Arben Livoreka në Gjykatë | Foto: KALLXO.com

Rruga që i Shpëtoi nga Burgu të Akuzuarit për Terrorizëm

Tashmë i njohur si rasti “Harausham”, gjyqi për akuzat për terrorizëm ndaj Arben Livorekës dhe Nexhat Behlulit është një rast studimi për drejtësinë e Kosovës.

Nëse dy djemtë që dikur kishin pranuar fajësinë dhe ishin dënuar me 7 vite burgim nuk do bënin ankesë sot do ishin në vuajtje të dënimit.

Tri vite më pas ngjashëm me filmat Amerikan qështja ka ndërruar plotësisht, Nexhati që dikurë ishte i dënuar me 3 vite e gjysëm burg është lënë i lirë pasi prokurori është tërhequr nga aktakuza ndërsa Arbeni ka marrë dënim me kusht.

Dy djem të rinj ishin akuzuar se ishin pjesë e një organizate e cila nuk ekziston ndërsa për ta fituar një proces të shpejtë gjyqësor ata kishin pranuar fajësinë për të gjitha pretendimet e Prokurorisë. Dy djemtë ishin dënuar nga 3 vjet e gjysmë burgim ndërsa pas ankesave Gjykata e Apelit vendosi ta kthejë në rigjykim çështjen.

Ngjarjet që pasuan këtë rast tregojnë për një varg problemesh në trajtimin e rasteve të terrorizmit.

Pas tri vitesh e gjysmë hetime Prokuroria vendosi ta tërheqë aktakzuën ndaj njeriut që më parë ishte dënuar me 3 vjet e gjysmë burgim ndërsa pas tërë procesit të provave Arben Livoreka u dënua me dënim me kusht.

Arben Livoreka me pseudonimin “Abdyrrahim” dhe Nexhat Behluli u përballën në Gjykatë për gati 3 vjet nën akuzat e pjesëmarrjes në organizatë terroriste.

Livoreka në fillim u akuzua se iu bashkëngjit një organizate fantome – “Harausham”. Sipas Prokurorisë, kjo organizatë vepronte në kuadër të organizatës terroriste “Al Nusra”.

Aktakuza ngarkonte Livorekën se më datën 28 nëntor 2013 nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Sllatinë me aeroplan ka udhëtuar deri në Stamboll, pastaj me aeroplan ka vazhduar nga Stambolli deri në qytetin Hatai të Turqisë, e pastaj me taksi ka udhëtuar deri në kufi të Republikës së Sirisë.

Më tej, sipas Prokurorisë, Livoreka nga kufiri në qytetin Hatma e ka pritur Jeton Rakën, e më pas kanë shkuar në qytetin Haritam, ku edhe i është bashkangjitur grupit “Harausham”.

Aty ka bërë ushtrime ushtarake dy muaj e gjysmë me armë të këmbësorisë, meqenëse pjesëtarët e organizatës terroriste “ISIS” kanë dashur që t’i nënshtrohen komandës së saj dhe pjesëtarët e grupit të përmendur më lartë, për çka ka ardhur deri tek konflikti në mes tyre, ka arritur të largohet nga Siria dhe është kthyer nga mesi i muajit gusht 2014 në Republikën e Kosovës.

Ndërkaq, Nexhat Behluli, akuzohej se më 9 mars 2013 i është bashkangjitur organizatës “Al-Nusra”, e cila organizatë nga Kombet e Bashkuara është shpallur organizatë terroriste.

Edhe Behluli akuzohej se u kthye në Kosovë për të njëjtën arsye si Livoreka, meqenëse në mes grupeve të armatosura ka filluar përçarja. Vetëm se Behluli sipas aktakuzës kishte qëndruar 21 ditë, derisa Livoreka rreth 8 muaj.

Përveç rrugëtimit më të shkurtër të Behlulit të pretenduar nga Prokuroria, as rrugëtimi i tij në gjykatë nuk zgjati aq sa ai i Livorekës. Kjo pasi që një seancë para fjalës përfundimtare, prokurori Elez Blakaj u tërhoq nga ndjekja penale ndaj tij, pas rreth katër vitesh.

Që të dy, gjatë tërë gjykimit pretenduan se në Siri shkuan për “qëllime humanitare”.

Pranimi i Fajësisë

Më 13 janar të vitit 2016, Arben Livoreka dhe Nexhat Behluli shfaqën pendesën e tyre para Gjykatës dhe pranuan fajësinë për aktakuzën që i ngarkon se në vitin 2013 u bashkuan më organizatën terroriste “Al-Nusra”.

Vendimi u mor një javë më pas, vendim i cili dënoi Livorekën dhe Behlulin me gjithsej 7 vjet burg.

