Foto: ATK

 'Shifti  britanik', skandali me konkursin për drejtor të ATK-së

Ilir Murtezaj ishte ndër kandidatët më pak të poentuar nga dy përfaqësuesit e BDO-së, kompanisë së angazhuar nga Ambasada Britanike për t’i ofruar asistencë institucioneve në rekrutim.

Nga 12 kandidatë të intervistuar që ishin në garë për t’u bërë drejtor të Administratës Tatimore të Kosovës, vetëm një kandidat kishte më pak pikë se Murtezaj në vlerësimet e bëra për secilin kandidatë menjëherë pas përfundimit të intervistës.

Ai i kishte 15.5 pikë, njëjtë sikur dy kundërkandidatë të tjerë, që ndanin pozitat 9, 10 dhe 11 në renditje.

Nga Komisioni vendor, Murtezaj ishte vlerësuar më shumë, por nuk ishte më i poentuari. Murtezaj, pas intervistimit ishte poentuar me 29.2 pikë, kurse kandidati Isen Lipovica ishte vlerësuar me 35.4 pikë. Pra, diferenca në mes të Murtezajt dhe Lipovicës fillimisht  ishte 6.2 pikë.

Por, gjerat kishin ndërruar në favor të Ilir Murtezajt. Ai kishte arritur të futet në top 5 kandidatët e BDO-së në mënyrë të pashpjegueshme, duke marrë 22 pikë.

Futja e tij në mesin e kandidatëve të emërueshëm ishte bërë pasi BDO-ja i kishte eliminuar nga gara dy kandidatë të tjerë që kishin më shumë  pikë, 23.5 gjegjësisht 24.5 pikë.

Për këtë ngritje te pikëve në vlerësimin në favor të një kandidati të paemërueshëm, partnerët implementues britanikë e pranojnë se nuk është i zakonshëm, dhe nuk ka ndodhur më parë në proceset rekrutuese një ndryshim kaq i theksuar.

Ndërrimin e pikëve e kishin bërë edhe anëtarët e komisioni vendor, duke e përmbysur rezultatin e dy vendeve të para, në favor të Ilir Murtezajt. Komisioni vendor ndryshoi vlerësimin edhe për kandidatin Isen Lipovica, por në këtë rast u zbrit vlerësimi i “entuziazmuar” pas intervistës.

Kjo përmbysje e rezultateve e bërë nga të dy komisionet ishte bërë në favor të kandidatit, i cili është zgjedhur Drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës nga kryeministri Ramush Haradinaj, pas propozimit që ligjërisht kërkohet të bëhet nga ministri i Financave, Bedri Hamza.

Vlerësimi për drejtorin e ATK-së

Konkursi për Drejtor të ATK-së ishte shpallur në muajin tetor të vitit 2018. Me datën 18 dhjetor ishte bërë selektimi i kandidatëve që i plotësonin kërkesat e konkursit dhe duhet të ftoheshin për intervistim.  Intervistat ishin caktuar për fund të muajit janar.

Naim Baftiu sekretar i Ministrisë së Financave, Arton Berisha, sekretar i Administratës Publike, Nazmi Zenelaj, sekretar i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Mrika Kotorri ligjëruese në UP dhe Shkendije Loshaj-Krasniqi, ishin anëtarët e Komisionit të caktuar  me vendim të ministrit Bedri Hamza. Rebeca Stevens dhe Karen West ishin të angazhuarat e partnerëve implementues BDO për t’i ofruar asistencë komisionit vendor. Të dy komisionet bëjnë vlerësime të pavarura dhe prodhojnë listën me kandidatët që i plotësojnë kushtet për emërim. Me memorandumin e nënshkruar me Ambasadën Britanike, Qeveria dhe Kuvendi janë zotuar se do t’i marrin parasysh rekomandimet e BDO-së.

Procesi i intervistimit të kandidatëve për drejtor të ATK-së zgjati plot një javë, nga  28 deri më 31 janar ishte periudha e paraparë gjatë së cilës në intervista që zgjaten rreth dy orë secila.

Nga 17 kandidatët që kishin plotësuar kriteret për të kaluar në fazën e intervistës, 5 prej tyre hoqën dorë nga gara, ndërsa 12 të tjerë janë intervistuar gjatë pesë ditëve.

