Sfidat dhe Rreziqet e Ekonomisë së Kosovës

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në deklaratën përmbyllëse ka thënë se Kosova ka shënuar progres të konsiderueshëm gjatë viteve të fundit. Është vlerësuar zbatimi i Marrëveshjes së fundit ‘Stand-by’ që ka përfunduar në muajin gusht, e cila ka siguruar disiplinë fiskale, forcim të shëndetit dhe qëndrueshmërisë së sektorit financiar, si dhe rritje më të madhe.

Përveç tjerash, FMN thotë se Kosova duhet të fokusohet në mbyllje të hendekut dhe zvogëlimin e pabarazi së të ardhurave.

“Tani, politikat duhet të fokusohen në reforma për përmirësim të aftësisë konkurruese për të mbyllur hendekun, zvogëluar pabarazinë e të ardhurave, si dhe për të pasur rritje më të fortë dhe më gjithëpërfshirëse”, thotë FMN.

Sipas FMN-së, kjo do të kërkojë masa për përmirësim të mëtejmë të produktivitetit dhe veprimtarisë së sektorit privat, avancim të mëtejmë të përbërjes buxhetore në kuadër të limiteve të rregullës fiskale dhe mbështetje të thellimit financiar, duke ruajtur stabilitetin e sektorit financiar.

FMN thotë se rritja ekonomike prej 4.1 për qind në 2017 ishte në mesin e më të lartave në rajon duke u ndikuar nga investimet dhe rritja e eksporteve. Sipas saj, remitancat dhe kredidhënia bankare, kanë ndikuar në zhvillim.

Fondi ka paralajmëruar se rritja e çmimeve (inflacioni) pritet të arrijnë në 1.5 për qind në këtë vit.

Në perspektivën afatmesme

Perspektiva afatmesme për Kosovën, FMN i sheh si të favorshme, por edhe me rreziqe. Sipas objektivave aktuale FMN thotë se rritja reale e Bruto Produktit Vendor (BPV), vitin 2018 do të jetë 4 për qind  i nxitur nga konsumi privat dhe investimet, ndërsa eksportet shënojnë kontribut gjithnjë e më të madh. FMN-ja thotë se inflacioni parashikohet të mbete pak mbi mesataren e  eurozonës 1.8 për qind duke reflektuar fitime të moderuara të produktivitetit.

“Rritja afatmesme mund të tejkalojë 4 për qind nëse realizohet projekti i planifikuar i termocentralit të ri të energjisë elektrike dhe reformat që tërheqin më shumë investime të huaja dhe vendore të sektorit privat dhe që mobilizojnë financim më të madh të Institucionet Financiare Ndërkombëtare për projektet kryesore kapitale. Megjithatë, rreziqet për stabilitetin politik mund të minojnë besimin dhe të ndalojnë reformat’, thuhet në deklaratën e FMN-së.

FMN-ja thotë se presionet e shpenzimeve sociale mund të tkurrin shpenzimet produktive. Për më tepër, varësia në remitancat vazhdon ta lë Kosovën të cenueshme ndaj goditjeve të mundshme të jashtme.

Reformat e fundit

FMN thotë se është shënuar progres në fuqizimin e rritjes ekonomike dhe ndalur deficitin fiskal por edhe në reforma strukturore.

“Kosova ka shënuar progres të konsiderueshëm në fuqizimin e rritjes ekonomike, duke frenuar deficitin fiskal dhe rritur shpenzimet në infrastrukturë, si dhe duke avancuar stabilitetin dhe thellimin e sektorit financiar. Për më tepër, është shënuar progres në reforma strukturore, siç janë inicimi i prokurimit më transparent publik (ndonëse çalon zbatimi), miratimi i ligjit të ri për falimentimin, si dhe fuqizimi i zbatimit të kontratave”, thotë deklarata.

Në anën tjetër FMN thotë se konkurrueshmëria e jashtme e dobët, informaliteti, dobësitë në qeverisje, pjesëmarrja e ulët e fuqisë punëtore dhe shkallët e larta të papunësisë veçanërisht tek të rinjtë, vazhdojnë të kufizojnë potencialin e Kosovës për rritje. Këto janë sfida të rëndësishme, që sipas FMN-së vazhdojnë të mbesin.

Sektori fiskal

Pozicioni fiskal mbetet adekuat nga perspektiva e stabilitetit ekonomik dhe e zhvillimit.

“Projektbuxheti për vitin 2018 synon një deficit prej 1.8 për qind të BPV, në përputhje me rregullat fiskale. Projektbuxheti gjithashtu mban konstante faturën e pagave si përqindje e BPV, në përputhje me rregullën e pagave”, vazhdon më tej deklarata.

Në anën tjetër përbërja e buxhetit thotë se duhet të përmirësohen që mund të tkurrin investimet në pjesë kritike.

“Presionet për më shumë shpenzime sociale janë të larta dhe kundrejt kufizimeve të të hyrave mund të tkurrin shkallën e nevojshme të investimeve në arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë, që janë kritike për të përmirësuar produktivitetin dhe rritjen”, thotë FMN në raportin e tyre për Kosovën.

Sektori financiar

Bankat e Kosovës, FMN thotë se janë të kapitalizuara mirë, likuide dhe profitabile, por mbikëqyrja e bankave mund të forcohet tutje.

FMN mirëpret uljen e kredive jo performuese dhe provizionimin e tyre, por sipas tyre duhet të vazhdojnë të forcojnë kornizën e tyre mbikëqyrëse.

Penetrimi i kredive është rritur në vitet e fundit përderisa interesi ka shënuar rënie.  Rritja e kredive, sipas FMN-së, kanë qenë të ulëta në sektorin e prodhimit.

“Për më tepër, rritja më e madhe kreditore ka qenë në lëshimin e kredive hipotekare dhe ato të pasiguruara konsumuese, ndërkohë që kreditimi për sektorët prodhues mbetet i ulët”, thuhet në dokumentin e FMN.

Zhvillimet ekonomike në vend po vlerësohen kanë shënuar progres, por ka edhe më tutje punë për tu bërë të shoqëruara me rreziqe në perspektivën afatmesëm.

Rritja ekonomike e vendit pritet ta kaloj 4 për qindëshin, por edhe çmimet pritet të jenë më të larta se në eurozonë. Në sektorin fiskal “rregulla fiskale” është garancë për politikën fiskale duke e mbajtur edhe projektbuxhetin për 2018 në 1.8 për qind, por presionet e skemave sociale rrezikojnë investimet në fusha kritike. Sektori bankarë mirë i kapitalizuara me rritje të kredive dhe rënie të normave të interesit por rritja e kredive në sektorin e prodhimit ishte më e ulët.