Serbët meritojnë keqardhje për komentet raciste të Ana Bërnabiq

Duke i përshkruar kosovarët si njerëz që sapo kishin dalë nga pylli, Ana Bërnabiq nxori në pah traditën më të keqe të racizmit europian, që është një tragjedi mbi të gjitha për Serbinë demokratike.

 

“Ajo që më tremb më shumë është se në Kosovë ke të bësh me njerëz irracionalë, populistë nga ata të llojit më të keq, njerëz që kanë dalë nga pylli me kuptimin e plotë të fjalës,” tha kryeministrja e Serbisë në një konferencë për shtyp më 29 maj, duke qëndruar pranë një burokrati europian, teksa diskutonin progresin e Serbisë drejt anëtarësimit në BE.

Ana Bërnabiq më vonë shpjegoi se nuk i ishte referuar të gjithë njerëzve në Kosovë, por atyre liderëve politikë që ishin përfshirë në luftën e pavarësisë nga Serbia në vitet 1990.

Në pamje të parë, nuk kishte asgjë të keqe me deklaratën e saj. Njerëzit e Ballkanit, sidomos ata në Ballkanin Perëndimor, shpesh janë portretizuar si “njerëz malesh” nga udhëtarët europianë romantikë në shekujt e 18-të dhe 19-të. Kjo është pjesërisht arsyeja pse shumë turistë që vijnë për të vizituar këtë pjesë të Europës janë të apasionuar pas ngjitjes në male.

Edhe pse unë kam lindur në fushat pjellore të Shqipërisë së mesme, u rrita duke dëgjuar përralla për zana, nimfa mitologjike që banojnë në malet shqiptare.

Këto krijesa të bukura lahen në lumenj, mbrojnë njerëzit e ndershëm, por bëhen të pamëshirshme kur vendosin të ndëshkojnë padrejtësinë. (Mesa di unë, serbët kanë versionin e tyre të zanave, Vila). Më ka bërë gjithmonë përshtypje fakti që një kulturë e fortë patriarkale, si ajo në Ballkan, ka krijuar përralla me gra të forta si protagoniste.

Ballkanasit janë krenarë për malet e tyre. Grekët e lashtë zgjodhën Malin e Olimpit, malin më të lartë në Greqi, si shtëpinë mitike për dymbëdhjetë perënditë e tyre. Dhe rajoni ynë e merr emrin e tij nga Malet e Ballkanit.

Pra, në pamje të parë, nuk ka asgjë të keqe me deklaratën e Bërnabiq. Megjithatë, kryeministrja e Serbisë nuk po fliste për gjeografinë dhe etnologjinë; ajo po fliste për një hierarki kulturash dhe kombesh.

Ajo iu referua liderëve shqiptarë të Kosovës si njerëz që kanë zbritur nga malet me kuptimin e plotë të fjalës.

“Atyre nuk u intereson nëse ka luftë apo paqe,” tha Bërnabiq.

E përkthyer në fjalë të thjeshta, për malësorët dhe fushorët, shqiptarët janë barbarë të egër ndërsa serbët janë njerëz të civilizuar dhe paqësorë. Kjo është një gjuhë e huazuar nga kapitujt më të errët të kolonializmit dhe racizmit europian.

Nëse Bërnabiq shpresonte të nxiste reagime të dhunshme verbale ose fizike nga shqiptarët për të justifikuar komentet e saj raciste, për fat të keq, nuk ia doli mbanë. Politikanët shqiptarë i dënuan ashpër vërejtjet e saj, por pa bërë mbrapsht komente raciste.

Qytetarët e zakonshëm në Kosovë u përgjigjën nëpërmjet një hashtagu argëtues dhe tepër kreativ, #literallyjustemergingfromthewoods, duke postuar selfi të rrethuar nga maja malesh dhe pyje të gjelbëruara.

Sa u përket zyrtarëve të BE-së, ata nxorën një dënim tepër akademik, duke u dhënë udhëzime të përgjithshme sjelljeje të mirë politikanëve të Ballkanit në përgjithësi. Ata duket se e kanë përvetësuar plotësisht artin e fjalëve boshe.

Por fjalët janë të rëndësishme në politikë, ku, më shumë se kudo tjetër, ato sjellin akte dhe artikulojnë qëllime. Pra, është e rëndësishme të kuptojmë kontekstin në të cilin u thanë fjalët e Bërnabiq dhe të analizojmë shkurtimisht kush, kur dhe përse.

Pse i tha Bërnabiq këto fjalë? Këtë nuk e dimë. Ajo nuk dha ndonjë shpjegim. Megjithatë, ne dimë se në Serbi ka një lloj “tradite” të trishtueshme racizmi kundër shqiptarëve që shkon pas në histori, e institucionalizuar edhe në planet “erudite” dhe diplomatike të spastrimit etnik ndaj shqiptarëve, siç është “Drafti për Shqipërinë” i shkruar në vitin 1939 nga shkrimtari i mirënjohur Ivo Andriq. Duket se Bërnabiq dëshiron të bëhet “mbrojtëse” dhe promovuese e asaj trashëgimie të dhunshme.

Ajo zgjodhi të thoshte diçka tepër raciste në një moment kur erërat e egra të nacionalizmit dhe racizmit po fryjnë sërish në të gjithë Ballkanin dhe në të gjithë Europën.

Me vetëdije ose jo, me fjalët e saj, ajo po nxiste ato erëra të turbullta. Ky është një kërcënim jo vetëm për shqiptarët, por edhe për ata serbë që duan një Serbi demokratike që do të ketë guximin të pranojnë krimet e kryera në emër të saj.

Kur Bërnabiq u bë kryeministre e Serbisë, unë isha ndër ata njerëz që ishin të mbushur me shpresë. Ne menduam se ajo ishte një person i guximshëm. Duhet kurajë dhe guxim të dalësh hapur se je homoseksuale në vende si Serbia, apo qoftë edhe në Kosovë dhe Shqipëri.

Duke qenë se ishte pjesë e një grupi që ka qenë vazhdimisht objekt racizmi, ne shpresuam që Bërnabiq do të sillte një mendje të hapur tepër të nevojshme për kulturën e dialogut dhe tolerancës në Ballkan.

Për fat të keq, ajo nuk e bëri këtë. Për fat të keq, historia njerëzore ofron shumë shembuj kombesh dhe grupesh që kanë qenë viktima të racizmit për t’u kthyer më vonë edhe vetë autorë të këtyre të fundit. Zakonisht, etja për kokë turku ushqen racizmin. Dhe fjalët e Bërnabiqit tregojnë një nevojë të dëshpëruar për kokë turku. Sa keq që vendet nuk jetojnë dot pa koka turku.

 

Gazmend Kapllani është një autor dhe gazetar poliglot. Ai jeton dhe jep mësim në Çikago. Romani i tij i ri dhe i katërt “Wrongland”, i botuar tashmë në shqip dhe greqisht, do të botohet në frëngjisht këtë shtator (Ed Intervalles). Në veprat e tij Kapllani eksploron se si totalitarizmi, emigracioni, kufijtë dhe historia ballkanase kanë formësuar jetët private dhe narrativat personale.

Mendimet e shprehura janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.

 

06 Qershor 2019 - 14:19

Gazmend Kapllani | BIRN | Çikago 06/06/2019 - 14:19
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend