Foto: Departamenti Amerikan i Emigracionit dhe Doganave.

SHBA: Ballkanit i Mungojnë Mjetet për të Luftuar Terrorizmin

Të gjendur përballë një rritjeje globale të terrorizmit që ka përfshirë elemente radikale islamike në Ballkan, shumica e vendeve në rajonin e Ballkanit kanë përmirësuar dukshëm politikat kundër terrorizmit, por disa kanë ende vështirësi me mungesën e kapaciteteve, përvojës dhe burimeve, thuhet në raport i Departamentit Amerikan të Shtetit.

Raporti i Departamentit të Shtetit për vitin 2016 në lidhje me terrorizmin, i publikuar të mërkurën, e përmend Turqinë si një vend burimi dhe tranzit për luftëtarët e huaj terroristë që dëshirojnë t’i bashkohen Shtetit Islamik dhe grupeve të tjera terroriste që luftojnë në Siri dhe Irak.

Ai thekson se Turqia pësoi nëntë sulme terroriste në vitin 2016, ndërsa autoritetet turke kundër terrorizmit çuan në vdekjen ose kapjen e xhihadistëve kyç, përfshirë kreun e një celule të Shtetit Islamik në provincën Gaziantep, i cili drejtoi sulmet e Suruc (Sanliurfa) dhe të stacionit hekurudhor në Ankara në vitin 2015.

Megjithatë, raporti thotë se pavarësisht se ishte aktive në luftimin e terrorizmit xhihadist si në territorin e saj, ashtu edhe në Siri, legjislacioni turk kundër terrorizmit është përdorur gjithashtu për të shënjestruar kundërshtarët e qeverisë, gazetarët dhe aktivistët.

Në Shqipëri raporti thekson mbështetjen e saj të fortë për përpjekjet për të luftuar terrorizmin në vitin 2016. Ajo ka vazhduar të marrë pjesë në Koalicionin Global të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për të Mposhtur ISIS, duke bërë donacione të rëndësishme në armë dhe municione.

Më 4 dhe 5 nëntor, një operacion i koordinuar rajonal kundër terrorizmit çoi në arrestimin e katër personave në Shqipëri që dyshohej se kishin planifikuar një sulm në ndeshjen kualifikuese të Kupës së Botës Shqipëri-Izrael, që do të organizohej në Shkodër më 12 nëntor.

Ata u akuzuan për mbështetjen financiare dhe logjistike, rekrutimin e njerëzve në emër të Shtetit Islamik dhe promovim të gjuhës së urrejtjes.

Pavarësisht këtij progresi, korrupsioni i kombinuar me një sistem gjyqësor që funksionon në mënyrë të dobët vazhdon të pengojë përpjekjet e zbatimit të ligjit në Shqipëri në të gjitha nivelet dhe mund të pengojë gjithashtu në aktivitetet e saj kundër terrorizmit, paralajmëron raporti.

Në Bosnjë dhe Hercegovinë, ideologjitë ekstremiste islamike dhe grupet ekstremiste nacionaliste rajonale mbetën burime të mundshme të ekstremizmit të dhunshëm në vend, thekson Departamenti Amerikan i Shtetit.

Një numër shtetasish boshnjakë kanë udhëtuar në Siri dhe Irak për të mbështetur Shtetin Islamik dhe grupet e tjera terroriste, por përpjekjet e vazhdueshme për të parandaluar ekstremizmin e dhunshëm rezultuan në uljen e fluksit të luftëtarëve të huaj terroristë në krahasim me vitet e mëparshme.

Zyrtarë të Bosnjës dhe burime mediatike kanë vlerësuar se rreth 300 shtetas boshnjakë janë nisur për në destinacione si Iraku dhe Siria që nga viti 2013, rreth 50 prej të cilëve janë kthyer, lajmëroi raporti.

