Pika Kufitare Jarinje

Serbia ende pengon qytetarët nga vendet e treta të hyjnë nga Kosova

Në raportin mbi arritjet dhe sfidat në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit që Qeveria e Kosovës ua ka dërguar deputetëve, raport ky i siguruar nga KALLXO.com, thuhet se Serbia ende pengon qytetarët nga vendet e treta që të hyjnë në Serbi nga Kosova, pavarësisht faktit se BE i ka bërë thirrje Serbisë ta zgjidh këtë çështje.

Marrëveshja për shkëmbimin sistematik elektronik të të dhënave doganore (SEE) nuk është impelmentuar nga ana e palës serbe deri në fund të vitit 2015 pavarësisht se kjo marrëveshje është bërë që nga viti 2013.

Sipas raportit, kjo marrëveshje është lidhur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me qëllim të shkëmbimit të të dhënave ndërmjet autoriteteve doganore përkatëse.

“Pala kosovare që nga viti 2013 ka qenë shumë aktive dhe serioze në themelimin e mekanizmave për shkëmbim të informatave me Serbinë lidhur me funksionimin e MIK. Që atëherë, Dogana e Kosovës i ka ndërmarrë të gjitha masat për shkëmbimin e informatave ndërmjet përdorimit të iniciativës rajonale të krijuar nga BE për shkëmbimin sistematik elektronik të të dhënave (SEED)”, thotë raporti i Qeverisë.

Tutje, thuhet se Serbia implementimin e kësaj marrëveshjeje e ka shtyrë deri në fund të vitit 2015.

“Bashkëpunimi në këtë fushë ndihmon në kontrollin më të mirë të cilësisë së eksportit dhe importit të mallrave ndërmjet të dy vendeve”, thuhet në raport.

Sipas raportit, zbatimi i marrëveshjes tjetër për arkëtimin doganor e arritur në janar të vitit 2013 në Bruksel e cila parasheh arkëtimin e detyrimeve doganore nga Dogana e Kosovës në pikat kufitare, Jarinje dhe Bërnjak, e cila ishte bllokuar për shumë vite nga pala serbe, po ecën shumë mirë.

Në raportin e Qeverisë së Kosovës thuhet se Serbia ka shkelur marrëveshjen duke përdorur ende vulat doganore serbe me emërtimet e qyteteve të Kosovës.

“Dëshmitë lidhur me këtë problem të vazhdueshëm në pikën kufitare Merdare dhe Dheu i Bardhë po regjistrohen në baza ditore. Serbia duhet ta respektoj marrëveshjen dhe t’i shfuqizoj strukturat dhe vulat e saj paralele doganore”, thuhet në raport.

Sipas raportit Serbia ka shkelur rregullat e CEFTA-s, ku palët kanë rënë dakord që të përdorin vulat e konfirmuara për të gjithë anëtarët e CEFTA-s.

“Serbia në mënyrë retorike premtoi që ta zbatonte por nuk arriti të bënte një gjë të tillë në praktikë. Për më tepër, lidhur me këtë çështje janë arritur shumë përfundime, të cilat Serbia nuk i ka zbatuar asnjëherë”, thotë raporti i Qeverisë.

Dogana e Kosovës ka hasur në disa sfida sa i përket marrëveshjes së Brukselit.

Raporti thotë se Dogana e Kosovës ka hasur në pengesa nga ana e Serbisë në ndërtimin e pikëkalimeve të përbashkëta sipas marrëveshjeve.

Serbia duhet të respektojë marrëveshjen dhe të shuajë strukturat dhe vulat doganore paralele dhe në sfidat ku Serbia ka anuluar të gjitha takimet për MIK në nivel lokal, rajonal dhe qendror.