgjodh anëtar i bordit të AKA-së. Ai beson se fakti që ai nuk është i afërt me asnjë parti politike apo grup interesi i ka kushtuar në garën për tu bërë anëtar i bordit.

“Universiteti nuk është për sa je i aftë për të ju shkuar pas partive politike. Në bazë të gjërave që janë akademike e që vlerësohen në secilin universitet normal, unë nuk kam qenë poshtë asnjërit prej atyre të pranuarve”, thotë Sopjani.

Përveç se ka kryer doktoratën në Universitetin e Tubingenit në Gjermani, Sopjani ka një karrierë të bujshme shkencore. Ai ka më shumë se 50-të punime të botuara në revista ndërkombëtare si dhe ishte zgjedhur  Shkencëtari i Vitit nga MASHT në vitin 2013.

Në bordin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim janë profesor që janë pjesë e universiteteve private, por edhe atyre publike.

Kushtrim Bajrami nga Qendra për Arsim në Kosovë, thotë se shumica e ish-anëtarëve por edhe anëtarëve aktual kanë afërsi me parti dhe grupe të tjera të interesit, qoftë drejtpërsëdrejti apo tërthorazi. Ky fakt sipas tij, ngritë dilema për vendimet që merr AKA.

“Përkundër që nuk ka dëshmi të mjaftueshme për të vënë në pikëpyetje profesionalizmin e KSHC-së (përbërjes së mëparshme dhe asaj aktuale), ka mjaft hapësirë për të argumentuar se emërimi i anëtarëve të afërt me partitë politike dhe grupet e tjera të interesit mund të ngritë shumë dilema për mënyrën e marrjes së vendimeve për akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë”, thotë Bajrami.

Ndryshe, njohësi i fushës së arsimit në Kosovë, Rinor Qehaja, drejtor i Institutit EdGuard thotë se zakonisht Institucionet Private të Arsimit të Lartë, ia mësyjnë garës për të pasur njerëzit e tyre në bord. Sipas tij, problemi kryesor qëndron në faktin se Ligji për Arsimin e Lartë nuk e rregullon aspektin e konfliktit të interesit.

Si në bordin e kaluar edhe në të tanishmin sipas Qehajës ka prezencë të konfliktit të interesit.

“E meta e Ligjit për Arsimin e Lartë është që nuk e kufizon të qenit anëtar i KSHC-së me prezence të konfliktit të interesit, andaj edhe është jo befasuese që shume bartës të arsimit të lartë të jenë të interesuar të kenë vartës të tyre pjesë të KSHC-së. Ky shqetësimi ka qenë prezent gjithherë, dhe paraqet diçka që kërkon korrigjim në të ardhmen, përshirë edhe përgatitjen profesionale dhe domosdoshmërinë që anëtarët të kenë njohuri dhe përvojë në sigurimin të cilësisë në arsimin e lartë”, thotë Qehaja.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci thotë se bordi mund të ndeshet me konflikt interesi kur merr vendime për programet në të cilat ata ligjërojnë.

“Mendoj se është konflikt interesi kur ata duhet të marrin vendime për programe të caktuara në institucionet ku ata ligjërojnë vet. Ata kanë thënë se nuk kanë pasur deri me tani ndonjë rast ku ata konsiderojnë se ka pasur konflikt interesi, pra kanë konsideruar se nuk kanë pasur, të patën ashtu janë përgjigjur se nuk kanë bërë me  vetëdije apo me qëllim një vendimmarrje ku mund të ketë pasur konflikt interesi”, thotë deputetja Nagavci.

 

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Përmbajtja është përgjegjësi e BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i KFOS-it.