Serbia dhe Obsesioni i Saj me Përralla Mitologjike

Në vitin 1847, poeti i njohur dhe sundimtari malazez Petar Petroviqi II – Njegosh, kishte shkruar nje poezi epike të titulluar “Kurora e Bjeshkës” në të cilën ai përshkruante peripecite e paraardhësve të vet për të vënë rend mbi fiset e ndryshme qe kacafyteshin në Malin e Zi të atëhershëm. 

Më gjerësisht, kjo poezi shtjellonte të kaluarën e Serbisë, humbjen e identitetit të saj dhe disfatën e madhe qe vendi kishte pësuar gjatë Betejës së Kosovës në vitin 1389. 

Historianë dhe kritikë të tërë kanë vlerësuar se gati asnjë figurë tjetër letrare nuk i ka kontribuuar ngritjes së mitit të Kosovës më shumë sesa që Njegoshi kishte bërë me këtë vepër letrare. “Kurora e Bjeshkës” vazhdon të mbetet një nga shkrimet më të çmueshme të literaturës së sllavëve të jugut, si dhe faktor kyç i hyjnizimit të mitit serb mbi Kosovën.

Sërgja Pavlloviq, një historian i respektuar serb, e quan vepren e Njegoshit si ” një vepër që ka zënë vend qendror në fabrikën e prodhimit të miteve të sllavëve të jugut” si dhe një mjet propagandues të shfrytëzuar nga nacionalistët serbë për të justifikuar pretendimet e tyre për Serbinë e Madhe. 

Që nga kryeministri i Serbisë gjatë Luftës së Parë Botërore, Nikolla Pashiq, e deri te Sllobodan Millosheviqi, rrëfimet lënguese, shpirtërore, e madje edhe biblike mbi Kosovën kanë formuar thelbin e fantazive politike të Serbisë, rezultat i të cilave kanë qenë pasojat katastrofike mbi popullin serb dhe fqinjët e tyre gjatë shekullit të kaluar. 

Gjenerata të tëra serbësh janë indoktrinuar nga narrativi i padrejtësive kozmike që i janë bërë popullit serb dhe kurdo që krimet ndaj popujve tjerë kryheshin në emër të Serbisë, justifikimi zyrtar bëhej se serbët këtë e bënin “në vetëmbrojtje kundër të huajve që ua kanë zënë trojet e lashta”. 

Kjo nuk do të thotë se fqinjët e tyre nuk kanë vrarë qindra e mijëra serbë (sepse një gjë e tillë ka ndodhur), por ideja e viktimizimit serb me përmasa epike është thellë e rrënjosur në psikën kombëtare serbe dhe është indikatore përse serbët sot vazhdojnë të mbrojnë krimet që janë kryer në emër të tyre. 

Kombi serb vazhdon të jetojë nën hijen e poezise së “Kurorës së Bjeshkës” dhe përrallave te ngjashme, derisa vazhdon të dyshojë thellësisht në të ardhmen e vet në familjen e madhe të shteteve evropiane. 

Historia popullore përshkruan konfliktin e lashtë mes shqiptarëve dhe serbëve si përleshje 600-vjeçare, por në fakt serbët dhe shqiptarët kanë jetuar në paqe relative për pjesën më të madhe të kësaj historie, e madje shpesh kanë luftuar krah për krah njëri-tjetrit kundër osmanlijve. 

Konflikti serbo-shqiptar filloi mbi rrënojat e Perandorisë Osmane në fillim të Shekullit XX, kur Serbia pushtoi Kosovën dhe Shqipërinë në vjeshtë të vitit 1912. Gjatë këtij procesi, ushtria serbe shkatërroi fshatra të tëra dhe kreu krime sistematike kundër shqiptarëve të Kosovës.

Siç shkruante historiani i shquar serb, Dimitrije Tucoviq në veprën e tij “Serbia dhe Shqipëria”, ishte pikërisht kjo fushatë e dhunshme e Serbisë kundër shqiptarëve që i bëri këta të fundit që të shndërrohen në armiq të përbetuar të serbëve. 

Kjo fushatë e dhunshme u zhvillua mbi pretendimet mesjetare serbe mbi Kosovën dhe në këtë mënyrë sebët aneksuan atë dhe nga ky moment urrejtja mes shqiptarëve dhe serbëve filloi të kultivohej edhe më tej, duke u shndërruar në një luftë shekullore mes këtyre dy kombeve. 

Armiqësitë të përcjella me luftëra periodike dhe dhunë, u bartën nga gjenerata në gjeneratë dhe vazhdojnë të definojnë marrëdhëniet serbo-shqiptare edhe sot.