Secili nga ta u dënua me nga tre vjet e gjysmë burg nga Gjykata Themelore në Prishtinë për veprën penale  ‘pjesëmarrje dhe organizim në grup terrorist’.

Por, rasti nuk përfundoi aty.

http://kallxo.com/kosovaret-qe-nuk-pranuan-komanden-e-isis-it-pranojne-fajesine/

“Harausham”- Organizata Terroriste Fantazmë

Përkundër dënimit në Prishtinë ndaj dy të pandehurve për pjesëmarrje në një grup të supozuar terrorist në Siri, të quajtur ‘Harausham’, asnjë institucion nuk mundi të japë prova për ekzistencën e tij.

Një i pandehur tha se nuk ka ide se ku e gjeti Prokuroria këtë organizatë.

Një hulumtim i BIRN-it zbuloi që ‘Harausham’, grupi në të cilin Livoreka dhe Behluli supozohet të ishin anëtarë, mund të ekzistojë vetëm në aktakuzën e Prokurorisë dhe në dokumentet e ndërlidhura gjyqësore.

“Harausham” nuk u shfaq në kërkimet e detajuara të listave zyrtare të grupeve që luftojnë në Siri dhe Irak. Deklaratat e të dyshuarve të përmendura në dokumentet gjyqësore janë të vetmet dëshmi direkte për ekzistencën e organizatës.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale, të cilën BIRN e kishte siguruar, iu referua ‘Harausham’-it si grup luftues nën kontrollin e “Al Nusra”-s. Aktakuza në vazhdim shkruante se të pandehurit vendosën të largohen nga kjo organizatë dhe u kthyen në Kosovë pasi që ISIS kërkoi të merrte kontrollin e grupit.

Por, dokumenti i përpiluar nga kryeprokurori Special Reshat Millaku nuk përmbante asnjë provë të ekzistencës së “Harausham”-it, dhe as nuk jepte detaje për lidhjen e saj të supozuar me “Al Nusra”-n.

Millaku nuk pranoi të intervistohej nga BIRN në lidhje me këtë rast, dhe Zyra e Prokurorisë Speciale gjithashtu dështoi të jepte ndonjë shpjegim për këtë aktakuzë.

Pyetjes së BIRN nëse mund të vërtetonin, ose nëse kanë ndonjë provë për ekzistencën e “Harausham”-it, Ekrem Lutfiu, zëdhënës nga Zyra e Prokurorisë së Përgjithshme iu përgjigj duke thënë se prova ishte në deklaratat e të dyshuarve.

“Grupi, organizata ‘Harausham’, sipas deklaratave të të pandehurve, është grup që vepron në kuadër të organizatës terroriste ‘Al Nusra’”, tha Lutfiu.

Lutfiu nuk ofroi asnjë provë mbështetëse përpos asaj që ishte tashmë e shkruar në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

Grupi shfaqej në kërkime online, por vetëm nga referencat e aktakuzës së Prokurorisë, të cilat janë përfshirë në artikujt e BIRN për këtë gjykim në shqip dhe anglisht.

Nexhat Behluli, një nga të akuzuarit, i tha BIRN se ai nuk ka asnjë njohuri për ekzistencën e këtij grupi të supozuar luftues, dhe pretendon se deklaratat e tij janë manipuluar.

“Unë nuk jam në dijeni për organizatën ‘Harausham’. Unë tjetër deklaratë kam dhënë në polici dhe tjetër ka qenë pastaj në gjykim”, tha Behluli.

Behluli pretendon që ka qenë anëtar i Ushtrisë së Lirë Siriane, dhe se pranimi i fajësisë është bërë nën presion të madh dhe se ishte mënyra e vetme që ai të lirohej nga paraburgimi.

Avokatët e të pandehurve nga gjykime të tjera terrorizmi në Kosovë kanë shprehur më parë shqetësime se klientët e tyre janë nën presion për të pranuar fajësinë në mënyrë që të mos mbahen në paraburgim gjatë gjykimit.

Zyrtarë të sigurisë nga Kosova dhe Shqipëria të kontaktuar nga BIRN, duke folur në kushte anonimiteti, gjithashtu thanë se para këtij rasti kurrë nuk kanë hasur në emrin ‘Harausham’ gjatë intervistave me luftëtarë të kthyer ose përmes shkëmbimeve të informacionit me agjenci të sigurisë nga vende tjera.

Skënder Perteshi, ekspert i sigurisë dhe ekstremizmit të dhunshëm, i tha BIRN-it se ai nuk ka dijeni për ekzistencën e organizatës.

“Në bazë të hulumtimeve të mia personale rreth temës së ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, nuk kam hasur që është përmendur organizata ‘Harausham’”, tha Perteshi.

Ai tha se një tjetër organizatë që tingëllon ngjashëm – Ahrar al Sham – e ka hasur gjatë punës së tij.

