Shënimi i 28 Nëntorit në Kosovë, arsyet për të festuar

Aktivitete të ndryshme janë mbajtur dhe po mbahen në mbarë vendim për shënimin e 28 Nëntorit, ditës së shpalljes së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar, më 28 nëntor 1912.

Aktivitete të ndryshme kulturore, takime shkencore e letrare janë mbajtur në virgjile të kësaj date, ndërsa sheshet dhe rrugët e qyteteve kosovare janë stolisur me flamuj kombëtarë.

Pavarësisht se kjo festë nuk figuron në kalendarin zyrtar të festave shtetërore, 28 Nëntori është një prej dy festave kryesore më të rëndësishme që festohet nga qytetarët e Kosovës, së bashku me 17 shkurtin, Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Histrianët shohin shumë arsye që 28 Nëntori festohet dhe është rrënjosur kaq shumë në Kosovë, ndodha edhe më shumë se brenda kufijve të shtetit shqiptar.

‘Bërja e Shqipërisë së cunguar’

Historiani Memli Krasniqi ka thënë për Kallxo.com se pothuaj të gjitha ngjarjet me rëndësi politike dhe kulturore, për shqiptaret gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 19-të e deri në shpalljen e pavarësisë, me 28 nëntor 1912, janë zhvilluar në zonat jashtë Shqipërisë së sotme politike.

Pra, ka thënë ai, Lidhja e Prizrenit, Lidhja e Pejës (Besa-Besë), Kongresi i Manastirit, si dhe kryengritjet e armatosura deri me 1912, të gjitha lidhen me Vilajetin e Kosovës (ku përfshiheshin edhe zona sot në Maqedoni) dhe në atë të Manastirit.

Pas shpalljes së pavarësisë, ka thënë ai, qendrat kryesore shqiptare si; Prizreni, Peja, Gjilani, Mitrovica, Shkupi, Manastiri, etj., nuk do të përfshiheshin në kufijtë e Shqipërisë politike, të pranuara nga Konferenca e Londrës me 1913.

“Shqiptarët në Kosovë, duke jetuar nën zgjedhën serbe, të nënçmuar dhe të përndjekur për arsye etnike, kuptuan rëndësinë e domethënies shtet kombëtar, aq më shumë, që edhe dënoheshin rëndë për përdorimin e simboleve kombëtare”, ka pohuar Krasniqi.

Lufta e tyre, ka thënë ai, përfshirë edhe përpjekjet e elitës politike shqiptare në ish-Jugosllavinë e Titos, rezultuan me jetësimin e shumë të drejtave kombëtare për shqiptarët, përfshirë përdorimin zyrtar të flamurit kombëtar (1968-1989), me përjashtim të së drejtës për shkëputje.

Historiani Krasniqi potencon se Shqipëria politike, rrënjët historike dhe të gjitha proceset politike i ka ngushtësisht të lidhura me Kosovën dhe Festa e Flamurit pa Kosovën, çdoherë ka qenë dhe është e zbehtë.

Andaj sipas tij, vetëm me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, 28 Nëntori “merr një kuptim më të plotë për shqiptaret si tërësi”.

“Institucionet shtetërore në Shqipëri dhe në Kosovë, do t’i kushtojnë vëmendje të duhur kësaj dite, atëherë kur të gjithë, si tërësi, përfshirë elitën kulturore, intelektuale, ekonomike e politike shqiptare, të kuptojnë, se vetëm si komb i qytetëruar, i fortë dhe i zhvilluar, mund të garantojmë lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë”, tha historiani Krasniqi.

Arsyet për të festuar

Ndërsa historiani Haxhi Ademi ka thënë se rëndësia e festës së 28 Nëntorit, që ndryshe në historinë shqiptare njihet edhe si ‘Nëntori i Dytë’- meqë më 28 nëntor të vitit 1444 Skënderbeu kishte nisur rezistencën ndaj Perandorisë Osmane nga Kruja- është tejet e madhe, ngase shënon momentin më sublim të kombit shqiptar, atë të çlirimit dhe të mëvetësisë së shqiptarëve, të krijimit të shtetit dhe identitetit shtetëror.

“Më 28 nëntor 1912 u shpall Pavarësia e Shqipërisë, ndonëse as një vit më pas, ajo u njoh ndërkombëtarisht e përgjysmuar, duke shkëputur nga trungu i saj Kosovën dhe viset e tjera shqiptare në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Greqi (Çamërinë). Andaj, edhe pas më shumë se një shekulli, nëntori si muaj dhe 28 Nëntori si datë, shërbejnë për ringjalljen e krenarisë kombëtare, shërbejnë për frymëzim dhe vizion edhe më të qartë për të tashmen dhe të ardhmen e kombit shqiptar”, ka thënë ai për Kallxo.com.

Sipas tij, festa e 28 Nëntorit është festa kombëtare e të gjithë shqiptarëve, ngase është shpallur Pavarësia e Shqipërisë, e cila përfshinte të gjitha territoret shqiptare.

Kurse historiani Skënder Lutfiu thotë se 28 Nëntori është festa që shqiptarëve u kujton fitoren, dinjitetin dhe identitetin kombëtare e qytetërues.

“Kjo festë është e pakapërcyeshme, e pakrahasueshme dhe e pazëvendësueshme. Ne mund të kemi festa të tjera fetare e ndërkombëtare, por një festë e kemi të gjithë shqiptarët: 28 Nëntorin, Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë”, ka thënë Shefkiu.