SHBA: Shtatë Persona me Emra Shqiptarë Akuzohen për Fajde e Bixhoz

Prokuroria amerikane ka paditur nëntë persona, shtatë prej tyre me emra shqiptarë, për fajde dhe bixhoz ilegal, të ushtruar përmes disa bizneseve në Filadelfia, ka njoftuar FBI-ja në uebfaqen e vet.

Të akuzuarit janë Ylli Gjeli 48 vjeç, Fatmir Mustafaraj 41, George Markakis 43, Gëzim Asllani 34, Rezart Rahmi Telushi 40, Eneo Jahaj 26, Ardit Pone 35 vjeç, Erion Murataj 35 vjeç dhe Brian Jackson 35 vjeç. Të gjithë këta të arrestuar më 23 gusht.

“Aktakuza ngarkon të pandehurit për drejtimin e një organizate kriminale, të ndërtuar mbi bixhoz ilegal dhe zhvatje”, tha ushtruesi i detyrës së ndihmësit të prokurorit të përgjithshëm Mythili Raman.

“Të pandehurit akuzohen se kanë viktimizuar njerëzit dy herë”, tha agjenti special i FBI-së Hanko Charge.

“Ata ofruan kredi me norma të jashtëzakonshme interesi për ata që nuk kanë pasur mundësi të marrin kredi nga burime tradicionale dhe pastaj kanë përdorur kërcënime dhe dhunë për të mbledhur këto kredi të paligjshme”, tha ai.

Sipas aktakuzës, të pandehurit dhe bashkëpunëtorët e tyre përdorën bizneset e vendosura në Filadelfia, përfshirë këtu Lion Bar, Blackbird Cafe, Ylli’s 2 Brothers, First England Pizza, dhe kafeteri tjera për të kryer aktivitetet e tyre të fajdeve dhe bixhozit ilegal.

Të akuzuarit supozohet se i kanë futur klientët e tyre të bixhozit në borxhe, duke u dhënë atyre para me fajde në mënyrë që ata të vazhdojnë bastet.

Anëtarët dhe bashkëpunëtorët e kësaj organizate akuzohen se kanë kultivuar reputacionin e tyre si njerëz të dhunshëm duke kërcënuar njerëzit më armë zjarri dhe sëpatë, duke u thënë klientëve të tyre se nëse nuk paguajnë dikush mund t’i vras, t’ua thyej këmbët apo t’i dëmtojnë ata ose familjet e tyre në ndonjë formë tjetër.

Nën një rast, padia thotë se Ylli Gjeli në bodrumin e Lion Bar, e kishte kapur sëpatën me njërën dorë dhe krahun e klientit me tjetrën. I akuzuari pastaj kishte goditur me sëpatë tavolinën vetëm pak pasi që klienti kishte larguar dorën.

Më tutje akuza thotë se Gjeli i kishte vënë këtij klienti revolen në kokë duke e kërcënuar.

Sipas akuzës të pandehurit janë munduar të fshehin veprimet e tyre, ndër të tjera gjatë bisedave në telefon duke përdorur fjalën “pica” në vend të fjalës huadhënie. 

Sipas prokurorisë amerikane, Gjeli ishte udhëheqësi dhe “bosi” i organizatës. Mustafaraj, i ashtuquajtur “Toni”, ishte poashtu udhëheqës dhe “muskuli”, i organizatës.

Të dytë sipas aktakuzës kanë drejtuar bashkëpunëtorët tjerë në dhënie të parave me fajde, kërcënime dhe dhunë ndaj klientëve, mbledhje të kësteve javore të huave, lëndime fizike, mbikëqyrje të bixhozit ilegal.

Geroge Markakais, aka “George the Greek” (Greku Gjorgj) ose “Fat George” (Gjorgji i trashë), sipas akuzës ishte udhëheqës i sektorit të bixhozit ilegal.

Erion Murataj, aka “Ben” ose “Paul”, dhe Gëzim Asllani, aka “Sam”, sipas prokurorisë ishin mbledhës, të cilët kanë ndihmuar Gjelin dhe Mustafarajn në huadhënie dhe rregullisht kanë mbledhur pagesat javore të huave nga klientët.

 Rezart Rahmi Telushi, aka “Luigi”, sipas akuzës ishte poashtu “mbledhës”.

Eneo Jahaj, aka “Nimo”, Brian Jackson, aka “Mark” dhe Ardit Pone thuhet se ishin regjistrues bastesh dhe mbledhës borxhesh.

Në uebfaqen e FBI-së thuhet se, nëse dënohen për të gjitha akuzat, Gjeli dhe Mustafaraj do të përballet me burgim të përjetshëm, ndërsa të pandehurit tjerë me një dënim maksimal prej 20 vjet burg.

Rasti është hetuar nga FBI-ja, IRS (Administrata tatimore), ICE – Zyra e Emigracionit dhe Doganave të SHBA-së, HSI – Hetuesia e Sigurimit të Atdheut, Policia e Shtetit të Pennsylvanisë, detektivët e qarkut të Montgomeryt në Pennsylvania, dhe policia e shtetit të Neë Jerseyt.

Ndërsa është duke u ndjekur penalisht nga Ndihmës Prokurori i SHBA-vë Salvatore L. Astolfi.