Presidenti rus, Vladimir Putin dhe ai turk, Recep Tayyip Erdogan - Foto: REL/TASS

Rusia dhe Turqia mbeten rivalë në Ballkan

Me tregtinë e tyre të lulëzuar, pozicionet e përbashkëta dhe nismat në Siri, synimet e Turqisë për të blerë një sistem raketor anti-ajror rus dhe frustrimet e tyre të përbashkëta me Perëndimin, marrëdhëniet ruso-turke duket të jenë në kulmin e tyre.

Megjithatë, ato mbeten në mosmarrëveshje për çështje të rëndësishme, duke përfshirë Ballkanin, ku të dy vendet ishin pozicionuar historikisht në anët e kundërta të ndarjes etnike dhe fetare të rajonit.

Pothuajse gjashtë shekuj sundim otoman mbi pjesë të Ballkanit kanë krijuar lidhje të ngushta familjare, politike, fetare dhe kulturore midis turqve dhe myslimanëve të Ballkanit.

Në të njëjtën kohë, Rusia ka ushqyer prej shumë kohësh marrëdhënie speciale me kombet ortodokse në rajon.

Brenda këtij konteksti historik dhe mes tensioneve të vazhdueshme mes myslimanëve lokalë dhe të krishterëve ortodoksë, afrimi midis Rusisë dhe Turqisë ka sjellë disa situata të çuditshme dhe konfuze.

Megjithatë, rënia e ndikimit të BE-së dhe SHBA-së në Ballkan ka krijuar një vakum pushteti që Rusia dhe Turqia janë të lumtura ta mbushin dhe ta shfrytëzojnë.

Sipas disa ekspertëve, Rusia dhe Turqia – individualisht, por edhe më shumë në mënyrë të përbashkët – tani mund të kenë fuqinë që të maten dhe mundësisht edhe ta lënë në hije mbështetjen e amerikanëve dhe europianëve në rajon.

Erdogan- Putin | Foto: Pavel Golovkin/AP

Megjithatë, disa ekspertë thonë gjithashtu se ndërsa Rusia dhe Turqia duken më të mirë në lojëra politike ballkanike sesa amerikanët apo europianët, ato i kushtojnë pak vëmendje Ballkanit dhe nuk duket se kanë një pikëpamje apo strategji të qartë në rajonin e paqëndrueshëm.

Kerim Has, një ekspert i politikës së jashtme turke në Universitetin Shtetëror të Moskës, tha për BIRN se Rusia dhe Turqia janë bashkuar më shumë rastësisht sesa ka qenë e projektuar.

“Qasja e kohëve të fundit turko-ruse nuk është produkt i një planifikimi strategjik afatgjatë në të dyja palët, por rezultat i një partneriteti të detyrueshëm, bazuar në çështjen siriane,” tha ai.

Rusia dhe Turqia duhet ende të gjejnë baza të përbashkëta mbi mënyrën se si të punojnë së bashku në Ballkan, shtoi ai.

Turqia nuk mund ta zëvendësojë Perëndimin me Rusinë

Ndërsa disa zyrtarë perëndimorë shpresonin se afrimi Rusi-Turqi do të ishte afatshkurtër, muaji i mjaltit duket se thjesht sapo ka filluar.

Gjatë vizitës së tij në Moskë më 24 gusht, ministri i jashtëm turk Mevlut Cavusoglu e përshkroi Rusinë si “partner strategjik” të Turqisë, që shihet si deklarata e parë e tillë në historinë e marrëdhënieve të tyre.

“Marrëdhëniet tona me Turqinë po bëhen gjithnjë e më të thella dhe të pavarura,” tha në këmbim të  kësaj presidenti rus Vladimir Putin, duke vënë në dukje thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe një numër gjithnjë e në rritje të sferave që lidhen me problemet rajonale.

Megjithatë, ekspertët thanë për BIRN se Rusia dhe Turqia ende kanë interesa kontradiktore në Kaukaz, Lindjen e Mesme dhe Ballkan.

“Në Ballkan dhe në shumë rajone të tjera, Turqia dhe Rusia kanë divergjencë dhe madje edhe konflikt interesi, gjë që kërkon planifikim strategjik afatgjatë për ta kapërcyer këtë, që nuk do të thotë se Turqia dhe Rusia nuk mund të bashkëpunojnë kudo,” shpjegoi Has.

