Shitësit e rrenave në Kosovë, me shumë para e pak shqetësime

Biznesi i shitjes së lajmeve të rreme është zhvilluar në një dimension përtej gazetarisë me krijimin e grupeve të njerëzve që krijojnë gënjeshtra online që përkthehen në klikime e para të lehta.

Sipas njërit prej personave që jeton përmes kësaj veprimtarie dhe nuk ka të bëjë me gazetarinë, lajmet e rreme bëhen edhe me porosi, mirëpo një publikuesit i intereson vetëm benefiti financiar.

Duke përfituar mijëra dollarë amerikanë në muaj, një kosovar ka arritur të krijojë një biznes online duke përdorur të ashtuquajturat ‘fake news’ ose lajmet e rreme.

Në një intervistë ekskluzive për ‘Jeta në Kosovë’, ky publikues ka treguar se nga ky biznes përfiton deri në 60 mijë dollarë në muaj.

Puna e tij online nuk njeh kufinj gjeografikë dhe për më tepër,  rrjeti i ashtuquajtur ‘publishera’ po lulëzon në Kosovë në pamundësi të ndjekjes së tyre nga mekanizmat ndërkombëtarë.

Puna e tij nisi rreth vitit 2015, kryesisht përmes Facebook-ut. Rrjeti i prodhuesve të këtyre lajmeve kishin krijuar profile legjitime në Facebook dhe përmes këtyre profileve kanë krijuar ‘fanpage’ me kontent jo të rremë dhe audiencën e fituar në këtë mënyrë më pas e shfrytëzuan për të ju shpërndarë lajme të rreme nga e njëjta platformë.

“Mund të them përafërsisht ose maksimalja në muaj ka qenë edhe 55 mijë dollarë apo 60 mijë dollarë në muaj. E di që ka edhe në Kosovë që bëjnë lajme të rreme edhe kam edhe shokë që merren me këtë punë”, tha ai.

Ai shtoi se megjithëse nuk punon për tregun kosovar, është i vetëdijshëm se prodhues të tillë ekzistojnë në Kosovë.

“Çdo person politik mundet me përdorë nga një person i cili e ka një faqe dhe në një farë forme mundet thjeshtë me pagu me i than me kriju kësi linqe ose për personin e kundërt krijon kësi linqe të rrejshme edhe mundet me u përdorë kjo punë në Kosovë”, tha ai.

Burri që foli në kushte anonimiteti tregoi se ekzistojnë një mori hapash që qojnë në një biznes të suksesshëm të shitjes së gënjeshtrave online.

Ai tregoi se për t’i shitur lajmet e rreme, fillimisht bëhet analizë e tregut e pastaj përdoren edhe metoda si përdorimi i identitetit të huaj për ta mashtruar ‘Facebook-un’ që nuk do të dyshonte në veprimtarinë e personit në fjalë.

Sipas tij, para se çështja e ‘fake news’ të bëhej problematikë globale dhe ‘Facebook-u të ndërmerrte masa, publikuesit e kishin një mënyrë të lehtë të përfitimit të parave online.

Megjithatë sipas tij edhe bllokada e Facebook-ut nuk e ka ndaluar zhvillimin e veprimtarisë së ngjashme por me një stil të ri në të gjitha rrjetet sociale.

“Facebook-u ka ndërmarrë një aksion rreptësisht shumë të fortë ku ka nisë me i mbyllë shumë e shumë faqe. Puna që me mujt me punu prapë ka qenë shumë e vështirë saqë u kanë e pamundur edhe një Facebook tënd personal ka qenë shumë vështirë me hapë. Sot e asaj dite kemi vazhdu me u marrë me rrjete sociale, por mënyra si funksionojnë tash nuk mendoj që duhet me kallxu. Është profitabile përsëri dhe është më e mirë se ajo që ka qenë”, tha ai.

‘Publisheri’ i pyetur nga ‘Jeta në Kosovë’ se a flen rahat në punën që bën, ai është përgjigjur shkurt: “Unë flej boll mirë, masi Kosova su pranu në INTERPOL boll mirë flej”.

 Problemet me ‘Fake News’ në gazetarinë tradicionale në Kosovë

Gazetarë, redaktorë dhe studiues të mediave pajtohen se problemi me ‘fake news’ i ka prekur në masë më të vogël mediat e njohura e tradicionale çoftë në TV apo online.

Sipas kryeredaktorit të gazetës ‘Koha Ditore’ në diskutimin lidhur me lajmet e rreme tha se duhet të bëhen dallime në mes të këtyre të fundit dhe rastet e gabimeve të gazetarëve.

“Kanë ekzistuar gjithmonë lajmet e rreme.Nuk është fenomen i joni, është global. Ne ishte dashur të bëjmë dallimin mes lajmeve të rreme dhe të pasakta. Lajmi i pasaktë ka ekzistuar gjithmonë i prodhuar edhe prej mediave  dhe gazetarëve profesional se e bën një gabim ose e ki një informatë që dikush ta ka thënë ose t’i kanë thënë dy-tre burime. Ne e dimë se një informatë dy burime të ndryshme me ta thanë është njëfarë konfirmimi”, tha Bajrami.

Ai shtoi se lajmet e rreme krijohen qëllimshëm ndërsa pasaktësitë mund të ndodhin edhe në media profesionale.

Në anën tjetër hulumtuesi i mediave në Institutin ‘GAP’, Jeton Mehmeti tha se fenomeni i lajmeve të rreme nuk mund të shihet vetëm si produkt i mediave fiktive.

Ai tha se në këtë kohë është zhvilluar një mënyrë tjetër e sofistikuar se si shpërndahen lajmet e rreme.

“Do duhej të ishte një institucion që bën matjen në mënyrë periodike. Si duket portale janë ata që thithin shumicën e reklamave dhe aty ka interes lexueshmëria. Ne po flasim për portale fiktive por nuk po flasim për mediat që njihen si mediat tradicionale që kanë një mënyrë tjetër si krijojnë lajmet e rreme. Ato e postojnë një lajm dhe brenda minutave ose sekondave e ndërrojnë lajmin duke u munduar që t’i evitojnë pengesat gjyqësore por ai lajm veçse është shpërndarë”, tha Mehmeti

Nga këta u bë thirrje që si masë parandaluese e efektit tw ‘Fake News’ të jetë edukimi i publikut për dallimin e lajmeve të rreme dhe krijimin e besueshmërisë në mediat profesionale.