Ilir Murtezaj ishte ndër kandidatët e parë që u intervistuan ditën e parë të vlerësimit më 28 janar 2019. Sipas metodologjisë së punës, pas përfundimit të intervistës u vlerësua nga komisioni vendor dhe nga partnerët britanik, ashtu siç janë vlerësuar edhe kandidatët e tjerë.

Përderisa tek komisioni vendor, Murtezaj u vlerësua me gjithsej 29.2 pikë dhe ishte kandidati më i vlerësuar i ditës, nga partnerët implementues britanik u vlerësua me 15.5 pikë.

Metodologjia e punës së përbashkët të komisionit vendor dhe partnerëve implementues britanik parasheh që pas intervistave sidomos në raste të tilla kur ka diferenca kaq të mëdha në vlerësimin e një kandidati, të diskutohen dallimet dhe arsyet që kanë ndikuar në një vlerësim kaq të ndryshëm.

Siç parashihej, një diferencë kaq e madhe në vlerësim u bë pjesë e diskutimit, ku vendorët vlerësimin e lartë për Murtezajn e arsyetuan me rëndësinë e shembujve të zgjedhur nga Murtezaj gjatë intervistës, duke treguar informata shtesë për kompleksitetin e situatave në të cilat kishte kaluar Murtezaj. Dy anëtarët e BDO-së, poentimin e ulët e arsyetuan me shembujt e pa elaboruar më në detaje nga kandidati Murtezaj duke thënë se kjo ka ndikuar që vlerësimi i tyre të jetë i ultë.

Rasti i Ilir Murtezaj u rikthye edhe njëherë në diskutim katër ditë  pas intervistës së tij. Me 31 janar 2019, pas përfundimit të gjitha intervistave të kandidatëve, edhe njëherë në skenë u rikthye diskutimi për rastet ku vlerësimi mes komisionit vendor dhe partnerëve implementues britanik kishte mos përputhje më të theksuara.

‘Shifti’

Dy anëtarët e BDO-së, pas disa ngritjeve në disa kategori të vlerësimit, Murtezajt i rezultoi me rritje  vlerësimi nga 15.5 sa kishte ditën e intervistimit  në 22 pikë. Kjo ngritje e pikëve për 42% nga komisioni britanik nuk ishte arsyetuar në detaje se në cilën kategori kishte rritje.

BIRN ka kërkuar sqarim nga BDO-ja për këtë ndërrim të pikëve në favor të kandidatit që më vonë u zgjedh drejtor i ATK-së. Këtë ndryshim drastik në vlerësimin e pikëve, partnerët implementues e arsyetojnë duke thënë se këtë e kanë bërë pasi kanë krahasuar shënimet e tyre me ato të komisionit dhe rrjedhimisht janë bindur për t’i ndryshuar pikët.

“Në lidhje me kandidatin Ilir Murtezaj, diferenca e madhe në vlerësim në mes të komisionit vendor dhe partnerëve implementues shkaktoi një rishikim të shtuar të secilës nga kompetencat ku kishte dallim në vlerësim në mes të anëtarëve të komisionit dhe anëtarëve të komisionit dhe partnerëve implementues”, thuhet në përgjigjen e Hugh Grant, bashkudhëheqës i njësisë së partnerëve implementues.

Grant thotë se përveç rishikimit ka pasur këmbim të shënimeve mes komisionit vendor dhe parterëve implementus që evidentoi disa dallime në shënimet në lidhje me atë se çfarë kishte thënë kandidati gjatë intervistës.

“Ekzaminimi i shënimeve të intervistës evidentoi disa fusha ku anëtarët e komisionit kishin diferenca nga partnerët implementues në detaje se çka kishte thënë kandidati, në veçanti në lidhje me fushat e kompetencës për mendim strategjik, zgjidhje e problemit dhe adaptueshmëri. Gjithashtu, disa nga shembujt e cituar nga kandidati në përgjigje të rasteve të kompetencës ishin të disa viteve më parë, mirëpo partnerët implementues pranuan pikëpamjet e komisionit vendor se ata ishin shembuj valid në lidhje me sjelljen e kandidatit”, thuhet në përgjigjen e Grant për BIRN.

Pra, ndryshimi partnerët implementues britanik e ndryshuan dhe e ngritën në bazë të rishikimit të shënimeve të komisionit vendor në lidhje me thëniet e kandidatit Murtezaj.

