Shënohet 7-Vjetori i Vdekjes së Rugovës

Në shtatëvjetorin e vdekjes së presidentit të parë të Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, presidentja Atifete Jahjaga ka bërë homazhe dhe ka vënë lule mbi varrin e tij, në lagjen Velania të Prishtinës.

Jahjaga më pas vizitoi familjen Rugova, ku u prit nga bashkëshortja dhe familjarët e Presidentit Rugova.
 
Në vijim të aktiviteteve të shënimit të këtij përvjetori, në Teatrin Kombëtar, në patronazhin e presidentes, u mbajt akademi përkujtimore për presidentin historik të Kosovës.
 
“Jeta dhe veprimtaria e Presidentit të Parë të Republikës së Kosovës, të Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, na bënë të ndjehemi krenar për rrugën që si popull bashkërisht e kemi kaluar”, ka thënë mes tjerash Jahjaga.

Ajo ka thënë se sot po përkujtohet presidenti i parë i shtetit të Kosovës, i cili në kohë të vështira, diti të marrë vendime të rëndësishme që i dhanë kahje  historisë, duke e përcaktuar përfundimisht  fatin e popullit dhe të ardhmen e atdheut.
 
“Dr. Ibrahim Rugova ishte strategu i shtetit të Kosovës, i Republikës së Kosovës, që e kishte legjitimitetin e përkrahjen e gjithëmbarshme popullore dhe bazën legale të veprimit e të funksionimit”, theksoi mes tjerash, Jahjaga.
 
Gjatë ditës, përfaqësues të LDK-së, të partive të tjera politike, si dhe shumë qytetarë kanë bërë homazhe te varri i Rugovës në Velani.

Një delegacion i LDK-së, me në krye Isa Mustafën, kanë bërë homazhe, si dhe kanë vizituar familjen Rugova. Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, e vlerësoi lart figurën e ish-presidentit Rugova dhe kontributin e tij në shtetformimin e Kosovës.

“Si një filozof i cili e zhvilloi një aktivitet dhe një lëvizje të veçantë në një periudhe kur ishte shumë vështirë të lëvizej për liri, pavarësi dhe demokraci, lider i cili e vulosi fundshekullin e kaluar dhe fillimin e shekullit të ri dhe të arritëm që Kosovën ta pavarësojmë, që Kosova të ec drejtë integrimeve evropiane dhe euro- atlantike, kërkesë e tij e kamotshme”, tha Mustafa.

Për të nderuar ish-presidentin Rugova, homazhe pranë varrit të tij bënë edhe kryesia e AAK-së. Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj tha se në nderim të veprës së tij kujtojmë gjithë arritjet që ka shënuar vendi.
“Në përvjetorin e ndarjes fizike nga ne të presidentit historik dr. Ibrahim Rugova,bëjmë nderim dhe kujtojmë rrugën e gjatë të popullit tonë deri këtu e veçanërisht rolin historik të presidentit Rugova në rrugën e gjatë të arritjeve e popullit të Kosovës”, tha Haradinaj.

Në nderim të veprës së Rugovës, forumi rinor i LDK-së, organizoi një marsh në qendër të Prishtinës.

Ndërkaq, seanca plenare e Kuvendit të Kosovës e paraparë për sot nuk është mbajtur me kërkesë të Grupit Parlamentar të LDK-së për shkak të aktiviteteve në përkujtim të vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova.