Foto: KALLXO.com

Shfaqja e dokumentarit ‘Ferdonija’, shkaktoi protesta në Beograd

Shfaqja e dokumentarit ‘Ferdonija’ në kuadër të festivalit, ‘Mirëdita, dobar dan’ ngjalli emocione të forta tek publiku që ishte i pranishëm në sallë, ndërsa ngjalli protesta tek një grup i madh serbësh të cilët vazhdimisht janë duke e kundërshtuar mbarëvajtjen e këtij festivali në Beograd.

Protestuesit të cilët ishin më të shumtë në numër sesa në ditën e parë të festivalit, tentuan ta thyejnë kordonin e policisë në mënyrë që të futeshin brenda në sallën ‘Dorcol Platz Dobraciona 59’ në të cilën po transmetohej dokumentari.

Forcat policore kërkuan nga të pranishmit në sallë që të mos e dalin jashtë sallës për çështje të sigurisë, ndërsa pas më shumë se dy ore, situata u qetësua dhe protestuesit u shpërndanë të qetë.

Nata e dytë e festivalit, ‘Mirëdita, Dobar Dan’, i është kushtuar të pagjeturve, ku përveq shfaqjes së dokumentarit, u promovua edhe libri ‘Të jetosh me kujtimet e të pagjetuve’.

“Ferdonija”, dokumentari i cili i dedikohet paqes

Dokumentari ‘Ferdonija’ , ka pasur premierën në vitin 2016, regjinë e këtij dokumentari e ka bërë Gazmend Bajri dhe Shkurte Dauti.

Dokumentari ‘Ferdonija’ paraqet 24 orësishin e vetmuar e nënës nga Gjakova, e cila në luftën e fundit në Kosovë ka humbur burrin e saj dhe katër djemtë.

Përpara se të fillonte transmetimi i dokumentarit, të pranishmëve iu drejtua, regjisorja Shkurte Dauti, e cila tha që ambiciet e saj për këtë film ‘nuk kanë qenë politike dhe nuk janë politike’.

Dauti sqaroi para të pranishmëve se me këtë dokumentar ka dashur ta paraqes vuajtjen e një nëne në 20 vitet e fundit.

“Ajo që më ka shty është që me e kuptu qysh një nanë mundet me e përballu këtë ankth duke mos e ditë ku i ka katër djemtë dhe burrin. Ndërkohë janë bo 20 vite dhe akoma nuk mundet me e përmbyllë dhimbjen”, theksoi ajo.

Ferdonije Qerkezi është një nënë nga Gjakova, dokumentari për të paraqet vetminë, dhimbje dhe shpresën e saj dhe të shumë nënave se drejtësia një ditë do ta gjejë rrugën. Në dokumentar Ferdonija rrëfen natën e 27 marsit 1999, kur forcat policore serbe para syve të saj ia morën burrin dhe katër djemtë.

“Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”, libri i cili gërsheton dhimbjen e kosovarëve dhe serbëve

Përveç dokumentarit ‘Ferdonija’ në natën e dytë të festivalit, ‘Mirëdita, Dobar Dan’ zhvillua debat për librin ‘Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve’.

Në hapje të promovimit janë lexuar dy rrëfime të cilat janë nga dy familje që kanë familjarë të pagjetur nga lufta në Kosovë, njëra familje shqiptare nga Mitrovica e tjetra serbe nga Shtërpca.

Korab Krasniqi nga organizata ZFD, Kosovë, tregoi për punën që e kanë bërë për të sjellë këtë libër.

“Kemi fillu me idenë që të shfrytëzojmë metodën hulumtuese ‘Oral History’  për të arritur deri te këto rrëfime. Fillimisht kemi prodhuar disa ekspozita të cilat i kanë gërshetuar këto copëza. Fazën e dytë të projektit e kemi bërë një ekspozitë, e cila është hapur në Kuvend dhe kjo është bërë për t’ia bërë të ditur politikëbërësve obligimet që i kanë karshi familjarëve të të pagjeturve”, tha ai.

Tutje Krasniqi tha se në këtë libër ka edhe rrëfime të familjeve serbe të cilat kanë ende persona të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.

“Janë 10 rrëfime, 7 nga familje shqiptare, 3 nga familje serbe. Si proces të intervistimit kemi provu me i marrë historitë e tyre jetësore duke filluar nga fëmijëria deri në momentin kur fillon lufta të marrë kuptim për ta. Te pjesa e luftës jemi fokusuar pak më shumë”, shtoi ai.

Ndërsa i pyetur se cilat janë të përbashkëtat e rrëfimeve të të pagjeturve ai tha se pavarësisht se janë dy etnitete të ndryshme ata kanë të njëjtin problem.

“Këtë libër e kemi pa si një instrument të mirë për avokimin e të drejtave të familjeve. Unë kam pasë problem me bo dallime në kuptimin e prapavijës  etnike sepse të gjitha këto familje jetojnë me të njëjtin ankth, sepse këto familje nuk kanë lënë derë pa trokitur dhe përfundimisht duket se këto familje kanë fillu me e humb shpresën”, theksoi ai.

Ndërsa në ditën e tretë të këtij festivali, pritet të bëhet debati si dhe promovimi i antologjisë së dramës bashkëkohore nga Kosova ‘One flew over Kosovo theatre’ si dhe të shfaqet drama ‘Kreolët e Ballkanit”.