Një grup konservator i quajtur "Populli vendos" qëndron pas nismës për referendumin. Foto: Anadolu/Stipe Majic.

Serbët e Kroacisë: Gur shahu në lojën e djathtistëve

Çfarë paradoksi! Njëkohësisht me marrjen e presidencës së radhës të Këshillit të Bashkimit Europian, Kroacia po përballet me një valë manifestimesh populiste dhe politike që kërcënojnë të shkundin mirë institucionet dhe strukturën e sistemit ligjor të anëtarit më të ri të BE-së.

Fokusi i publikut kroat është në një referendum që ka shumë gjasa të mbahet, i cili mund të sjellë ndryshime në të drejtat e pakicave kombëtare në Kroaci dhe ndryshime në ligjin zgjedhor.

Një grup civil klerikal i quajtur “Populli vendos” i bëri thirrje votuesve kroatë që të mbështesin nismën e tij për referendum dhe butë-butë ka mbledhur rreth 400,000 firma, të barabarta me 10 për qind të elektoratit të Kroacisë.

Të dy propozimet e referendumit godasin në thelb Kroacinë moderne.

Sa i përket pakicave, në rast të një votimi “po” në referendumin e propozuar, deputetëve nga grupet e pakicave do t’u mohohen të drejta të tilla si e drejta e votimit për formimin e qeverisë kroate ose në lidhje me buxhetin, ndërsa ligji elektoral i amenduar do të rezultonte në më pak deputetë, sidomos ata që përfaqësojnë pakicat kombëtare.

Të marra së bashku, këto ndryshime do të dëmtonin themelet kushtetuese të vendit dhe do të ishin në kundërshtim me një sërë detyrimesh që Kroacia ndërmori në procesin e njohjes së saj ndërkombëtare, si dhe në dokumentet e saj të pranimit në BE.

Shkurtimisht, kjo do t’i privonte pakicat kombëtare në Kroaci nga të drejtat e tyre të fituara me pasoja që vështirë të mund të imagjinohen në vend dhe në nivel ndërkombëtar.

Kryeministri Andrej Plenkoviq është padyshim i vetëdijshëm për këtë, pasi ai ka njoftuar se do të vërë në punë çdo instrument politik dhe ligjor për të shtypur këtë nismë.

Megjithatë, presidentja e Kroacisë nuk e ka shprehur qartë mendimin e saj për referendumin. Ndryshe nga kryeministri, presidentja Kolinda Grabar Kitaroviq ka vazhduar praktikën e saj populiste për të kënaqur ekstremin e djathtë dhe ka theksuar nevojën për të respektuar “vullnetin popullor”.

Siç pritej, nisma është dënuar fuqimisht nga anëtarët e komunitetit serb në Kroaci, të cilët kanë pretenduar se serbët janë shfrytëzuar si një element motivues në iniciativën për mbledhjen e nënshkrimeve për referendumin.

Përgjigjet nga pakicat e tjera nuk kanë qenë më të buta. Reagimi i Romës, vigjilente për pozitën e italianëve në Kroaci, mund të jetë delikat sidomos për zyrtarët e Zagrebit.

Interesi i Serbisë në këtë rast është i legjitim dhe ligjor, pasi pakicat kombëtare janë një çështje e trajtuar nga një marrëveshje ndërshtetërore me Kroacinë.

Një votim “po” në referendum do të ishte në kundërshtim me marrëveshjen, zbatimi i të cilës është tashmë i ngadaltë dhe sfidues.

Normalizimi i marrëdhënieve pas luftës civile dhe shpërbërjes së dhunshme të ish-Jugosllavisë është një detyrë që ka marrë shumë kohë për t’u përfunduar.

Njëzet e dy vjet pas njohjes reciproke, Serbia dhe Kroacia kanë trajtuar vetëm pjesërisht disa çështje të pazgjidhura.

Një prej tyre është pozita e serbëve në Kroaci dhe e kroatëve në Serbi. Kërcënimi më i madh në të dy vendet është përdorimi i këtyre pakicave për qëllime të politikave të brendshme, përfshirë stigmatizimin, imponimin e fajit kolektiv dhe mohimin e të drejtës për të ruajtur identitetin e tyre.

Duke parë nga e ardhmja, mund të arrihet në përfundimin se çështjet e pakicave do të jenë sfida më e madhe për marrëdhëniet dypalëshe.

Kufijtë e pacaktuar dhe çështjet e trashëgimisë nga ish Jugosllavia – prona, personat e zhdukur dhe krimet e luftës ndër të tjera – janë dy grupe të tjera çështjesh të pazgjidhura.

Propozimi i referendumit erdhi në një kohë të një numri në rritje të raporteve negative mbi gjendjen e demokracisë në Kroaci, sidomos në sferën e të drejtave dhe pozitës së pakicave kombëtare, si dhe në sferën e qëndrimit pasiv të vendit ndaj manifestimeve në rritje të pikëpamjeve politike të ekstremit të djathtë të ndërthurua me mesazhe neo-fashiste (ustashe).

Ndër to, dy dokumente kanë peshë të veçantë. Një nga Departamenti Amerikan i Shtetit, në formën e një raporti vjetor mbi liritë fetare, paralajmëron për çështjet e pazgjidhura në lidhje me serbët dhe hebrenjtë në Kroaci. Tjetri, nga Komisioni Europian Kundër Racizmit dhe Intolerancës i Këshillit të Europës, thotë se gjuha e urrejtjes dhe retorika raciste janë në rritje në Kroaci, duke synuar kryesisht serbët, personat LGBT dhe romët.

Ekziston edhe një dokument tjetër jashtëzakonisht i rëndësishëm. Raporti i publikuar kohët e fundit dhe i besueshëm nga Këshilli Kombëtar Serb, një organizatë e serbëve në Kroaci, komuniteti më i madh indigjen i serbëve në një shtet anëtar të BE-së, i cili ka një traditë të thellë antifashiste dhe demokratike.

Për ata që ndjekin zhvillimet në Kroaci, kjo nuk do të jetë befasi – për katër vite me radhë, raporti përmban vlerësime negative dhe incidente të listuara për të mbështetur pretendimet e tij.

Një çështje e tillë kaq delikate është në agjendë në Kroaci në një kohë kur qeveria kroate, e varur shumë te mbështetja e votave të deputetëve serbë dhe të pakicave të tjera në Sabor (parlamenti kroat) po përballet me vështirësi të tjera, skandali i Agrokorit mbi gjithçka tjetër. Për më tepër, Bashkimi Demokratik Kroat në pushtet, HDZ, po përballet me tensionet në rritje brenda partisë, me shenja të një lufte për pushtet.

Duke e parë nga Serbia, dy aspekte të këtij qëndrimi retrogjen ndaj komunitetit serb të Kroacisë janë të një rëndësie të veçantë: ndikimi i mundshëm i tij në marrëdhëniet dypalëshe dhe në aspiratat e Serbisë lidhur me anëtarësimin e saj në BE.

Pas shpërthimit të akuzave të ndërsjella dhe përfundimit të një vizite nga kryetari i Saborit në Beograd, në marrëdhëniet dypalëshe aktualisht mbizotëron heshtja. Nuk ka pasur komente për fushatën e referendumit nga figurat më të larta politike në Beograd. Deri së fundmi, një mundësi e tillë do të ishte shfrytëzuar për të ofruar një breshëri akuzash, edhe pse mënyra më e mirë që Serbia të tregojë kujdes të besueshëm për serbët në Kroaci është duke trajtuar mirë grupet e veta minoritare.

Megjithatë, ky do të jetë një faktor shqetësues serioz në marrëdhëniet tashmë komplekse dhe sfiduese mes dy vendeve. Dhe kjo do të shkaktojë gëzim te ekstremi i djathtë i Serbisë – similis simili gaudet.

Përsa i takon integrimit europian, Kroacia po përgatitet të marrë presidencën e BE-së në vitin 2020 dhe mosmarrëveshjet rreth pakicave në këtë periudhë do të ishin të dëmshme për reputacionin e vendit. Duhet pasur parasysh se Zagrebi e ka shfrytëzuar çështjen e pozitës së kroatëve në Serbi për të vënë kushte në hapjen e disa kapitujve negociues në procesin e pranimit të Serbisë në BE.

Aktivitetet e “Populli vendos” e kanë nxjerrë xhindin nga shishja. Kontestimi i të drejtave të pakicave, para së gjithash, e ka kthyer vazhdimisht në një problem minoritetin serb të vendit dhe është e vështirë të besohet se iniciatorët do të tërheqin nismën e tyre të referendumit.

Përkundrazi, duket e mundshme që një fuqi e re populiste, klerike dhe politike e ekstremit të djathtë ka filluar të shfaqet në Kroaci.

 

Milan Simurdiq është një shkencëtar politik serb dhe një ish-diplomat. Ai ka qenë ambasador i Beogradit në Zagreb midis viteve 2001 dhe 2005 dhe në Norvegji midis viteve 2010 dhe 2015.

Opinionet e shprehura në sektorin e Komenteve janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.