Rrugë

Unë i dua rrugët e Kosovës dhe faktin që hapësirat publike janë plot ngjarje. Prishtina është ende kryesisht një qytet për këmbësorë, dhe me ecë prej shpisë në punë ose prej një pjesë të qytetit deri një vend tjetër nuk është vetem vizë ndarëse në ‘A-B’; është një mundësi për me u takue me miq të vjetër, me ble një qen që leh, me bateri, ose mu ngopë me gështenja të pjekura të shërbyera në konë të letrës së ricikluar (a vetëm për mua, apo u ka ndodhë edhe juve që dokumentet e procesverbaleve të mbledhjeve të ministrive janë përdorë me mbështjellë gështenjat që blini?).

Në rrugët e Prishtinës edhe mund të lustrohen këpucët (The Ideas Partnership ka një projekt për njerëz pa punë që kanë marrë pajisje dhe trajnim si lustraxhi – mundesh m’i pa në sheshin Nënë Terezë, ose mundesh me na kontaktue për një lustraxhi me ardhë në shpi ose në zyrë) dhe – prej muajit të kaluar – ka edhe një mundësi në rrugë. Të frymëzuar nga 40 revista rruge në botë (për shembull The Big Issue për të pastrehurit në Angli, Street News në Nju Jork, Aluma në Suedi), revista Ball’ Për Ball’ ka nisur në Kosovë. Si me revista të tjera të rrugës, shitësit janë prej komuniteteve të margjinalizuara – revista punon me grupet romë, ashkalinj dhe egjiptiane dhe me Down Syndrome Kosova – dhe ata marrin 50 për qind të çmimit të shitjes si rrogë.

Përmbajtja e revistës është freskuese si një kremtim i një varg modeleve për ndryshim shoqëror. Shkrimet merren me vegjetarianizëm, nisma “Freecycle”, roli i artit në zhvillimin e shoqërisë, një shkrim për udhëtim në Pakistan dhe stereotipat gjinore me lodrat e fëmijëve, si dhe janë përcjellë me foto të prekshme të peizazhit në Kosovë. Botimi aktual është i pari, dhe organizatorët premtojnë 5-6 botimet në vit.

Megjithatë, unë kam si ëndërr edhe më shumë mundësi për rrugët e Prishtinës, dhe mbasi është një stinë për me fillue me zbatimin e ëndrrave vendosa që këtë muaj do të baj diçka me ëndrrën time. Unë po nisi një nismë, “Pavements are for People’/ ‘Trotuaret janë tonat” si përpjekje me ba më lehtë – për të gjithë – me shëtitë pa rrezik nëpër rrugë të qytetit. Për prind me ecë me karrocë me foshnjat e tyre, për të moshuar me ecë pa frikë, për ato që vrapojnë si ushtrim me pas mundësi me përdorë trotuaret, dhe për të gjithë neve me qenë rehat, larg prej kerreve, duhemi me qenë të sigurtë që trotuaret janë të tonat. Kjo nënkupton që trotuarët nuk mund të jenë për kerre. Nënkupton që vozitësit e Prishtinës duhen me harxhu pak kohë për me gjetë një parking, në vend se mi lanë veturat në mënyrë të paligjshme, në vende ku duan njerëzit të ecin. Ndoshta nënkupton që vozitësit duhen me pague një euro për parking. Me ju thanë të drejtën, mund gjithashtu të nënkuptojë që ata nuk mund të dalin menjëherë prej kerrit në destinacion por duhen me ecë një minutë e kusur në fund udhëtimi.

Në vende të tjera kam pa ngjitëse “Pavements are for pople” që janë ngjitë prej këmbësorëve në një pozitë qendrore në xhamin e kerreve që janë parkue kundër ligjit në trotuar. Ndoshta njerëzit këtu do të frymëzohen me ba diçka të ngjajshme këtu. Për trotuaret të jenë të ‘tonat’ me të vërtetë, policia duhen me tregue më shumë vullnet për gjoba për ata që shkelin ligjin kur parkojnë keret. Dhe ndoshta komuna duhet me ofrue më shumë hapësirë për parking në qytet. Bile mund të kërkohet (hajde, janari është kohë për ëndrra) një shërbim “park and ride” që kerret të mund të parkohen më shlirë jashtë qytetit, me autobusa në dispozicion me bartë udhëtarë në qendrën e qytetit.

Po planifikojmë me fol me të gjithë këta akterë, me pa nëse do të ndihmojnë me sigurue që trotuarët e Prishtinës janë për njerëz, por fundi i fundit asgjë nuk do të realizohet nëse vozitësit vetë nuk angazhohen për këtë ide – një Prishtinë më e bukur, një qytet ku edhe të moshuarit mund të lëvizin, dhe një qytet ku fakti që keni kerr nuk ju jep të drejtën me pengue lëvizjen e lirë për qytetarë më pak të pasur/më pak përtacë.

Më kontaktoni nëse doni me qenë pjesë e një nisme me na mundësue të gjithëve me shëtit në qytetin tonë, tu shfrytëzue mundësinë e një qyteti të njerëzve: të takohesh me miq, të hash gështenja, të lustrosh këpucët, të blesh revistën Ball’ Për Ball’ – të gjitha derisa ec qytetit tuaj pa asnjë gjurmë karboni mbas teje.

Elizabeth Gowing është autorja e Travels in Blood and Honey; becoming a beekeeper in Kosovo, të botuar vjet. Gjithashtu ajo është themeluesja e OJQ-së The Ideas Partnership, të regjistruar në Kosovë me punë në projekte arsimore, mjedisore dhe kulturore. Mund të kontaktohet në [email protected]