Alija Izetbegoviq

Seriali Turk mbi Alija Izetbegoviqin Zemëron Serbët

TRT e nisi xhirimin e mini serialit për Izetbegoviqin në fillim të këtij muaji, por tashmë ka shkaktuar më shumë debat në Bosnje dhe Hercegovinë sesa çdo program tjetër televiziv turk – përfshirë telenovelat turke që janë shumë të njohura në vend.

Milorad Dodik, presidenti i Republikës Srpska, sugjeroi me zemërim se Radio Televizioni Republika Srpska duhet të marrë në konsideratë hakmarrjen duke realizuar një film për Radovan Karaxhiqin dhe rolin e tij në atë që Dodik e përshkroi si “lufta për lirinë e popullit serb” gjatë luftës së viteve 1992-1995.

Izetbegoviq, i cili ishte presidenti i parë i Bosnjës dhe Hercegovinës moderne pasi ajo kërkoi pavarësinë nga ish-Jugosllavia, e udhëhoqi vendin dhe popullsinë e tij boshnjake deri në vdekjen e tij në vitin 2003 – por disa zyrtarë serbë të Bosnjës, si Dodiku, pohojnë se ai ishte një radikal islamik.

Megjithatë, në Turqi Izetbegoviq shihet si një burrë i madh politik shteti, shpjegoi Ahmet Tezçan, një gazetar veteran dhe skenarist kryesor në serialin e ardhshëm, i cili titullohet “Alija”.

“Askush nuk mund të flasë kundër Izetbegoviqit në Turqi. Atë e do i gjithë kombi. Ai pranohet si një lider i madh, demokrat, luftëtar i lirisë dhe ideolog nga të gjithë turqit,” tha Tezçan për BIRN.

Tezçan këmbënguli se nuk kishte ndërmend të ofendonte grupet e tjera etnike të Bosnjës me mini serialin.

“Ne vendosëm të filmonim jetën e Alijas, sepse ai është një intelektual dhe një politikan i madh,” shpjegoi Tezçan.

Osman Softiq, një ekspert boshnjak për marrëdhëniet Bosnje-Turqi, tha se shumë boshnjakë nuk e dinë se sa shumë admirohet në Turqi Izetbegoviqi, ku ai shihet si babai themelues i një kombi të pavarur si dhe udhëheqësi i boshnjakëve të tij.

“Unë mendoj se ata nuk janë të vetëdijshëm për rëndësinë historike të presidentit të ndjerë Alija Izetbegoviq në botën myslimane dhe sidomos në Turqi,” tha Softiq për BIRN.

Ai shtoi se Izetbegoviq dhe presidenti aktual turk Rexhep Tajip Erdogan kishin lidhje të ngushta deri në vdekjen e kreut boshnjak 14 vjet më parë.

Është raportuar se Erdogan ishte një nga vizitorët e fundit që u prit nga Izetbegoviq në shtratin e tij të vdekjes.

Lideri turk tha vitin e kaluar se ai vendosi ta vizitonte Izetbegoviçin pasi u informua gjatë kthimit të tij në Turqi nga një udhëtim në Europë se lideri boshnjak ishte në gjendje të keqe shëndetësore dhe ndryshoi drejtimin e avionit në mes të ajrit dhe u drejtua për në Sarajevë.

Erdogan tha se gjatë lamtumirës së tyre të fundit se Izetbegoviq i kërkoi atij që të kujdeset për Bosnjën dhe boshnjakët në vend të tij – një histori që përsëritet shpesh nga presidenti turk dhe mbështetësit e tij për të shpjeguar rëndësinë e Bosnjës për turqit dhe rëndësinë e saj në politikën e jashtme të Turqisë.

“Këto lidhje midis Turqisë dhe boshnjakëve bazohen në miqësi personale, fat historik, afinitetet ideologjik dhe fetar,” tha Softiq.

Softiq pranoi megjithatë se fakti që Turqia është bërë një lojtare e rëndësishme në Ballkan gjatë dekadës së fundit, sidomos në Bosnje dhe Hercegovinë, ka shkaktuar shqetësim midis jo-myslimanëve.

“Turqia përfundimisht rezonon mirë në Ballkan, por vetëm midis popujve myslimanë si boshnjakët, shqiptarët dhe grupet e tjera myslimane. Nga ana tjetër, ajo shqetëson popullsinë e krishterë e cila e shikon rritjen e ndikimit turk si një lloj “neo-kolonizimi”, të ashtuquajturin kërcënim neo-otoman, duke pasur parasysh historinë e kaluar të rajonit”, tha ai

Propozimi i Karaxhiqit zemëron boshnjakët

Seriali “Alija”, me regji të regjisorit boshnjak Ahmed Imamoviq dhe me aktorë turq dhe boshnjakë, po xhirohet ende dhe deri më tani kanë përfunduar vetëm dy nga gjashtë episode 90-minutëshe.

Bakir Izetbegoviq, djali i vetëm i Alija Izetbegoviq, i cili tani mban postin që mbante dikur babai i tij – anëtari boshnjak i presidencës trepalëshe të Bosnjës dhe kreu i Partisë për Veprim Demokratik, SDA – ka shprehur entuziazmin e tij rreth projektit.

“Si familja e tij, gjëja më e rëndësishme është të tregohet jeta e tij në mënyrën e duhur dhe unë jam i sigurt se seriali televiziv do të jetë shumë i suksesshëm,” tha Izetbegoviq më 11 gusht prezantimin zyrtar të produksionit.

Ndërkohë sugjerimi i Dodik se Radio Televizioni i Republikës Srpska mund të hakmerret duke realizuar një biografi të liderit politik serb të Bosnjes gjatë kohës së luftës Radovan Karaxhiq thuhet se është marrë seriozisht nga kanali.

Drejtori i përgjithshëm i RTRS, Drasko Milinoviq, tha për gazetën Novosti në Beograd më 15 gusht se kanali i tij do të ishte i gatshëm të ndërmerrte këtë “punë shumë serioze” nëse do të përfshiheshin një skenar dhe një ekip realizues i cilësisë së lartë.

Kjo gjë zemëroi shumë boshnjakë, të cilët përbuzin çdo lavdërim që i bëhet Karaxhiqit, presidentit të kohës së luftës të Republikës Srpska, i cili u dënua vitin e kaluar nga Gjykata e Hagës me 40 vjet burg për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, edhe pse ai tani po e apelon vendimin.

Por skenaristi i “Alija”, Tezçan, tha për BIRN se ai nuk ka asnjë problem me propozimin, duke u shprehur se edhe jeta e Karaxhiqit duhet të bëhet film ose serial.

“Unë personalisht e mbështes këtë ide dhe dëshiroj të them se mund ta shkruaja unë skenarin për këtë projekt të mundshëm. Sidomos, vitet e arratisjes së Karaxhiqit duhet të filmohen në mënyrë që Bosnja dhe lufta e Bosnjës të kuptohen më mirë,” tha ai.

Tezçan shtoi se pas përfundimit të serialit “Alija”, producenti kryesor i tij Sancak Medya po planifikon të realizojë një film për Izetbegoviqin dhe rolin e tij në negociatat e marrëveshjes së paqes të Dejtonit, që çoi në përfundimin e luftës në Bosnjë.

Ai këmbënguli gjithashtu se Dodik dhe të tjerët që kanë folur kundër serialit “Alija” të TRT-së do të befasohen kur ta shikojnë, sepse seriali synon të promovojë paqe dhe një Bosnjë multi-kulturore dhe multi-fetare.

“Izetbegoviqi e përkufizonte veten fillimisht si një njeri dhe më pas si një mysliman,” tha ai.