Lufta e fundit tregtare e Turqisë me SHBA-në, e cila ka shkaktuar një rënie të mprehtë në vlerën e lirës turke, ka afruar më shumë ekonomikisht Rusinë dhe Turqinë.

Kur liderët rusë, turq dhe iranian u takuan në Teheran javën e kaluar për të biseduar mbi Sirinë, ata gjithashtu ranë dakord të përdorin monedhat e tyre vendase në vend të dollarëve amerikanë në tregtinë me njëri-tjetrin.

Por Has tha se një bashkëpunim i tillë i përbashkët ekonomik mund të shkojë vetëm deri në këtë pikë. “Ekonomia ruse nuk është një zëvendësuese e marrëdhënieve tregtare të Turqisë me BE-në,” tha ai.

“Ekonomikisht, nuk është e mundur që Rusia dhe vendet euroaziatike të jenë alternativa të Europës për Turqinë,” u pajtua Barıs Soydan, një gazetar ekonomik për gazetën online T24.

Ai tha për BIRN se sipas shifrave të vitit 2017, eksportet e Turqisë në vendet europiane përbëjnë më shumë se gjysmën e eksporteve të saj të përgjithshme, me vlerë 75 miliardë dollarë amerikanë.

Në të njëjtën kohë, Turqia ka një deficit tregtar me Rusinë dhe Kinën, pasi eksportet e saj në të dy vendet mbeten të kufizuara, shtoi Soydan, duke theksuar se, pavarësisht nga përpjekjet e fundit, BE-ja mbetet investitori më i madh në Turqi.

“Nëse humbasim investitorët europianë, Turqia mund të humbasë lidhjen e saj me botën. SHBA-ja nuk është një partner i madh ekonomik, por në kontekstin politik, çështja është gjithashtu nëse Turqia mund të mbijetojë pa SHBA-në,” përfundoi Soydan.

Ekspertët gjithashtu bien dakord që, pa marrëdhëniet e saj të vjetra me aleatët perëndimorë, Turqia do të jetë dukshëm më e dobët dhe kështu më pak interesante si një partner strategjik për Rusinë.

“Nga një këndvështrim realist, Turqia duhet të ketë një këmbë në Perëndim dhe tjetra duhet të lëvizë rreth Rusisë, Kinës dhe vendeve të tjera të boshtit euroaziatik. Përndryshe, Turqia do të humbiste vlerën dhe rëndësinë e saj aktuale për Rusinë,” shpjegoi Has.

Zona elektorale të kundërta në Ballkan

Ekspertët pajtohen gjithashtu se ndërsa Rusia dhe Turqia e kanë maksimizuar ndikimin e tyre në Ballkan gjatë dekadës së fundit, ato po synojnë grupe të ndryshme, ndonjëherë kundërshtare.

Turqia është e afërt me boshnjakët e Bosnjës dhe me shqiptarët myslimanë, ndërsa Rusia është më afër të krishterëve ortodoksë të rajonit.

“Turqia po përpiqet të përdorë pushtetin e saj të butë për të konsoliduar ndikimin e saj politik, ekonomik dhe kulturor në rajon. Ajo gëzon norma favorizuese me komunitetet myslimane në rajon,” tha për BIRN Oya Dursun-Ozkanca, një profesoreshë e shkencave politike në Kolegjin Elizabethtown në SHBA.

Ndërkohë, fokusi kryesor i Rusisë është te Serbia, edhe pse presidenti serb Aleksandër Vuçiq po përpiqet të ndjekë edhe marrëdhënie të ngushta me Perëndimin.

Kjo është një arsye pse Rusia gjithashtu mban një marrëdhënie të ngushtë me Milorad Dodikun, presidentin e Republikës Srpska.

Dhe kundërshtari i madh i Dodikut është lideri boshnjak Bakir Izetbegoviq – i cili ka lidhje të ngushta me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan.

Rexhe Tajip Erdogan dhe Bakir Izetbegoviq në Sarajevë. Foto: Bakir Izetbegoviq/Facebook

Ndërsa Dodiku ka nxitur në ndarjen e Bosnjës, Izetbegoviq dhe liderë të tjerë boshnjakë janë zotuar të mbrojnë integritetin territorial dhe kushtetues të Bosnjës me çdo kusht.

“Nga njëra anë është presidenti Dodik me Putinin dhe nga ana tjetër është Bakir Izetbegoviq me Erdoganin, duke dërguar mesazhe që janë shumë larg të qenit jë qasje e përbashkët,” tha për BIRN Ivana Mariq, një analiste politike në Sarajevë.

