Seancat e dështuara për shkak të mos koordinimit, pritet të rifillojnë këtë javë

Javëve të fundit në Kuvendin e Kosovës janë dorëzuar disa kërkesa për debate parlamentare, por asnjëra prej tyre nuk ka arritur të përfundojë duke vazhduar kështu bllokadën që po ndodhë në legjislativ tash e disa muaj.

Situata e parë me paqartësi në Kuvend, ishte kur kryeministri i Kosovës,  Ramush Haradinaj kishte kërkuar seancë të jashtëzakonshme për t’u votuar ligjet të cilat janë në agjendë evropiane, respektivisht ato ligje që lidhen me liberalizimin e vizave.

Por një kërkesë e tillë ishte kundërshtuar nga Komisioni për Legjislacion, anëtarët e të cilit i thanë kryeministrit që ta tërheq kërkesën pasi është në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit. Megjithatë, seanca për këtë çështje ishte thirrur për t’u mbajtur.

Kjo seancë ishte hapur me 13 nëntor me 41 deputet prezentë. Deputetët atë ditë u përfshinë në debat për mbajtjen ose jo të seancës së thirrur nga kryeministri.

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi njëherësh anëtar i Komisionit për Legjislacion pati thënë se seanca nuk mund të mbahet pasi kryeministri Ramush Haradinaj nuk mund të thërrasë seancë të jashtëzakonshme për lexim të dytë.

“Kryeministri nuk mund të thërras seancë të jashtëzakonshme për ligje në shqyrtim të dytë”, u shpreh deputeti.

Mendim të njëjtë kishte edhe Albulena Haxhiu, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje.

Haxhiu tha se kryeministri ka të drejtë të thërras seancë të jashtëzakonshme, por qeveria nuk ka të drejtë t`i kërkoj kohë të caktuar për votim në shqyrtim të dytë të projektligjeve.

“Nuk mund të ndërhyj qeveria në punën e Kuvendit dhe t`i tregoj se kur duhet Kuvendi t’i votoj ato projektligje”, kishte thënë deputetja.

Kurse Dardan Sejdiu në emër të PSD-së  kishte vlerësuar se nuk ka më arsye që ky subjekt politik të qëndrojë në seancë.

Edhe partitë në pushtet ishin kundër mbajtjes së kësaj seance.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi tha se kanë ardhur për shkak të procedurave, pasi është thirrur seanca.

“Krejt e dimë që sot seanca nuk mbahet sepse ne jemi pajtuar që kjo seancë të mos mbahet, por për shkak të rregullores jemi sot këtu”, kishte thënë Krasniqi.

Ndërkaq, nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti e arsyetoi mos-koordinimin e  legjislativit, ku tha se Kryesia edhe deputetet nuk janë në emergjencë që të rrinë kujdestar që sa herë dërgohen letra t’i shqyrtojnë ata.

Ai e kishte mbyllur këtë seancë të jashtëzakonshme duke konstatuar që seanca nuk ka qenë e përgatitur për t`u thirr edhe pse është bërë kërkesa.

Gjatë tërë kësaj tollovie edhe partitë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kishin kërkuar debat parlamentar për dështimet e diplomacisë kosovare.

Tri ditë më vonë deputetët u mblodhën për këtë seancë të jashtëzakonshme, por ajo dështoi të mbahet pasi që kabineti qeveritar nuk ishte prezent në seancë.

Deputetët me 58 vota për, 5 kundër dhe asnjë abstenim kishin vendosur që kjo seancë të shtyhet për një datë tjetër.

KDI: Bojkotimet e seancave, praktikë normale drejt bllokimit

Agnesa Haxhiu nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), që monitoron punën e Kuvendit, ka thënë për KALLXO.com, se dështimet e seancave të javëve të fundit kanë ardhur më shumë si rezultat i mungesës së koordinimit mes grupeve parlamentare dhe të Kryesisë së Kuvendit.

Sipas saj, disa herë është duke u përsëritur e njëjta situatë, ku seancat dështojnë sepse nuk ka pajtueshmëri mes grupeve parlamentare që ajo të mbahet në një datë të caktuar, por Kryesia i thërret ato.

“Bojkotimi i dyanshëm që ka filluar të ndodhë me fillim të sesionit vjeshtor, ku në seancat që thirren me kërkesë të opozitës nuk marrin pjesë partitë në pushtet dhe anasjelltas, tashmë po shkon drejt normalizimit si praktikë dhe kjo normalisht që vetëm sa i kontribuon bllokadës, në të cilën gjendet Kuvendi tash e disa muaj”, theksoi Haxhiu.

Ajo ndër të tjerash vlerëson se më e rëndësishme se mbarëvajtja e këtyre seancave, padyshim është rezultati që do ta prodhojnë.

“Projektligjet që dalin nga Agjenda për Reforma Evropiane do të duhej të ishin prioritet i Kuvendit, dhe meqë tashmë kanë marrë miratim nga komisionet përkatëse dhe në përputhje me afatet kohore të përcaktuara me Rregullore është më se e nevojshme që ato të miratohen”, tha ajo.

Monitoruesja e legjislativit Haxhiu, shton se rekomandimet ose rezoluta që dalin nga debatet parlamentare qoftë ky për performancën e MPJ-së ose për debati në lidhje me sanksionet ekonomike dhe politike ndaj Serbisë, është e rëndësishme që Kuvendi pasi t’i miratoj ato të kujdeset që institucioni të cilit i drejtohet të anagazhohet për respektimin e asaj rezolute ose rekomandimi.

Ndërkohë, Kryesia e Kuvendit për këtë javë e ka caktuar mbajtjen e seancave që janë ndërprerë javën e kaluar.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli më 19 nëntor pas mbledhjes së Kryesisë, kishte deklaruar para mediave se ditën e enjte me 22 nëntor do të ketë vazhdim të seancës së kërkuar nga LDK dhe LVV dhe të premten do ta ketë seancë me vazhdimin e pikave të mbetura dhe një seance e re plenare.

Së fundi edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Korab Sejdiu së bashku me 12 deputetë të tjerë opozitar kanë bërë kërkesë për një tjetër debat parlamentar në lidhje me sanksionet ekonomike dhe politike ndaj Serbisë.