Raporti thotë se autoritetet boshnjake i kanë mbajtur nën vëzhgim luftëtarët e huaj dhe të dyshuarit për terrorizëm, por Task Forca Kundër Terrorizmit e drejtuar nga Zyra e Prokurorit të Shtetit ka vazhduar të ngurrojë, sidomos kur vjen puna te koordinimi midis agjencive të sigurisë dhe atyre policore të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Në Bullgari, qeveria vazhdoi të ekstradojë luftëtarë terroristë të huaj të dyshuar dhe nisi një gjyq kundër tre luftëtarëve të dyshuar terroristë sirianë si edhe dy bashkëpunëtorëve të dyshuar për bombardimin e autobusit në Burgas në vitin 2012, tha Departamenti Amerikan i Shtetit.

Bullgaria është gjithashtu një anëtare e Koalicionit Global për të Mposhtur ISIS-in dhe u është përgjigjur vazhdimisht kërkesave për ndihmë, si edhe ka siguruar armë dhe municione për luftëtarët kurdë irakianë aleatë të SHBA-së.

Në Kosovë, raportet theksuan se kërcënimi i ekstremizmit të dhunshëm islamik është rritur, i ndihmuar pjesërisht nga financimi nga organizata të huaja që predikojnë ideologji ekstremiste dhe grupe ekstremiste të dhunshme që përdorin rrjetet sociale për të përhapur propagandë dhe për të rekrutuar ndjekës.

Rreth 315 luftëtarë terroristë të huaj nga Kosova kanë udhëtuar drejt Sirisë dhe Irakut për të luftuar për Shtetin Islamik ose për Frontin al-Nusrah, degë e Al Kaedës në Siri. Rreth 58 janë vrarë, thuhet në raport.

Megjithatë, Departamenti i Shtetit tha se Kosova ka bërë progres në ndjekjen penale të të dyshuarve për terrorizëm. Vazhdojnë gjyqet për disa nga 59 të dyshuarit e arrestuar në gusht 2014 gjatë operacionit më të madh kundër terrorizmit nga ana e qeverisë deri më atëherë. Vazhdojnë gjithashtu hetimet kundër dhjetëra individëve të tjerë, përfshirë, disa imamë, ndërsa 32 individë janë arrestuar nën akuza që kanë lidhje me terrorizmin, përfshirë 18 në nëntor.

Maqedonia drejtoi tri operacione të rëndësishme kundër terrorizmit në vitin 2016, njëri prej të cilëve ishte në bashkëpunim me autoritetet në Shqipëri dhe Kosovë, duke çuar në arrestimin e 23 personave në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.

Vendi bashkëpunon me përpjekjet e SHBA-së kundër terrorizmit, duke treguar angazhimin e tij të fuqishëm me Koalicionin Global për të Mposhtur ISIS, thekson raporti i Departamentit të Shtetit.

Në mars qeveria miratoi një strategji kombëtare kundër terrorizmit, por ajo nuk ka kryer ndonjë studim zyrtar mbi nxitësit e ekstremizmit të dhunshëm në Maqedoni.

Analytica, një qendër studimore lokale, publikoi në tetor një raport që nënvizonte se faktorët shtytës të ekstremizmit në Maqedoni janë të ngjashëm ne faktorët shtytës në rang botëror; të theksuar nga margjinalizimi real dhe i perceptuar i komunitetit shqiptar në Maqedoni.

Në Serbi, shqetësimet e terrorizmit ndërkombëtar ishin të ngjashme me ato të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor që gjenden përgjatë rrugës historike tranzit midis Lindjes së Mesme dhe Europës Perëndimore – e ashtuquajtura “Rruga Ballkanike” ku qarkullojnë armët, lëndët narkotike dhe njerëzit, thuhet në raport.

Ai thekson se kriza e emigrantëve nxori në pah një sërë problemesh në sigurinë e kufirit të Serbisë, që përputheshin kryesisht me problemet që kishte edhe në vendet fqinje. Në përgjigje të krizës së emigrantëve, Serbia ka përditësuar mjetet e saj të shqyrtimit dhe sigurinë kufitare me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, por raportet theksojnë se në shqyrtimin dhe përpunimin e të dhënave ka ende boshllëqe të mëdha.