Seanca e parë e Kuvendit: Vonesa, ofendime e mungesë kuorumi

Kuvendi i Kosovës sot ka mbajtur seancën e parë plenare për vitin 2019,e cila shënoi edhe fillimin e sesionit pranveror.

Me një numër të konsiderueshëm të pikave në rend dite (gjithsej 30), seanca e sotme si në shumicën dërrmuese të rasteve të sesionit të kaluar, nisi me vonesë. Sot për rreth 1 orë e gjysmë.

Në pikën e parë – Koha për deklarime jashtë rendit të ditës, ishte deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës (PDK) Flora Brovina, ajo e cila shprehu shqetësimet e saja për gjuhën e përdorur nga kolegët e saj.

Deputetja Brovina kërkoi që rivaliteti politik të mos shprehet me ofendime.

“Jo vetëm nga mediat dhe Facebook-u po gjuha politike e papërshtatshme po bëhet më e rëndë. Është e paargumentuar dhe e pabazuar. Po e fyejmë rëndë njëri-tjetrin, po e etiketojmë njëri-tjetrin si tradhtar dhe kriminel, vetëm pse i kemi rivalë politikë”, deklaroi ajo.

Por sikur të mos mjaftonte qëndrimi i deputetes për “fjalët e papërshtatshme” të deputetëve në Kuvend, ishte deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, i cili kolegët e tij i quajti “gënjeshtarë”, “manipulues” e “demagogë”.

Deputeti Zeka kërkoi nga mësimdhënësit ta që ta ndërpresin grevën dhe të mos “nxiten” nga deputetët  që të vazhdojnë bojkotin.

“U bëj thirrje të gjithë mësuesve, të gjithë punëtorëve të arsimit, të kthehen në vendet e punës dhe të mos dëgjojnë deputetët demagogë që rrejnë dhe manipulojnë publikisht, që i hedhin benzinë zjarrit të Kosovës vetëm për do vota të mjera. Dhe këtë e bëjnë ata deputetë që në jetën e tyre kurrë nuk kanë pasur dhe nuk do të kenë perspektivë”, u shpreh deputeti i Nismës.

I ashpër në qëndrime u tregua edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

I orientuar në kritikat e tij për procesin e dialogut me Serbinë, Kurti e akuzoi presidentin Thaçi për “sjelljen në lojë” të Rusisë.

Deputeti opozitar e përmendi edhe idenë për “korrigjimin e kufirit”.

“Ndarja e Kosovës që emërohet herë si shkëmbim territorial, e herë si korrigjim i kufirit. Në vitin e kaluar presidenti paralajmëroi kompromis të dhimbshëm, ndërkaq në këtë vit e filloi duke shprehur gatishmëri dhe vullnet për kompromise me Serbinë, në marrëveshjen e cila na qenka afër”, tha mes tjerash lideri i LVV-së.

Legjislativi kaloi edhe në pikën e dytë të rendit të ditës- Koha për pyetje parlamentare.

Shumë deputetë parashtruan pyetje për zyrtarët qeveritarë, edhe pse në sallën e Kuvendit kishte mungesa të disa ministrave, përfshirë edhe të vet kryeministrit Ramush Haradinaj.

Disa nga pyetjet e deputetëve iu drejtuan ministrit të Arsimit, Shyqyri Bytyqi dhe atij të Kulturës, Kujtim Gashi.

Ministri Bytyqi u pyet për vështirësitë e disa studentëve të Fakultetit të Edukimit për vulosjen e diplomave të tyre të nivelit bachelor.

Për këtë çështje ministri u zotua se do ta shtjellojnë si dhe u arsyetua se “ka akumulim të problemeve”.

Instrumenti i Lahutës, ishte një çështje tjetër e cila u fol në seancën e sotme.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi në seancën e Kuvendit ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Kulturës për hapat e ndërmarr, pasi Serbia e ka regjistruar lahutën si instrument të sajën të trashëgimisë kulturore.

Ndërkaq, ministri i Kulturës, Kujtim Gashi tha se nuk kanë mundur të bëjnë ankesa në UNESCO, pasi Kosova nuk është anëtare e kësaj organizate.

Ministri shtoi se MKRS-ja ka bërë përpjekje që ta kompletojë inventarin e trashëgimisë përfshirë lahutën dhe Eposin e Kreshnikëve.

Ndërkaq, Xhelal Sveçla deputet i LVV-së, në seancën e sotme të Kuvendit ka pyetur ministrin e Financave, Bedri  Hamza se çfarë masa kanë marrë për ta luftuar kontrabandën pas vendosjes së taksës 100 për qind për produktet e Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

Me këtë rast, ministri Hamza tha se janë mbledhur të gjithë akterët për luftimin e kësaj dukurie.

https://kallxo.com/hamza-po-punohet-24-ore-per-ta-luftuar-kontrabanden-me-mallra-serbe/

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” ka shfaqur hulumtimin për rrjetet shqiptaro-serbe të kontrabandës në veri të Kosovës.

Rrjetet shqiptaro-serbe të kontrabandës në veri

“Përplasjet” mes deputetëve

Në seancën e parë të këtij sesioni, nuk mund të mungonin edhe polemikat mes deputetëve kryesisht të atyre pozitë-opozitë.

Njëra ndër to ishte mes ministrit të Financave, Bedri Hamza dhe deputetes së Vetëvendosjes, Albulena Haxhiut.

Ndonëse është paraparë që buxheti për vitin 2019 të votohet në një seancë të radhës, deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu kërkoi nga ministri i financave, Bedri Hamza  përgjigje se pse janë duke e shpenzuar buxhetin e vitit 2019 dhe e akuzoi atë se ka bërë vepër penale duke shpenzuar buxhetin.