Por, edhe nëse Prokuroria do e kishte shkruar gabim emrin e organizatës së supozuar terroriste, “Ahrar al Sham” megjithatë, mund të mos i përmbushë kriteret për një aktakuzë të suksesshme.

Sistemi gjyqësor i Kosovës i referohet rezolutave dhe listave të OKB-së për të përcaktuar nëse një organizatë ose grup është terrorist apo jo.

Aktualisht “Ahrar al Sham” ekziston në listën e OKB- së si organizatë terroriste sipas një liste që prokurori e ka dorëzuar në gjykatë, mirëpo nuk ka sqaruar nëse kjo organizatë ka qenë në listën e OKB- së edhe në kohën kur Livoreka dhe Behluli akuzohen se ishin pjesëmarrës.

‘Harausham’ nuk shfaqet as në këto lista, prandaj Prokuroria Speciale e Kosovës përdori lidhjet e saj të supozuara me “Al Nusra”-n, që OKB e konsideron si një organizatë terroriste – për të krijuar një aktakuzë.

Por njohuria e Prokurorisë për organizatat dhe grupet luftuese në Siri dhe Irak mund të jetë e kufizuar edhe kur bëhet fjalë për grupe më të njohura si “ISIS”, “Al Qaeda” dhe “Al Nusra”.

Tërheqja e Pranimit të Fajësisë

Tërheqja nga pranimi i fajësisë i Arben Livorekës e Nexhat Behlulit u bë gjatë shqyrtimit të dënimit të tyre në Gjykatën e Apelit, pasi ishin dënuar në total me 7 vjet burg nga Gjykata Themelore.

Në maj “Gazeta Jeta në Kosovë” publikoi hulumtimin e lartpërmendur në të cilin përfaqësues të sistemit të drejtësisë në Kosovë nuk mundën të konfirmonin ekzistencën e organizatës terroriste “Harausham” të lidhur me “Al Nusran”.

Kur ky rast i dënimeve për terrorizëm i shkoi Apelit, avokatja e njërit nga të akuzuarit tha se do ta përdorë hulumtimin e gazetës gjatë shqyrtimit në këtë gjykatë.

Nga “Harausham” në“Ahrar al Sham”

Precizimi i aktakuzës u bë pasi rasti u kthye në rigjykim me ankesën e avokatëve, saktësisht në seancën e mbajtur në Gjykatën Themelore të Prishtinës, më 13 korrik të vitit 2017, kur prokurori i ri i kësaj çështjeje, Elez Blakaj, precizoi aktakuzën.

“Në çdo vend në aktakuzë ku është e shkruar “Harausham”, kërkojmë që të përmirësohet në ‘Ahrar al Sham’”, kishte precizuar Blakaj.

Blakaj e arsyetoi këtë propozim me faktin se emri “Harausham”, është përkthyer nga anglishtja nga lista e organizatave terroriste.

E për dallim nga gjykimi i kaluar, kësaj radhe të akuzuarit nuk e pranuan fajësinë.

http://kallxo.com/prokuroria-heq-haraushamin-nga-aktakuza-per-terrorizem/

Fjala Përfundimtare

Derisa një seancë para se të mbahej fjala përfundimtare, prokurori Blakaj u tërhoq nga përndjekja penale e Nexhat Behlulit, Arben Livoreka vazhdoi të përballej me akuza.

Por edhe pse jo më i ndjekur penalisht, Nexhat Behluli e përcolli në gjykatë Livorekën, kështu duke pirë kafe me të para se Livoreka të hynte në sallën e gjykimit për t’u ulur në bankën e të akuzuarit.

Fillimisht, kryetarja e trupit gjykues, Shadije Gërguri kërkoi që edhe Behluli të ishte prezent, por që kur dolën ta kërkonin, Behluli vetëm se kishte shkuar. Pasi kjo nuk paraqiti pengesë për vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor, u procedua më tutje me fjalën përfundimtare.

Prokurori kërkoi dënimin e të akuzuarit, derisa avokati i Livorekës kërkoi lirimin e tij.

Në fjalën e tij përfundimtare, prokurori Blakaj tha se qëllimi i kthimit nga Siria nuk kishte qenë “pendimi”, rrjedhimisht i bie se i njëjti është kthyer “jo se e ka ndërruar bindjen, por për shkak të konflikteve që kanë lindur në mes të organizatave terroriste”.

“Nuk kemi të bëjmë me ndryshim të një qëndrimi, kemi të bëjmë me qëndrim të njëjtë sikur në momentin kur është nisur”, theksoi prokurori.

Më tej, prokurori kërkoi nga trupi gjykues që me rastin e matjes së dënimit të marrë parasysh intensitetin e rrezikut, si dhe qasjen e pjesëmarrjes “shkallës së lartë të dashjes”, duke shtuar se pasojat e veprës penale të terrorizmit kanë efekte globale, e drejtpërsëdrejti ka prekur edhe vendin tonë.

