Rrugëtimi i grave për të gëzuar një copë pronë

Në katër vitet e fundit vetëm një grua nga Juniku ka kërkuar të regjistrojë pronë në komunën e kullave të Dukagjinit.

Rajoni që ruan traditat e Kanunit, ku prona duhet të jetë vetëm në emër të burrave, duket se ka pasur rezistencën më të madhe në implementimin e nismës së Qeverisë së vendit për të regjistruar pronat në emër të dy bashkëshortëve.

Në katër vitet e fundit në këtë komunë vetëm një pronë është regjistruar në emër të grave ndërsa vetëm 296 gra kanë pronë të regjistruar në emër të tyre në këtë komunë.

Në vitin 2016, Agjencia Kadastrale i kishte propozuar Qeverisë së Kosovës që regjistrimi i pronave në emër të dy bashkëshortëve të kryhej pa pagesë. Vendimi ishte miratuar.

Një hulumtim i BIRN në të dhënat kadastrale të komunave tregon se udhëzimi pati efekt nëse krahasohen të dhënat me vitin 2015, ku regjistrimi ishte i ulët. Në vitin 2015 në 28 komuna të vendit ishin regjistruar 156 prona në emrin e përbashkët ndërsa dy vite më vonë, më 2017, shuma ishte rritur në 1907 prona të regjistruara në emër të grave.

Nga hulumtimi del se Ferizaj si një ndër komunat më industriale të Kosovës është komuna në të cilën më së shumti qytetarë kanë shprehur interesim për regjistrimin e pronës së paluajtshme në emër të përbashkët. Në këtë komunë që nga nxjerrja e udhëzimit e deri më sot janë paraqitur gjithsej 912 raste të regjistrimit të pronës në emër të përbashkët.

Si kryeqytet me mbi 200 mijë banorë, të dhënat nga Prishtina nuk tregojnë ndonjë rritje shumë të madhe dhe efekt të udhëzimit. Në kryeqytet vetëm janë paraqitur vetëm 185 raste të regjistrimit të pronës në emër të përbashkët ndërsa vetëm 8 mijë gra kanë prona të regjistruara.

Në Pejë, si një ndër komunat më të mëdha të këtij rajoni, janë paraqitur gjithsej 315 raste të regjistrimit të pronës në emër të përbashkët. Ndërsa Gjakova, si e vetmja komunë e cila ka pasur mundësinë të udhëhiqet nga një grua, numërohen gjithsej 329 raste.

Edhe në pjesën qendrore të Kosovës është vërejtur efekti i udhëzimit. Në Komunën e Drenasit janë paraqitur gjithsej 150 raste të zbatimit të udhëzimit, në Malishevë 164 raste, por duhet përmendur që jashtëzakonisht mirë qëndron edhe pjesa e Karadakut, me Gjilanin ku janë paraqitur gjithsej 241 raste për regjistrimin e pronës së paluajtshme në emër të përbashkët.

Hulumtimi tregon se në Mitrovicë 159 gra kanë bërë kërkesa për regjistrim të pronave.

Komunat me rezultate

Hulumtimi tregon se Prizreni e Prishtina prijnë në numrin e pronave të regjistruara në emër të grave. Në Prishtinë janë të regjistruara  8.533 prona ndërsa në Prizren janë 8.198.

Hulumtimi tregon se përqindja më e madhe e pronave të regjistruara në emër të grave është e regjistruar në Mitrovicën Veriore, ku 31.7% e pronave janë të regjistruara vetëm në pronësi të grave.

Ndërsa, komuna në të cilën ka më së shumti prona të regjistruara vetëm në pronësi të burrave është komuna e Malishevës në të cilën rreth 90% e pronave janë të regjistruara vetëm në pronësi të burrave.

Të dhënat tregojnë se numri total i pronarëve në Kosovë është 528,827. Prej tyre 429,000 apo 81,12%  janë burra dhe 89,193 apo 16,87% janë gra. Pjesa tjetër e mbetur prej 10,634 apo 2,01 % janë persona juridikë.

 

 

Komuna Regjistrimi i pronës në emër të përbashkët – viti 2015 Regjistrimi i pronës në emër të përbashkët – viti 2016 Regjistrimi i pronës në emër të përbashkët – viti 2017 Regjistrimi i pronës në emër të përbashkët – viti 2018 (gusht 2018 ) Numri i pronave të regjistruara në emër të burrave Numri i pronave të regjistruara në emër të grave
1.Prishtinë 63 21 61 103 40017 8533
2.Prizren 42952 8198
3.Mitrovicë 2 21 58 80 12426 2901
4.Ferizaj 0 291 366 255 24357 4467
5.Gjakovë 0 51 169 109 22934 6097
6.Gjilan 0 107 82 52 24686 3957
7.Istog 0 6 11 49 15095 3483
8.Klinë 1 29 107 48 8968 2037
9.Deçan 0 2 1 10 9010 1727
10.Rahovec 0 1 2 1 13690 2347
-12.Suharekë 1 0 0 0 13625 1506
13.Malishevë 13 41 79 44 8266 814
15.Kaçanik 0 30 8 6 6986 978
16.Shtime 10 9 9 4 5995 691
17.Viti 13 14 12 8 12460 2393
18.Kamenicë 2 27 24 9 12548 2118
19.Lipjan 1 26 49 59 15549 2665
20.Drenas 1 18 86 46 9404 996
21.Fushë Kosovë 17 19 46 2 9558 2508
22.Obiliq 3 1 19 46 6712 1264
23.Podujevë 17793 3163
24.Vushtrri 4 17879 3080
25.Skenderaj 3 9 16 15 9844 1695
26.Peja 10 57 118 140 25199 6470
-27.Junik 0 1 0 0 1328 296
-28.Hani Elezit 0 4 0 4 1927 243
-11.Dragash 1 11508 2305
-14.Shtërpcë 3823 1187
-27.Novobërdë 6119 1376
-28.Graçanicë 9221 2610
-Leposaviq 6434 2007
-Kllokot 1977 572
-Mamushë 582 89
-Mitrovicë e Veriut 1944 924
-Partesh 1565 363
-Ranillug 3267 992
-Zubin Potok 3065 1475
-Zveçan 2556 1067

 

(Autori është bursist i grantit të financuar nga projekti ‘Mbështetja e Luksemburgut për shoqërinë civile në Kosovë’, financuar nga Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) )