Rrugëtimi i gjatë i autostradës 'Arbën Xhaferi’

‘Shterimi’ i buxhetit të Kosovës, zvarritja e punimeve dhe e pagesave janë disa nga ‘mëlmesat’ që do e shoqërojnë rrugëtimin e gjatë të ndërtimit të autostradës që do të lidh Prishtinën me Shkupin.

Autostrada që mban emrin e politikanit  shqiptar të Maqedonisë së Veriut, Arbën Xhaferi, ishte nisur në vitin 2014 e sipas kontratës fillestare rreth 600 milionë euro do t’i kushtonte buxhetit të Kosovës. Por, më pas kjo vlerë do të rritej.

Pavarësisht se u dhanë shumë më shumë para sesa ishte paraparë, kompania ‘Bechtel-Enka’ nuk arriti të përfundonte projektin në afatin kohor. Për këtë arsye, kësaj kompania shteti i Kosovës i dha afate shtesë.

Autostrada “Arbën Xhaferi” ishte paraparë të përfundonte më 31 dhjetor 2018.

Tash kur kanë kaluar më shumë se 4 muaj nga afati i paraparë, autostrada ende nuk është kryer.

Megjithatë, autostrada nuk do të jetë gati edhe 3 javë.

Presidenti Hashim Thaçi ishte ai që më 20 prill paralajmëroi se punimet janë drejt përfundimi.

“Një kryevepër tjetër për qytetarët tanë, e filluar në vitin 2014, me urën më të gjatë në rajon dhe me bukurinë e rrallë të bjeshkëve të Sharrit. Kjo është Kosova e re evropiane!”, ka shkruar presidenti Thaçi.

Në një përgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit kishte konfirmuar se ‘autostrada zyrtarisht do të hapet më 29 maj’.

Ndërkaq, për këtë projekt të kushtueshëm, kreu i Ministrisë, Pal Lekaj, kishte thënë në gusht 2018 se për jetëgjatësinë e saj “vetëm ndonjë apokalips mund ta shkatërrojë,  ndryshe është i përjetshëm konstruksioni i saj”, duke u bazuar me argumente të profesionistëve.

“Në ketë projekt, janë të angazhuar mbi 3000 njerëz, rreth 80 % janë përsonel vendor; 344 kompani lokale, në shërbim dhe ndërtim; 80% e buxhetit të kuotuar në ketë projekt do t’i rikthehet prapë GDP-së vendore. Ura nga Kaçaniku deri në Elez Han është rreth 6 kilometra; Në të do të vendosen mbi 1400 trare të prodhuara në vend, në dimensione nga 35 deri në 45 metër; Janë vendosur rreth 165 shtylla, lartësia e të cilave varion nga 3 metra deri në 80 metra; Është hedhur mbi 147 mijë metër kup beton”, ka shkruar ministri Lekaj në llogarinë e tij në ‘Facebook’, në muajin gusht të vitit 2018 ku kishte shpalosur detajet lidhur me projektin të cilin mes tjerash e kishte vlerësuar si investimi më i madh i ndodhur në Kosovë.

‘Pluhurin’ që e krijoi 53 milionëshi për “Bechtel-Enka”

Çështja e autostradës që fillon nga Gryka e Kaçanikut e deri në Han të Elezit, ishte në qendër të vëmendjes për disa muaj, pasi që Qeveria e Kosovës më 5 qershor 2018 kishte ndarë për kompaninë “Bechtel-Enka” një shumë prej 53 milionë euro, për shkak të mospagesës së rregullt të faturave.

Vetëm dy ditë pasi Qeveria kishte ndarë këtë shumë, Prokuroria e Shtetit në një prononcim për KALLXO, kishte deklaruar se së bashku me Policinë janë duke mbledhur të dhëna për të parë nëse ka elemente të kryerjes së ndonjë vepre penale e cila mund të ndiqet sipas detyrë zyrtare.

Kjo kontratë është nënshkruar në kohën e Qeverisë Thaçi II, përkatësisht me datën 1 korrik 2014. Gjatë realizimit të kësaj kontrate, kryeministër ka qenë Isa Mustafa (2015- 2017). Për të cilën gazeta Jeta në Kosovë kishte gjetur se në fakt aneks-kontrata është nënshkruar vetëm 18 ditë pas ardhjes në pushtet të Qeverisë Haradinaj. Aneks kontrata që sipas këtij dokumenti ishte kërkuar fillimisht nga ish-ministri Lutfi Zharku në shtator të 2016, është nënshkruar nga ministri aktual Pal Lekaj më 27 shtator 2017, vetëm 18 ditë pas ardhjes në pushtet të Qeverisë Haradinaj.

“Bechtel&Enka” kishte kërkuar 16 milionë e 600 mijë euro për dëmin indirekt apo shpenzimet për personelin menaxhues që kanë administruar me projektin.

Ndërsa, 36 milionë e 300 mijë euro “Bechtel & Enka” i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës duke u bazuar në përdorshmërinë e pajisjeve.

‘Bechtel-Enka’ i ka kërkuar edhe 10 milionë euro për shpenzimet që kanë pasur gjatë ndërprerjeve dhe zgjatjes së afatit, pasi ata pretendojnë që kanë pasur humbje të produktivitetit për vitet 2014, 2015 dhe 2016.

Transaksionet dhe burimi i gjobës prej 53 milionë euro për Autostradën (Dokument)

I pari i ministrisë kishte thënë se “për shkak të dështimit të Qeverisë së kaluar që t’i paguajë me rregull faturat, konsorciumi ka kërkuar që fillimisht t’i paguajmë 63 milionë euro për shkak të mbajtjes së pajisjeve gjatë dhe shpenzimeve indirekte”, por që pas diskutimeve kishin arritur ta ulin këtë shifër për 10 milionë euro, në 53 milionë.