“Askush në Europë, rajon dhe në vend nuk duhet të përpiqet të hapë kutinë e Pandorës në Bosnje,” tha zëdhënësi i Erdoganit, ambasadori Ibrahim Kalin, në një fjalim në Bosnje në fillim të këtij viti.

“Ne i themi Rusisë, siç u themi të gjithë partnerëve tanë, se ne nuk duam ndonjë tension etnik në Bosnje. Ne i kërkojmë të gjithë aktorëve që të ndihmojnë Bosnjën dhe të mos i komplikojnë gjërat,” shtoi Kalin.

Serbia e sajdisur nga të dyja anët

Në këtë situatë të paqëndrueshme, si Rusia dhe Turqia duket se po kthehen drejt Serbisë, e cila shihet shpesh si çelësi i stabilitetit – ose paqëndrueshmërisë – në Ballkan.

Pavarësisht lidhjeve të ngushta të Erdoganit me Izetbegoviqin në Bosnje në vitet e fundit, Turqia ka investuar më shumë në Serbi sesa në Bosnje.

“Ndërsa Rusia po përpiqet të ndikojë në vendimet politike të Serbisë, për Turqinë është më e rëndësishme të mbajë kontakte të ngushta me komunitetet myslimane në rajone të caktuara në Serbi,” tha për BIRN Boban Stojanoviq nga Fakulteti i Shkencave Politike në Universitetin e Beogradit.

Nga një takim i mëhershëm i presidentëve serb e turk – Foto: Rtv21

Tregu relativisht i madh ekonomik i Serbisë, popullsia e saj e konsiderueshme myslimane, përfshirja e saj në çështjet rajonale dhe rëndësia e saj gjeopolitike e bëjnë vendin të rëndësishëm për Rusinë dhe Turqinë, thonë ekspertët.

“Përmirësimi më i mirë në marrëdhëniet dypalëshe ishte vërejtur në marrëdhëniet turko-serbe,” tha Dursun-Ozkanca, duke e parë rajonin dhe duke vënë në dukje përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike dhe takimet e nivelit të lartë midis vendeve.

Presidenti Erdogan vizitoi Serbinë në tetor të vitit të kaluar së bashku me 185 biznesmenë dhe tetë ministra, me qëllim rritjen e ndikimit ekonomik dhe kulturor të Turqisë.

“Kjo mund të ketë krijuar një lloj pakënaqësie midis popullsive myslimane në rajon që duan që lidhjet kulturore të përkthehen më konkretisht në rritje tregtie dhe mundësish investimesh,” shpjegoi Dursun-Ozkan.

Rajoni kryesisht mysliman i Sanxhakut në jugperëndim të Serbisë “është ura më e madhe që na lidh ne me vëllezërit tanë në Serbi,” tha Erdogan gjatë vizitës së tij në qytetin më të madh të Sanxhakut, Novi Pazar, në tetor me presidentin serb Aleksandër Vuçiq që rrinte pranë, citoi Reuters.

Bojanoviq thotë se mund të priten investime të mëtejshme politike dhe financiare turke në Serbi, të cilat Turqia do t’i përdorë për të rritur ndikimin e saj me dhe kundër BE-së.

Ndikimi i afrimit Turqi-Rusi është i paqartë

Ndërsa ekspertët pajtohen se ndikimi rus dhe turk në Ballkan po rritet, ata theksojnë se impakti konkret i këtij ndikimi mbetet ende për t’u përcaktuar nga Rusia ose Turqia.

Kështu, ndërsa disa aktorë perëndimorë e shohin Rusinë dhe Turqinë si “prishës” në Ballkan, ekspertët gjithashtu theksojnë se të dy vendet kanë përdorur kapacitetin e tyre “prishës” në Ballkan dhe kryesisht vetëm për të rritur ndikimet e tyre kundër Perëndimit.

Ilustrim

Ekspertët pajtohen se Rusia dhe Turqia – individualisht, por më shumë së bashku – kanë një kapacitet për të drejtuar, stabilizuar ose destabilizuar Ballkanin, në varësi se cila rrjedhë veprimi më së miri i ushqen interesat e tyre kryesore strategjike.

Por juria ende nuk e di se çfarë janë këto interesa dhe as Rusia as Turqia nuk kanë zbuluar ndonjë plan strategjik të veçantë afatgjatë për rajonin.