Ndërsa ministri Hamza, deputeten Haxhiu e konsideroi si juriste shumë të dobët.

“Ju jeni juriste edhe me ju ndi çka jeni tu folë tash sinqerisht është çudi. U befasova, nuk je ma e mirë se shumë juristë që e kanë interpretua. Mos e blloko ligjin në Komision, mos i dëmto qindra mijëra pensionistë me i marrë pensionet me rritje. Kryeje punën. Përgjigjja ime mundet mos me t’pëlqye. Ti je aq juriste e dobët sa krejt rastet gjykata t’i ka hedhur poshtë, se nuk ke lidhje me profesionin”, tha ministri Hamza.

https://kallxo.com/bedri-hamza-albulena-haxhiut-ti-je-aq-juriste-e-dobet-sa-krejt-rastet-gjykata-ti-ka-hedhur-poshte/

“Thumbimet” mes deputetëve vazhduan edhe mes deputetëve të PDK-së dhe LDK-së.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, u përfshi në polemika me deputetin e PDK-së, Bekim Haxhiu, gjatë diskutimeve në Kuvend për ligjin për Lirinë e Asocimit në Organizata Joqeveritare.

Madje, Haxhiu i tha Bajramit: “Si ministre ke qenë e qetë, si deputete po nervozohesh”.

Cilat ligje (nuk) u miratuan deri më tani në Kuvend?

Për shkak të mungesës së kuorumit dhe paqartësive të disa pikave të rendit të ditës, Kuvendit arriti të miratojë vetëm disa marrëveshje ndërkombëtare.

Edhe pse nuk ishte në rend dite, përmes një mocioni procedural Komisioni për Buxhet kërkoi që të zgjatet afati për shpenzim të buxhetit deri sa buxheti të hyjë në fuqi, por Kuvendi nuk ia lejoi qeverisë të shfrytëzojë arkën e shtetit, pa u miratuar buxheti 2019 në lexim të dytë.

Përderisa Kuvendi shkoi në pauzën e parë, në anën tjetër u mblodh Kryesia e Kuvendit dhe seanca për buxhetin u caktua për datën 2 shkurt 2019.

https://kallxo.com/me-2-shkurt-seanca-per-buxhetin-e-vitit-2019-psd-pret-permbushjen-e-kushteve/

Gjatë kësaj seancë, deputetët u përfshinë në debat edhe për Ligjin për Lirinë e Asocimit të Organizatave Joqeveritare.

Mirëpo pas debatit, shumica e deputetëve ranë dakord që të organizohet një ekspertizë për të vërtetuar pretendimet e kryetarit të Komisionit për Administratë Publike, Nait Hasanit, në një anë dhe në anën tjetër pretendimet e presidentit Thaçi të iniciuara nga OJQ-të për shkak të paqartësive brenda ligjit.

Pra, për shkak të paqartësive është shtyrë votimi i Ligjit për Lirinë e Asocimit të OJQ-ve.

Në anën tjetër, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me furnizim me ujë të pijshëm dhe rrjet të kanalizimit në disa komuna të Kosovës.

Ndërkaq, me 63 vota për deputetët kanë votuar që Ligji për financimin e subjekteve politike të hiqet nga rendit i ditës.

Nga rendi i ditës është tërhequr edhe shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare në mes të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës dhe Stitching Spark të Holandës (“SPARK”) mbi mbështetjen e Kolegjit Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë.

Ky vendim u mor nga përfaqësuesit qeveritarë, pasi që projektligji është dërguar në Kuvend pa u shqyrtuar në komisionin përkatës parlamentar.

Ndërkaq, njëra nga marrëveshjet ndërkombëtare nuk i ka marrë votat e nevojshme për miratim. Bëhet fjalë për shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Protokollin Shtesë 5 të Marrëveshjes për Amendimin dhe Aderimin në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore.

Kuvendi ka miratuar edhe Projektligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.

Marrëveshjet ndërkombëtare që u miratuan në Kuvend gjatë seancës së sotme janë:

  1. Shqyrtimi i Projektligjit nr.06/L-136 për ratifikimin e Marrëveshjes për Kredi ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Unicredit Bank Austria Ag për Projektin e sistemit për largimin e ujërave të zeza për komunën e Podujevës.
  2. Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave në nivel të studimeve master ndërmjet Ambasadës së Francës në Prishtinë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
  3. Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Raiffeisen Bank International AG për Projektin e ndërtimit të sistemit të furnizimit me ujë të pijshëm për Komunën e Ferizajt
  4. Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Unicredit Bank Austria AG në lidhje me financimin e Projektit për ndërtimin e sistemit të kanalizimit për komunën e Shtimes.
  5. Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes Republikës së Kosovës dhe Unicredit Bank Austria AG si huadhënës lidhur me financimin e Projektit ndërtimi i sistemit të furnizimit me ujë për komunën e Graçanicës.
  6. Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Unicredit Bank Austria AG në lidhje me financimin e Projektit për ndërtimin e sistemit të ujësjellësit për komunën e Istogut.

Kuvendi ka diskutuar edhe Projektligjin për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë në institucionet publike dhe të të zgjedhurve.

Për shkak të mungesës së kuorumit për votim, nënkryetari Xhavit Haliti paralajmëroi se seanca do të vazhdojë vetëm me diskutimet dhe shqyrtimet e projektligjeve, para se të përfundojë dhe disa pika të rendit të ditës u shtynë për seancën e të shtunës.