Ndërsa, kreu i ekzekutivit, arsyetoi se po ia ndajnë këto para për të mos u përballur me procese gjyqësore.

Në një përgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë në mars të këtij viti, Lekaj ka konfirmuar se Qeveria Haradinaj i ka paguar 25 milionë euro të borxhit ndaj kompanisë “Bechtel-Enka” nga 53 milionëshi.

Ai gjithashtu shtoi se pjesa e mbetur prej 28 milionësh do të paguhet me pjesë.

“Deri më tani janë paguar rreth 25 milionë euro dhe shuma e mbetur do të vazhdojë të paguhet me pjesë”, u përgjigj Lekaj.

Por që një gjobë e tillë, të cilën e kishte paguar buxheti i Kosovës, ka nxitur më pas reagime se a mund të ketë ndëshkime edhe për “Bechtel-Enka” për shkak të vonesave në punime.

Lekaj gjatë një raportimi para Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, u pyet nga deputetja e LDK-së, Hikmete Bajrami se përse nuk është dënuar ende kompania ‘Bechtel-Enka’ për vonesat në punimet për këtë autostradë.

“Nuk është dënu se nuk është përfundu projekti në të, kur të përfundoj i tërë projekti dhe ulemi themi se punët që nuk i ka kry, dhe arsyet dhe barazohemi me gjithë projektin. Ne jem detyru se ai nuk guxon me punu pa kontratë. Me qejf kurrë se kisha pagu por e kemi pasur obligim”, ishte përgjigjur i pari i MIT-së, që nder tjerash kishte shtuar se e gjithë gjoba e koncersiumit turk ‘Bechtel-Enka’ do të paguhet deri në qershor.

Në anën tjetër, vendimi i Qeverisë për të paguar 53 milionë euro shtesë për konzorciumin “Bechtel-Enka” ia kalonte barrën Ministrisë së Financave që të bënte alokimin e këtyre parave në buxhet të Ministrisë së Infrastrukturës.

Në draftbuxhetin për vitin 2019, Ministria e Financave ia ka ndarë ministrisë së Pal Lekajt 51 milionë e 500 mijë euro për autostradën “Prishtinë – Hani i Elezit”.

Por që, Ministri i Financave, Bedri Hamza ishte shprehur se “fle shumë rahat për të gjitha punët që i kam bërë”, duke fajësuar qeverinë parapake.

“Ky borxh nuk është paguar ende. Flej shumë rahat për të gjitha punët që i kam bë. Nëqoftëse është hangër pitja, tepsia është mbetë. Problemi me autostradën është problem i krijuar prej qeverisë paraprake. Është ditë që kontrata është tri vjet dhe është ditur që ose duhet të ketë marrëveshje të re për ndryshimin e asaj kontrate ose është deshur me financu atë kontratë. As nuk ka ndodhur marrëveshja e re, as financimi adekuat”, kishte thënë Hamza, në muajin shkurt.

KALLXO.com kishte raportuar më 12 tetor 2018 se kryetari i Komunës së Hanit të Elezit mori vendim për ndërprerjen e bashkëpunimit me kompaninë Bechtel-Enka.

“Për shkak të dëmtimit të pronës publike dhe private, mbylljes së disa rrugëve ekzistuese dhe zhurmës së madhe gjatë natës nga ana e kompanisë Bechtel-Enka e cila po realizon projektin e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, komuna e Hanit të Elezit ka vendosur të ndërpres komunikimin dhe bashkëpunimin me kompaninë Bektel-Enka”, thuhet në njoftimin e komunës.

Gjithashtu, vlen të përmendim që në shtator KALLXO.com kishte raportuar se në planet e Qeverisë është që të vendosen taksa në dy autostradat më të mëdha në vend, e që nder to është edhe autostrada ‘Arbën Xhaferi’.

“Taksa është e nevojshme të vendoset, sepse përmes saj do të mirëmbahen këto investime te cilat kanë bërë zgjidhje të përhershme të një qarkullimi shumë të shpejt dhe modern nëpër Kosovë por edhe në raport me vendet tjera”, kishte arsyetuar  zëvendësministri i MIT-së, Rexhep Kadriu.

Kritikat ndaj ‘penalltisë’ 53 milionëshe

Partitë opozitare në vend dhe organizata joqeveritare ngritën zërin për të kundërshtuar dhe kërkuar sqarime.

Ishte Lëvizja Vetëvendosje kishte kërkuar vazhdimisht nga Qeveria që të mos e paguaj këtë borxh ndaj konsorciumit turk.

https://kallxo.com/vetevendosje-vendimi-per-53-milione-euro-mund-te-anulohet/

Gjithashtu, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka gjetur se Ministria e Infrastrukturës me një aneks kontratë është pajtuar që të zgjatet afati i implementimit të kontratës bazë deri më 1 qershor 2019, përkatësisht 152 ditë i jepen kohë shtesë Bechtel& Enkes për zbatimin e punëve për këtë autostradë.

KDI përmes konferencës për media në dhjetorin e 2018 e ka publikuar analizën të quajtur ‘penalltia 53 milionëshe’, që meqë rast ka kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës sqarime se si janë kalkuluar 53 milionë euro, dhe ka kërkuar që Prokuroria e Kosovës të fillojë sa më shpejt hetimet lidhur me këtë kontratë.

Projekti i kushtueshëm ka gjatësia totale e autostradës 65.56 km, që numëron 19 ura, 19 mbikalime, 18 nënkalime.

Kush e Gjuajti Gurin 53 Milionësh në Autostradë?