Shërbimi 'Jokorrekt' i Kosovës

Përderisa në burgjet e Kosovë kanë qëndruar padrejtësisht edhe persona që kanë kryer kundërvajtje, në këtë institucion janë krijuar privilegje për persona të caktuar, e për të tjerë qëndrimi ka rezultuar me fatalitet.

Pasditja e 5 nëntorit kur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren vdiq në rrethana të dyshimta Astrit Dehari ngriti pikëpyetje të shumta në mirëfunksionimin e shërbimeve korrektuese të Kosovës në veçanti dhe sistemin e drejtësisë në përgjithësi.

Në mes të deklaratave kundërthënëse të Policisë, Prokurorisë dhe Shërbimit Korrektues në Prizren, vdekja e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje ende mbetet e pakualifikuar, ndërkaq nga institucionet nuk është dhënë përgjegjësi ligjore e as morale.

Vrasje, apo vetëvrasje, zyrtarë të kësaj Qendre pohojnë se mund të ketë pasur pakujdesi nga ana e stafit por që përgjegjësia do të jepet vetëm pas përfundimit të hetimeve.

“Varësisht prej hetimeve, nëse ka gabime nga ana e stafit, dikush duhet me u përgjigj, e në çfarë niveli unë nuk di të them”, tha Sokol Zogaj, drejtor i Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK) në emisionin “Jeta në Kosovë”.

http://kallxo.com/drejtori-burgjeve-flet-per-doreheqjet-qe-mund-te-pasojne/

E megjithatë ajo çfarë është vërtetuar është mungesa e mjekut kujdestar në kohën e ngjarjes tragjike.

http://kallxo.com/burgu-ne-prizren-nuk-pati-doktor-per-astrit-deharin/

Megjithatë, rasti i Deharit nuk është unik.

Në Kosovë janë regjistruar 206 tentim-vetëvrasje në burgje, ndërkaq nga Drejtoria për Siguri numërohen 12 raste të vetëvrasjes pas vitit 1999.

Ndërsa, kjo Drejtori konsideron se meqenëse ka 10 institucione të tilla në menaxhim është e vështirë kontrolli i përgjithshëm. E në rastin specifik të Astrit Deharit vëzhgimi personal ka qenë i panevojshëm.

“E ka vizituar psikologu, mjeku, punëtori social dhe raportet e tyre thonë që e ka gjendjen e mirë, qetë. Do të thotë nuk ka pasur asnjë vërejtje siç kemi raste kur me rekomandime të punëtorit social apo psikologut të çon në vëzhgim më të shpeshtë apo edhe permanent”, vlerësoi Burim Buleshkaj, drejtori i Sigurisë në Burgje.

http://kallxo.com/drejtori-sigurise-flet-per-gjendjen-e-astrit-deharit-ne-paraburgim/

A ka klasifikim të të burgosurve dhe burgje selektive ?

Rreth 1,600 qytetarë të Republikës së Kosovës momentalisht gjenden në burgje apo shërbime korrektuese si të dënuar, dyshuar apo të akuzuar për vepra të ndryshme penale.

Por jo vetëm. Gjyqtarë vendorë kanë futur nëpër burgje edhe persona që ishin të dënuar për kundërvajtje trafiku, në vend se t’u shqiptoheshin gjoba apo dënime të tjera alternative.

Hulumtimi i emisionit “Drejtësia në Kosovë” shfaqi skandalin e vendimeve në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës për t’i burgosur rreth 8,000 persona.

Megjithatë, sipas Prokurorisë , të burgosurit nuk kanë pse të kualifikohen nëpër qeli apo burgje pa marrë parasysh se a dyshohen për vepra si terrorizëm, për të cilën dyshohej edhe i ndjeri Dehari.

Prokurori Shqipdon Fazliu konsideron se burgjet në Kosovë pak a shumë kanë të njëjtat kushte apo probleme si dhe mund të konsiderohen normale në krahasim me vendet e botës.

“Nuk është ky vendi i vetëm ku ka pasur probleme, kanë pasur edhe qendra të tjera të paraburgimit. Nuk është edhe vetëm Kosova që ka pasur këso probleme, ngase të gjitha vendet e botës përballen me probleme të mëdha në këtë drejtim”, tha Fazliu.

http://kallxo.com/prokurori-droga-deperton-edhe-ne-burgjet-e-amerikes/

E po në këtë qendër, një hulumtim i KALLXO.com kishte vënë në pah ‘rehatinë’ që kishte arritur ta krijojë për veten një i burgosur atje.

http://kallxo.com/pamje-e-dhomes-qe-i-burgosuri-ndertoi-per-vete-ne-burgun-e-prizrenit/

Përveç kësaj, sipas avokatit Asdren Hoxha, ekziston një fenomen i caktimit të masës së paraburgimit nga prokurorët edhe pse mund të aplikohen masa të tjera.

“Tek ne ende është një nivel shumë i lartë, i të ndaluarve dhe të proceduarve në paraburgim dhe kur caktohet paraburgimi ai i njëjti vazhdohet gati edhe një vit qëndrojnë në paraburgim”, tha Hoxha.

Por, sugjerimet nga jashtë duket se shpesh nuk pranohen apo injorohen nga Prokuroria.

Kështu të paktën thonë në organizatën QKRMT që monitoronte burgjet dhe kishte dërguar dy kallëzime penale për raste të keqtrajtimeve në burgje që u injoruan nga Prokuroria për më shumë se një vit.

“Ne kemi dorëzuar dy kërkesa, kallëzime penale si organizatë joqeveritare në prokurori për rastet e keqtrajtimeve nga gardianët. Njërën e kemi dërguar qe një vit e pesë muaj e tjetrën 12 muaj. Ne kemi bërë prapë kërkesa, nuk kemi kurrfarë përgjigje për asnjërën edhe pse kanë kaluar afatet ligjore”, thotë përfaqësuesi i organizatës, Alban Muriqi.

http://kallxo.com/qkrmt-prokuroria-injoron-kallezimet-penale-per-burgjet/

Emisioni ‘Jeta në Kosovë,’ i moderuar nga Jeta Xharra, të enjten iu kushtua gjendjes së sigurisë në burgje me theks të veçantë në rastin e fundit të vdekjes së dyshimtë të aktivistit të paraburgosur të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.