Në listën e kandidatëve të emërueshëm të BDO-së kanë hyrë Ilir Murtezaj e Isen Lipovica që kishin nga 22 pikë. Por, në listën që i plotësojnë kriteret për emërim nuk janë edhe Hamdi Hoxha që kishte marrë 23.5 pikë dhe Ruzhdi Zeqiri që kishte marrë 24.5 pikë.

Poentimi i bërë nga dy përfaqësuesit e BDO-së, kompanisë së angazhuar nga Ambasada Britanike

KALLXO.com ka kontaktuar me kandidatin Hoxha. Ai ka thënë se ka aplikuar në këtë konkurs meqë ka besuar se do të ketë një vlerësim real dhe të drejt, si dhe në transparencën e këtij procesi për shkak të monitorimit nga kompania angleze BDO përmes Ambasadës Britanike.

Ai thotë se nuk ka pranuar një shpejgim pse nuk është në mesin e kandidatëve që mund të emërohen në krye të ATK-së.

“Meqenëse nuk kam pranuar ndonjë raport zyrtar rreth këtij procesi nuk e kam të qartë ende pse jam larguar nga pesëshja e parë përkundër që kam pas më shumë pikë”, ka thënë Hoxha.

Kurse, Ruzhdi Zeqiri ka thënë se do të ankohet tek BDO-ja për të kërkuar sqarime për largimin e tij nga lista e ngushtë.

“Nuk kam informacione për parregullësit dhe ndërrimin e pikëve, por nëse është e vertetë do të ankohem tek anglezët”, ka thënë Zeqiri.

Gjatë diskutimeve komisioni vendor vendosi të poentojë më shumë Murtezajn, një rritje të lehtë nga 29.2 në 30.6 pikë, duke e arsyetuar me faktin se kishin qenë më të ashpër në vlerësim ndaj Murtezajt të bërë pas intervistës. Rritja e vlerësimit për kandidatin Murtezaj nga komisioni vendor ishte për 1.4 pikë.

Por, përmbysja e rezultatit në favorë të Murtezaj u bë e mundur pas uljes së pikëve për kandidatin Isen Lipovica, i cili i kishte entuziazmuar anëtarët e komisionit vendor pas intervistës duke e poentuar me 35.4.

Pas intervistës së Lipovicës, Komisioni Vendor duke e arsyetuar poentimin dyfishë më shumë se britanikët, dhanë lëvdatat për kandidatin Lipovica.

Në ditët vijuese para se të dëgjohen të gjithë kandidatët, vendorët u “ftohën”  në vlerësimin e Lipovicës. Ulja e pikëve u arsyetua duke i lanë fajin entuziazmit që ju shkaktoi prezantimi i kandidatit teksa e ulën vlerësimin e tij nga mbi 35.4 pikë sa kishte në 30.6 pikë.

Britanikët gjithashtu lëvizën nga pozita e tyre fillestare për kandidatin  Lipovica, nga 18 pikë sa e kishin vlerësuar në fillim,  në fund e vlerësuan me gjithsej 22 pikë dhe e listuan si njërin nga kandidatët e “zgjedhshëm”.

Pra, edhe pse qëllimi i këtyre diskutimeve mes komisionit vendor dhe partnerëve implementues bëhet për të parë nëse ka hapësirë për përfarim të vlerësimeve, në këtë rast ka ndodhur krejt një dukuri e pazakontë.

Përderisa gjatë diskutimit komisioni vendor mundohej të arsyetonte uljen e pikëve me “entuziazmin” që u kishte shkaktuar kandidati, komisioni britanik i ngriti notat në disa kategori. Pra diskutimi njëjtë prodhoi rezultate të kundërta, komisioni vendor duke i ulur pikët, e në anën tjetër duke BDO-ja duke i rritur.

Zhbllokimi i “REM-it”

Dita e fundit e procesit, pas përfundimit të intervistave me kandidatët, solli edhe ndryshimet më të rëndësishme në vlerësimin e kandidatëve.

Përderisa kandidatët kishin përfunduar fjalën e tyre, njëjtë nuk kishte ndodhur edhe me komisionin vendor, por edhe partnerët implementues.