“Ai ka qëndruar 8 muaj, e jo 8 ditë”, nënvizoi ai.

Prokurori i kushtoi më shumë rëndësi vërtetimit të bindjes së Prokurorisë, se organizata ‘Ahrar al Sham’ është ekzistente, madje duke e cilësuar si ‘celulë’ të organizatës terroriste ‘Al Nusra’.

“Këshilli i Sigurimit përmes Kombeve të Bashkuara e ka praktikë që të bëjë rifresikimin e këtyre organizatave, ashtu që ka të tilla që i ka futë më herët por më vonë i ka hequr. Nëse e shikojmë lidhjen ‘Ahrar al Sham’ dhe ‘Al Nusra’, kjo e fundit ka mbetur që kur ka hyrë”, shtoi ai.

Ai e cilësoi lidhjen në mes këtyre dyjave si pothuajse të njëjtë, madje duke deklaruar se kanë ndërmarrë veprime të përbashkëta ushtarake.

Ai theksoi se organizatat që veprojnë në Siri kanë ndryshuar disa herë emrat e tyre– por pavarësisht asaj kërkesat dhe qëllimet kanë qenë të njëjta.

“I pandehuri me çdo kusht pa marrë parasysh vështirësive për të arritur në Siri, nuk e ka pasë bash lehtë me shku por gjithsesi ka tregu vullnet që të bëhet pjesë e këtyre organizatave”, vazhdoi ai më tej duke përshkruar rrugëtimin e Livorekës për në Siri.

Pas prokurorit, fjalën e mori avokati i Livorekës, Muhamet Humolli, i cili nuk e kontestoi faktin se i mbrojturi i tij ka qenë në Siri, por kontestoi bindshëm se ka luftuar në radhët e organizatave terroriste.

Më tej, avokati theksoi se qëllimi i shkuarjes në Siri ka qenë qëllim humanitar, që të kontribuojë për popullatën siriane, e cila ishte duke përjetuar terrorin.

“Motivi i shkuarjes në Siri ishte i motivuar nga Bashkësia Islame, nga Ministria e Punëve të Jashtme në kohën kur ka qenë Enver Hoxhaj, si dhe gjitha ato informacione e lajme ku popullata siriane është terrorizuar. Qëllimi i tij ka qenë të japë një kontribut për popullatën në Siri”, arsyetoi avokati.

Avokati ritheksoi në gjykatore se deri tek revokimi i pranimit të fajësisë para se rasti të kthehej në rigjykim, kishte ardhë pasi “kanë kuptuar se kjo organizatë nuk gjendet në listën e Kombeve të Bashkuara”.

E më tej, ai tha se formacioni në të cilin kishte marrë pjesë Livoreka, ka qenë kundër organizatës terroriste “ISIS” dhe asaj “Al Nusra”.

“Në Siri, ekzistojnë dikund përmbi 1000 formacione ushtarake të cilat andaj nuk qëndron pretendimi i prokurorisë se i mbrojturi im ka dashtë t’i bashkëngjitet grupit terrorsit ‘Al Nusra’. Për këtë nuk ka asnjë provë, nuk mund të vërtetohet ‘dashja’ e dikujt”, shtoi Humolli.

Po ashtu, avokati kërkoi nga trupi gjykues që për të mbrojturin e tij të nxjerrë aktgjykim lirues, por nëse eventualisht të njëjtit gjejnë se veprimet e të mbrojturit të tij përmbajnë elemente të veprës penale, atëherë t’i shqiptojë atij dënim me kusht.

E pas avokatit, vet i akuzuari deklaroi “nuk kam qenë në grupin terrorist qaty ku po thotë prokurori”.

Dënimi me Kusht për Livorekën

Në të njëjtën ditë, më 28 dhjetor të vitit 2017, pas fjalës përfundimtare u shpall edhe aktgjykimi nga kryetarja e trupit gjykues, Shadije Gërguri.

Arben Livoreka u dënua nga Gjykata Themelore në Prishtinë me dy vjet burg me kusht.

Livoreka nuk duhet të kryejë vepër tjetër penale gjatë dy vjetëve të ardhshëm, nëse nuk dëshiron që dënimin prej dy vjetësh ta vuajë prapa grilave.

Pas shpalljes së aktgjykimit, i pyetur nga KALLXO.com se a do të parashtrojë ankesë kundër këtij verdikti, prokurori Blakaj tha se njëherë do të lexojë arsyetimin e Gjykatës e më pas do të shqyrtojë mundësinë e ankesës.

http://kallxo.com/denim-per-terrorizem-ne-rastin-harausham/

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.