“Rritja e tendencave islamike në politikën dhe politikën e jashtme të Turqisë, dhe politikat rusofile të Putinit në Ballkan, nuk përshtaten me njëra-tjetrën,” vërejti Has.

Ha thotë se është e vështirë të shihet ndonjë afrim ideologjik dhe politik midis politikave të të dy vendeve në rajon përtej pakënaqësisë reciproke ndaj Perëndimit.

“Të dy vendet kanë ndikim të fortë në vendet e Ballkanit dhe politikanët që përdorin mjete ekonomike, shoqërore dhe ushtarake. Ndjenjat anti-BE dhe anti-Perëndimore mund të jenë bazë e mirë për politikat e përbashkëta për “prishjen” e Perëndimit në Ballkan,” vazhdoi Has.

Gjatë dekadës së fundit, Rusia dhe Turqia kanë hapur institucione në të gjithë rajonin. Të dy vendet kanë OJQ-të e tyre, mediat, agjencitë e ndihmës dhe institucionet e tjera shoqërore atje.

“Ata janë shumë aktivë dhe me ndikim në target grupet e tyre dhe punojnë ngushtë me partnerët lokalë të tyre respektiv turkofilë dhe rusofilë në rajon,” tha Has.

Ekspertët besojnë se duke përdorur ndikimin e tyre mbi mediat, OJQ-të dhe disa politikanë, Moska dhe Ankaraja mund të ushqejnë më tej ndjenjën anti-perëndim dhe të dëmtojnë kredibilitetin e Perëndimit në një rajon ku kredibiliteti i tyre tashmë është në diskutim.

“Një bashkëpunim i tillë do të nxiste gjithashtu lëvizjet nacionaliste dhe/ose islamike, si dhe ksenofobinë. Kjo do të shihej si një metodë dhe politikë e rrezikshme, por është e mundur të aktualizohet,” paralajmëroi Has.

Megjithatë, Burak Yalim, kreu i Shoqatës së Studimeve të Marrëdhënieve Ndërkombëtare Turke në Stamboll, mendon se Rusia, Turqia dhe BE-ja kanë nevojë për njëri-tjetrin përballë problemeve në rritje globale dhe përballë politikave ekonomike protektive të presidentit Donald Trump.

Yalim thotë se kancelarja gjermane Angela Merkel është e vetëdijshme për këtë domosdoshmëri, prandaj Gjermania ka ndenjur e heshtur në lidhje me ndikimin rus dhe turk në rajon.

“Erdogani ka pushtet në Ballkan, sidomos mbi myslimanët në Bosnje dhe Kosovë, ndërsa Putini ka një ndikim të fuqishëm mbi Serbinë dhe serbët e Bosnjës. Merkel, nga ana tjetër, është gjithashtu shumë me ndikim në kartën e saj të BE-së,” tha ai.

“Po të vini re debatin e fundit në lidhje me një shkëmbim territorial midis Serbisë dhe ish-krahinës së saj të Kosovës, Rusia dhe Turqia janë shumë të heshtura. Merkel e kundërshton idenë, por dobët. Kjo është mënyra se si funksionojnë dhe do të funksionojnë këta të tre,” shtoi Yalim.

Brishtësia e ekonomive ruse dhe turke përballë një lufte tregtare globale mundet, megjithatë, të dobësojë rolin ekonomik të dy vendeve në rajon, e cila tashmë mbetet pas asaj të vendeve të BE-së.

Ekspertët besojnë se “dashuria vëllazërore” e deklaruar midis vendeve të ndryshme të Ballkanit dhe Turqisë ose Rusisë nuk mbështetet nga fakte ekonomike.

“Dashuria vëllazërore dhe deklaratat e ngrohta nuk pasohen nga investime të konsiderueshme apo marrëveshje tregtare,” vuri në dukje Mariç.

Raporti i vitit 2016 i Bankës Qendrore të Bosnjës i botuar në vitin 2017 mbi investimet e huaja direkte, IHD, vuri në dukje se Turqia është në vendin e 11-të vetëm si investitore në Bosnje me 195 milionë euro, ndërsa Rusia është në vendin e pestë me 417 milion euro.

Ekonomistët paralajmërojnë se kriza serioze e monedhës turke ka gjasa të dëmtojë investimet e saj të premtuara në rajon, të cilat vendet e Ballkanit i kanë kërkuar prej kohësh.