Kandidati Ilir Murtezaj u ngrit në vlerësim nga komisioni vendor dhe vlerësimi i tij final arriti në 30.6 pikë, ndërsa tek britanikët vlerësimi përfundimtar i Murtezajt ishte 22 pikë.

Edhe kandidati tjetër Isen Lipovica në këtë pikë vlerësohej me 30.6 pikë, ndërsa nga britanikët kishte vlerësim prej 22 pikëve.

Para kësaj situate të barabartë, anëtarja e komisionit vendor ndërmori lëvizjen finale me të cilën i zbriti pikët në një kategori për kandidatin Isen Lipovica. Kështu me vetëm 0.2 pikë më shumë në vendin e parë si kandidati më i vlerësuar u rendit, Murtezaj.

I gjithë ky ndryshim i pikëve nga komisionit vendor dhe partnerëve implementues përpos se në formularët e vlerësimit të secilit nga anëtarët e komisionit, duhet të ketë shkaktuar një rrëmujë në pikët e anëtarëve të komisionit. Por, partneri implementues britanik, thotë forma elektronike në të cilën partnerët britanik i evidentojnë të dhënat (spreadsheet) nuk i pasqyron të dhënat e ndryshuara, por vetëm notat finale.

Poentimi i bërë nga dy Komisioni Vlerësues i caktuar nga ministri i Financave, Bedri Hamza

Përpos kësaj, pa qartësi tjetër evidentohet edhe në lidhje me kriteret që duhet të përmbush një kandidat që të konsiderohet i “zgjedhshëm” nga partnerët implementues britanik.

“Sa i përket rezultatit, nuk ka rezultat absolut që mund të themi përcakton nëse një kandidat është i emëruar apo jo”, thuhet në përgjigjen e Grant për BIRN.

Sakip Imeri ka qenë më i poentuari nga BDO-ja me 31 pikë. Në vlerësimin fillestar i dyti ka qenë Dardan Stublla me 29 pikë, Hamit Mulaj me 27 pikë, Ruzhdi Zeqiri kishte 24.5 pikë dhe Hamdi Hoxha 23.5 pikë.

Dy kandidatët më të poentuar nga vendorët ishin rënditur keq në vlerësimin e BDO, pasi Isen Lipovica ishte i 7-i me 18 pikë, ndërsa Ilir Murtezaj ishte i parafundit me 15.5 pikë.

Në renditjen përfundimtare, apo listën e të emëruarëve ishin: Sakip Imeri me 31 pikë, Dardan Stublla me 28, Hamit Mulaj 27 pikë, Isen Lipovica dhe Ilir Murtezaj nga 22 pikë secili. Ruzhdi Zeqiri me 24.5 dhe Hamdi Hoxha me 23.5 nuk ishin në listën e kandidatëve që i plotësonin kushtet për emërim.

Komisioni Vendor ia ka propozuar tre emra. Në fillim tre kandidatët më të poentuar kanë qenë: Isen Lipovica me 35.4 pikë, Ilir Murtezaj me 29.2 pikë dhe Dardan Stublla me 28.2 pikë.

Në fund janë bërë dy ndërrime esenciale. Është larguar Dardan Stublla në lista prej tre kandidatëve që i janë propozuar ministrit dhe në top treshe ka hy Sakip Imeri. Dhe Ilir Murtezaj dhe Isen Lipoivca i kanë ndërruar vendet. Murtezaj kishte 30.6 pikë, apo vetëm 0.2 pikë më shumë se Lipovica.Pikërisht një përcaktim më i qartë i lidhjes në mes të pikëve të realizuara dhe përzgjedhshmërisë, është një nga fushat që britanikët e pranojnë se duhet të forcohet.

Murtezaj, tanimë ka pranuar detyrën e tij dhe ka filluar udhëheqjen e ATK-së, ndërsa britanikët pohojnë se do të përforcojnë fushat ku kanë identifikuar vështirësi deri në përfundim të angazhimit të tyre në mars të vitit 2020.

Ministri i Financave, Bedri Hamza kishte thënë se e ka emëruar drejtorin e ri që ka qenë më i poentuari nga komisioni vendor dhe ka qenë në mesin e kandidatëve të emërueshëm nga BDO-ja.

https://kallxo.com/zyrtare-emerohet-drejtori-i-ri-i-atk-se/