Rumania Legalizon Marijuhanën me Receta Mjekësore

Rumania ndryshoi të premten ligjet për drogën , për t’u lejuar pacientëve përdorimin e marijuhanës me qëllim lehtësimin e dhimbjeve që rezultojnë nga sëmundje të rënda siç është kanceri, epilepsia dhe skleroza e shumëfishtë.

Pacientët do të duhet të kenë një recetë nga mjeku për të marrë këtë drogë nëpër barnatore. Po ashtu ky lloj trajtimi nuk do të mbulohet nga sigurimet shëndetësore.

Përdorimi rekreacional nuk do të dekriminalizohet dhe pacientët nuk do ta kenë të lejuar të kultivojnë marijuhanën në shtëpi.

Mjekët e mirëpritën këtë ndryshim.

“Përdorimi mjekësor i marijuhanës do të ndihmojë shumë njerëz. Por në anën tjetër, autoritetet duhet të jenë të kujdesshme në monitorimin e rasteve dhe pacientëve që do të  përdorin këtë lloj trajtimi, në mënyrë që të mos lejohet përdorimi ilegal i marijuhanës”, i tha mjekja Cristina Hudita, Digi TV-së të hënën.

Dënimet për posedim, përdorim dhe trafikim të drogave ilegale janë të mëdha në Rumani.

Megjithëse nuk ekziston një regjistrim sistematik i përdorimit të narkotikëve, perceptimi në vend është se trafikimi dhe përdorimi janë në rritje.

Përdorimi medicinal i marijuhanës është i lejuar në shumë vende të Europës, duke përfshirë Holandën, Francën dhe Republikën Çeke.