Sot në Serbi, siç reflektohet në anketa të opinionit publik, shumica e serbëve mbesin të pa shpresë se ata do t’i përmirësojnë marrëdhëniet e tyre ndonjëherë me shqiptarët e Kosovës. 

Në tetor të vitit 2013, Qendra e Beogradit për Studime të Sigurisë dhe Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, publikuan bashkërisht një anketë të opinionit publik në Serbi dhe Kosovë mbi një sërë çështjesh të ndryshme.

Kur të intervistuarit u pyetën lidhur me mundësinë e jetesës së shqiptarëve dhe serbëve në paqe, vetëm 12 për qind të serbëve u përgjigjën pozitivisht, ndërsa edhe 24 për qind tjerë thanë “po, por me disa probleme”. E në anën tjetër, 42 për qind të shqiptarëve të Kosovës dhanë përgjigje pozitive, ndërsa edhe 27 për qind tjerë thanë që “është e mundshme, por me disa probleme”.

Përkundër vuajtjeve të tmerrshme që i përjetuan në vitin 1999, 69 për qind të shqiptarëve të Kosovës vazhdojnë të besojnë në bashkëjetesë paqësore me serbët në Kosovë, ndërsa mes serbëve në Serbi kjo përqindje arrin vetëm 36 për qind.

Siç pata shkruar edhe para dy javësh, roli i Serbisë në familjen time ka qenë kryesisht shkatërrues, duke qenë se unë jam rritur në Kosovë në periudhën më të rëndë gjatë viteve të 90-ta. 

Shumë shqiptarë të Kosovës kanë vuajtur sikur unë, por është koha që ne ta heqim zgjedhën e historisë dhe të vazhdojmë jetët tona. Në këtë mënyrë, është inkurajues fakti se si studimet e opinionit publik në Kosovë zbulojnë se shqiptarët e Kosovës janë të gatshëm dhe duan të mbyllin këtë kapitull të dhimbshëm dhe të fillojnë të ndërtojnë bashkëjetesë paqësore me fqinjët e tyre serbë. 

Edhe serbët në Serbi do duhej të lirohen nga prangat vdekjeprurëse dhe mitike të “Kurorës së Bjeshkës” dhe të fillojnë të imagjinojnë një të ardhme paqësore me shqiptarët. 

Shumë kombe dhe raca kanë kaluar nëpër konflikte të tmerrshme, në të cilat janë vrarë dhe kanë vrarë. Skllavëria e institucionalizuar në Amerikë gjatë shekujve XVIII dhe XIX përbën episodin më të turpshëm të historisë amerikane. 

E ndërsa diskriminimi racor vazhdon të ekzistojë në ShBA, presidenti amerikan sot është afrikano-amerikan. E mbase edhe më i rëndësishëm është fakti se sa herë që amerikanët e shohin Michelle Obaman, zonjën e parë, paraardhësit e së cilës ishin skllevër në vitin 1850, amerikanëve u rikujtohet rrugëtimi i vendit të tyre drejt pajtimit dhe paqes me komunitetin e racës së zezë. 

Edhe pse presidenti i tretë amerikan, Thomas Jefferson, ishte një njeri largpamës, ai ishte thellësisht gabim kur supozonte se zezakët dhe të bardhët kurrë nuk do të jenë në gjendje të jetojnë në paqe pranë njëri-tjetrit.

Ata serbë që vazhdojnë të ndjellin cinizëm të ngjashëm lidhur me paqen mes shqiptarëve dhe serbëve duhet t’i rezistojnë këtij besimi të pjekur te ta, sepse bashkëjetesa paqësore është dhe duhet të jetë prioritet kombëtar edhe për ta. 

Serbët në Serbi duhet t’i rezistojnë rrëfimit mitologjik, i cili është bërë armë e fuqishme e politikanëve të karrierës dhe horrave që kërkojnë lavdi në vargjet e “Kurorës së Bjeshkës” dhe në vepra të ngjashme fiktive. 

Edhe njëherë duhet të kujtojmë se çfarë shkruante Sërgja Popoviq: “askush s’duhet harruar faktin se [kur lexojmë ‘Kurorën e Bjeshkës’] ne jemi duke e lexuar një vepër letrare me vlera artistike… një përrallë të një shoqërie heroike e fisnore e cila përnjëherë ishte poetizuar.

Është koha që serbët t’i dëgjojnë këshillat e Popoviqit dhe t’i shijojnë këto vepra letrare, por të mos i pështjellojnë ato me realitetin.