Samiti i Berlinit, prill 2019 - Foto: Ramush Haradinaj/Facebook

Samiti i Parisit, përpjekja e radhës për të nxitur vazhdimin e dialogut Kosovë- Serbi

Samiti i Parisit, nikoqir i të cilit është presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i paralajmëruar të mbahet më 1 korrik, do të mbledhë përfaqësuesit e shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Por vera pritet të jetë më e nxehtë këtë fillim korriku për Kosovën dhe Serbinë, pasi në Paris në fokus do të jenë raportet ndërmjet dy shteteve dhe përpjekja europiane e radhës për nxitjen e vazhdimit të negociatave për normalizimin e marrëdhënieve.

Ndërkohë, pala kosovare po shpreh gatishmërinë që të jetë pjesë e Samitit të Parisit, ndonëse ajo serbe pati paralajmëruar mundësinë e mosmbajtjes së tij.

Megjithatë, njohës të çështjeve politike në vend theksojnë se Samiti i Parisit do të rikonfirmojë që ideja për ‘korrigjimin e kufijve’ nuk është opsion për zgjidhjen e çështjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Edhe deputetë opozitarë kanë theksuar se dialogu duhet të vazhdojë pa u kontestuar shtetësia e Kosovës.

Në anën tjetër, zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi, ka thënë se Kosova është e gatshme të jetë pjesë e Samitit të Parisit dhe e bisedimeve.

“Se a do të mbahet apo jo ky Samit, varet prej palës franceze dhe organizatorëve të tij”, ka shtuar ajo për Gazetën Jeta në Kosovë.

Kurse, deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani në Emisionin Jeta në Kosovë, ditë më parë, ka thënë se dialogu duhet të vazhdohet me parime, me ide e me vija të kuqe e jo të kontestohet ekzistenca e Kosovës si shtet, që sipas saj ka ndodhur në momentin e hapjes së temës së kufijve.

“Nëse ne duam ta kthejmë në binarë këtë proces duhet të krijojmë parimet themelore mbi të cilat negociojmë dhe secili ta kuptojë, në Kosovë e në Serbi, që nuk ka paqe pa drejtësi sepse në Kosovë nuk ka pasur drejtësi në asnjë rast të vetëm, për të gjitha viktimat dhe nuk mund thjeshtë të shkelim mbi këtë sikur të mos ketë ndodhur asgjë…”, kishte theksuar deputetja Osmani.

Ndërsa, Taulant Kryeziu nga Instituti EPIK thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se Samiti i Parisit do ta rikonfirmojë që ideja e shkëmbimit territorial nuk është opsion për zgjidhjen e çështjes në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo duhet të zgjidhet brenda kuadrit kushtetues të Republikë së Kosovës duke afirmuar ato të drejta për pakicat në Kosovë të cilat i garanton Pakoja e Ahtisaarit dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, pra njëherë e përgjithmonë do të përjashtohet mundësia që territori me qenë objekt diskutimi në kuadër të negociatave”, shtoi ai.

Sipas Kryeziut, zgjidhja e çështjes së Kosovës do të rezultojë pozitive kur do të ketë një ujdi në mes të dy anëve të Atlantikut, në mes të Gjermanisë dhe ShBA-së.

“Momentalisht, ekipi dialogues nuk ka as legjitimitet politik, por as legalitet kushtetues për temën për të cilën po flasim, ku mungojnë afërisht 45 deputetë shqiptarë që nuk janë pjesë e këtij procesi. Prandaj pa ndërtuar një konsensus të një shumice të kualifikuar është e pamundur me arrit një marrëveshje pozitive ndërmjet të dyja vendeve”, tha tutje ai.

Ndërkaq, javën e kaluar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kishte thënë se  është shumë e mundshme që të mos mbahet takimi në Paris.

“Është shumë e mundshme ose pothuajse e mundshme që takimi i 1 korrikut nuk do të ndodhë, sepse ka pak mundësi që Prishtina të heqë tarifat për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina deri atëherë”, ka thënë presidenti serb.

Vetëm një ditë më pas, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, kishte thënë se Samiti i Parisit mund të mos mbahet por jo për fajin e Kosovës.

“Edhe nëse nuk ndodh Parisi, që mund të mos ndodhë, por jo për fajin e Kosovës, edhe në vjeshtë, nëse rikthehet dialogu te Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, që do të emërohet pas Mogherinit, prapë duhet një kornizë marrëveshje në mënyrë që të dihet për çka po zhvillohet dialogu. Pa këtë marrëveshje kornizë të njohjes reciproke Kosovë-Serbi, nuk ka logjikë”, ka thënë Haradinaj.

Samiti i Parisit pason pak kohë pas mbajtjes së atij të Berlinit në fund të muajit prill, i cili ishte thirrur nga kancelarja gjermane Angela Merkel.

Procesi i dialogut Kosovë-Serbi ka stagnuar pas vendosjes së takës 100 për qind nga Qeveria e Kosovës ndaj produkteve serbe dhe boshnjake, me ç’rast Serbia i ka bojkotuar negociatat.

17 Qershor 2019 - 17:04

Emirjeta Vllahiu and 17/06/2019 - 17:04
NDËRVEPRIMI0

KRYESORE

Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend